Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Ushqehen në plehra

«Është e habitshme se sa të rëndësishme janë bërë plehrat si burim ushqimi për një numër të madh zogjsh dhe kafshësh. Në disa vende ato bëjnë të mundur mbijetesën e disa gjallesave»,​—thotë biologu Vilfrit Mair. Siç tregohet edhe në revistën Der Spiegel, nga një studim në të gjithë botën u zbulua se gati 70 lloje zogjsh dhe 50 lloje kafshësh ushqehen me mbeturina. Në vendet e plehrave është formuar një zinxhir ushqimor i plotë. Insektet gëlojnë nën ngrohtësinë që krijohet poshtë plehrave të kalbura. Zogjtë dhe kafshët e vogla ushqehen me këto insekte, ndërsa ata vetë bëhen pre e zogjve grabitqarë dhe e grabitqarëve të tjerë. Është interesante, disa zogj, që nga natyra janë të ndrojtur, nuk stepen nga zhurma shurdhuese e makinave të plehrave apo nga ardhja e kafshëve dhe e njerëzve në pirgjet e plehrave.

Kusarët gjigantë

Me sa duket nuk qenkan vetëm njerëzit kusarë. Sipas Bangkok Post, në radhët e kusarëve janë futur edhe elefantët. Elefantët e uritur, nga xhunglat në lindje të Bangkokut, bllokojnë rrugët ku kalojnë kamionët me kallama sheqeri dhe plaçkitin ngarkesat e tyre. Rreth 130 elefantë jetojnë në rezervatin e kafshëve në Ang Lue Ni, por mungesa e shirave ka bërë që bimësia në atë zonë të pakësohet, kështu që elefantët e uritur detyrohen të dalin nga xhungla për të kërkuar ushqim. Mbikëqyrësi i rezervatit, Ju Senatam, tregon që disa elefantë kanë arritur edhe të plaçkitin plantacionet, ndërsa të tjerë mbledhin kallamat e sheqerit që i hedhin me qëllim shoferët e kamionëve, ngaqë u vjen keq për elefantët.

Antibiotikët për kafshët

Ka kohë që Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) paralajmëron se përdorimi i antibiotikëve te kafshët shtëpiake që nuk janë të sëmura, është i tepruar dhe i panevojshëm. Sipas gazetës spanjolle ABC, është bërë zakon që ilaçet të futen në ushqimin e kafshëve «në mënyrë që ato të majmen sa më shpejt». Kohët e fundit një studim danez ka treguar se rritja e kafshëve pa ndihmën e antibiotikëve mund të jetë fitimprurëse. Kur blegtorët nuk futën më antibiotikë në ushqimin e kafshëve, prodhimi i pulave nuk ndryshoi dhe çmimi i mishit të derrit u rrit vetëm me 1 për qind. OBSH-ja i ka përgëzuar danezët për iniciativën dhe po nxit edhe shtetet e tjera që të mos përdorin antibiotikë në ushqimin e kafshëve. Gazeta vazhdonte se kjo «do të ishte diçka e mirë edhe për shëndetin e njerëzve».

Shahistë që mashtrojnë

«Ka shumë shahistë që nuk ua vënë shumë veshin rregullave»,​—raporton gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung. Në një rast, një lojtar amator fitoi kundër një profesionisti. Por, më vonë u zbulua se fituesi kishte fshehur poshtë flokëve të tij të gjatë një mikrofon, kufje dhe një aparat fotografik për të komunikuar me një shahist që e ndiqte lojën me kompjuter në një dhomë tjetër. Disa të tjerë shkojnë në banjë, mbyllin derën dhe nxjerrin një kompjuter dore, ku llogaritin se cila do të jetë lëvizja tjetër. Edhe ata që luajnë nëpërmjet Internetit mund të bëjnë dredhira. Disa futin një program shahu në kompjuterin e tyre pikërisht në kohën kur janë duke luajtur nëpërmjet Internetit. Në raste të tjera disa përdorin dy emra në lojë, duke luajtur kështu kundër vetes dhe kur njëri emër humbet, tjetri automatikisht ngrihet një vend më lart në listën e renditjes. «Për shumë njerëz kjo nuk është dhe aq një çështje parash,​—thotë gazeta.​—Pothuajse në çdo rast ajo që i motivon nuk është lakmia, por dëshira për t’u dukur.»

Tepër i moshuar për të shkuar në shkollë?

«Kur gjashtë vjeçarët [në një shkollë fillore në Rift Valley të Kenias] janë në klasë, koka dhe shpatullat e një nxënësi dallohen mbi ato të të tjerëve»,​—raporton gazeta e Najrobit Daily Nation. Është pikërisht një 84-vjeçar që kohët e fundit hyri në klasën e parë, pasi kështu «mund të mësojë të lexojë Biblën». Megjithëse nipërit e mbesat e tij janë në klasat më të larta, ai prapë vjen në shkollë. «Më kanë treguar shumë gjëra për Biblën, të cilat nuk e di nëse janë të vërteta, dhe dua ta lexoj vetë Librin e Shenjtë për të kuptuar nëse është kështu»,​—i tha ai gazetës Nation. I pajisur me uniformë dhe me çdo mjet shkollor ai bën çmos që të përshtatet me rregullat e rrepta të shkollës. Megjithatë ndonjëherë e tolerojnë. Për shembull, kur studentët e tjerë bëjnë gjimnastikë dhe vrapojnë, «atë e lejojnë të bëjë ndonjë shtriqje të lehtë të muskujve».

Tërmete vdekjeprurëse në vitin 2003

«Sipas Institutit të Studimeve Gjeologjike SHBA, duke llogaritur që nga viti 1990, viti 2003 ishte më i tmerrshmi për sa i përket tërmeteve, 25 herë më tragjik sesa viti 2002»,​—thuhet në një deklaratë për shtyp të këtij instituti. «Në vitin 2002, në të gjithë botën vdiqën nga tërmetet 1711 njerëz», ndërsa vetëm vitin e shkuar vdiqën 43.819 veta. Rreth 41.000 nga këta vdiqën në Iran pas një tërmeti 6,6 ballë (sipas shkallës Richter), që goditi qytetin e Bamit më 26 dhjetor. Tërmeti më i fortë, dhe i vetmi që mund të cilësohet si tërmet «i madh», ishte ai që goditi Hokaidon në Japoni më 25 shtator. Ishte 8,3 ballë. Sipas artikullit ky Institut «tregon që brenda ditës bien rreth 50 tërmete. . . . Çdo vit, në të gjithë botën bien mesatarisht 18 tërmete të forta (7 deri 7,9 ballë) dhe një tërmet i madh (8 ballë a më shumë). Çdo vit, në botë bien miliona tërmete, por shumë prej tyre nuk numërohen fare, pasi bien në zona të largëta ose janë shumë të lehtë».

Pse kaq shumë të rinj kryejnë krime?

Specialistët besojnë se problemet familjare janë arsyeja kryesore që numri i fëmijëve kriminelë është rritur ndjeshëm. Siç theksohej në një artikull të gazetës afrikano-jugore Weekend Witness shumica e këtyre fëmijëve vijnë nga familje të shpërbëra ose nga familje ku të dy prindërit punojnë dhe janë «tepër të zënë, të lodhur e nuk gjejnë kohë» për t’u kujdesur për ta. Sipas kriminologes dr. Irma Labuskakni, shumë adoleshentë as nuk e kanë idenë se çdo të thotë «familje» dhe «janë të etur për dashuri dhe ngrohtësi». Kështu që ata i kërkojnë këto gjëra tjetërkund, duke u bërë pre e lehtë për grupet kriminale të cilat u japin ndjesinë se i përkasin. Nga sa vëren psikologia dr. Siselia Janseni, prindërit «rendin kaq shumë pas pozitës, suksesit dhe materializmit, saqë nuk e kanë idenë se çfarë ndodh në jetën e pjesëtarëve të familjes së tyre». Sipas artikullit, si Labuskakni ashtu edhe Janseni këshillojnë «kthimin në vlerat familjare të kohëve të vjetra». Ky artikull përfundonte me fjalët: «Asgjë nuk mund ta zëvendësojë një familje të shëndetshme, të lumtur e normale.»