Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një shfaqje dritash në skenën nënujore

Një shfaqje dritash në skenën nënujore

Një shfaqje dritash në skenën nënujore

Duke çarë ujërat si një peshk përgjatë shkëmbinjve nënujorë, një palombar pa një sepje 60 centimetra të gjatë, që qëndronte në një qoshe të futur ku mezi dallohej pasi kishte të njëjtën ngjyrë me shkëmbin, blu në gri. Kur palombari iu afrua, sepja ndryshoi ngjyrë duke u transformuar sa hap e mbyll sytë në ngjyrë të kuqe vezulluese. Kur palombari u spraps, ajo u kthye përsëri në ngjyrën e mëparshme. A keni menduar ndonjëherë se si këto molusqe mahnitëse apo edhe disa lloj oktapodësh e kallamarësh arrijnë ta bëjnë këtë shndërrim ngjyrash?

Sekreti i tyre gjendet te kromatoforet, qelizat e lëkurës që bartin pigmentin. Me anë të nervave tkurrin muskujt, që rregullojnë madhësinë e këtyre qelizave, dhe kështu mund të ndryshojnë ngjyrë dhe të krijojnë motive të ndryshme ngjyrash.

Përveç shndërrimit të ngjyrave, shumë lloje kallamarësh mund të lëshojnë edhe dritë, dhe këtë e bëjnë pak a shumë si xixëllonjat. Kjo dritë biologjike, që vihet re edhe në shumë gjallesa të tjera detare, duke filluar që te kandili e deri te karkalecat e detit, vjen nga reaksione kimike të ndërlikuara që ndodhin brenda qelizave që quhen fotocite ose në organe që quhen fotofore. Kjo dritë shkaktohet edhe nga veprimtaria e baktereve ndriçuese, bashkëjetesa e të cilave varet në mënyrë reciproke nga mikpritësi i tyre.

Në rastin e reaksioneve kimike, qelizat dhe organet që lëshojnë dritë përmbajnë një lëndë që quhet luciferinë, e cila vepron me oksigjenin në prani të një enzime dhe krijon një dritë, zakonisht me ngjyrë blu në të gjelbër. Sipas gazetës Scientific American disa organe ndriçuese «janë pjesë të zhvilluara të pajisura me lente për të fokusuar, filtër ngjyrash ose diçka si një kapak të lëvizshëm që shërben si çelës drite. Kallamarët, që në lëkurë kanë si fotofore ashtu edhe kromatofore, mund të ndryshojnë si ngjyrat, ashtu dhe fortësinë e dritës që lëshojnë».

Gjallesat detare që ndriçojnë duke përfituar nga bakteret ndriçuese, i strehojnë këta miq mikroskopikë në organe të veçanta ndriçuese ku qarkullon shumë gjak. Gjaku ushqen mikrobet, dhe në këtë mënyrë këto gjallesa paguajnë «faturën e dritave».

[Burimet e figurave në faqen 31]

Fotografia e vogël: Me mirësjelljen e Jeffrey Jeffords/www.divegallery.com

© David Nicholson/Lepus/Photo Researchers, Inc.