Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Pse ndihemi mirë kur qeshim?

Pse ndihemi kaq mirë kur qeshim? Siç raporton gazeta The Vancouver Sun, studimet kanë treguar se humori aktivizon jo vetëm ato pjesë të trurit që lidhen me perceptimin dhe me gjuhën, por edhe me atë pjesë që ka lidhje me lumturinë dhe euforinë. Sipas dr. Alan Raisit, nga Universiteti i Stenfordit, kjo pjesë e trurit është një «sistem shumë i fuqishëm». Raisi beson se studimi i të qeshurit mund t’i ndihmojë mjekët të kuptojnë më mirë sjelljet shoqërore. «Ndjenja e humorit që kemi shpesh përcakton nëse mund të lidhim shoqëri, si dhe me kë mund të kemi shoqëri ose lidhje të gjata romantike,​—thotë dr. Raisi.​—Humori është gjithashtu një mjet shpëtimi për të gjithë [njerëzit], kur hasin lloje të ndryshme stresi.»

‘Sëmundja e re e shekullit të 21-të’

Kështu e kanë cilësuar disa psikiatër «varësinë» ose fiksimin pas celularëve. Gazeta spanjolle El País tregon se sipas një studimi, të bërë nga Qendra Speciale për Trajtimin dhe Rehabilitimin ndaj Varësive Shoqërore (CETRAS), më në rrezik janë «vajzat beqare të moshës 16-25 vjeçe, të cilat janë të ndrojtura, të papjekura dhe nevrike». Psikiatri Blas Bombin thotë që, kjo «varësi» çon në «një domosdoshmëri të pashtershme për të telefonuar ose për të shkruar mesazhe me celularë». Kur nuk mund ta përdorin celularin, vuajnë nga «ankthi dhe nervozizmi». «Varësia» nga celularët jo vetëm që ndikon në marrëdhëniet me të tjerët, por është edhe e kushtueshme. CETRAS-i tregon disa raste pacientësh që kanë njëkohësisht tetë celularë, dhe që paguajnë «gati 800 euro në muaj për faturat e telefonit».

Shtohen lagjet e varfra në botë

Duke cituar një raport të OKB-së, gazeta londineze The Guardian shkruante se nëse do të vazhdohet me ritmin e tanishëm, «brenda 30 vjetësh, një në çdo tre njerëz në botë do të banojë në lagje të varfra». Mjerisht, «940 milionë njerëz​—gati një e gjashta e popullsisë së botës​—tashmë jetojnë në lagje të fëlliqura e jo higjienike ku shpesh nuk ka ujë, instalime hidrosanitare, shërbime publike apo mbrojtje të të drejtave». Në zonën e Kibeirës, në Najrobi të Kenias, ka rreth 600.000 banorë që jetojnë në baraka. Ana Tibajuka, drejtoreshë e programit të OKB-së për vendbanimet njerëzore (UN-habitat), thotë: «Pabarazia ekstreme dhe papunësia çojnë në një sjellje rebele. Lagjet e varfra janë vendet ku bashkohen gjithë elementet e këqija, ku paqja dhe siguria zor se gjenden, dhe ku të rinjtë nuk i mbron dot.»

Problemet e parkimit në Kinë

Zhvillimi i shpejtë ekonomik në Kinë ka bërë të mundur që miliona veta të kenë makinë. Por ka dalë një problem. S’ka vend për t’i parkuar. Shumë komplekse banimi që janë ndërtuar 25 vitet e fundit nuk kanë vende parkimi, pasi kur u ndërtuan, ishin të paktë ata që kishin makinë. Lagjet e vjetra të banimit kanë rrugica të ngushta e me kthesa, gjë që e bën parkimin e makinës gati të pamundur. Ndërkohë, sipas revistës China Today, «numri i automjeteve në Pekin ka arritur në më shumë se 2 milionë, kurse vendet e parkimit mjaftojnë vetëm për 600.000 makina». Në të gjithë Kinën vetëm 20 për qind e makinave kanë vend parkimi me leje. Një tregues tjetër i rritjes së numrit të automjeteve është edhe rritja e kërkesës për naftë. Sipas revistës së përmendur më sipër, «Kina shumë shpejt do t’i zërë vendin Japonisë, duke u bërë vendi i dytë në konsumimin e naftës».

Të rinj me dëmtime të kockave nga sforcimet e përsëritura

Sipas gazetës kanadeze The Globe and Mail, një numër gjithnjë në rritje të rinjsh po kurohen për dëmtimet e kockave nga sforcimet e përsëritura (RSI). Gazeta vazhdonte: «Mjekët dhe fizioterapistët thonë se pacientët e tyre tani janë shumë më të rinj se më parë, pasi fëmijët kalojnë më shumë kohë pa lëvizur para kompjuterit, si në shtëpi, ashtu edhe në shkollë.» Sipas Globe, përdorimi i vazhdueshëm i tastierës ose klikimi gjatë lojërave në video, mund të shkaktojnë dhembjet dhe ënjtjet që janë të zakonshme për ata që vuajnë nga kjo sëmundje. Prindërit këshillohen që të jenë gjithmonë vigjilentë ndaj pozicionit të trupit të fëmijëve dhe ndaj shenjave të kësaj sëmundjeje. Shenjat mund të jenë, kur fëmija fërkon bërrylin ose kyçet dhe kur ankohet se ndien mpirje ose sëmbim në këto zona.

Vende pune të rrezikshme?

The Wall Street Journal shkruante se sipas një studimi suedez, «të punosh me kolegë të seksit të kundërt, është një rrezik për martesën». Autorja e studimit, Ivona Abergu, studioi regjistrat zyrtarë ku ishin shënuar divorcet dhe profesionet, dhe zbuloi se «ndryshe nga zyrat ku kolegët janë të të njëjtës gjini, puna me kolegë që janë të gjithë të seksit të kundërt e rrit 70 për qind mundësinë e divorcit, një shifër kjo e habitshme». Abergu zbuloi edhe se gjendja civile e kolegëve nuk kishte të bënte fare. Ky studim 7-vjeçar, ku përfshiheshin 37.000 punonjës në 1.500 vende pune, bazohet në statistika dhe jo në fjalët e punonjësve, të cilat mund të mos jenë shumë të sakta. Në artikull shkruhej se një mënyrë për ta zvogëluar përgjysmë rrezikshmërinë e divorcit është të punosh në të njëjtën zyrë me bashkëshortin ose bashkëshorten.

Një pastor jobesimtar

Sipas BBC News, një pastor luteran bëri bujë vitin e shkuar, sepse tha se «nuk ka Zot, nuk ka jetë të përjetshme dhe nuk ka ringjallje». Pas një shkarkimi që nuk zgjati shumë, e lejuan të kthehej përsëri në postin e pastorit. Peshkopja Lis-Lot Rebel e dioqezës së Helsingerit tha se Torkil Grosbeli nga famullia e Tobekut pranë Kopenhagës «kërkoi falje për ato që kishte thënë» dhe pranoi detyrimet që kishte ndaj kishës. Megjithatë, Grosbeli vazhdoi të predikonte po njësoj. Në qershor të vitit 2004 peshkopja deklaroi se, nëse Grosbeli nuk hiqte dorë, atëherë do t’ia linin gjyqit të vendoste nëse ai do të vazhdonte si pastor apo jo.

Një mbishkrim i lashtë nga ungjilli

Siç shkruhej në gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung, studiuesit në Palestinë kanë gjetur për herë të parë një varg nga Shkrimet e Krishtere Greke të skalitur mbi një varr të lashtë. Ky mbishkrim, i skalitur mbi atë që tani njihet si Varri i Absalomit, u gjet rastësisht. Për shkak të dritës së përhapur në një fotografi që ishte bërë në muzg, antropologu Xho Zias pikasi diçka që iu duk se ishte një mbishkrim i gërryer. Mbi të vunë brumë letre, dhe në këtë mënyrë u bë i mundur deshifrimi i shkrimit të Biblës. Mbishkrimi ishte marrë nga Luka 2:25 dhe i korrespondon Kodikut Sinaitik të shekullit të katërt. Zbulimi është i rëndësishëm, pasi përdorimi i shkrimeve të Biblës mbi varre u përhap shumë vetëm aty rreth vitit 1000 të e.s.