Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ç’të keqe ka të pish sipas mënyrës binxh?

Ç’të keqe ka të pish sipas mënyrës binxh?

Të rinjtë pyesin . . .

Ç’të keqe ka të pish sipas mënyrës binxh?

«Edhe pse kishim pirë për shumë orë rresht, unë dhe shoku im u larguam nga festa në orën 1.00 të mëngjesit duke marrë me vete shishen e uiskit. U nisëm më këmbë drejt shtëpisë dhe ndërsa ecnim edhe pinim. Gjëja tjetër që kujtoj ishte dielli që po ngrihej dhe atëherë kuptova se kishim ngatërruar rrugë. Në fakt kishim ecur përgjatë një autostrade kryesore. Është një mrekulli që nuk na shtypi ndonjë makinë.»​—Klei. *

BINXHI. Disa njerëz mendojnë se kjo është një mënyrë të piri thjesht për t’u dehur. Një raport i Institutit Kombëtar të SHBA-së për abuzimin me alkoolin dhe alkoolizmin u përpoq të ishte më specifik. Raporti thoshte se binxhi «zakonisht përkufizohet si konsumimi i pesë ose më shumë gotave rresht nga burrat dhe i katër ose më shumë gotave rresht nga gratë». *

Nëpunësit e shëndetësisë në Shtetet e Bashkuara mendojnë se binxhi është «një problem i madh për shëndetin publik». Sipas një studimi për nxënësit e shkollave tetëvjeçare në Angli, Skoci dhe Uells, «gati çereku i fëmijëve 13 dhe 14-vjeçarë pohoi se në një rast kishin ‘kthyer’ të paktën pesë gota». Pothuajse gjysma e të anketuarve që ishin 15 dhe 16 vjeç thanë se kishin bërë të njëjtën gjë.

Nga një studim në SHBA, u vërejt se në çdo 5 nxënës të shkollave të mesme, 2 kishin praktikuar binxhin, pra kishin kthyer me fund disa gota radhazi, të paktën një herë gjatë dy javëve para anketës. Sipas Departamentit Amerikan të Shëndetit, «rreth 10,4 milionë adoleshentë të moshave 12 deri në 20-vjeçare thanë se kishin pirë alkool. Nga këta, 5,1 milionë pinin sipas mënyrës binxh. Këtu përfshiheshin 2,3 milionë që pinin rëndshëm dhe e praktikonin binxhin të paktën pesë herë në muaj». Një studim i bërë në Australi zbuloi se në këtë vend, më shumë sesa djemtë, janë vajzat ato që pijnë në këtë mënyrë, duke konsumuar 13-30 gota gjatë rasteve kur mblidhen për të pirë.

Në shumicën e rasteve ata që praktikojnë binxhin nxiten prej të rinjve të tjerë. Studiuesja Karol Falkovski thotë: «Po përhapen me të shpejtë lojëra të reja dhe të çmendura për pirjen e pijeve alkoolike: aktivitete në grup që kanë si qëllim të pijnë deri sa të dehen. Për shembull, në disa lojëra kërkohet që të gjithë pjesëmarrësit të kthejnë menjëherë një sasi pije alkoolike të distiluar në një çast të caktuar gjatë një shfaqjeje televizive ose gjatë një bisede në grup.»

Rreziqet

Edhe pse disa mund ta konsiderojnë si një lojë pirjen pa fre, ajo është një lojë shumë e rrezikshme. Sasi të tepërta alkooli pengojnë furnizimin e trurit me oksigjen; funksionet jetësore të trupit fillojnë të ndalen. Ndër simptomat që mund të shfaqen janë të vjella, humbja e vetëdijes dhe frymëmarrja e ngadaltë ose e parregullt. Në disa raste mund të vijë si pasojë edhe vdekja. Pothuajse një muaj pasi mori diplomën e shkollës së mesme, 17-vjeçarja Kim shkoi në një festë ku mund të pije sa të doje. Kimi ktheu me fund 17 gota përpara se t’i binin të fikët. Më pas erdhi motra e saj më e madhe që e çoi në shtëpi. Të nesërmen në mëngjes mamaja e Kimit e gjeti atë të vdekur.

Pirja me tepri rrallë mund të shkaktojë drejtpërdrejt vdekjen, por gjithsesi përbën një rrezik për shëndetin. Specialisti i shëndetit mendor Xherom Levin thotë: «Alkooli mund të dëmtojë rëndë çdo organ të trupit. Ai sulmon zakonisht sistemin nervor, mëlçinë dhe zemrën.» Një artikull në revistën Discover thotë: «Kërkimet e reja hedhin idenë se konsumuesit e alkoolit në moshë të re po e ndjellin rrezikun. Meqë truri i tyre është ende duke u zhvilluar, edhe kur janë në të njëzetat, adoleshentët që pijnë me tepri mund të jenë duke shkatërruar një pjesë të mirë të aftësive të tyre mendore.» Konsumimi i vazhdueshëm i alkoolit sjell gjithashtu si pasojë aknet, rrudhosjen e parakohshme të lëkurës, shtimin në peshë, dëmtimin e organeve të brendshme, varësinë nga alkooli dhe nga droga.

Ekzistojnë rreziqe të tjera që lidhen me pirjen e tepërt. Po të dehesh, mund të biesh lehtë pre e keqtrajtimeve. Mund të bëhesh viktimë e sulmeve fizike e madje edhe e përdhunimit. Njëkohësisht ndoshta mund të jesh një rrezik për të tjerët, duke u përfshirë në sjellje të pakontrollueshme që as nuk do të të kishin shkuar ndër mend nëse do të ishe esëll. Për këtë arsye Bibla paralajmëron që nëse pi me tepri, «sytë e tu kanë për të parë gjëra të çuditshme dhe zemra jote do të thotë gjëra të çoroditura». (Fjalët e urta 23:33) Ndër pasojat e dhembshme mund të përfshihen: miqësi të rrënuara, rendiment të ulët në shkollë e në punë, dënime për ndonjë krim dhe varfëri. *​—Fjalët e urta 23:21.

Presioni për të pirë

Pavarësisht nga këto rreziqe, alkoolit i bëhet shumë reklamë dhe gjendet lehtë në shumë vende. Në fakt pirja e alkoolit paraqitet si një gjë tërheqëse në televizion dhe në reklamat e revistave. Por më shpesh të rinjtë pinë tepër si pasojë e presionit të moshatarëve.

Në një anketë për përdorimin e alkoolit në Australi 36 për qind e të rinjve të pyetur thanë se ata pinin kryesisht «për t’u përshtatur me moshatarët në aktivitetet shoqërore». Në atmosferën e rrëmujshme të një feste ku birra është me bollëk, teksa moshatarët e nxitin t’i pijë gotat me një frymë, një person që zakonisht është i ndrojtur mund të dalë nga vetja dhe t’i japë jetë festës. Një vajzë me emrin Keti e sollën në shtëpi në gjendje kome pasi kishte vepruar në këtë mënyrë. «Miku» i saj i kishte dhënë alkool duke i thënë: «Hë Keti, ti tani je një vajzë e rritur. Duhet të mësosh ta pish me eks.»

Dëshira për t’u dëfryer dhe për t’u përshtatur me të tjerët është kaq e fuqishme, saqë me gjithë provat bindëse se binxhi është i rrezikshëm, kjo mënyrë të piri vazhdon të jetë e përhapur.

Çfarë do të bësh?

Ngrihen pyetjet: Çfarë do të bësh ti për sa i përket pirjes? A do t’i ndjekësh pa u menduar moshatarët e tu? Kujto atë që thotë Bibla te Romakëve 6:16: «A nuk e dini se po të vazhdoni t’ia paraqitni veten dikujt si skllevër për t’iu bindur atij, jeni skllevër të tij ngaqë i bindeni?» Nëse i lejon moshatarët e tu që të të diktojnë çdo veprim që duhet të bësh, s’bëhesh gjë tjetër veçse skllav i tyre. Bibla të nxit që t’i marrësh vetë vendimet. (Fjalët e urta 1:4) Ajo përmban këshilla që mund të të ndihmojnë të mos bësh gabime të rënda. Shqyrto se ç’thotë ajo për alkoolin.

Në të vërtetë Bibla nuk e dënon pirjen e pijeve alkoolike dhe as nuk i ndalon të rinjtë që të argëtohen. Megjithatë, ajo paralajmëron kundër pirjes me tepri. Te Fjalët e urta 20:1, BR thuhet: «Vera sjell tallje dhe pija dehëse e bën njeriun të zhurmshëm. Kushdo që e humbet rrugën prej saj nuk është i mençur.» Po, alkooli mund ta bëjë dikë të veprojë në një mënyrë që të tjerët mund ta tallin ose të bëhet i zhurmshëm. Është e vërtetë se për një çast mund të të sjellë kënaqësi, por po ta teprosh, ‘të kafshon si një gjarpër’, duke të sjellë shumë dëme fizike dhe emocionale.​—Fjalët e urta 23:32.

Diçka tjetër që duhet marrë parasysh është se në shumë vende ka një moshë minimale për të lejuar pirjen e pijeve alkoolike. Të krishterët u binden këtyre ligjeve. (Titit 3:1) Këto ligje janë për të të mbrojtur.

Gjëja e fundit, por më e rëndësishmja është të marrësh parasysh dëmin frymor që mund të shkaktojë pirja pa masë. Perëndia Jehova do që t’i shërbesh me «gjithë mendjen tënde», e jo me një mendje të dëmtuar më kot nga teprimi me alkool. (Mateu 22:37) Fjala e Perëndisë dënon jo vetëm ‘teprimet në verë’, por edhe ‘garat në të pirë’. (1 Pjetrit 4:3) Prandaj, të pish sipas mënyrës binxh është kundër vullnetit të Krijuesit. Një teprim i tillë në të pirë mund ta pengojë dikë që të ketë një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë.

Çfarë duhet të bësh nëse tashmë je zënë në grackën e binxhit? Kërko menjëherë ndihmë duke folur me një prind ose me një të krishterë të matur. * Lutju Perëndisë Jehova dhe kërkoji ndihmë. Në fund të fundit, ai është «një strehë dhe një forcë, një ndihmë gjithnjë e gatshme në fatkeqësi». (Psalmi 46:1) Meqë binxhi dhe pirja e alkoolit nën moshën e lejuar shpesh vijnë si pasojë e presionit nga moshatarët, mund të duhet të bësh ndryshime thelbësore në zgjedhjen e miqve dhe të zbavitjes. Nuk do ta kesh të lehtë të bësh këto ndryshime, por me ndihmën e Jehovait mund t’ia dalësh mbanë.

[Shënimet]

^ par. 3 Disa nga emrat janë ndryshuar.

^ par. 4 Në Shtetet e Bashkuara, sasia standarde e alkoolit që përmban një gotë është 14 gramë etanol. Kjo është e barabartë me sasinë e alkoolit që gjendet në 360 mililitra birrë.

^ par. 11 Sipas një studimi në SHBA, «ata që e praktikonin shpesh binxhin rrezikonin tetë herë më shumë se të tjerët që të linin orën e mësimit, të mbeteshin prapa në mësime, të dëmtoheshin dhe të dëmtonin pronën e të tjerëve».

^ par. 21 Në disa raste mund të nevojitet ndihma e një mjeku specialist.

[Kutia dhe figura në faqen 15]

Binxhi: Statistika tragjike

Statistikat vijuese zbulojnë pasojat e trishtueshme të binxhit nga ana e studentëve në Shtetet e Bashkuara:

Vdekje: 1.400 studentë të moshave 18 deri në 24-vjeçare vdesin çdo vit nga dëmet që ndodhin aksidentalisht e që lidhen me alkoolin, përfshirë edhe përplasjet me makinë

Dëmtime: 500.000 studentë të moshave 18 deri në 24-vjeçare dëmtohen aksidentalisht duke qenë nën ndikimin e alkoolit

Sulme: Më tepër se 600.000 studentë të moshave 18 deri në 24-vjeçare sulmohen nga një bashkëmoshatar i tyre që ka pirë

Abuzime seksuale: Më shumë se 70.000 studente të moshave 18 deri në 24-vjeçare janë viktima të sulmeve seksuale ose të përdhunimit nga një i njohur, pasoja këto që lidhen me alkoolin

[Burimi]

Burimi: Instituti Kombëtar i SHBA-së për abuzimin me alkoolin dhe alkoolizmin

[Figura në faqen 13]

Bashkëmoshatarët mund të të nxitin që të praktikosh binxhin