Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë është vitiligoja?

Çfarë është vitiligoja?

Çfarë është vitiligoja?

Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Afrikën e Jugut

▪ Ndonjëherë Sibonxhila flet me humor për ngjyrën e lëkurës së saj. Ajo thotë duke buzëqeshur: «Kam lindur e zezë, u bëra e bardhë dhe tani nuk di më se ç’jam.» Ajo është me vitiligo.

Vitiligoja, e quajtur edhe leukoderma, shkaktohet nga humbja e qelizave që prodhojnë pigmentin e lëkurës. Kjo çon në formimin e njollave dhe të zonave të bardha në lëkurë. Te disa pacientë ky çrregullim shfaqet vetëm me një njollë të madhe. Por te disa të tjerë ajo njollë e madhe përhapet shpejt nëpër trup. Po ashtu të tjerë mund të vuajnë nga një formë e vitiligos që përhapet pak nga pak për vite me radhë. Vitiligoja nuk shkakton dhimbje fizike dhe nuk është ngjitëse.

Jo në të gjitha rastet vitiligoja mund të jetë po aq i dukshëm sa në rastin e Sibonxhilës, sepse ai dallohet më shumë te njerëzit me lëkurë të errët. Por ka shumë njerëz që janë të prekur nga vitiligoja kush më shumë e kush më pak. Statistikat tregojnë se është e prekur 1-2 për qind e popullsisë. Vitiligoja prek njësoj si burrat, ashtu edhe gratë, pavarësisht nga raca. Shkaku i saj ende nuk dihet.

Ndonëse nuk ka një kurë të sigurt për vitiligon, ka shumë mënyra për ta përballuar. Për shembull, te pacientët me lëkurë të bardhë, ky çrregullim është më i dukshëm kur lëkura e paprekur nga sëmundja nxihet nga dielli. Prandaj, duke mos qëndruar në diell, mund të bjerë më pak në sy. Te njerëzit me lëkurë të errët produkte të veçanta kozmetike mund të ndihmojnë për të maskuar kontrastin në ngjyrën e lëkurës. Një proces i njohur si ripigmentimi u ka bërë efekt disa pacientëve. Ky trajtim përfshin shumë muaj mjekim dhe përdorimin e pajisjeve të veçanta me rreze ultravjollcë. Në disa raste ky trajtim ka bërë që lëkura në pjesët e prekura të marrë përsëri ngjyrën e vet normale. Pacientë të tjerë zgjedhin depigmentimin. Qëllimi i këtij trajtimi është që me anë të mjekimit të shkatërrohen qelizat e mbetura të cilat prodhojnë pigment në mënyrë që lëkura të ketë gjithandej të njëjtën ngjyrë.

Vitiligoja mund t’u shkaktojë shqetësime emocionale atyre që janë të prekur prej saj, sidomos kur përhapet në fytyrë. Sibonxhila tregon: «Kohët e fundit dy fëmijë sa më panë vrapuan duke bërtitur. Të tjerë ngurrojnë të më flasin, sepse mendojnë që mund të kem një sëmundje ngjitëse ose jam e mallkuar. Do të doja që të tjerët të kuptonin se nuk duhet të kenë frikë nga njerëzit që vuajnë nga ky çrregullim. Vitiligoja nuk mund t’u ngjitet me anë të prekjes ose nëpërmjet ajrit.»

Duke qenë një Dëshmitare e Jehovait, Sibonxhilës i pëlqen shumë që t’u mësojë të tjerëve Biblën dhe nuk lejon që gjendja e saj ta pengojë për këtë. Mësimdhënia e Biblës përfshin që t’i vizitojë njerëzit në shtëpitë e tyre dhe të flasë me ta ballë për ballë. Ajo thotë: «Kam mësuar ta pranoj pamjen time. Ndihem më rehat kështu siç jam dhe mezi pres kohën kur ngjyra me të cilën linda do të më përtërihet plotësisht në parajsën tokësore që ka premtuar Perëndia Jehova.»​—Zbulesa 21:3-5.

[Figura në faqen 22]

Në vitin 1967 përpara se të prekesha nga vitiligoja