Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Vuajnë nga «murtaja» e kripës

Vuajnë nga «murtaja» e kripës

Vuajnë nga «murtaja» e kripës

Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Australi

KRIPA është e domosdoshme për njerëzit dhe për kafshët. Ajo përbën gati 1 për qind të trupit tonë. Atë e përdorim në ushqime, ilaçe dhe për të ushqyer bagëtitë. Në botë konsumohen rreth 190 milionë tonë kripë çdo vit. * Por kjo lëndë e dobishme, që gjendet me bollëk, po u sjell gjithnjë e më shumë dëme disa prej tokave bujqësore më pjellore të botës.

Afro 40 për qind e të korrave botërore vijnë nga 15 për qind e tokave të kultivuara të botës, të cilat janë të pajisura me sistem ujitës. Kanalizimi i një toke që mund të duket djerr, bën që ajo të lulëzojë. Por ujitja mund të sjellë edhe grumbullimin e kripës në dhé, dhe kjo çon në helmimin e ngadalshëm të tokës. Tashmë, në gjysmën e të gjitha tokave të ujitura të botës, prodhimi është zvogëluar për shkak të kripëzimit. Ç’është e vërteta thuhet se një zonë, që ia kalon dyfishit të Zvicrës, del jashtë përdorimit çdo vit, si pasojë e kripëzimit dhe e ngopjes së tokave me ujë.

Në librin e tij, Jashtë tokës (anglisht), Daniel Hileli, shkencëtar i shquar në fushën e bujqësisë, jep këtë paralajmërim: «Çdonjëra nga murtajat e shkaktuara nga njeriu, të cilat erdhën si pa u kuptuar dhe që luajtën një rol kritik në rënien e qytetërimeve të mëparshme, ka ekuivalentin e vet në botën e sotme . . . por me përmasa gjithnjë e më të mëdha.» Thuhet se kripëzimi i kushton çdo vit 5 miliardë dollarë ekonomisë së SHBA-së për shkak të humbjes në të mbjella. Gjithsesi në botë janë të pakta vendet ku kjo murtajë që ka sjellë njeriu është kaq kërcënuese sa në Australi.

«Vdekja e bardhë»

Si pasojë e kripëzimit, çdo orë në Australinë Perëndimore, nga fushat e gjera me grurë humbet një sipërfaqe sa një fushë futbolli. Dr. Tom Hatoni, nga Organizata e Kërkimeve Shkencore dhe industriale të Komonuelthit (CSIRO), thotë: «Pa dyshim që kjo është kriza më e madhe e mjedisit që po përballojmë.»

Kripëzimi ka prekur sidomos rajonin kryesor bujqësor të Australisë Lindore, të njohur si pellgu i Murej-Darlingut. Ky pellg mbulon një sipërfaqe sa Franca dhe Spanja të marra së bashku dhe zë tri të katërtat e tokave të ujitura të Australisë. Pothuajse gjysma e të ardhurave të përgjithshme bujqësore të Australisë vijnë nga kjo zonë. Lumenjtë Murej dhe Darling, arteriet që ushqejnë këtë tokë bujqësore, ushqejnë edhe mijëra zona moçalore dhe sigurojnë ujë të pijshëm për tre milionë njerëz.

Mjerisht, 2.000 kilometra katrorë të kësaj toke tepër të rëndësishme janë dëmtuar rëndë nga kripëzimi, dhe shkencëtarët thonë se gjatë këtij dhjetëvjeçari rrezikojnë edhe 10.000 kilometra katrorë. Përmbajtja e kripës po rritet jo vetëm në lumenjtë Murej dhe Darling, por edhe në degët e tyre ushqyese. Veç kësaj, në disa zona uji po bëhet i papijshëm. Në fushat pjellore buzë këtyre lumenjve, po formohen moçale pa jetë, me një shtresë kripe në sipërfaqe. Këtë dukuri fermerët e quajnë «vdekja e bardhë».

Sidoqoftë në rrezik nuk janë vetëm tokat bujqësore. Shkencëtarët e CSIRO-s paralajmërojnë se për shkak të kripëzimit, një mijë lloje bimësh dhe kafshësh në Australi rrezikojnë të zhduken. Veç kësaj, po të vazhdojë kështu, ka mundësi që gjatë 50 viteve të ardhshme të zhduken gjysma e llojeve të shpendëve në pellgun e Murej-Darlingut. Shqyrtoni se në ç’mënyrë mungesa e largpamësisë ka sjellë këtë krizë të mjedisit.

Burimi i kripës

Shkencëtarët mendojnë se në Australi një sasi e madhe e kripës ka ardhur nga mjegulla e oqeaneve dhe është grumbulluar në tokë për mijëra vjet. Kripa që mbartte mjegulla u depozitua në tokë nëpërmjet shiut. Ata mendojnë se një burim tjetër është kripa e deteve që dikur mbulonin pjesë të kontinentit. Shiu bëri që kripa të depërtonte në shtresat e dheut, dhe kështu dalëngadalë nën tabanin e tokës, ku tashmë kishte kripë, u grumbulluan ujërat nëntokësore.

Me kalimin e kohës, eukaliptet e bimët e tjera mbuluan kontinentin dhe lëshuan rrënjë që depërtuan nën tokë 30-40 metra a më tepër. Bimët thithnin shumicën e ujit të reshjeve që binte në tokë dhe e kthenin sërish në sipërfaqe, duke e avulluar nga gjethet. Kjo i mbante ujërat nëntokësore thellë në tokë. Por metodat bujqësore evropiane, të cilat sollën begati dhe përparim në Australi, përfshinin edhe prerjen e drurëve dhe të shkurreve në zona të mëdha. Për shkak të prerjes masive të këtyre pemëve që luanin rolin e pompave, si edhe për shkak të ujitjes me bollëk, niveli i ujërave nëntokësore u ngrit. Si pasojë, kripa që për një kohë të gjatë kishte mbetur thellë nëntokë, u tret dhe i është afruar gjithnjë e më shumë sipërfaqes së tokës pjellore.

Shkaqet e problemit të kripëzimit

Metoda e ujitjes me përmbytje, e zbatuar në masën e duhur, e shton prodhimin në pellgun e Murej-Darlingut. Por në të njëjtën kohë, kjo metodë e rrit me shpejtësi nivelin e ujërave nëntokësore nëpër fusha. Pas kësaj, ujërat e kripura nëntokësore depërtojnë në sistemet lumore dhe ndotin ujërat e ëmbla. Kjo krijon një problem tjetër të njohur si kripëzimi i lumenjve. Uji i kripur i lumenjve pompohet për të ujitur fushat, dhe kështu problemi rëndohet duke ndjekur një rreth vicioz.

Gjithsesi ka edhe një formë tjetër kripëzimi që është edhe më i vështirë për t’u diktuar. Ai nuk shkaktohet nga ujitja, por nga llojet e bimëve që mbillen në këto toka. Në të gjithë pellgun, pemët me rrënjë të thella janë zëvendësuar me kullota dhe bimë njëvjeçare, rrënjët e të cilave nuk futen thellë në tokë. Si rrjedhim, këto rrënjë nuk arrijnë të thithin të njëjtën sasi uji që vjen nga reshjet e që më parë e thithnin pemët, prandaj ai depërton nën tokë.

Shkencëtarët thonë se si pasojë e kësaj, tani sasia e ujit që depërton nën tokë është 10 deri në 100 herë më e madhe sesa kur në fusha rriteshin pemë. Gjatë njëqind viteve të kaluara, toka ka thithur kaq shumë ujë të tepërt, saqë, në disa vende të pellgut të Murej-Darlingut, niveli i ujërave nëntokësore është ngritur 60 metra a më shumë. Kur niveli i këtyre ujërave të kripura arrin disa metra nën sipërfaqen e tokës, fermerët i zë halli.

Në ato fusha që dikur ishin pjellore shfaqen ngastra ku të mbjellat nuk bëjnë përpjetë. Shumë kohë para se të fillojë formimi i zonave të mbuluara me kore kripe, ujërat e kripura nëntokësore, që ndodhen tani afër sipërfaqes, shkojnë lart me anë të avullimit. Në fillim bimët arrijnë ta përballojnë këtë dukuri, por ndërkohë që në sipërfaqe del gjithnjë e më shumë kripë, toka e humbet pjellorinë.

Pasojat e kripëzimit nuk i ndiejnë vetëm ata që merren me bujqësi. Tashmë ai po rrënon disa nga autostradat shtetërore, duke e zvogëluar jetëgjatësinë e tyre rreth 75 për qind. Gjithashtu ai po dëmton ndërtesa, impiante hidraulike dhe sisteme të ujërave të zeza në qytetet anembanë pellgut të Murej-Darlingut.

A është e mundur rimëkëmbja?

Me sa duket, niveli i këtyre ujërave të kripura nëntokësore do të vazhdojë të ngrihet gjatë 50 deri në 100 vitet e ardhshme. Një artikull thotë që para se një foshnjë, që lind sot, të mbushë 30 vjeç, një zonë afërsisht sa Britania e Madhe, do të jetë rrënuar. Çfarë duhet që të ndreqen dëmet e kësaj vale shkatërrimtare?

«Duhet të ndryshojmë rrënjësisht mënyrën e administrimit dhe të përdorimit të pasurive natyrore të pellgut [Murej-Darling] me qëllim që t’i mbajmë të shëndetshme ekosistemet, dhe shfrytëzimi i tokave të jetë me rendiment,​—thotë një raport i qeverisë.​—Kjo do të kërkojë shpenzime të konsiderueshme . . . Megjithatë këto shpenzime janë të papërfillshme në krahasim me humbjet e pashmangshme që do të pësojnë ekonomia, mjedisi dhe shoqëria nëse nuk ndryshohen metodat e tanishme të administrimit.»

Për të ndrequr dëmet do të fillohej një fushatë masive pyllëzimi, por për momentin kjo nuk shihet si një mundësi që do të sjellë dobi. Një artikull shkencor thoshte: «Nuk mund të rikthejmë kushte identike me ato që kishte natyra. Në shumë raste, përmirësimet [nga mbjellja e pemëve] do të ishin shumë të ngadalta, ose nuk do të kishte asnjë përmirësim.»

Ndërkohë fermerët po i nxitin të mbjellin bimë me rrënjë më të thella ose bimë që e durojnë kripën. Madje disa sipërmarrës po e nxjerrin nga toka kripën që ka rrënuar fermat e tyre dhe me këtë aktivitet po sigurojnë jetesën. Të tjerë po planifikojnë t’i shfrytëzojnë pellgjet me ujë të kripur që të rritin për tregti peshq, karkaleca deti, madje edhe alga deti.

Rasti i Australisë nuk është i vetmi. Në rast se nuk do të bëhen shpejt ndryshime të mëdha, përshkrimi që filozofi grek Platoni i bëri Greqisë së lashtë do të shërbejë si një profeci e kobshme për ditët tona: «Ç’ka mbetur nga toka që dikur ishte e pasur, ngjan me skeletin e një njeriu të sëmurë. E gjithë toka e majme dhe pjellore është ‘tretur’ dhe ka mbetur vetëm skeleti i zhveshur.»

[Shënimi]

^ par. 3 Forma më e zakonshme e kripës është kloruri i natriumit. Kripëra të tjera të rëndësishme janë kloruri i kaliumit dhe nitrati i amonit.

[Harta në faqen 25]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

PELLGU I MUREJ-DARLINGUT

[Burimi]

Harta: Mountain High Maps® Copyright © 1997 Digital Wisdom, Inc.

[Figurat në faqen 25]

Kripa ngjitet në pjesët e mbetura të një peme, mes një fushe të mbuluar me ujë

Fusha që dikur ishin pjellore bëhen të pafrytshme kur kripa grumbullohet në sipërfaqe

[Burimi]

© CSIRO Tokë dhe ujë

[Figurat në faqen 26]

Shenjat e para të «murtajës» së kripës: në fushat pjellore shfaqen zona që nuk japin prodhim

Dalja e kripës në sipërfaqe vret bimësinë

Pasojat e kripëzimit në një tokë që më parë ishte pjellore

Pasojat përfundimtare të rritjes së nivelit të ujërave nëntokësore

[Burimi]

Të gjitha fotografitë: © CSIRO Land and Water