Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mundësi të reja, çështje të reja

Mundësi të reja, çështje të reja

Mundësi të reja, çështje të reja

Përfytyroni ankthin e një çifti të martuar që dëshirojnë me gjithë shpirt të kenë një fëmijë, por nuk munden për shkak të sterilitetit. Ata i drejtohen për ndihmë mjekësisë dhe zbulojnë që për të zgjidhur problemin e sterilitetit janë gjetur shumë metoda dhe terapi. A ka rëndësi se cilën do të zgjedhin, si edhe nëse do të zgjedhin ndonjërën?

SOT çiftet që vuajnë nga steriliteti kanë në dispozicion mundësi që nuk ekzistonin pak dhjetëvjeçarë më parë. Por bashkë me mundësitë lind edhe një pyetje e rëndësishme: ‘Cilat janë çështjet etike dhe morale që ngre riprodhimi in vitro?’ Përpara se të shqyrtojmë këtë le të shohim se çfarë mendojnë grupe të ndryshme fetare për këto metoda.

Çfarë thonë grupet fetare?

Më 1987 Kisha Katolike nxori një dokument që tregonte se si konsideroheshin nga ana morale metodat për trajtimin e sterilitetit. Në këtë deklaratë, të njohur si Donum Vitae (Dhurata e jetës), thuhej se në qoftë se një metodë mjekësore e ndihmon aktin martesor për të arritur ngjizjen e fëmijës, ky trajtim mund të quhej i moralshëm. Nga ana tjetër, deklarata tregonte se në rast se një metodë mjekësore zëvendëson aktin martesor, ky trajtim është i gabuar nga ana morale. Sipas kësaj pikëpamjeje, ndërhyrja kirurgjike për të zhbllokuar gypat e Falopit dhe përdorimi i ilaçeve që ndihmojnë lindshmërinë do të konsideroheshin të drejta nga ana morale, por fekondimi in vitro do të ishte i pamoralshëm.

Në vitin 1988 një komitet i Kongresit të SHBA-së bëri një anketë për të zbuluar se çfarë mendonin grupe të ndryshme fetare për metodat e trajtimit të sterilitetit. Raporti përfundimtar tregonte se shumica e tyre i pranonin ndërhyrjet mjekësore tradicionale, inseminimin artificial me spermën e bashkëshortit dhe fekondimin in vitro, me kusht që si veza, ashtu edhe sperma të vinin nga bashkëshortët. Për më tepër, shumica e grupeve të anketuara thanë se shkatërrimi i embrioneve, inseminimi artificial duke përdorur spermatozoidë nga një dhurues dhe metoda me «nënë zëvendësuese» janë moralisht të gabuara. *

Në vitin 1997 Komisioni Evropian Ekumenikal për Kishën dhe Shoqërinë, një grup përfaqësues i kishave protestante, anglikane dhe ortodokse treguan me anë të një deklarate se në radhët e tyre ka mendime të ndryshme për riprodhimin in vitro. Duke theksuar se në këtë çështje përfshihet ndërgjegjja e gjithsecilit dhe përgjegjësia personale, dokumenti thoshte: «Pra siç mund të kuptohet, është e vështirë të flasësh për ‘qëndrimin’ e kishave anëtare të Komisionit Evropian Ekumenikal për Kishën dhe Shoqërinë. Në vend të një mendimi unanim ka një pluralizëm mendimesh.»

Duket qartë se opinionet për riprodhimin in vitro janë nga më të ndryshmet. Organizata Botërore e Shëndetësisë pranon se fusha e metodave të riprodhimit in vitro «vazhdimisht vë në diskutim vlerën e normave shoqërore, morale, etike si edhe të sistemeve ligjore». Cilat janë disa çështje që duhet të shqyrtojnë njerëzit para se të marrin një vendim lidhur me riprodhimin in vitro?

Cilat çështje përfshihen?

Një nga çështjet kryesore për t’u trajtuar është se si duhet konsideruar embrioni njerëzor. Kjo lidhet me pyetjen thelbësore: ‘Kur fillon jeta, në ngjizje apo më vonë gjatë shtatzënisë?’ Përgjigjja pa dyshim që do të ndikonte në vendimin që do të merrnin shumë çifte në lidhje me metodat e trajtimit të sterilitetit. Për shembull, nëse ata besojnë se jeta e njeriut fillon që në ngjizje, atëherë ka disa çështje themelore që duhen shqyrtuar.

● A duhet t’i lejojë çifti mjekët që të ndjekin teknikën e zakonshme, duke fekonduar më shumë vezë nga sa do të futen në mitër, dhe kështu të mbajnë disa embrione rezervë për një përdorim të ardhshëm?

● Çfarë do të ndodhë me këto embrione rezervë nëse çifti nuk është më në gjendje ose nuk dëshiron të ketë më fëmijë?

● Çfarë do të ndodhë me secilin prej këtyre embrioneve nëse çifti divorcohet ose njëri prej bashkëshortëve vdes?

● Kush do ta marrë përgjegjësinë e rëndë për t’i shkatërruar këto embrione?

Çështja se çfarë do të bëhet me embrionet e papërdorura ose të ruajtura nuk mund të merret lehtë. Në disa vende ligji kërkon që çifti të dorëzojë një miratim me shkrim ku të shpjegojë qartë se si duhen përdorur embrionet e tjera​—pra nëse dëshiron që ato të ruhen, të dhurohen, të përdoren për kërkime shkencore apo nëse lejon që ato të prishen. Çiftet duhet të dinë se në disa vende është e pranueshme nga ana etike që një klinikë për riprodhimin të shkatërrojë embrionet e ruajtura pa ndonjë leje me shkrim kur këto embrione janë braktisur nga më shumë se pesë vjet. Sot qindra mijë embrione ruhen në ngrirje në klinikat anembanë botës.

Një faktor tjetër për t’u marrë në shqyrtim është se ndoshta çiftin e nxitin t’i dhurojë embrionet e papërdorura për kërkime rreth qelizave burimore. Për shembull Shoqata Amerikane për Trajtimin e Sterilitetit i ka nxitur çiftet që t’i lënë për kërkime embrionet e papërdorura. Një nga synimet e kërkimeve për qelizat burimore është të gjenden mënyra të reja për kurimin e sëmundjeve. Por kjo fushë kërkimesh ka ndezur shumë debate, sepse para së gjithash procesi i nxjerrjes së qelizave burimore embrionale e shkatërron embrionin. *

Teknikat e reja gjenetike ngrenë edhe çështje të tjera etike. Për shembull, le të shqyrtojmë diagnozën gjenetike para vendosjes së vezës së fekonduar në mitër. (Shih kutinë «Ç’mund të thuhet për diagnozën gjenetike para vendosjes së vezës së fekonduar në mitër?») Kjo teknikë kërkon që embrionet t’i nënshtrohen analizës gjenetike. Pas kësaj, do të zgjidhet embrioni që do të vendoset në mitër. Ka mundësi të zgjidhet embrioni me gjininë e dëshiruar ose embrioni që nuk ka ndonjë gjen i cili mund të jetë përgjegjës për ndonjë sëmundje. Kritikët paralajmërojnë se kjo teknikë mund të çojë në një diskriminim për shkak të gjinisë ose që herët a vonë çiftet mund ta shfrytëzojnë për të zgjedhur veçori të tjera gjenetike për fëmijët e tyre, madje edhe ngjyrën e flokëve ose të syve. Kjo teknikë ngre këtë çështje etike: ‘Çfarë do të ndodhë me embrionet që nuk zgjidhen?’

A do të ndikojë në martesë?

Kur mendoni për ndonjë metodë të trajtimit të sterilitetit, vlen të shqyrtohet edhe një aspekt tjetër. Si do të ndikojë në martesë fakti që do të përdoret një «nënë zëvendësuese» ose që do të përdoren spermë ose vezë të dhuruara? Disa teknika mund të kërkojnë që për ngjizjen dhe shtatzëninë të marrë pjesë edhe një palë e tretë (një dhurues) ose një palë e katërt (dy dhurues), e madje edhe një palë e pestë (dy dhurues dhe një «nënë zëvendësuese»).

Kur përdoret material gjenetik i dhuruar, është e nevojshme që individët e përfshirë të shqyrtojnë edhe faktorë të tjerë.

● Çfarë pasojash afatgjata emocionale mund të lërë te prindërit një lindje e tillë, kur vetëm njëri është prindi biologjik ose asnjëri prej tyre?

● Si do të reagojë vajza ose djali kur të marrë vesh se nuk është ngjizur sipas mënyrës së zakonshme?

● A duhet t’i tregohet fëmijës e vërteta për prindërit dhe a duhet të lejohet që të kërkojë se kush është babai ose nëna e vërtetë?

● Cilat janë të drejtat dhe detyrimet morale e ligjore të atij ose atyre që kanë dhuruar materialin gjenetik?

Ç’mund të thuhet për anonimitetin?

Në shumë vende rregulli që ndiqet është që dhuruesit të mbeten anonimë. Agjencia për Fekondimin dhe Embriologjinë e Njerëzve, e cila përcakton normat për përdorimin e materialit riprodhues njerëzor në Britani, shpjegon: «Përveç rastit kur dhurimi bëhet me marrëveshje midis njerëzve që e njohin njëri-tjetrin, dhuruesit e tanishëm dhe të kaluar do të mbeten anonimë për çiftet që kanë marrë vezët ose spermën prej tyre dhe për fëmijët që mund të lindin si pasojë e trajtimit.»

Sidoqoftë, kjo strategji e anonimitetit është bërë objekt debatesh të zjarrta në disa vende. Për pasojë disa vende e kanë ndryshuar strategjinë ose ligjet e tyre. Ata që janë kundër anonimitetit theksojnë se fëmijët duhet të jenë në dijeni të plotë të identitetit të tyre. Një raport thotë: «Më shumë se 80 për qind e njerëzve të adoptuar kërkojnë të afërmit nga gjaku. Shumë prej tyre e bëjnë këtë që të shuajnë kureshtjen që kanë pasur prej shumë kohësh për të ditur origjinën e tyre, një kureshtje që e kanë shumë njerëz. Pothuajse 70 për qind duan të gjejnë informacione të rëndësishme për gjendjen shëndetësore të prindërve të vërtetë, për të ditur për ndonjë prirje të trashëgueshme.»

Nga një raport tjetër, bazuar në intervistat e bëra me 16 të rritur që ishin ngjizur me spermë të dhuruar, u zbulua se «shumë u tronditën kur mësuan origjinën e tyre biologjike». Raporti shtonte: «Shumë prej këtyre fëmijëve ndiheshin të zhgënjyer ngaqë nuk dinin se kush ishin në të vërtetë dhe veç kësaj vuanin nga ndjenja e braktisjes. Ata mendonin se familjarët i kishin mashtruar dhe nuk kishin më besim tek ata.»

Si do të vendosni?

Mjekësia pa dyshim që do t’i çojë edhe më tej teknikat e riprodhimit in vitro. Disa thonë se në të ardhmen 30 për qind e të gjitha foshnjave do të lindin me ndihmën e këtyre teknikave. Debati për çështjet etike dhe morale do të vazhdojë.

Kur marrin në shqyrtim këto teknika, të krishterët e vërtetë udhëhiqen nga diçka edhe më e rëndësishme: pikëpamja e Krijuesit tonë, atij që bëri të mundur riprodhimin. (Psalmi 36:9) Sigurisht Bibla nuk flet drejtpërdrejtë për teknikat moderne të riprodhimit, pasi në kohët biblike ato ende nuk ishin zbuluar. Gjithsesi, Bibla jep parime të qarta që tregojnë mendimet dhe pikëpamjen e Perëndisë. (Shih kutinë «Çfarë thotë Bibla?») Parime të tilla na ndihmojnë që të marrim vendime të drejta nga ana etike dhe morale, vendime që do të na lënë me një ndërgjegje të pastër para Perëndisë.​—1 Timoteut 1:5.

[Shënimet]

^ par. 6 Sipas një fjalori «nëna zëvendësuese» është «një grua që mbetet shtatzënë, duke përdorur zakonisht inseminimin artificial ose metodën e vendosjes së një veze të pllenuar me anë të teknikave kirurgjike. Qëllimi është që ajo të mbajë deri në lindje fetusin që do të bëhet fëmija i një gruaje tjetër».

^ par. 16 Shih serinë e artikujve «Qelizat burimore: A ka shkuar shkenca tepër larg?» në revistën Zgjohuni! të dhjetorit 2002.

[Kutia dhe figura në faqen 8]

Kur fillon jeta?

Fjala «paraembrion» nënkupton atë fazë të zhvillimit të vezës së fekonduar që përfshin 14 ditët e para pas fekondimit. Pasi kalon kjo fazë, veza quhet embrion deri në fund të javës së tetë. Sapo mbaron java e tetë e në vijim, embrioni quhet fetus. Pse përdoret fjala «paraembrion»?

Sipas Buletinit Ndërkombëtar të Sociologjisë dhe të Politikave Shoqërore, termi «u përdor si bazë për të lejuar kërkimet rreth embrioneve njerëzore», gjatë 14 ditëve të para pas ngjizjes. Libri Një udhëtim i mahnitshëm: Eksplorimi i trupit të njeriut (anglisht) thotë: «Nëse embrioni do të përkufizohej si struktura që do të japë një bebe, pjesët e tij më fillestare nuk formohen pa kaluar pak a shumë dy javë pasi spermatozoidi është bashkuar me vezën.» Por a mund të nënvlerësohet ky paraembrion, duke e quajtur thjesht si një grup qelizash, i cili është i përshtatshëm vetëm për kërkime? Shihni se çfarë ndodh faktikisht gjatë këtyre dy javëve.

Pasi spermatozoidi ka hyrë te veza, duhen 24 orë që të bashkohen kromozomet që kanë ardhur nga mashkulli dhe femra. Brenda pak ditësh qeliza ndahet. Katër ose pesë ditë pas fekondimit grupi i qelizave merr formën e një sfere boshe (që ende është më e vogël se një kokë gjilpëre). Kjo sferë ka një shtresë të jashtme qelizash dhe një grumbull të brendshëm qelizash. Tani quhet blastocist. Shumë nga qelizat e shtresës së jashtme do të zhvillohen dhe do të formojnë inde që nuk do të jenë pjesë e embrionit. Kurse nga grumbulli i brendshëm i qelizave do të krijohet foshnja.

Afërsisht një javë pas fekondimit, veza vendoset në mitër. Blastocisti ngjitet në mitër dhe fillon krijimi i placentës e cila bën të mundur që nëpërmjet gjakut të kalojnë nga nëna te foshnja oksigjeni dhe ushqimi, kurse nga foshnja te nëna lëndët e panevojshme. Sipas librit të përmendur më sipër, thuhet se aty nga dita e nëntë masa e brendshme qelizore fillon «detyrën e formimit të një qenie të re njerëzore». Libri shton: «Këto qeliza, që pak a shumë janë 20, gjatë pesë ose gjashtë ditëve vijuese duhet të kryejnë një sërë organizimesh të reja dhe diferencimesh për të krijuar elementin e parë strukturor të embrionit të vërtetë.» Kështu nga fundi i javës së dytë, fillon të shfaqet ky «element i parë strukturor» nga i cili do të zhvillohet sistemi nervor qendror.

Meqë ky proces përgatitor zhvillohet hap pas hapi në fazën më të hershme të embrionit, disa thonë se «nga ana biologjike nuk ka ndonjë ngjarje ose çast të caktuar që mund të quhet fillimi i një embrioni të ri njerëzor».

Sidoqoftë të krishterët e vërtetë besojnë se jeta nis që në ngjizje. Fakti që qeliza vezë e fekonduar përmban programin e nevojshëm për ndërtimin e placentës, për vendosjen e vezës në mitër, për lidhjen e embrionit me enët e gjakut të nënës e për procese të tjera, vetëm sa ua shton admirimin për Projektuesin, Perëndinë Jehova.

[Figura]

Embrioni i njeriut tri ditët e para (i zmadhuar rreth 400 herë)

[Burimi]

Me mirësjelljen e Universitetit të Jutës dhe Laboratorëve të Andrologjisë dhe të Fekondimit In Vitro

[Kutia dhe figura në faqen 9]

Ç’MUND TË THUHET PËR DIAGNOZËN GJENETIKE PARA VENDOSJES SË EMBRIONIT NË MITËR?

Një arritje e re në fushën e riprodhimit in vitro quhet diagnoza gjenetike para vendosjes së embrionit në mitër. Kjo përfshin analizën gjenetike të embrioneve para se të zgjedhin se cilin do të vendosin në mitër. Duke komentuar për çështjet etike që ngre një metodë e tillë, libri Zgjedhja e riprodhimit in vitro: Çështjet shoqërore, emocionale dhe etike shpjegon:

«Së shpejti [shkencëtarët] do të jenë në gjendje të përcaktojnë veçoritë fizike, intelektuale e ndoshta edhe emocionale dhe shoqërore të një embrioni. Prandaj, në një të ardhme jo shumë të largët, do të bëhet e mundur që prindërit të zgjedhin disa nga veçoritë që do të dëshironin të kishte fëmija i tyre. Në ato raste kur ekziston rreziku i ndonjë sëmundjeje të trashëguar, shumë njerëz do ta përkrahnin këtë përzgjedhje gjenetike. Megjithatë shumë nuk do ta miratonin, nëse kjo teknikë do të përdorej vetëm sepse çifti dëshiron që fëmija të ketë këtë apo atë gjini. Gjithashtu nuk do ta miratonin nëse në të ardhmen do të përdorej vetëm sepse çiftit do t’i pëlqente që fëmija t’i kishte sytë bojëqielli, të kishte talent për muzikë ose të ishte i gjatë.

Ashtu si shumë teknologji të tjera, edhe përzgjedhja gjenetike para vendosjes së embrionit në mitër ngre pyetjen: ‘A është e drejtë të bëhet diçka vetëm sepse është e mundur të realizohet?’ . . . Dilema është se ç’kufizime mund të vihen në këto çështje delikate ku përfshihet teknologjia e përparuar, e madje nëse mund të vihet ndonjë kufizim.»

[Kutia dhe figura në faqen 10]

ÇFARË THOTË BIBLA?

Sigurisht Bibla nuk flet drejtpërdrejt për metodat e riprodhimit in vitro. Megjithatë, ajo na bën të mundur të njohim pikëpamjen e Perëndisë për disa çështje themelore. Përgjigjet e dy pyetjeve kyçe që vijojnë mund t’i ndihmojnë të krishterët e vërtetë të marrin vendime që i pëlqejnë Perëndisë.

Kur fillon jeta e njeriut? Bibla tregon se jeta fillon që në ngjizje ose fekondim. Vini re fjalët e psalmistit David, i cili u frymëzua të thoshte këto fjalë për Perëndinë: «Sytë e tu panë masën pa trajtë të trupit [embrionin, BR] tim dhe në librin tënd ishin shkruar ditët që ishin caktuar për mua.» (Psalmi 139:16) Shqyrtoni edhe Eksodin 21: 22, 23, ku teksti në gjuhën origjinale tregon se një njeri do të mbante përgjegjësi nëse do të dëmtonte një fëmijë të palindur. Nga kjo kuptojmë se për Krijuesin tonë jeta është diçka e çmuar, madje edhe në fazat më të hershme të zhvillimit në mitër. Në sytë e Perëndisë shkatërrimi me dashje i një embrioni është njëlloj si aborti. *

A ka ndonjë kufizim se si duhen përdorur aftësitë riprodhuese? Pikëpamja e Perëndisë mund të kuptohet nga Levitiku 18:20, (BR) ku thuhet: «Nuk duhet t’ia japësh farën tënde gruas së fqinjit për t’u ndotur me të.» Parimi që qëndron në themel të këtij ligji që gjendet në Shkrime është: fara ose sperma e një burri nuk duhet përdorur për të ngjizur ndonjë grua tjetër veç gruas së tij dhe një grua nuk duhet të lindë fëmijën e dikujt tjetër, veç burrit të saj. Me fjalë të tjera aftësitë riprodhuese nuk duhen përdorur për askënd tjetër përveç bashkëshortit. Prandaj, të krishterët e vërtetë nuk i drejtohen metodës së «nënës zëvendësuese» si edhe ndonjë metode që përfshin përdorimin e spermës, vezëve ose embrioneve të dhuruara. *

Kur marrin ndonjë vendim lidhur me riprodhimin in vitro, të krishterët e vërtetë duhet ta peshojnë mirë atë që thotë Bibla për pikëpamjen e Perëndisë. * Në fund të fundit ai është Nismëtari i martesës dhe i jetës familjare.​—Efesianëve 3:14, 15.

[Shënimet]

^ par. 55 Shih artikullin «Pikëpamja e Biblës: Kur fillon jeta e njeriut?» në revistën Zgjohuni! të 8 tetorit 1990, anglisht.

^ par. 56 Shih artikujt «Pikëpamja e Biblës: «Nëna zëvendësuese: A është një metodë për të krishterët?» në revistën Zgjohuni! të 8 marsit 1993, anglisht dhe «Cila është pikëpamja e Biblës?: A e pranon Perëndia inseminimin artificial?» në revistën Zgjohuni! të 8 gushtit 1974, anglisht.

^ par. 57 Për një diskutim rreth fekondimit in vitro, në rastin kur sperma merret nga bashkëshorti dhe veza nga gruaja e tij, shih rubrikën «Pyetje nga lexuesit» në revistën Kulla e Rojës të 1 qershorit 1981, anglisht.

[Figura në faqen 7]

Embrione të ruajtura në ngrirje

[Burimi]

© Firefly Productions/CORBIS