Nga lexuesit tanë
Nga lexuesit tanë
Mjedisi Seria e artikujve «A mund ta shpëtojmë mjedisin?» më pëlqeu në mënyrë të veçantë. (22 nëntor 2003) Mezi po e pres kohën kur Jehovai do ta pastrojë tokën e tij të bukur dhe do ta kthejë në gjendjen e saj fillestare. Trishtohem kur shoh se sa shumë e ka shkatërruar tokën njeriu.
D. L., Britani
Jam 15 vjeç dhe zakonisht nuk i lexoja të gjithë numrat e revistës Zgjohuni! Por tani që lexova këtë seri artikujsh dua ta lexoj rregullisht revistën. Mësova shumë gjëra interesante për planetin tonë nga këta artikuj. Më vonë i përdora këto informacione në shkollë dhe mora notë të mirë.
S. V., Ukrainë
Skleroza e shumëfishtë Ju lutem pranoni falënderimet e mia të përzemërta për artikullin «Të jetosh me sklerozën e shumëfishtë». (22 nëntor 2003) U bë një vit që kur mjeku më tha se kam këtë sëmundje. Tani nuk mund t’i lëviz më krahët, këmbët dhe nuk shoh me syrin e majtë. Më parë më ndodhte shpesh që të kisha mendime pesimiste. Por ashtu siç sugjerohej edhe në artikullin tuaj, po përpiqem të ruaj ndjenjën e humorit dhe të përqendrohem në gjëra pozitive. Faleminderit për këtë artikull inkurajues.
M. A., Japoni
Kam 14 vjet që vuaj nga kjo sëmundje. Por në Japoni nuk është shumë e dëgjuar. Kështu që kur mora vesh që do të dilte ky artikull, ia thashë burrit dhe miqve në kongregacion. Tani ata tregojnë më shumë kujdes për mua dhe më ndihmojnë.
N. S., Japoni
Artikulli e përshkruante shumë saktë sëmundjen, përparimin dhe pasojat e saj. Ato pyetje që për vite më kanë munduar më në fund morën përgjigje. Shumë nga miqtë e mi më të ngushtë më kanë thënë që nuk e kishin kuptuar se çfarë do të thoshte të kishe sklerozën e shumëfishtë.
M. V., Gjermani
Jam një nënë e vetme me tre fëmijë. E lexova këtë artikull kur isha në spital pasi kisha kaluar krizën e katërt nga skleroza e shumëfishtë. Artikulli më preku jashtë mase. Edhe pse mund të duket e çuditshme, kjo sëmundje e pashërueshme ma ka forcuar shumë marrëdhënien me Jehovain dhe besimin që kam tek ai.
M. H., Gjermani
Ky artikull do t’i ndihmojë shumë ata që si unë vuajnë nga skleroza e shumëfishtë. Megjithëse tani përdor karrocë invalidësh, jam në shërbimin e plotkohor, duke predikuar kryesisht nga shtëpia me anë të telefonit. Për shkak të paralizës sime, këtë letër nuk e shkrova vetë, po një motër e krishterë.
M. G., Francë
Mësova që kisha sklerozën e shumëfishtë 21 vjet më parë. Shërbej si plak i krishterë, por vëllezërit me dashuri ma kanë lehtësuar peshën e punës në mënyrë që gjendja ime shëndetësore të mos keqësohet. Çfarë kohe e mrekullueshme do të jetë kur, ashtu siç thuhet tek Isaia 33:24, «asnjë banor i qytetit nuk do të thotë: ‘Unë jam i sëmurë.’»
E. K., Shtetet e Bashkuara
Katastrofa e Misisipit U tmerrova nga artikulli «Dita kur lumi u kthye prapa». (22 nëntor 2003) Kuptova se sa e fuqishme është natyra dha se sa i pafuqishëm është njeriu përballë katastrofave natyrore. Artikulli juaj ma forcoi më shumë vendosmërinë për t’i besuar Biblës.
M. J., Mauritani
Edhe pse ngjarjet që përshkruheshin kanë ndodhur gati 200 vjet më parë, kur i lexoja kisha përshtypjen sikur i përshkruante dikush që i kishte parë me sytë e vet. Ndërsa lexoja artikullin më dukej sikur isha atje, i shtangur nga tërbimi i lumit. Çdo paragraf e lexova me një frymë.
V. R., Rusi