Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një copëz parajse

Një copëz parajse

Një copëz parajse

Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Bregun e Fildishtë

A DO t’ju pëlqente të bënit një udhëtim në të kaluarën, të soditnit pyjet siç ishin në fillim, plot me bimësi të dendur dhe me kafshë nga më të ndryshmet? Por, a ka sot vende të tilla? Një copëz parajse, që duket e paprekur, është Parku Kombëtar i Tajit, i cili ndodhet në cepin jugperëndimor të Bregut të Fildishtë, afër kufirit me Liberinë.

Parku Kombëtar i Tajit është pjesa më e madhe që ka mbetur nga pylli i virgjër tropikal i shiut, që dikur shtrihej në gjithë zonën ku sot ndodhen Bregu i Fildishtë, Gana, Liberia dhe Sierra-Leone. Parku përfshin më shumë se gjysmën e pyjeve të tanishme të shiut në Afrikën Perëndimore. Ky xhevahir i natyrës është ruajtur falë masave mbrojtëse dhe përtëritëse, të ndërmarra që nga viti 1926. Ejani me ne ta eksplorojmë më nga afër shumëllojshmërinë e madhe të këtij parku.

Një pyll shiu i larmishëm

Ndërkohë që ecim nëpër pyll, na shoqëron një kor zogjsh, si edhe klithmat e majmunëve. Të mrekulluar, ua ngulim sytë pemëve të lashta, trungjet e të cilave janë tepër të trasha dhe arrijnë deri në 60 metra lartësi. Udhërrëfyesi na thotë se nga 1.300 llojet e bimëve që rriten në këtë park me sipërfaqe 3.500 kilometra katrorë, më shumë se gjysma gjenden vetëm në këtë rajon të Afrikës Perëndimore.

Këtu bimësia është e harlisur dhe shumë e larmishme. Në pyllin e dendur rriten shumë lloje drurësh që përdoren për lëndë drusore. Në mënyrë të veçantë spikatin mahagoni, abanozi, dabema dhe makorja. Hapat duhet t’i bëjmë gjigantë teksa ecim mbi rrënjët e pemëve, sepse disa prej tyre ngrihen një metër nga toka dhe shtrihen 15 metra. Ndonjëherë, kafshët kërkojnë strehë midis këtyre rrënjëve për të shpëtuar nga kthetrat e grabitqarëve ose për t’u mbrojtur gjatë kohëve me stuhi.

Kurorat e drurëve formojnë një mbulesë të përhershme që e pengon dritën e diellit të depërtojë deri në tokë, dhe kështu u vështirëson rritjen bimëve më të vogla. Megjithatë, këtu rriten lianet, që janë bimë kacavjerrëse me kërcell të drunjtë, si edhe epifitet, bimë që rriten mbi bimët e tjera. Disa bimë kacavjerrëse ngjiten te pemët për t’u mbështetur, përdridhen rreth tyre e ndonjëherë edhe i mbysin fare. Udhërrëfyesi na tregon një lloj fiku që është përdredhur fort rreth një trungu tejet të madh. Me kalimin e kohës, pema mikpritëse do të dorëzohet dhe do të thahet.

Parku i Tajit është një burim i pasur me bimë për ilaçe dhe ushqim. Udhërrëfyesi na thotë se fisi kru e përdor lëvoren e pemës së etheve për të kuruar malarjen. Fruta e një peme tjetër përmban një proteinë që është mijëra herë më e ëmbël se sheqeri.

Zien nga jeta

Papritur dëgjojmë fëshfërimën e gjetheve sipër nesh. Këtë fëshfërimë e krijon një grup i madh majmunësh të zhurmshëm që janë dy llojesh, diana dhe mona. Ata këlthasin me sa kanë në kokë për të lajmëruar njëri-tjetrin dhe kërcejnë nga dega në degë. Një majmun mona kthen drejt nesh fytyrën e tij qesharake me ato vija të bardha dhe na sheh po me aq kureshtje sa ç’e shohim edhe ne. Majmunët, shimpanzetë dhe zogjtë jetojnë më së miri duke u ushqyer me frutat e shumta, të lëngshme e të thata, që gjenden në kurorën e pemëve. Shpesh mund të vëresh majmunë dhe zogj teksa mblidhen tek e njëjta pemë dhe plot zhurmë hanë frutat e saj.

Në parkun e Tajit janë zbuluar 50 lloje gjitarësh dhe shumë prej tyre janë të përhapur në këtë rajon. Këtu jetojnë buajt afrikanë dhe elefantët e pyllit, bongot (një lloj antilope), derrat e kaçubave, antilopa trupvogël, derrat gjigantë të pyllit, leopardët, si edhe hipopotamët xhuxhë. Ndër kafshët më të vogla janë: macja e egër e Afrikës, macja e artë, zibeta e pyllit, mangusta, pangolini dhe lemuri afrikan i natës.

Udhërrëfyesi njeh shumë prej gjurmëve të kafshëve, si për shembull ato të antilopës trupvogël. Në pyll gjenden shtatë lloje antilopash të tilla, duke përfshirë edhe zebrën e Jentinkit, një lloj i rrallë, si edhe antilopën trupvogël të Ogilbit. Shohim gjurmët që kanë lënë derrat gjigantë të pyllit në vendet ku kanë rrëmuar për të gjetur rrënjë. Inspektojmë habitatin e pangolinit gjigant me luspa, një ngrënës termitesh dhe milingonash. Një çift prej tyre ka gërmuar në tokë një gropë të stërmadhe me dy dhoma. Këto dhoma të nëndheshme janë 40 metra të gjata dhe 5 metra të thella. Për t’u ushqyer, pangolini endet natën me kilometra të tëra dhe kthehet në strofull para se të zbardhë agimi. Ai prish me kthetrat e tij si sfurk foletë e termiteve dhe përdor gjuhën veshtullore për të nxjerrë insektet.

Udhërrëfyesi na tregon një vend ku ndodhet një grup shimpanzesh që enden në këtë territor me sipërfaqe 20 kilometra katrorë. Në park ka më shumë se 2.000 shimpanze. Kishim dëgjuar se ato përdorin gurë ose degë që i mbajnë me vete për të çarë frutat e thata. Habitemi kur, gati 5 metra më tutje, shohim një shimpanze të ulur përtokë që me një degë godet pa pushim një arrë për ta çarë.

Një parajsë për vëzhguesit e zogjve

Erdhi dita tjetër. Po udhëtojmë me kaike në lumin Hana. Ndërkohë që udhërrëfyesit tanë vozitin me ngadalë, na thonë emrat e shumë zogjve që na dalin para. Dëgjojmë zogun sqepbri me kokë të zezë, që shquhet për klithjen që të shpon veshët dhe për zhurmën e krahëve të tij kur fluturon. Në parkun e Tajit gjenden shtatë nga llojet e shumta të zogjve sqepbri. Gjithsej këtu rriten më shumë se 200 lloje zogjsh. Ndër ta përfshihen gjashtë lloje bilbilash uji, si edhe fajkonjtë, turakot, papagajtë, pëllumbat, thëllëzat e bardha, zogjtë e diellit dhe mizëkapësit. Këtu është parë edhe një zog i rrallë ngjyra-ngjyra i quajtur narina trogon. Mashkulli krekoset me krahët në ngjyrë të gjelbër të feksur, me gjoksin e kuq dhe pendët e bardha të bishtit. Shohim shumë zogj me ngjyra të mrekullueshme, siç është turako blu që ushqehet me banane, pëllumbi i gjelbër i frutave, papagalli gri, martin peshkatari, një zog me gjoksin blu dhe ibisi hadedah me pendët e tij të gjelbra, që kanë një shkëlqim si të metalit. Parku i Tajit është një parajsë për vëzhguesit e zogjve.

Buzë lumit shohim gjurmë të tjera kafshësh. Këtu gjejmë edhe gjurmët e hipopotamit xhuxh, një version në miniaturë i hipopotamit të zakonshëm. Ai është pak a shumë sa një derr i madh. Hipopotami xhuxh kalon më pak kohë në ujë sesa kushëriri i tij trupmadh, dhe kurrë nuk ecën në kope. Atë e gjen vetëm në Afrikën Perëndimore. Gjithashtu na zë syri hardhucën e madhe të Nilit, një hardhucë me pulla, e cila i ngjan krokodilit, por që është shumë më e vogël. Në këtë pyll rriten dhe shtohen me shumicë 3 lloje krokodilësh, 34 lloje gjarpërinjsh, shumë lloje hardhucash dhe një popullatë insektesh plot gjallëri. Ka shumë insekte që ende nuk janë klasifikuar.

Mjerisht, pyjet e shiut të planetit tonë po zhduken me ritme alarmuese. Rreziku më i madh që i kanoset është zgjerimi i tokave bujqësore dhe i industrisë së drurit. Na ngrohet zemra kur mendojmë se e ardhmja e tokës është në duart e fuqishme të vetë Krijuesit.​—Psalmi 96:12, 13.

[Hartat në faqen 14]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Sierra-Leone

Liberi

Bregu i Fildishtë

Parku Kombëtar i Tajit

Ganë

[Figura në faqen 15]

Rrënjë pemësh që ngrihen mbi tokë

Mahagoni

[Figura në faqen 15]

Elefant i vogël

[Figura në faqen 15]

Macja e artë e Afrikës

[Figura në faqen 15]

Antilopa trupvogël e bregdetit

[Figura në faqen 15]

Antilopa-zebër trupvogël

[Figura në faqen 15]

Bualli afrikan

[Figura në faqen 16]

Narina trogon

[Figura në faqen 16]

Shqiponja e lumit e Afrikës Perëndimore

[Figura në faqen 16]

Turako blu

[Figura në faqen 16]

Ibisi hadedah

[Figura në faqen 16]

Martin peshkatari me gjoks blu

[Figura në faqen 16]

Pangolini bishtgjatë

[Figura në faqen 16]

Hipopotami xhuxh

[Figura në faqen 16]

Bretkosa e pemëve

[Figura në faqen 16]

Hardhuca e madhe e Nilit

[Figura në faqen 16]

Mangusta e murrme

[Figura në faqen 17]

Majmuni mona

[Figura në faqen 17]

Majmuni i kuq i Perëndimit

[Figura në faqen 17]

Shimpanzeja

[Figura në faqen 17]

Majmuni i vogël hundëbardhë

[Figura në faqen 17]

Leopardi

[Figura në faqen 17]

Derri i kaçubave

[Figura në faqet 16, 17]

Macja e egër e Afrikës

[Burimi i figurës në faqen 14]

Parc National de Taï

[Burimet e figurave në faqen 15]

Macja e artë: © Art Wolfe/Photo Researchers, Inc.; të gjitha fotografitë e tjera, përveç elefantit: Parc National de Taï

[Burimet e figurave në faqen 16]

Ibisi: © Joe McDonald/Visuals Unlimited; martin peshkatari: Keith Warmington; hipopotami: © NHPA/Anthony Bannister; narina trogoni: © P&H Harris; të gjitha fotografitë e tjera: Parc National de Taï

[Burimet e figurave në faqen 17]

Derri: © Ken Lucas/Visuals Unlimited; të gjitha fotografitë e tjera përveç shimpanzesë dhe leopardit: Parc National de Taï