Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Qeni më i vogël në botë

Qeni më i vogël në botë

Qeni më i vogël në botë

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË MEKSIKË

A PO kërkoni një shok që të jetë miqësor dhe energjik, por edhe të ndihet i kënaqur kur shtrihet qetësisht në prehrin tuaj ose kur ulet pranë jush ndërkohë që lexoni? A doni një shok që ha pak, që zë pak vend dhe që nuk ka nevojë ta nxirrni çdo ditë që të jetë në lëvizje? Atëherë ka mundësi që të kënaqeni me një çiuaua, raca e qenve më trupvegjël që njihen deri më sot në botë. *

Çiuaua është një rojtar i mirë dhe kur diçka nuk shkon, ai leh për të lajmëruar të zotin. Po, çiuauat janë të guximshëm dhe nuk iu dridhet qerpiku para qenve të mëdhenj.

Çiuaua ka kokë rrumbullake dhe sy të ndritshëm, që janë disi larg njëri-tjetrit. Fytyra e tij ka një shprehje çapkëne. Veshët i rrinë përpjetë, por i përkulen anash kur qeni pushon. Çiuauat mund të kenë qime të shkurtra e të buta ose qime të gjata dhe si të mëndafshta. Gëzofi i tyre mund të jetë i kuq, në ngjyrë ari, blu ose çokollatë. Ata mund të jenë njëngjyrësh, mund të kenë vija a njolla, por mund të kenë edhe pulla që bëjnë kontrast. Një karakteristikë e veçantë e shumicës së koneve të çiuauave është se majën e kokës e kanë të butë, siç e kanë edhe foshnjat e sapolindura.

Origjina e çiuauave

Ndonëse ka mendime të ndryshme lidhur me origjinën e racës së çiuauave, me sa duket ata kanë ardhur nga një racë qensh trupvegjël, që quheshin tekiki. Në shekullin e nëntë të e.s, një popull meksikan, toltekët, mbanin qen të kësaj race. Një provë për këtë origjinë shihet në një manastir në qytetin e Uehocingos. Murgjit françeskanë e ndërtuan këtë manastir me gurë që i morën nga piramidat e Çolulës. Gurët kanë gdhendje të lashta, ku tregohen krijesa që ngjasojnë shumë me çiuauat e sotëm.

Më vonë actekët i mundën toltekët, dhe aristokracia i ktheu në objekte adhurimi këta qen të vegjël, sidomos ata me ngjyrë blu. Besohej se këta qen shërbenin si udhërrëfyes gjatë udhëtimit që bënin shpirtrat e të vdekurve në botën e përtejme. Montezuma II, perandori i fundit i actekëve, ishte i pasionuar pas çiuauave. Thuhet se ai kishte qindra çiuaua, dhe çdonjëri prej tyre kishte kujdestarin e vet. Në varret që ndodhen në kufirin që ndan Meksikën me SHBA-në, janë gjetur skelete të çiuauave.

Nga kërkimet që bëri e ndjera Telma Grei, historiane dhe specialiste për çiuauat, arriti në përfundimin se qentë vendës të actekëve u kryqëzuan me qen trupvegjël të racës terrier, që i sollën pushtuesit spanjollë. Kështu u krijuan kushtet për zhvillimin e një race edhe më trupvogël, pra për çiuauat e sotëm. Quhen çiuaua, sepse në mesin e shekullit të 19-të, disa amerikanë që kishin shkuar në Meksikë, e zbuluan këtë racë pikërisht në shtetin e Çiuauas. Kur u kthyen në Shtetet e Bashkuara, këta udhëtarë morën me vete disa qen të tillë. Pothuajse në të njëjtën kohë, Karlota, gruaja e perandorit të Meksikës, Maksimilianit, çoi në Evropë qen të kësaj race. Në këtë mënyrë, ajo ndihmoi që fama e çiuauave të përhapej në shumë vende të botës.

Si të kujdeseni për çiuauan

Çiuauat janë qen që mbahen në mjedise të mbyllura dhe janë të shkëlqyer për t’u mbajtur në apartament. Prandaj janë shumë të dobishëm për të moshuarit, për ata me kufizime fizike ose për ata që s’mund të dalin nga shtëpia. Çiuauat rriten mjaft mirë kur njerëzit merren me ta dhe kur u tregohet shumë kujdes. Gjithsesi, meqë janë tepër të vegjël, duhet të merren disa masa mbrojtëse. Ata mund të dëmtohen rëndë ose të vriten nëse i shkel pa dashje, u ulesh sipër ose i shtrëngon fort. Çiuauat nuk duhen lënë pa mbikëqyrje në vende të larta, si për shembull mbi krevate ose divane, pasi nuk e dinë se ç’është lartësia dhe fare lehtë mund të hidhen e të thyejnë ndonjë kockë. Prandaj nuk është e këshillueshme që çiuauat t’i mbajnë fëmijët e vegjël.

Megjithatë, çiuauat janë më të fortë nga ç’mund të mendoni. Në fakt ata janë një nga racat me jetëgjatësi më të madhe dhe jetojnë nga 16 deri në 19 vjet. Çiuaua është qen energjik e lojcak, dhe çamarrokllëqet që bën çdo ditë me lodrat e veta, mjaftojnë për të plotësuar nevojën e tij për ushtrime fizike. Por, meqë i djegin kaloritë më shpejt se qentë e racave më trupmëdha dhe kanë një aparat tretës shumë të vogël, çiuauat janë të prirur të vuajnë nga niveli i ulët i sheqerit në gjak. Prandaj ata kanë nevojë të hanë pak e shpesh dhe kanë nevojë të pushojnë mirë. Një karakteristikë për këtë racë qensh është se atyre u dridhet trupi. Çiuaua dridhet jo vetëm kur ka ftohtë, por edhe kur është i gëzuar, i shqetësuar, i pakënaqur ose i frikësuar.

Çiuaua është qen besnik, i gatshëm të të kënaqë dhe stërvitet kollaj. Në librin Këshilla për ata që kanë marrë rishtazi një çiuaua (anglisht) thuhet që «në qoftë se jeni gati t’ia plotësoni të gjitha nevojat një qeni çiuaua, zor se ka ndonjë qen tjetër që të jetë kaq i zhdërvjellët, kaq miqësor dhe kaq i aftë për t’u përshtatur, sa ç’është ai». Shumë njerëz kanë parë se çiuauat trupimët janë shokë të shkëlqyer.

[Shënimi]

^ par. 3 Ndër qentë trupvegjël që njerëzit i mbajnë për kënaqësi, raca e çiuauave është e vetmja racë «natyrore», pra janë të vetmit që nuk janë përftuar nga shumimi përzgjedhës i qenve trupmëdhenj.

[Figura në faqen 15]

Një kotele dhe një kone çiuaua

[Burimi]

© Tim Davis/CORBIS

[Figura në faqen 15]

Një çiuaua i rritur