Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kopshti pa lodra

Kopshti pa lodra

Kopshti pa lodra

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË GJERMANI

Një mëngjes, kur fëmijët shkuan në kopsht, panë se në të gjitha dhomat kishin mbetur vetëm orenditë. Më kot i kërkuan kukullat, lodrat dhe kafshët prej pellushi. Nuk kishte më as libra dhe as kube. Edhe letrat e gërshërët ishin zhdukur. Të gjitha lodrat i kishin hequr dhe do t’i sillnin vetëm pas tre muajsh. Ç’kishte ndodhur?

Ky është njëri prej kopshteve që po merr pjesë në një projekt të veçantë dhe novator të quajtur «Kopshti pa lodra». Këto lloj kopshtesh po përhapen gjithnjë e më shumë në Austri, Gjermani dhe në Zvicër. Ky projekt është lavdëruar shumë nga specialistë në fushën e shëndetit në Bashkimin Evropian. Ndonëse mund të duket e çuditshme, ai ka si qëllim të parandalojë varësinë. Vitet e fundit studiuesit kanë kuptuar se njerëzit janë më pak të prirur të bien në ndonjë lloj varësie nëse kultivojnë që në vogëli aftësi të nevojshme për marrëdhëniet shoqërore. Një artikull gazete thotë se këtu përfshihen «aftësia për të komunikuar, për të hyrë shpejt në bisedë me të tjerët, për të zgjidhur mosmarrëveshjet, për të marrë përsipër përgjegjësinë për atë që bën, aftësia për të pranuar problemet, për të marrë ndihmë dhe për të gjetur zgjidhje». Sipas përkrahësve të këtij programi, aftësi të tilla duhen zhvilluar sa më shpejt të jetë e mundur dhe periudhat pa lodra shërbejnë pikërisht për këtë qëllim, për të nxitur fantazinë dhe besimin te vetja.

Mungesa tremujore e lodrave është planifikuar dhe është diskutuar me kujdes si me prindërit, ashtu edhe me fëmijët. Në fillim disa fëmijë nuk dinin ç’të bënin pa lodra. Në artikull thuhet se ka disa çerdhe ku fëmijët bëhen si të tërbuar katër javët e para dhe organizuesit e projektit e humbasin pusullën. Megjithatë fëmijët mësojnë të përshtaten dhe të vënë në punë fantazinë. Ngaqë nuk kanë lodra, ata bisedojnë me njëri-tjetrin, bëjnë plane dhe luajnë më shumë së bashku, e kështu bëhen më të aftë për t’u përshtatur në shoqëri si edhe përmirësojnë aftësitë në të folur. Disa që e kishin si zakon «të fshiheshin» pas lodrave, tani po zënë shokë. Veç kësaj, prindërit kanë parë edhe dobi të tjera. Ata thanë se fëmijët silleshin më mirë kur luanin dhe kishin më shumë fantazi se më parë.