Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A është zgjidhja divorci?

A është zgjidhja divorci?

Pikëpamja e Biblës

A është zgjidhja divorci?

NË Britani, një prift u jep mirëseardhjen në ceremoni të pranishmëve. Përpara tij qëndron një çift bashkë me një grup miqsh të ngushtë dhe fëmijësh. A është një ceremoni e lumtur martese? Aspak! Kjo ceremoni shënon fundin e martesës së tyre. Po, divorci është bërë kaq i zakonshëm saqë disa kisha kryejnë ceremoni divorci.

A po mendoni të divorcoheni? Nëse po, a do të bëni një jetë më të lumtur po t’i jepni fund martesës? A mund të ndërmerrni ndonjë hap praktik që të jeni të lumtur me bashkëshortin tuaj?

«Do të jenë një mish i vetëm»

Kur u martua çifti i parë, Perëndia tha se burri «do të bashkohet me gruan e tij dhe do të jenë një mish i vetëm». (Zanafilla 2:24) Kështu martesa duhej të ishte një lidhje e përhershme. Për këtë arsye Jezui tha më vonë se sipas Shkrimeve ‘kurvëria’ është e vetmja bazë për t’u divorcuar, me mundësinë për t’u rimartuar.​—Mateu 19:3-9. *

Kjo nxjerr në pah nevojën për angazhim në martesë. Po sikur problemet në martesë të jenë shumë serioze?

A është divorci një zgjidhje e mençur?

Jezui dha një parim me anë të të cilit mund t’i peshojmë mirë veprimet tona. Ai tha: «Mençuria del e drejtë me anë të veprave të saj.» (Mateu 11:19) Cilat pasoja janë vërejtur në divorcet e shumta të ditëve tona, të kryera jo për shkaqe serioze?

Profesoresha Linda Uejt, sociologe në Universitetin e Çikagos, e cila drejtoi një ekip studiuesish që studiuan martesat e palumtura, thotë se «dobitë e divorcit janë ekzagjeruar». Profesor Majkëll Arxhajlli, që punon në Universitetin e Oksfordit, pas 11 vjetësh që kaloi duke analizuar përgjigjet e mijëra njerëzve, vërejti po ashtu se «njerëzit më pak të lumtur në shoqëri janë ata që janë të divorcuar ose të ndarë». Pse mund të jetë kështu?

Ndërkohë që divorci mund të eliminojë ca probleme, ai mund t’u hapë rrugë edhe ngjarjeve tronditëse, të cilat mund të mos i keni nën kontroll. Vërtet, kërkimet tregojnë se divorci zakonisht nuk i pakëson simptomat e depresionit ose nuk e rrit vlerësimin që ka dikush për veten.

Edhe sikur të mos keni «një martesë të përsosur», po të qëndroni me bashkëshortin tuaj do të keni dobi. Shumë veta që janë të vendosur të veprojnë kështu janë të lumtur. Profesoresha Uejt thotë: «Shumë probleme zgjidhen me kalimin e kohës dhe të martuarit bëhen më të lumtur.» Në fakt një studim tregon se pothuajse 8 në çdo 10 veta që ishin «shumë të palumtur» për martesën e tyre, por që nuk u divorcuan, kishin «një martesë të lumtur» pesë vjet më vonë. Edhe kur kanë probleme të rënda, çiftet bëjnë mirë të mos divorcohen me ngut.

Hapa praktikë

Ata që po mendojnë të divorcohen duhet të pyesin veten nëse gjërat që presin nga martesa janë realiste. Media ka nxitur imazhin e një marrëdhënieje romantike që arrin kulmin në një martesë luksoze dhe përfundon si në përralla. Pas martesës, kur gjërat e pritura nuk realizohen, zhgënjimi që vjen më pas mund të ndezë konflikte. Ndërsa tensionet shtohen, gjendja bëhet dramatike dhe ato që mbizotërojnë janë ndjenjat e lënduara. Dashuria venitet dhe me kalimin e kohës asaj ia zë vendin zemërimi dhe urrejtja. Në këto rrethana disa mendojnë se e vetmja zgjidhje është divorci.​—Fjalët e urta 13:12.

Në vend që të lejoni që ndjenjat negative të ndikojnë në pikëpamjen tuaj, shoqërohuni me ata që janë plotësisht të angazhuar në martesë. Të krishterët janë të nxitur që ‘të vazhdojnë të ngushëllojnë njëri-tjetrin dhe të ndërtojnë njëri-tjetrin’. (1 Selanikasve 5:11) Sigurisht ata që kanë probleme në martesë kanë nevojë për inkurajimin e bashkëbesimtarëve.

Rëndësia e cilësive hyjnore

«Vishuni me përzemërsinë e butë të dhembshurisë, mirëdashjes, përulësisë së mendjes, butësisë dhe shpirtgjerësisë»,​—këshilloi apostulli Pavël. (Kolosianëve 3:12) Cilësitë hyjnore mund të ruajnë unitetin mes bashkëshortëve gjatë kohëve të stuhishme.

Për shembull, Pavli shkroi: «Vazhdoni të duroni njëri-tjetrin dhe të falni bujarisht njëri-tjetrin, nëse ndokush ka shkak për t’u ankuar kundër një tjetri.» (Kolosianëve 3:13) Kristofer Pitersoni, psikolog në Universitetin e Miçiganit, thotë: «Falja është karakteristika që lidhet më ngushtë me lumturinë.»

Mirëdashja, përzemërsia e butë dhe falja janë udha drejt dashurisë që është «një lidhje e përsosur bashkimi». (Kolosianëve 3:14) Pa dyshim dikur ishit të dashuruar dhe të lumtur. A mund ta ndieni sërish dashurinë që kishit dikur? Sado të vështira qofshin rrethanat tuaja, merrni guxim. Ka shpresë. Po, në qoftë se qëndroni bashkë dhe zbatoni parimet biblike mund të keni më shumë lumturi sesa imagjinoni. Me siguri përpjekjet tuaja në këtë drejtim do ta gëzojnë Perëndinë Jehova, Krijuesin e martesës.​—Fjalët e urta 15:20.

[Shënimi]

^ par. 6 Kongregacioni i krishterë i Dëshmitarëve të Jehovait respekton të drejtën e bashkëshortit të pafajshëm për të vendosur nëse do të divorcohet apo jo nga bashkëshorti kurorëshkelës. Shihni Zgjohuni! maj 1999, faqet 5-9.