Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kur një njeri i afërt ka një çrregullim mendor

Kur një njeri i afërt ka një çrregullim mendor

Kur një njeri i afërt ka një çrregullim mendor

AJO ditë nisi si çdo ditë tjetër për familjen Guri. * Të katër pjesëtarët e familjes u ngritën nga gjumi dhe u bënë gati për veprimtaritë e ditës. Liljana i tha të birit 14-vjeçar, Redit, se po vonohej dhe nuk do ta kapte dot autobusin për në shkollë. Çka ndodhi më pas ishte krejtësisht e papritur. Brenda një gjysmë ore, Redi spërkati me bojë murin e dhomës së gjumit, provoi t’i vinte zjarrin garazhit dhe u përpoq të varte veten në papafingo.

Ndërkohë që shkonin pas ambulancës që mori Redin, Liljana dhe i shoqi, Andrea, mundoheshin me të gjitha forcat të kuptonin gjërat që sapo kishin ndodhur. Por mjerisht ky ishte vetëm fillimi. Pas asaj dite, Redit iu përsëritën periudhat kur e humbte gjykimin, dhe kështu u zhyt në botën e errët të sëmundjeve mendore. Gjatë një periudhe të mundimshme pesëvjeçare, tentoi disa herë të vriste veten, u arrestua dy herë, e shtruan në shtatë spitale psikiatrike dhe bëri shumë e shumë seanca me specialistë të shëndetit mendor. Të pështjelluar, miqtë dhe të afërmit shpesh nuk dinin ç’të thoshin ose ç’të bënin.

Mesatarisht 1 në 4 veta anembanë botës herët a vonë sëmuret me ndonjë sëmundje mendore. Duke marrë parasysh këtë shifër tronditëse, ka të ngjarë që edhe ju të keni ndonjë prind, fëmijë, vëlla, motër ose ndonjë mik që vuan nga një çrregullim i trurit. * Ç’mund të bëni kur një njeri i afërt vuan nga ndonjë çrregullim i tillë?

Dalloni shenjat. Çrregullimet mendore mund të mos diagnostikohen menjëherë. Miqtë dhe familjarët mund të mendojnë se shenjat që vërejnë vijnë nga ndryshimet hormonale, sëmundjet fizike, dobësitë e personalitetit ose nga rrethanat e vështira. Mamaja e Redit kishte vërejtur edhe më parë disa shenja shqetësuese tek i biri, por ajo dhe i shoqi mendonin se luhatjet e humorit ishin një fazë kalimtare e adoleshencës dhe shpejt do të mbaronin. Megjithatë çrregullimet e mëdha në gjumë, në të ngrënët ose në sjellje mund të tregojnë se po ndodh diçka më serioze. Një vizitë te specialisti mund të ndihmojë që njeriu juaj i afërt të marrë kurën e duhur dhe të bëjë një jetë më të mirë.

Informohuni për sëmundjen. Njerëzit me çrregullime mendore zakonisht nuk janë në gjendje të kërkojnë më tepër informacione për sëmundjen e tyre. Prandaj informacioni që mblidhni nga burime të sigurta, të cilat ju njohin me zbulimet e fundit, mund t’ju ndihmojë të kuptoni atë që po kalon miku ose i afërmi juaj. Gjithashtu kjo mund t’ju ndihmojë të flitni hapur me të tjerët dhe ato që thoni të jenë të bazuara në informacione të sakta. Për shembull, Liljana u dha gjyshërve të Redit disa fletëpalosje që i ndihmuan ta njihnin më mirë sëmundjen dhe të dinin si të ndihmonin.

Kërkoni ndihmë mjekësore. Pavarësisht se disa çrregullime mendore vazhdojnë për një kohë të gjatë, shumë pacientë, kur marrin kurën e duhur, mund të kenë stabilitet dhe të bëjnë një jetë me veprimtari të dobishme. Mjerisht disa vuajnë për vite të tëra pa marrë ndihmë. Ashtu si për një sëmundje të rëndë të zemrës duhet një specialist i zemrës, edhe në rastin e një sëmundjeje mendore është e nevojshme ndihma e atyre që e dinë si kurohet ajo. Për shembull, psikiatrët mund të japin ilaçe që po të merren rregullisht, mund të ndihmojnë në ruajtjen e ekuilibrit emocional, në lehtësimin e ankthit dhe në korrigjimin e çrregullimeve të mënyrës së të menduarit. *

Nxiteni të sëmurin të kërkojë ndihmë. Ai që vuan nga çrregullimet mendore mund të mos e kuptojë se ka nevojë për ndihmë. Kështu, ju mund t’i sugjeroni që të flasë me ndonjë mjek, të lexojë disa artikuj të dobishëm ose të bisedojë me dikë që e ka përballuar me sukses një çrregullim të ngjashëm. Mbase miku ose i afërmi juaj nuk do ta pranojë këshillën tuaj. Por, mos ngurroni të ndërhyni, nëse dikush që është nën kujdesin tuaj rrezikon të dëmtojë veten ose të tjerët.

Mos e fajësoni. Shkencëtarët ende nuk kanë nxjerrë ndonjë përfundim lidhur me bashkëveprimin e ndërlikuar midis faktorëve gjenetikë, mjedisit dhe faktorëve shoqërorë që ndikojnë në çrregullimin e funksioneve të trurit. Është një kombinim faktorësh që ndikojnë në çrregullimet mendore. Këtu përfshihen: dëmtimi i trurit, abuzimi me lëndë të ndryshme, rrethanat stresuese, prishja e ekuilibrit biokimik dhe prirjet e trashëguara. Nuk ka asnjë dobi po t’i thoni personit se sipas jush e ka fajin vetë për sëmundjen. Patjetër që dëshironi t’i përdorni energjitë tuaja për ta ndihmuar dhe për t’i dhënë forcë atij.

Jini realistë në gjërat që prisni. Në rast se prisni nga i sëmuri më shumë se ç’mund të bëjë, kjo mund ta shkurajojë. Nga ana tjetër, po ta teproni duke vënë gjithnjë në pah kufizimet e tij, kjo mund t’i krijojë ndjenjën se është i paaftë. Prandaj jini realistë në atë që prisni. Sigurisht, veprimet e gabuara nuk duhen toleruar. Ashtu si kushdo tjetër, edhe ai që vuan nga çrregullimet mendore mund të nxjerrë mësim nga pasojat e veprimeve të tij. Nëse ai tregohet i dhunshëm, mund të jetë e nevojshme të merren masa ligjore ose t’i vihen disa kufizime për të mbrojtur vetë të sëmurin dhe të tjerët.

Komunikoni. Komunikimi është jetësor, ndonëse ka raste kur fjalët tuaja keqkuptohen. Përgjigjet e një njeriu që vuan nga ndonjë çrregullim mendor mund të jenë të paparashikueshme dhe emocionet që shfaq ndoshta mund të duken të papërshtatshme për rastin konkret. Megjithatë, nëse e kritikoni për fjalët që thotë, vetëm sa do ta bëni të ndihet fajtor, përveç faktit që ndihet shumë keq emocionalisht. Kur fjalët nuk bëjnë punë, uluni dhe dëgjojeni me qetësi. Dëgjojeni se si ndihet dhe se çfarë mendon, pa e qortuar. Bëni çmos që të ruani gjakftohtësinë. Edhe sikur thjesht t’i tregoni vazhdimisht të afërmit ose mikut tuaj se interesoheni për të, do të nxirrni dobi që të dy. Kështu ndodhi edhe në rastin e Redit. Disa vjet më vonë ai tha se u ishte mirënjohës atyre që «e kishin ndihmuar, edhe kur ai nuk donte ta ndihmonin».

Mbani parasysh nevojat e familjarëve të tjerë. Kur një familjeje i duhet të përqendrohet tek ai që po kalon një krizë, mbase pjesëtarët e tjerë të familjes lihen pas dore. Për njëfarë kohe, motra e madhe e Redit, Denisa, mendonte se «e kishin harruar dhe nuk merreshin më me të për shkak të sëmundjes së të vëllait». Ajo përpiqej të mos i shfaqte aftësitë e veta, për të mos e tërhequr vëmendjen te vetja. Ndërkohë, dukej se prindërit kërkonin gjithnjë e më shumë nga ajo, sikur donin që arritjet e saj të kompensonin mangësitë e të vëllait. Ndonjëherë motrat ose vëllezërit e atyre që janë të sëmurë orvaten të tërheqin vëmendjen duke hapur telashe. Familjet që po kalojnë një periudhë delikate kanë nevojë për ndihmë që të kujdesen siç duhet për të gjithë pjesëtarët e familjes. Për shembull, kur familja Guri ishte dhënë e tëra pas problemit të Redit, miqtë në kongregacionin e Dëshmitarëve të Jehovait në zonën e tyre e ndihmonin Denisën, duke u kujdesur më shumë për të.

Kujdesuni për shëndetin mendor. Një listë e plotë e masave që duhen marrë për të përmirësuar shëndetin mendor përfshin kujdesin për dietën, fizkulturën, gjumin dhe veprimtaritë shoqërore. Zakonisht kur veprimtaritë janë të thjeshta dhe organizohen mes një grupi të vogël miqsh, ata që vuajnë nga çrregullimet mendore janë më pak në siklet. Gjithashtu, mos harroni se alkooli mund t’i rëndojë simptomat dhe të ndërhyjë në efektin e ilaçeve. Tani familja Guri përpiqet të respektojë disa masa praktike për shëndetin mendor që u sjellin dobi të gjithëve, por sidomos djalit të tyre.

Kujdesuni për veten. Stresi që shkaktohet kur kujdeseni për dikë që vuan nga ndonjë çrregullim mendor mund të rrezikojë mirëqenien tuaj. Prandaj është jetësore t’u kushtoni kujdes nevojave tuaja fizike, emocionale dhe fetare. Pjesëtarët e familjes Guri janë Dëshmitarë të Jehovait. Liljana thotë se besimi e ndihmoi shumë që të përballonte problemin. «Mbledhjet e krishtera ma lehtësonin stresin,​—thotë ajo.​—Ishin një kohë për ta hequr mendjen nga shqetësimet dhe për t’u përqendruar te gjëra më të rëndësishme dhe te shpresa e botës së re. Kushedi sa herë lutesha me përgjërim për të gjetur lehtësim dhe gjithnjë ndodhte diçka që ma lehtësonte dhembjen. Me ndihmën e Perëndisë Jehova kisha paqe mendore, gjë që dukej e pamundur në rrethanat tona.»

Redi tani është rritur dhe ka një pikëpamje të re për jetën. «Mendoj se ajo që kalova më ka bërë njeri më të mirë»,​—thotë ai. Denisa, e motra, tregon se edhe ajo ka nxjerrë dobi nga kjo përvojë. Ja çfarë thotë: «Tani jam më pak e prirur për të gjykuar të tjerët. Kurrë nuk mund ta dish se çfarë mundimesh po kalon dikush. Vetëm Perëndia Jehova e di.»

Nëse ndokush që keni për zemër vuan nga një çrregullim mendor, mbani parasysh gjithnjë se një vesh që është gati për të dëgjuar, një dorë që zgjatet për të dhënë ndihmë dhe një mendje pa paragjykime mund ta ndihmojnë që sëmundja të mos e mposhtë, por përkundrazi ta përballojë më së miri.

[Shënimet]

^ par. 2 Emrat janë ndryshuar.

^ par. 4 Disa përdorin termin «çrregullim i trurit», sepse nuk e krijon dhe aq shumë ndjenjën e turpit dhe kuptohet lehtë që bëhet fjalë për një shkak biologjik që ka të bëjë me trurin dhe me sistemin nervor.

^ par. 7 Duhen shqyrtuar si dobitë e mundshme të kurës, ashtu edhe efektet anësore. Zgjohuni! nuk përkrah ndonjë trajtim mjekësor të veçantë. Ata që i binden Perëndisë duhet të sigurohen që mjekimi që do të marrin nuk bie ndesh me normat e Biblës.

[Kutia në faqen 21]

Shenja paralajmëruese të çrregullimeve mendore

Nëse ndonjë njeri i afërt ka një nga shenjat e mëposhtme, mund të jetë e nevojshme që të vizitohet te mjeku ose te një specialist i shëndetit mendor:

• Është i trishtuar ose i acaruar për një kohë të gjatë

• Veçohet nga shoqëria

• Ka luhatje të mëdha emocionale

• Zemërohet jashtë mase

• Është i dhunshëm

• Abuzon me lëndë të ndryshme

• Shfaq frikë, shqetësim dhe ankth të tepruar

• Ka një frikë të tepruar se mos shton në peshë

• Vërehen ndryshime të mëdha në të ngrënë dhe çrregullime të gjumit

• Sheh vazhdimisht ëndrra të frikshme

• Ka mendime pa lidhje

• Ka delire ose halucinacione

• Mendon për vdekjen ose për vetëvrasjen

• Është i paaftë të përballojë problemet dhe punët e përditshme

• Mohon problemet e dukshme që ka

• Çrregullime trupore të shumta e të pashpjegueshme

[Figura në faqen 22]

Kur fjalët nuk bëjnë punë, uluni dhe dëgjojeni me qetësi atë që vuan