Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si të jesh një baba i mirë?

Si të jesh një baba i mirë?

Si të jesh një baba i mirë?

NJË ARTIKULL në revistën Economist, i cili fliste për prishjen e familjes, fillonte me këtë thënie interesante: «Të bësh fëmijë, është e lehtë; të bëhesh baba i mirë, nuk është e lehtë.»

Në jetë ka shumë gjëra që kërkojnë mjaft përpjekje. Një nga gjërat më të vështira, si edhe më të rëndësishme, është të jesh baba i mirë. Çdo baba duhet ta dëshirojë me zemër që të jetë një prind i mirë, pasi nga kjo varet mirëqenia dhe lumturia e familjes.

Përse nuk është e lehtë?

E thënë me fjalë të thjeshta, një nga arsyet kryesore pse nuk është e lehtë të jesh një baba i mirë, është papërsosmëria e trashëguar si te prindërit, ashtu edhe te fëmijët. «Synimet e zemrës së njeriut janë të këqija qysh në fëmijërinë e tij»,​—thotë Bibla. (Zanafilla 8:21) Prandaj, një shkrimtar i Biblës pohoi: «Nëna ime më ka Iindur në mëkat.» (Psalmi 51:5; Romakëve 5:12) Por prirja për të bërë të keqen për shkak të mëkatit të trashëguar, është vetëm një nga pengesat që e bën të vështirë të jesh baba i mirë.

Një pengesë tjetër e madhe është kjo botë ose ky sistem botëror. Pse kështu? Sepse, siç shpjegon Bibla, «e gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut», i cili identifikohet si «ai që quhet Djall dhe Satana». Gjithashtu Bibla e quan Satanain «perëndia i këtij sistemi». Nuk është për t’u habitur që Jezui tha se ashtu si ai, edhe dishepujt e tij nuk duhet të jenë «pjesë e botës».​—1 Gjonit 5:19; Zbulesa 12:9; 2 Korintasve 4:4; Gjoni 17:16.

Për të qenë një baba i mirë, është jetësore që të jesh vazhdimisht i vetëdijshëm për papërsosmërinë tonë të trashëguar, për ekzistencën e Satana Djallit dhe për ndikimin e kësaj bote që është nën kontrollin e tij. Këto pengesa nuk janë vetëm fantazi. Ato janë reale. Por ku mund të drejtohet një burrë për të mësuar se si t’i kapërcejë ato dhe si të bëhet një baba i mirë?

Shembulli i Perëndisë dhe i Birit të tij

Për të kapërcyer pengesat e mësipërme, një baba mund t’i drejtohet Biblës për ndihmë. Atje ka shembuj të mrekullueshëm. Jezui tregoi se cili ishte shembulli më i mirë, kur i mësoi ithtarët e tij të luteshin: «Ati ynë që je në qiej.» Duke përshkruar Atin tonë qiellor, Bibla thotë me fjalë të thjeshta: «Perëndia është dashuri.» Si duhet të veprojë një baba kur mëson për këtë shembull dashurie? «Bëhuni, pra, imitues të Perëndisë,​—nxiti apostulli Pavël,​—dhe vazhdoni të ecni në dashuri.»​—Mateu 6:9, 10; 1 Gjonit 4:8; Efesianëve 5:1, 2.

Në qoftë se je baba, shqyrto se çfarë mund të mësosh edhe nga një rast i vetëm, ku tregohet se si veproi Perëndia me Jezuin, Birin e tij. Mateu 3:17 na tregon se kur Jezui u pagëzua në ujë, nga qielli u dëgjua zëri i Perëndisë që tha: «Ky është Biri im, i dashuri, të cilin e kam miratuar.» Çfarë mund të mësojmë nga këto fjalë?

Në fillim, mendo se si ndikon te një fëmijë kur babai i thotë dikujt me krenari: ‘Ky është djali im’ ose: ‘Kjo është vajza ime’. Fëmijët rriten të mbarë, kur e ndiejnë se prindërit u kushtojnë vëmendje, sidomos kur prindërit i vlerësojnë arritjet e tyre. Kur një fëmijë e lavdërojnë, ka të ngjarë të nxitet që të përpiqet edhe më shumë, për të provuar se e meriton këtë vlerësim.

Së dyti, Perëndia e shprehu se çfarë ndiente për Jezuin, kur e quajti atë «i dashuri». Kjo shprehje përzemërsie nga Ati i tij, duhet t’ia ketë ngrohur zemrën Jezuit. Edhe fëmijët e tu do të inkurajohen nëse me fjalët, si edhe me kohën, vëmendjen dhe interesimin tënd, u tregon se i do me gjithë zemër.

Së treti, Perëndia i tha Birit të tij: «Të kam miratuar.» (Marku 1:11) Edhe kjo është diçka jetësore që mund të bëjë një baba, pra t’u thotë fëmijëve se është i kënaqur me ta. Kuptohet që një fëmijë do të bëjë shpesh gabime. Të gjithë gabojmë. Por si baba, a po kërkon raste që t’i përgëzosh fëmijët e tu për gjërat e mira që bëjnë ose thonë?

Jezui mësoi shumë nga Ati i vet qiellor. Kur ishte në tokë, me fjalë dhe me vepra, tregoi pikërisht atë që ndien Ati për fëmijët e Tij në tokë. (Gjoni 14:9) Edhe kur ishte i zënë dhe në ankth, Jezui gjeti kohë të ulej e të bisedonte me fëmijët. Ai u tha dishepujve: «Lërini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë; mos u mundoni t’i ndalni.» (Marku 10:14) Etër, a mund ta ndiqni edhe më plotësisht shembullin e Perëndisë Jehova dhe të Birit të tij?

Shembulli i mirë është jetësor

Ia vlen të theksohet se sa e rëndësishme është që t’u lini një shembull të mirë fëmijëve tuaj. Përpjekjet tuaja për ‘t’i rritur në disiplinën dhe normën mendore të Jehovait’ ka mundësi të mos ndikojnë shumë, në rast se ju vetë nuk po i nënshtroheni disiplinës së Perëndisë dhe nuk po lejoni që jeta juaj të drejtohet prej saj. (Efesianëve 6:4) Megjithatë, me ndihmën e Perëndisë mund të përballoni çdo vështirësi ndërsa përmbushni urdhërimin e tij që të kujdeseni për fëmijët tuaj.

Le të marrim rastin e Viktor Gutshmidit, një Dëshmitar i Jehovait në ish-Bashkimin Sovjetik. Në tetor të vitit 1957 atë e dënuan me dhjetë vjet burg, ngaqë fliste me të tjerët për besimin e tij. Ai la dy vajzat dhe gruan e tij, Polinën. Kur ishte në burg, e lejuan t’i shkruante familjes, por ia ndaluan të thoshte ndonjë gjë për Perëndinë ose për çfarëdolloj çështjeje fetare. Edhe pse u gjend përballë një vështirësie të tillë, Viktori ishte i vendosur të vepronte si një baba i mirë. Ai e dinte se për këtë ishte jetësore që t’u mësonte fëmijëve për Perëndinë. Pra ç’bëri ai?

«Gjeta material në revistat sovjetike Natyralisti i ri dhe Natyra,​—thotë Viktori.​—Në letra vizatoja kafshë, njerëz dhe shkruaja edhe ndonjë tregim ose përvojë që kishte lidhje me natyrën.»

«Sapo i merrnim ato letra,​—thotë Polina,​—menjëherë i lidhnim me pjesë nga Bibla. Për shembull, kur në to tregohej për bukurinë e natyrës, pyjeve ose lumenjve, lexoja Isainë te kapitulli 65.» Aty flitet për premtimin e Perëndisë që ta kthejë tokën në parajsë.

Vajza e Viktorit, Julia, tregon: «Pastaj mami lutej me ne dhe qanim. Ato letra luajtën një rol të rëndësishëm në jetën tonë ndërsa rriteshim.» Polina thotë se si rrjedhim «vajzat e donin shumë Perëndinë që kur ishin fëmijë». Si po ecën sot kjo familje?

Viktori thotë: «Që të dyja vajzat e mia janë martuar me burra të krishterë, që shërbejnë si pleq. Ato kanë familje të forta në besim dhe fëmijët e tyre po i shërbejnë me besnikëri Jehovait.»

Shpesh, që të lësh një shembull të mirë, nuk kërkohet vetëm fantazi, por edhe përpjekje të mëdha. Ka mjaft mundësi që fëmijëve t’u preket zemra kur shohin të atin që përpiqet me të gjitha forcat. Një burrë, që kaloi shumë vjet në shërbimin e plotkohor, tha me mirënjohje për të atin: «Ndonjëherë babi kthehej kaq i lodhur nga puna, sa mezi mbahej në këmbë, por pavarësisht nga kjo, e bënim rregullisht studimin biblik si familje. Kjo na ndihmoi të kuptonim se sa i rëndësishëm është ky studim.»

Është e qartë se që të jesh baba i mirë, është thelbësore të lësh një shembull të mirë, si me fjalë, ashtu edhe me vepra. Kjo është e nevojshme, në qoftë se doni të provoni se sa i vërtetë është proverbi biblik që thotë: «Mësoji fëmijës rrugën që duhet të ndjekë dhe ai nuk do të largohet prej saj edhe kur të plaket.»​—Fjalët e urta 22:6.

Pra mbani parasysh se nuk kanë rëndësi vetëm fjalët që thoni. Ajo që ka më shumë rëndësi, është se çfarë bëni, shembulli që lini. Një specialist kanadez për edukimin në fëmijërinë e hershme shkroi: «Metoda më e mirë për t’i mësuar fëmijët të sillen [siç do të dëshironim], është që ne vetë të sillemi në atë mënyrë.» Po, në qoftë se dëshironi që fëmijët t’i vlerësojnë gjërat frymore, është e domosdoshme që edhe ju vetë ta bëni këtë.

Gjeni kohë për ta!

Fëmijët duhet ta shohin shembullin tuaj të mirë. Kjo do të thotë që është e nevojshme të kaloni kohë me ta, shumë kohë, jo vetëm pak çaste e me hope. Është e mençur të ndiqni këshillën e Biblës që ‘të blini kohë’, dhe kjo do të thotë të lini gjërat që kanë më pak rëndësi, për të qenë me ta. (Efesianëve 5:15, 16) Vërtet, ç’gjë është më e rëndësishme se fëmijët tuaj: një televizor i kushtueshëm, një vilë apo puna?

Në qoftë se baballarët nuk kalojnë kohë me fëmijët, duke u kujdesur për ta kur i kanë të vegjël, do të vuajnë pasojat më vonë. Shpesh baballarët e fëmijëve që bëjnë një jetë imorale ose që ndjekin një mënyrë jetese ku mungojnë vlerat frymore, i bren shumë ndërgjegjja. Me keqardhje thonë se i lanë pas dore të vegjlit e tyre, duke mos u ndenjur afër kur këta kishin vërtet nevojë për një baba.

Mos harroni se kur fëmijët janë të vegjël, është pikërisht koha të mendoni për pasojat e vendimeve tuaja. Bibla i quan fëmijët «një trashëgimi që vjen nga Zoti», diçka që jua ka besuar vetë Perëndia. (Psalmi 127:3) Pra, kurrë mos harroni se mbani përgjegjësi para Perëndisë për ta.

Ndihma mund të gjendet

Një baba i mirë është i etur të marrë ndihmë, nga e cila do të kenë dobi fëmijët e tij. Pasi një engjëll i tha të shoqes së Manoahut se ajo do të lindte një fëmijë, Manoahu iu lut Perëndisë: «Të lutem që njeriu i Perëndisë i dërguar prej teje të kthehet përsëri pranë nesh dhe të na mësojë se çfarë duhet të bëjmë me fëmijën që ka për të lindur.» (Gjyqtarët 13:8, 9) Ashtu si prindërit sot, për çfarë lloj ndihme kishte nevojë Manoahu? Le ta shohim.

Brent Burgojni, pedagog në Universitetin e Kejptaunit, në Afrikën e Jugut, tha: «Një nga dhuratat më të mëdha që mund t’i japësh fëmijës, është t’i ngulitësh disa vlera ose parime.» Fakti që fëmijët kanë nevojë t’u mësojnë vlera të tilla, duket nga një artikull në gazetën japoneze Daily Yomiuri, ku thuhej: «[Një] anketë tregon se 71 për qind e fëmijëve japonezë nuk janë këshilluar asnjëherë nga baballarët e tyre që të mos gënjejnë.» A nuk është ky një shembull i trishtueshëm?

Te kush mund të drejtohemi për vlera morale, të provuara nga koha? Te i njëjti person që i dha drejtim edhe Manoahut, te vetë Perëndia. Për të na dhënë ndihmë, Perëndia dërgoi Birin e tij të dashur Jezuin, si Mësues, dhe kështu e thërritnin zakonisht njerëzit atë. Sot, në shumë gjuhë, është në dispozicion libri Të mësojmë nga Mësuesi i Madh. Ky libër nxjerr mësime nga gjërat që tha Jezui dhe është botuar për ta përdorur kur mësoni fëmijët tuaj.

Libri Të mësojmë nga Mësuesi i Madh jo vetëm që shpjegon vlerat morale që bazohen te Fjala e Perëndisë, por edhe e ilustron tekstin me më shumë se 160 figura. Figurat shoqërohen me pyetje që lidhen me temën. Për shembull, kapitulli 22, me titull «Pse s’duhet të gënjejmë?» ka figurën që tregohet në faqen 32 të kësaj reviste. Teksti në faqen ku është kjo figurë thotë: «Ndoshta një djalë i thotë babait: ‘Jo, nuk kam luajtur me top brenda në shtëpi.’ Por, po sikur në të vërtetë ai të ketë luajtur? A do të ishte e gabuar të thoshte që s’ka luajtur?»

Mësime inkurajuese kanë edhe kapitujt me titull: «Bindja të mbron», «Duhet t’u kundërvihemi tundimeve», «Një mësim se si të jemi të mirë me të tjerët», «Mos u bëj kurrë hajdut!», «A i pëlqejnë Perëndisë të gjitha festat?», «Si ta bëjmë të lumtur Perëndinë?» dhe «Pse duhet të punojmë?». Këta janë vetëm disa nga 48 kapitujt e këtij libri.

Parathënia e librit përfundon me fjalët: «Fëmijët në veçanti duhen drejtuar te Burimi i çdo mençurie, te Ati ynë qiellor, Perëndia Jehova. Jezui, Mësuesi i Madh, e bëri gjithnjë këtë. Shpresojmë sinqerisht që ky libër do t’ju ndihmojë ju dhe familjen tuaj t’i jepni formë jetës sipas mënyrës që i pëlqen Jehovait e të keni prej tij bekime të përjetshme.» *

Pa dyshim, të jesh një baba i mirë, do të thotë t’u lësh një shembull të mirë fëmijëve, të kalosh shumë kohë me ta dhe t’i ndihmosh të jetojnë në përputhje me normat e Perëndisë, që ai i ka treguar në Bibël.

[Shënimi]

^ par. 35 Disa libra të tjerë që kanë botuar Dëshmitarët e Jehovait për të ndihmuar familjet janë: Libri im i tregimeve biblike, Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike dhe Sekreti i lumturisë familjare.

[Figura në faqen 8]

Ndonëse në burg, Viktor Gutshmidi arriti të ishte një baba i mirë

[Figurat në faqet 8, 9]

Kur ishte në burg për shkak të besimit të tij, Viktori bëri këto vizatime për të mësuar fëmijët e vet

[Figura në faqen 9]

Vajzat e Viktorit në vitin 1965

[Figura në faqen 10]

Baballarët duhet të marrin pjesë aktivisht në edukimin e fëmijëve