Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Male prej mermeri

Male prej mermeri

Male prej mermeri

Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Itali

MAJAT e maleve që spikatin në peizazhin e Karrarës dhe të Pietrasantës, vende-vende zbardhin si të ishin me borë. Por ky është vetëm një iluzion pamor. Në të vërtetë, këto njolla të bardha janë zona të gjera me mermer, që kanë mbetur gjatë nxjerrjes së tij. Është vërtet e rrallë përbërja gjeologjike e këtyre maleve të Apenineve të Toskanës, që ndodhen në veri të zonës qendrore të Italisë. Këtu malet janë prej mermeri. Askund tjetër në botë ky material i vyer nuk gjendet në sasi kaq të mëdha sa këtu.

Që në antikitet, njeriu ka nxjerrë gurë nga këto male dhe i ka shndërruar në shtylla, panele, pllaka për dysheme e skulptura që të lënë pa mend. Rezervat e pasura të mermerit, përvoja dhe mjeshtëria e punëtorëve vendës, si dhe cilësia e teknologjisë që përdoret këtu, e kanë bërë këtë krahinë të fitojë famë si një treg me rëndësi botërore për gurët. Industria e specializuar e kësaj zone nuk përpunon vetëm mermerin që nxirret atje, por edhe mermerin që sillet me anije nga çdo cep i rruzullit në portin e Marina di Karrarës. Pas përpunimit, këtë mermer e eksportojnë në gjithë botën.

Traditë e lashtë për punimin e mermerit

Romakët e lashtë i shfrytëzuan gurët e vendit për ndërtim dhe për skulptura. Mermeri i bardhë i Karrarës, që përdoret për të bërë statuja, është jashtëzakonisht i bukur. Më 1505, Mikelanxheloja shkoi atje për të zgjedhur blloqe mermeri të lëmuar, pa asnjë damar ose të metë. Këto blloqe i përdori për të bërë skulptura, disa nga kryeveprat e tij më të njohura.

Metodat e lashta të nxjerrjes së mermerit mbetën pothuajse të njëjta për shekuj të tërë. Disa pyka druri futeshin në pika strategjike, nëpër të plasariturat që kishte vetë shkëmbi ose në disa të çara që hapeshin në të. Kur pykave u hidhej ujë, ato bymeheshin dhe si përfundim shkëputnin një bllok mermeri nga shkëmbi. Pastaj, në mes të shekullit të 18-të, filloi të përdorej eksplozivi, vetëm që ai e copëtonte kaq shumë shkëmbin, saqë shumë-shumë mund të përdorej vetëm një e treta e tij. Copërat e mëdha të mbetura nga mermeri​—ato vende që zbardhin si borë​—janë gjurmët e metodave të së shkuarës.

T’i zbrisje këta gurë të stërmëdhenj nëpër shpatet e pjerrëta me slita dhe litarë, ishte punë e rrezikshme. «Po të këputej kablloja që mbante slitën,​—shpjegon një burim,​—kjo do të thoshte vdekje e sigurt për drejtorin e brigadës, i cili rrinte para bllokut për të drejtuar lëvizjet; dhe nga ana tjetër kishte shumë pak mundësi që të shpëtonte ndonjë nga ata të brigadës, kur kablloja kthehej mbrapsht dhe e godiste si një kamxhik i tmerrshëm.»

Sigurisht, metodat e sotme ndryshojnë shumë nga të dikurshmet. Kalova një ditë në zonën e Karrarës dhe më shpjeguan ca gjëra se si punohet tani mermeri. Më lejoni t’ju tregoj se ç’mësova.

Vizitë në gurore

U takova me Xhovanin, që do të jetë udhërrëfyesi im për në gurore, në një nga kantieret e shumta të mermerit në Karrarë. Këto kantiere grumbullojnë qindra blloqe mermeri, që vihen me rregull njëri mbi tjetrin, gati për t’u shitur ose për t’u përpunuar aty në vend. Disa makina automatike presin pllaka nga këto blloqe, dhe disa të tjera i lëmojnë. Njëherë e një kohë, të dyja këto punë duheshin bërë me dorë.

Marrim makinën e Xhovanit që të vizitojmë guroren. Pas pak ngjitemi në kthesat e forta e të thepisura, që na çojnë në një luginë malore të ngushtë, ku gjithandej shtrihen formacione shkëmbinjsh të bardhë. Kamionët, që i shohim të zbresin me vështirësi poshtë shpatit, të ngarkuar me blloqe mermeri të stërmëdha, mund të mbajnë deri në 30 tonë ngarkesë.

Ndërsa marrim një kthesë, shohim një mur të bardhë verbues, të gërmuar në mal. Është një mur vigan dhe përbëhet nga një sërë shkallësh gjigante ose brezaresh, secila 6 deri 9 metra e lartë. Xhovani e çon makinën te njëra nga këto shkallë dhe ndalon.

Hedhim një sy rreth e rrotull dhe e kuptojmë se jemi në një nga guroret e shumta të luginës. Në sipërfaqen e paprekur të shkëmbit spikatin edhe më shumë njolla të bardha, disa prej të cilave janë disa qindra metra sipër nesh. Me të drejtë, kjo është quajtur një shfaqje ‘mbresëlënëse, por dhe tronditëse’.

M’i ndërpret mendimet një buldozer që po punon me një thikë majëmprehtë, për ta shkëputur një pjesë të shkallës ku ndodhemi ne. Blloku, krejt katror, dhe që mund të ketë përmasat 11 x 2 x 6 metra, plandoset në një shtrat zhavorri, që është përgatitur për të zbutur rënien. Por, si nxirren nga shkëmbi blloqe si ky?

Përgjigjen na e jep Frankoja, babai i Xhovanit, që ka punuar tërë jetën nëpër gurore. Ai më tregon një rul transportieri që vë në lëvizje një kavo të gjatë prej çeliku, e cila po bën një prerje vertikale në murin e shkallës ku ndodhemi ne. Ai shpjegon se në fillim, në sipërfaqen e shkëmbit, hapet horizontalisht një vrimë me diametër 8 centimetra, pastaj në shkallën më sipër hapet vertikalisht një vrimë tjetër si kjo. Të dyja vrimat duhet të takohen. Pastaj një kabllo çeliku me diamante prerës në sipërfaqe, futet përmes vrimave dhe bëhet lak si një gjerdan i stërmadh. Kablloja që tendoset dhe tërhiqet me shpejtësi të madhe nga një motor elektrik, bën prerjen e dëshiruar. Kur të jenë prerë të gjitha faqet, vertikalisht dhe horizontalisht, blloku shkëputet nga shkalla. Pastaj, duke përdorur të njëjtën kabllo, blloku pritet në copa më të vogla që transportohen më lehtë. Këto metoda përdoren edhe në guroret e nëndheshme në zonën përreth, ku mermeri shkëputet nga disa guva, që janë tamam në zemër të këtyre maleve.

Fabrikat vendëse e shndërrojnë këtë lëndë të parë në një larmi produktesh: pllaka, elemente ndërtimi, veshje muri që përdoren në arkitekturë. Ndërtimi është, dhe ka qenë gjithnjë, tregu kryesor ku shiten produktet e mermerit të Karrarës.

Disa punishte bëjnë me porosi pllaka për dysheme dhe orendi zbukurimi për brenda e jashtë ndërtesave. Disa të tjera janë të specializuara për veshje oxhakësh, pajisje hidrosanitare, tryeza dhe gjëra të tjera si këto. Në këtë zonë prodhohen objekte nga çdo lloj mermeri që gjendet në treg, me disenjo të bukura e me të gjitha ngjyrat. Këto objekte shkojnë anembanë botës për të zbukuruar sheshet publike, si edhe ndërtesat publike e private, përfshirë këtu vende për adhurim, muze, supermarkete, aeroporte e grataçela.

Përdorimi i mermerit në ndërtim është interesant, por mua më intereson se si përdoret ai për zbukurime e për vepra arti. Që të mësoj më shumë për këto gjëra, e kaloj pasditen në Pietrasanta.

Punishtet e mermerit

«Shkoni te punishtet e artizanëve,​—thuhet në një broshurë të Pietrasantës me informacione për turistët,​—dhe ata, do t’ju tregojnë me kënaqësi mjeshtërinë e tyre.» Pietrasanta është një vend i vogël e miqësor, ndaj s’e kam të vështirë të endem nëpër disa punishte, brenda qendrës mesjetare e përreth saj, dhe të admiroj veprat që prodhohen atje.

Këtu takoj skulptorë nga shumë vende, të kredhur në punën e tyre për të krijuar vepra tepër origjinale, ndërsa artizanët vendës, me duart dhe fytyrën të mbuluar me pluhur të bardhë, janë zhytur në punë që të riprodhojnë statujat e modeleve prej allçie. Të mbushura gjithë thesare klasike e moderne, dhomat ku ekspozojnë punimet e tyre duken si muze plot me njerëz.

Të gdhendësh një statujë është punë e gjatë. Për shembull, një bllok dytonësh mund të pritet me makinë, për t’i dhënë formën në vija të trasha; pastaj, para se të mbarojë puna, mund të duhen tre deri në pesë muaj për ta latuar me kujdes. Gjatë këtij procesi mund të hiqet një ton mermer. Dikur veglat bazë ishin çekanët, daltat dhe limat. Tani, gurët flesibël dhe daltat pneumatike, «simotrat e vogla» të çekiçit të shpimit të rrugëve, i përshpejtojnë veprimet. Por prapëseprapë forma përfundimtare i duhet dhënë me vegla dore. Rezultatet mund të jenë kaq të bukura sa të të lënë pa mend.

Në shumë vende, arti i lashtë i gdhendjes së mermerit nuk praktikohet më. Por, falë burimeve të saj, falë aftësive që artizanët mjeshtra kanë fituar nga përvoja e trashëguar në shekuj dhe falë artistëve që vijnë këtu për të përvetësuar dijet e këtij vendi, zona e Karrarës dhe e Pietrasantës mund të quhet me të drejtë «një shkollë e madhe e mermerit».

[Figura në faqen 24]

Gurore e nëndheshme

[Figurat në faqet 24, 25]

Kablloja me diamante prerës në sipërfaqe përdoret për të prerë blloqe mermeri

[Figura në faqet 24, 25]

Gurore mermeri, Karrarë, Itali

[Figura në faqen 25]

Një statujë mermeri e perandorit August, shekulli i parë i e.s.

[Burimi]

Scala/Art Resource, NY

[Burimi i figurës në faqen 23]

Studio SEM, Pietrasanta