Më në fund asnjë paragjykim
Më në fund asnjë paragjykim
NGA mund ta kuptojmë nëse ne vetë kemi prirjen t’i paragjykojmë të tjerët? Për shembull, a nxjerrim përfundime për karakterin e dikujt, duke u bazuar në ngjyrën e lëkurës, kombësinë, grupin etnik ose fisin, edhe pse nuk e njohim personalisht? A e vlerësojmë çdo njeri për cilësitë e tij të veçanta?
Në ditët e Jezuit njerëzit që jetonin në Jude dhe në Galile zakonisht nuk ‘bëheshin me samaritanët’. (Gjoni 4:9) Një thënie në Talmud pa dyshim që shprehte mendimin e shumë judenjve: «Kurrë mos ia hedhsha sytë një samaritani!»
Edhe apostujt e Jezuit mund të kenë pasur deri në njëfarë mase paragjykime kundër samaritanëve. Një herë ata nuk i pritën mirë në një fshat samaritan. Jakovi dhe Gjoni pyetën nëse duhej të kërkonin që të binte zjarr mbi ata njerëz indiferentë. Duke i qortuar, Jezui u tregoi se qëndrimi i tyre nuk ishte i drejtë.—Luka 9:52-56.
Më vonë, Jezui tregoi ilustrimin e një njeriu që e sulmuan kusarët gjatë udhëtimit nga Jerusalemi për në Jeriko. Dy kalimtarë judenj që ishin fetarë nuk u treguan të gatshëm për ta ndihmuar. Kurse një samaritan ndaloi dhe ia lidhi plagët. Pastaj mori masa që të kujdeseshin për atë njeri me qëllim që atij t’i shëroheshin plagët. Samaritani e tregoi me vepra se ishte i afërmi i vërtetë. (Luka 10:29-37) Ilustrimi i Jezuit mund t’i ketë ndihmuar dëgjuesit të kuptonin se paragjykimet i verbonin dhe nuk i linin të shihnin cilësitë e mira të të tjerëve. Disa vjet më vonë, Gjoni u kthye në Samari dhe predikoi në shumë fshatra të saj, mbase edhe në fshatin që dikur donte të shkatërrohej.—Veprat 8:14-17, 25.
Edhe apostulli Pjetër duhej të vepronte pa paragjykime kur një engjëll i tha që t’i fliste për Jezuin, Kornelit, një centurioni romak. Pjetri nuk e kishte zakon të jepte e të merrte me johebrenjtë dhe shumica e judenjve nuk i donin ushtarët romakë. (Veprat 10:28) Por kur Pjetri pa që kjo çështje kishte drejtimin e Perëndisë, tha: «E kuptoj pa pikë dyshimi se Perëndia nuk është i anshëm, por në çdo komb njeriu që i frikësohet atij dhe praktikon drejtësinë është për të i pranueshëm.»—Veprat 10:34, 35.
Përse t’i luftojmë paragjykimet?
Paragjykimet shkelin një parim themelor që mësoi Jezui: «Gjithçka, pra, që dëshironi t’ju bëjnë njerëzit juve, po ashtu duhet t’u bëni edhe ju atyre.» (Mateu 7:12) E kush do të donte ta përçmonin për shkak të vendlindjes, ngjyrës së lëkurës ose origjinës? Paragjykimet shkelin normat e Perëndisë edhe për paanshmërinë. Bibla mëson se Jehovai ‘nga një njeri i vetëm bëri çdo komb njerëzish, që të banojnë mbi tërë faqen e dheut’. (Veprat 17:26) Pra të gjithë njerëzit janë vëllezër.
Për më tepër Perëndia e gjykon çdo njeri individualisht. Ai nuk dënon ndonjë për atë që bënë prindërit ose paraardhësit e tij. (Ezekieli 18:20; Romakëve 2:6) Edhe shtypja nga një komb tjetër nuk është një arsye e vlefshme për të urryer individët që vijnë nga ai komb. Ata ka të ngjarë të mos kenë asnjë përgjegjësi për padrejtësitë e bëra. Jezui i mësoi dishepujt e tij që ‘të donin armiqtë e tyre e të luteshin për ata që i persekutonin’.—Mateu 5:44, 45.
Falë mësimeve të tilla, të krishterët e shekullit të parë morën ndihmë për të mposhtur paragjykimet që kishin dhe të bëheshin një vëllazëri e pashoqe ndërkombëtare. Ata jo vetëm që e quanin njëri-tjetrin vëllezër e motra, por edhe e konsideronin të tillë ndonëse vinin nga një mori kulturash. (Kolosianëve 3:9-11; Jakovi 2:5; 4:11) Parimet që i dhanë shtysë një transformimi të tillë mund të sjellin të njëjtat dobi sot.
Si t’i luftojmë paragjykimet sot?
Në të vërtetë të gjithë ne kemi opinione të formuara që më parë, por këto nuk kanë pse të na çojnë në paragjykime. «Mendimet e krijuara më përpara kthehen në paragjykime vetëm nëse nuk ndryshojnë kur vihen përballë fakteve të reja»,—thuhet në librin Natyra e paragjykimeve. Shpesh paragjykimet mund të kapërcehen kur njerëzit arrijnë ta njohin njëri-tjetrin. Megjithatë, siç thotë i njëjti burim, «vetëm ato lloj marrëdhëniesh, të cilat krijojnë mundësi që njerëzit t’i bëjnë gjërat së bashku, ka të ngjarë t’i ndryshojnë qëndrimet».
Pikërisht në këtë mënyrë Xhoni, një nigerian nga populli ibo, i mposhti paragjykimet që kishte për popullin hausa. Ai thotë: «Në universitet, takova disa studentë hausa që u bënë miqtë e mi dhe pashë se kishin parime të mira. Punova me një student hausa për një detyrë në grup dhe ia kaluam shumë mirë; kurse bashkëpunëtori im i mëparshëm, që ishte një ibo, nuk e bënte punën që i takonte.»
Një mjet për të luftuar paragjykimet
Sipas raportit UNESCO kundër racizmit, «arsimimi mund të jetë një mjet i çmuar në betejën kundër formave të reja të racizmit, diskriminimit dhe përjashtimit nga të drejtat». Dëshmitarët e Jehovait besojnë se arsimimi i bazuar në Bibël është vërtet ndihma më e mirë për këtë. (Isaia 48:17, 18) Kur njerëzit zbatojnë mësimet e Biblës, dyshimi ia lë vendin respektit dhe urrejtja shuhet nga dashuria.
Dëshmitarët e Jehovait kanë parë se Bibla po i ndihmon të mposhtin paragjykimet. Vërtet, Bibla u jep si motivin, ashtu edhe mundësinë për të marrë pjesë në veprimtari me njerëz që vijnë nga kultura dhe origjina të ndryshme etnike. Kristina, që u përmend në artikullin e parë të kësaj serie, është Dëshmitare e Jehovait. «Mbledhjet në Sallën e Mbretërisë më ndërtuan besimin te vetja,—thotë ajo.—Atje ndihem e sigurt, sepse nuk shoh që ndokush të më paragjykojë.»
Jazminës, që gjithashtu është një Dëshmitare, i kujtohet se për herë të parë u bë shënjestër e racizmit kur ishte nëntë vjeçe. Ajo thotë: «Për mua dita e enjte ka qenë gjithnjë dita më e lehtë e javës, sepse të enjteve në mbrëmje shkoj në Sallën e Mbretërisë. Atje njerëzit më tregojnë dashuri. Më bëjnë të ndihem e veçantë dhe jo e përbuzur.»
Gjithashtu veprimtaritë vullnetare, të organizuara nga Dëshmitarët e Jehovait, mbledhin njerëz me prejardhje të ndryshme. Sajmoni lindi në Britani, por familja e tij është nga ishujt Karaibe. Ai hasi shumë paragjykime kur punonte si murator në firma ndërtimi. Por nuk ndodhi kështu gjatë viteve që punoi si vullnetar me vëllezërit e tij në besim për realizimin e disa projekteve. «Kam punuar me Dëshmitarë që vinin nga shumë vende,—thotë Sajmoni,—por mësuam të shkonim mirë me njëri-tjetrin. Disa nga shokët e ngushtë që zura ishin nga vende të tjera dhe kishin kultura të ndryshme.»
Sigurisht, Dëshmitarët e Jehovait janë njerëz të papërsosur. Prandaj, ndoshta u duhet të vazhdojnë të luftojnë me prirjen për të paragjykuar të tjerët. Sidoqoftë, dijenia se Perëndia nuk është i anshëm u jep atyre një nxitje të fuqishme që të veprojnë në të njëjtën mënyrë.—Efesianëve 5:1, 2.
Kur i luftojmë paragjykimet marrim shumë shpërblime. Kur bashkohemi me njerëz të kulturave të tjera, jeta jonë pasurohet. Për më tepër, me anë të Mbretërisë së tij, Perëndia së shpejti do të bëjë që në tokë të ketë një shoqëri ku do të banojë drejtësia. (2 Pjetrit 3:13) Atëherë paragjykimet do të mposhten përgjithmonë.
[Kutia në faqen 11]
A kam paragjykime?
Bëjini vetes pyetjet në vijim për të kuptuar nëse pa dashje keni ndonjë paragjykim:
1. A mendoj se njerëzit që i përkasin një grupi etnik të caktuar, një feje ose kombi kanë gjëra të papëlqyeshme, si për shembull janë të trashë, dembelë ose kurnacë? (Shumë barcaleta përcjellin këtë lloj paragjykimi.)
2. A kam prirje t’ua hedh fajin emigrantëve ose njerëzve të një grupi tjetër etnik për problemet e mia ekonomike ose shoqërore?
3. A kam lejuar që armiqësia e vendit tim me një komb tjetër në të kaluarën të më bëjë të ushqej urrejtje për njerëzit e atij kombi?
4. A jam në gjendje që njerëzit që takoj t’i shoh si individë më vete, pavarësisht nga ngjyra e lëkurës, kultura ose nga prejardhja etnike?
5. A e pres me kënaqësi mundësinë për t’u njohur me njerëz që kanë një prejardhje kulturore të ndryshme nga e imja? A bëj përpjekje për t’u njohur me ta?
[Figura në faqen 8]
Në ilustrimin e samaritanit të mirë, Jezui na mësoi si t’i mposhtim paragjykimet
[Figura në faqen 8]
Në shtëpinë e Kornelit, Pjetri tha: «E kuptoj pa pikë dyshimi se Perëndia nuk është i anshëm.»
[Figura në faqen 9]
Mësimet e Biblës bashkojnë njerëz me prejardhje të ndryshme
[Figura në faqen 9]
Dëshmitarët e Jehovait zbatojnë atë që mësojnë
[Figura në faqen 10]
Kristina—«Mbledhjet në Sallën e Mbretërisë më ndërtuan besimin te vetja»
[Figura në faqen 10]
Jazmina—«Njerëzit më tregojnë dashuri. Më bëjnë të ndihem e veçantë dhe jo e përbuzur»
[Figurat në faqen 10]
Sajmoni, një vullnetar në projekte ndertimi—«Mësuam të shkonim mirë me njëri-tjetrin»