Si t’u them jo marrëdhënieve para martesës?
Të rinjtë pyesin . . .
Si t’u them jo marrëdhënieve para martesës?
«Në moshën 19-vjeçare kreva marrëdhënie me një djalë që e kisha njohur në shkollë. S’e them dot se sa keq u ndjeva. Më dukej vetja pa vlerë.»—Lesi. *
«IKNI nga kurvëria»,—urdhëron Bibla. (1 Korintasve 6:18) Megjithatë, sot janë të paktë ata të rinj që kanë dëshirë t’u binden fjalëve të Biblës dhe të mos kryejnë marrëdhënie seksuale derisa të martohen. Disa të tjerë, si Lesi, u janë dorëzuar dëshirave, dhe si pasojë kanë vuajtur emocionalisht e i ka vrarë ndërgjegjja.
Është e vërtetë se nuk është e lehtë t’i kontrollosh impulset seksuale. Siç thotë libri Zhvillimi i adoleshentëve (anglisht), ndryshimet hormonale të pubertetit sigurisht që «shoqërohen me shtimin e impulseve seksuale». Poli thotë: «Ndonjëherë, pa ndonjë arsye të dukshme, më vijnë në mendje mendime për seksin.»
Megjithatë, Hauard Kulini, profesor në fushën e pediatrisë, thotë: «T’ua vësh fajin vetëm hormoneve për sjelljen e adoleshentëve, do të thotë ta thjeshtosh tepër problemin.» Ai shpjegon se rol luajnë edhe faktorët shoqërorë. Po, faktorët shoqërorë, sidomos bashkëmoshatarët, ushtrojnë ndikim të fuqishëm.
Në librin e saj, Një grup i veçuar (anglisht), shkrimtarja Patrisha Hersh thotë se «të rinjtë kanë krijuar bashkësinë e tyre. . . . Ajo nuk është thjesht një grup moshatarësh, ajo bëhet një shoqëri e veçuar [nga të rriturit] dhe ka parimet, rregullat dhe normat e saj». Por «normat morale» dhe «rregullat» e shumë të rinjve sot, shpesh nxitin plotësimin e dëshirave seksuale, jo mbajtjen e tyre nën kontroll. Si pasojë, shumë të rinj ndoshta ndihen nën presion për të kryer marrëdhënie para martesës.
Sidoqoftë, disa të rinj me mençuri kanë vendosur t’u thonë jo të gjitha formave të kurvërisë, duke ditur se Perëndia e dënon atë si një nga «veprat e mishit». * (Galatasve 5:19) Por si ta ruash dëlirësinë kur përballesh me presione të mëdha?
Kërko shokë të mençur
Vërtet, presioni i shoqërisë mund të ndikojë për keq te ti, por është interesante që nga ana tjetër, shokët e duhur mund të ndikojnë për mirë. Është ashtu siç thotë Bibla: «Kush shkon me të urtët [të mençurit, BR] bëhet i urtë.» (Fjalët e urta 13:20; 1 Korintasve 15:33) Një raport i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) thoshte se «adoleshentët që kanë lidhje që ua pasurojnë jetën, me prindërit, me të rritur të përgjegjshëm dhe me moshatarët» e «që kanë stabilitet në jetë dhe kufij që nuk i shkelin, . . . ka më pak të ngjarë të kryejnë marrëdhënie seksuale».
Një lidhje e tillë, sidomos me prindërit, të sjell shumë dobi. Xhozefi kujton: «S’ka dyshim që prindërit më ndihmuan t’i rezistoja presionit për të kryer marrëdhënie seksuale.» Po, prindërit që duan t’i pëlqejnë Perëndisë mund të të japin stabilitet në jetë dhe të të vënë kufij që nuk duhen shkelur, duke u bazuar te Fjala e Perëndisë. (Efesianëve 6:2, 3) Ata mund të të mbështetin në përpjekjet që bën për të mbetur i dëlirë.
Është e vërtetë se të flasësh me ta për çështjet seksuale, në fillim është ca e sikletshme. Por ndoshta do të habitesh kur të shohësh sa mirë i kuptojnë ata ndjenjat e tua. Mos harro se edhe ata kanë qenë dikur të rinj. Prandaj Sonja i këshillon të rinjtë: «Shko te prindërit, mos u ndiej në siklet dhe mos ki turp të flasësh me ta për seksin.»
Por ç’të bësh nëse prindërit e tu nuk i ndjekin normat e Biblës? Edhe pse i nderon ata, ndoshta ke nevojë të kërkosh këshilla nga dikush që nuk është i familjes. Poli, që përmendëm më sipër, thotë: «Për këto gjëra më ndihmojnë shumë çiftet e pjekura të krishtere.» Kenxhi, një vajzë e re, që e ka nënën jobesimtare, thotë: «Për të marrë këshilla, shkoj vetëm te njerëz të pjekur dhe që të ndërtojnë frymësisht.» Por ajo gjithashtu paralajmëron: «I shmang ata që nuk kanë norma morale të larta, edhe kur thonë se kanë të njëjtat bindje fetare me mua.»
Ndonjëherë të duhet të kesh kujdes me shokët që zgjedh brenda kongregacionit të krishterë. Bibla na kujton se në çdo grup të madh, shpesh ka nga ata që nuk sillen me ndershmëri. (2 Timoteut 2:20) Çfarë duhet të bësh po të kuptosh se disa nga të rinjtë në kongregacionin tënd, janë «hipokritë»? (Psalmi 26:4) Mos ki shoqëri të ngushtë me ta dhe përpiqu të zësh shoqëri me njerëz që të bëjnë edhe më të vendosur për të qëndruar i pastër moralisht.
Qëndro larg propagandës së dëmshme
Gjithashtu duhet të marrësh masa që ta mbrosh veten nga moria e skenave me seks dhe nga pamjet ose nga fjalët me nënkuptime që hasen në libra, revista, videoklipe, videolojëra, filma dhe në Internet. Media e paraqet seksin para martesës si diçka të magjishme, të kënaqshme dhe pa rrezik. Çfarë pasojash ka kjo? Kenxhi, që përmendëm më sipër, tregon: «Ndiqja një program ku flitej pa seriozitet për seksin, e madje hidhej fjala shkarazi për marrëdhënie homoseksuale. Si pasojë fillova të harroja se sa me seriozitet i sheh Jehovai çështje të tilla.»
E vërteta është se shpesh zbavitjet e përhapura i fshehin me mjeshtëri pasojat e hidhura të seksit para martesës, siç janë shtatzënia e padëshiruar, martesat e parakohshme dhe sëmundjet seksualisht të transmetueshme. Pra mos u mashtro nga ata «që e quajnë të mirë të keqen dhe të keqe të mirën».—Isaia 5:20.
Mbaj parasysh atë që thuhet te Fjalët e urta 14:15: «Budallai i beson çdo fjale, por njeriu i matur tregon kujdes të veçantë për hapat e tij.» Në qoftë se, ndërkohë që lexon, kërkon në Internet ose sheh televizor, rastësisht has gjëra që nxitin fantazinë ose dëshirat seksuale, vepro menjëherë. Mbylle librin, fike kompjuterin ose ndërroje stacionin. Pastaj përpiqu të mendosh për diçka tjetër, diçka të shëndetshme. (Filipianëve 4:8) Po të bësh kështu, mund t’u vësh fre dëshirave të gabuara pa u lënë kohë të rriten.—Jakovi 1:14, 15.
Ki kujdes nga rrethanat tunduese
A po njihesh me ndonjë? Atëherë nevojitet t’i mbash sytë hapur. Bibla na paralajmëron: «Zemra gënjehet më tepër se çdo gjë tjetër dhe sëmuret në mënyrë të pashërueshme.» (Jeremia 17:9) Është e lehtë të lejosh që shprehjet e përzemërsisë të çojnë drejt imoralitetit. Prandaj merr masa të arsyeshme parandaluese, si për shembull: të njiheni ndërsa jeni në shoqërinë e shëndetshme të një grupi ose të një të rrituri. Përpiqu të mos rrish vetëm për vetëm me të në rrethana tunduese.
Megjithatë, ndoshta je fejuar dhe pret të martohesh, kështu që mendon se disa shprehje përzemërsie do të ishin të përshtatshme. Gjithsesi një raport i OBSH-së paralajmëron: «Nga sa duket, shumica e grave, edhe ato që vijnë nga kultura konservatore, kryejnë marrëdhënie seksuale kur martesa është afër.» * Prandaj vër kufij për shprehjet e përzemërsisë që të mbrosh veten nga dhembjet emocionale të panevojshme.
Ndonëse mund të duket tronditëse, shumë të rinj, sidomos vajza, i kanë detyruar të kryejnë marrëdhënie seksuale. Sipas një studimi, «në SHBA, 60 për qind e adoleshenteve që kishin kryer marrëdhënie seksuale para se të mbushnin 15 vjeç, e kishin bërë këtë pa dëshirën e tyre». Shpesh autorët e krimit përdorin forcën për të mposhtur viktimat. (Predikuesi 4:1) Për shembull, Bibla tregon për djalin e mbretit David, Amnonin, që «u dashurua» me motrën nga babai, Tamarën, dhe me mashtrim e detyroi atë të kryente marrëdhënie seksuale.—2 Samuelit 13:1, 10-16.
Kjo nuk do të thotë se është e pamundur që të parandalosh përdhunimin ose seksin me detyrim. Po të jesh syhapët, të mos e vësh veten në rrethana të rrezikshme dhe të veprosh shpejt kur je në rrezik, mund të bësh shumë për t’u mbrojtur. *
‘Bashko’ zemrën tënde
Shpresojmë që sugjerimet që shqyrtuam këtu, të të ndihmojnë në betejën për të mbetur i dëlirë. Por në fund të fundit, sjellja jote varet nga ajo që ke në zemër. Jezui tha se ‘kurvëria vjen nga zemra’. (Mateu 15:19) Prandaj duhet t’i bësh ballë prirjes për të qenë njeri me «gjysmë zemre» (i vakët) ose për të pasur një «zemër dyfaqëshe» (hipokrit) lidhur me këtë çështje shumë të rëndësishme.—Psalmi 12:2; 119:113, BR.
Nëse ndonjëherë e ndien se po të dobësohet vendosmëria ose bën luftë me zemrën, lutu siç bëri Davidi kur u përgjërua: «Bashkoje zemrën time me frikën e emrit tënd.» (Psalmi 86:11) Pas kësaj, bëj përpjekje në përputhje me lutjen tënde, duke studiuar Biblën, botimet e bazuara në Bibël dhe duke zbatuar gjërat që mëson. (Jakovi 1:22) Lidia thotë: «Kur mbaj parasysh që ‘asnjë kurvar a i ndyrë nuk ka trashëgimi në mbretërinë e Perëndisë’, nxitem që të mos u dorëzohem tundimeve seksuale’.»—Efesianëve 5:5.
Mund të mos jetë e lehtë t’u thuash jo marrëdhënieve para martesës. Megjithatë, me ndihmën e Jehovait mund të mbetesh i dëlirë e t’i kursesh vetes dhe të tjerëve shumë shqetësime dhe vuajtje.—Fjalët e urta 5:8-12.
[Shënimet]
^ par. 3 Emrat janë ndryshuar
^ par. 8 Shih artikullin «Të rinjtë pyesin . . . Ç’të keqe ka seksi para martesës?» në revistën e 22 korrikut 2004.
^ par. 21 Shih kapitullin e 29-të të librit Të rinjtë pyesin: Përgjigje praktike, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
^ par. 23 Sugjerime për këto çështje janë dhënë në rubrikën «Të rinjtë pyesin . . . » në artikujt «Ngacmimet seksuale: Si mund të mbrohem?» dhe «Si t’ia bëj që të mos më keqtrajtojë më?» në revistat e 22 gushtit 1995 (anglisht) dhe 22 qershorit 2004.
[Figura në faqen 17]
Kur bisedon me prindërit për ndjenjat e tua, mund ta kesh më të lehtë të ruash dëlirësinë
[Figura në faqen 18]
Mund të jeni të mbrojtur, nëse njiheni duke u shoqëruar në grup