Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
Shumëllojshmëri e habitshme në oqeane
Gazeta gjermane Leipziger Volkszeitung thotë: «Biologët detarë ndërkombëtarë po zbulojnë çdo javë 30 lloje të reja gjallesash ujore.» Ky njoftim erdhi nga raportimi i parë që u bë për projektin e Regjistrimit të Gjallesave Detare. Ky është një projekt 10-vjeçar që filloi në vitin 2000, në të cilin përfshihen 300 shkencëtarë nga 53 vende. Gazeta vazhdonte duke thënë që studiuesit besojnë se «ka të ngjarë që në oqeane të ketë më shumë se dy milionë lloje gjallesash dhe bimësh. Më shumë se 95 për qind e llojeve të gjallesave mund të jenë akoma të panjohura».
Humbin, por normalisht gjenden
The New York Times raporton se gjatë vitit 2002, njerëzit kanë kthyer më shumë se 23 milionë dollarë në zyrën e sendeve të humbura në Policinë Metropolitane të Tokios, Japoni. Nga kjo shumë, 72 për qind iu kthye pronarëve. Në qendrën e madhe të sendeve të humbura, ndodhen edhe qindra mijë sende të tjera, si për shembull celularë, çelësa, syze optike, lodra, pajisje sportive dhe sigurisht ato që harrohen më shpesh, çadrat, 330.000 prej të cilave janë dorëzuar vetëm brenda vitit 2002. «Fëmijët, që në vogëli, edukohen që të dorëzojnë në polici çdo gjë që gjejnë»,—thotë The Times. Rreth dyqind deri treqind veta në ditë vijnë te kjo qendër për të marrë sendet që kanë humbur. Është çudi me disa sende të humbura, siç janë patericat ose karrocat e invalidëve. «Nuk e kuptoj si u ka vajtur filli pronarëve»,—thotë Hitoshi Shitara, një polic që prej shumë kohësh punon në zyrën e sendeve të humbura.
Masa kundër vonesave
Në Ekuador ka filluar një fushatë kombëtare për përpikërinë. Sipas revistës Economist, është llogaritur se vonesat, përveç problemeve që shkaktojnë, i kushtojnë Ekuadorit 742 milionë dollarë në vit, që është baraz me 4,3 për qind të fitimeve brenda vendit. «Më shumë se gjysma e gjithë ngjarjeve publike fillojnë me vonesë»,—thuhet në artikull. Fushata e përpikërisë ka pasur njëfarë suksesi deri tani. The Economist thotë: «U ndalohet hyrja atyre që vijnë me vonesë, dhe një gazetë lokale boton çdo ditë një listë të zyrtarëve që vijnë me vonesë nëpër ngjarje publike.»
Fëmijët dhe kompjuteri
The Wall Street Journal shpjegon se, sipas një raporti të Seksionit të Arsimit në Shtetet e Bashkuara, atje «rreth 90 për qind e fëmijëve 5 deri 17 vjeç përdorin kompjuter dhe 59 për qind e tyre futen në Internet, shifra këto që janë më të larta se numri i të rriturve në të dyja rastet». Fëmijët fillojnë ta përdorin kompjuterin që në moshë të vogël. Në raport thuhet: «Gati treçereku i fëmijëve i përdorin kompjuterët që kur janë pesë vjeç dhe shumica dërrmuese hyjnë në Internet që nëntë vjeç.» Siç komenton Journal, më shumë se gjysma e adoleshentëve lidhen me Internetin për të komunikuar me shokët ose për të luajtur, ndërsa «pothuajse tre në katër fëmijë përfitojnë nga Interneti për të bërë detyrat». Artikulli vazhdonte: «Vajzat që jo shumë kohë më parë i përdornin më pak sesa djemtë kompjuterët dhe Internetin, tani i përdorin po aq shumë.»
Dietë e shëndetshme mesdhetare
Në revistën Readers Digest thuhet: «Pasi vrojtuan për gati katër vjet zakonet në të ngrënë te 22.043 grekë, shkencëtarët në Harvard dhe në Fakultetin e Mjekësisë në Athinë zbuluan se dieta mesdhetare e ulte 25% ose më shumë rrezikun e vdekjes nga kanceri e nga sëmundjet e zemrës. Grekët konsumojnë shumë arra, fruta, perime, bimë bishtajore, drithëra, vaj ulliri dhe peshk me bollëk. Ndërsa me bulmetin, alkoolin dhe me mishin nuk e teprojnë. Shpesh është vënë re se konsumimi i ushqimeve tradicionale mesdhetare bën mirë për shëndetin.
Fëmijë që dalin në rrugë nga halli
Siç raporton revista Wprost, varfëria ka nxjerrë në rrugë më shumë se një milion fëmijë polakë. Zakonisht janë 8 deri në 15 vjeç, dhe «që në këtë moshë janë bërë burimi i vetëm i të ardhurave në familje», duke paguar qiranë, duke ushqyer motrat e vëllezërit më të vegjël e madje duke u dhënë para për të pirë prindërve të alkoolizuar. Megjithëse në fillim mundohen ta fitojnë paranë në mënyrë të ndershme, shumica prej tyre «i futet më vonë rrugës së vjedhjes, trafikut të drogës e të alkoolit, fillojnë të zhvatin bashkëmoshatarët dhe merren me prostitucion». Sipas Marek Lisinskit të Fondacionit Social Povislanska, «problemi kryesor që hasin këta fëmijë nuk është as dhuna e as krimi, por fakti që nuk kanë as një vend ku të futin kokën dhe askënd ku të mbështeten».
Ushqime për lëkurën
Gjithnjë e më tepër ushqimet po bëhen përbërësit më të përdorur në kozmetikë dhe në trajtimin e problemeve shëndetësore. Përveç çokollatës, po përdoren edhe artikuj të tjerë ushqimorë, si për shembull vaji i ullirit. Gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung raporton se «të bësh një banjë çlodhëse nën dritën e qirinjve në një vaskë plot shkumë ku është hedhur edhe kakao, e ndjekur nga një masazh me përzierje kakaoje të ngrohtë dhe pastaj t’i bësh kompresa trupit me çokollatë të shkrirë» besohet se parandalon plakjen e lëkurës. Vërtet? «Edhe pse teorikisht mund të jetë e lehtë për t’u besuar që esenca e kakaos në kremra mund të vonojë efektet e plakjes së lëkurës, shkencërisht nuk është vërtetuar ende»,—thotë profesor Folker Shtainkrausi i Institutit të Dermatologjisë në Hamburg.
Gratë në kërkim të pornografisë
«Vitet e fundit lehtësia për të hyrë në Internet, ulja e çmimeve të tij dhe mundësia për të mbetur anonimë kanë bërë që mijëra grave t’u duket jashtë mase tërheqëse pornografia,—thotë gazeta Plain Dealer e Klivlendit, Ohajo, SHBA.—Nga ata që hyjnë në faqet e Internetit për të rritur, pothuajse një në tre është grua.» Një nënë 42-vjeçare filloi të shihte pornografi «për të kuptuar se ç’ishte ajo gjë që e kishte bërë rob ish-burrin e saj. Shumë shpejt iu bë ves dhe kalonte deri 30 orë në javë duke parë pornografi në Internet për të ngjallur dëshira të papastra».
Pasojat e fshehta të mungesës së gjumit
Revista Science News thotë se «njerëzit që mjaftohen me pak orë gjumë, shpesh nuk e kuptojnë që u bien aftësitë mendore dhe përveç kësaj nuk ndihen tepër të përgjumur». Një studim dyjavor, që u bë me 48 vullnetarë të moshave nga 21 deri në 38 vjeç, tregoi se vetëm brenda disa ditësh mungesa e vazhdueshme e gjumit ulte aftësitë e tyre mendore, përfshirë këtu vigjilencën dhe aftësinë për të reaguar shpejt. Mesatarja e orëve të gjumit që bënin gjithë vullnetarët para eksperimentit ishte shtatë a tetë orë, por gjatë studimit i ndanë në katër grupe. Ata që bënin pjesë në tre grupet e para i lanë të flinin përkatësisht tetë orë, gjashtë orë dhe katër orë. Ndërsa grupin e katërt nuk e lanë të flinte fare për një periudhë triditore. Nga provimet që bënë u kuptua se ata të grupeve që fjetën gjashtë dhe katër orë kishin rënie të aftësive mendore, ndërsa ata që kishin fjetur tetë orë nuk kishin pësuar asgjë.