Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Origami​—Arti i palosjes së letrave

Origami​—Arti i palosjes së letrave

Origami​—Arti i palosjes së letrave

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË JAPONI

PËRFYTYRONI një copë letër që shndërrohet në një lejlek të bukur që duket si prej vërteti. Krahët e tij hapen krenarisht dhe mbi trupin elegant ngrihet një qafë e gjatë dhe e hollë, në krye të së cilës vjen koka e hijshme me sqepin karakteristik. Për çudi, ky lejlek është formuar duke palosur një copë letre katrore, me anë të një procesi me 12 faza, që ndiqen me përpikëri.

Krijimi i një morie të pafund formash magjepsëse duke palosur, hapur e përkulur një copë letër, është një lloj arti japonez, që quhet origami. Emri në vetvete do të thotë «letër e palosur». Ndonëse nuk dihet mirë se nga ka ardhur ky art, në Japoni origami mund të ketë zënë fill që në kohët e lashta, kur dokumentet zyrtare paloseshin me stile të ndërlikuara. Mendohet se gjatë periudhës së Tokugajve (1603-1867), origami u zhvillua si një lloj veprimtarie e kohës së lirë, që mund ta praktikonte kushdo. Në atë kohë u shpikën teknika të reja palosjeje. Ky art është trashëguar brez pas brezi, pasi prindërit ua kanë mësuar fëmijëve dhe nipërve. Shumë japonezë e kujtojnë me mall kohën kur ishin fëmijë dhe shikonin të mahnitur nënën e tyre që paloste letrën me shkathtësi, duke bërë gjëra të lezetshme për ta.

Në varësi të formave që krijohen, kryesisht ka dy klasifikime të origamit. Njëri quhet origami tradicional. Me këtë lloj formohen lejlekë, bretkosa, varka, balona, insekte dhe bimë prej letre. Tjetri quhet origami krijues, i cili ndryshon nga teknikat tradicionale që janë përdorur për shekuj me radhë. Me anë të këtij origami, formohen dinosaurë të mëdhenj, insekte të ndërlikuara dhe modele të tjera të vështira.

Në ditët tona disa degë, si arkitektura, kanë zbatuar parimet e origamit që të bëjnë modelet për një shumëllojshmëri produktesh të dobishme. Gjithashtu origamin e kanë përdorur në mjekësi si një ushtrim të efektshëm për riaftësimin e të moshuarve dhe invalidëve.

Bëni vetë figura me origami

Si të bëni figura me origami? Origami tradicional nuk është i vështirë. Nuk kërkon as mjete të veçanta, as stërvitje të veçantë. Duhet vetëm vëmendje dhe mprehtësi në të vëzhguar. Patjetër që ju nevojitet letra e duhur, si dhe të dini rregullat e palosjes. Çdokush që e palos letrën me durim dhe përpikëri, mund ta shndërrojë atë në një formë tërheqëse.

Mund të përdorni çdo lloj letre që ju ndodhet, gazeta, fletushka reklamash ose letra mbështjellëse të zbukuruara. Caktojeni vetë madhësinë, cilësinë dhe ngjyrën e letrës, në varësi të asaj që dëshironi të bëni. Megjithatë, në qoftë se doni të bëni diçka vërtet të bukur, duhet ta zgjidhni me kujdes ngjyrën e letrës. Bukuria e veprës suaj nuk varet vetëm nga mënyra si e palosni letrën, por edhe nga lloji i letrës që përdorni. E mira është të përdoret një letër e bërë posaçërisht për origamin. Ose ndoshta keni qejf të përdorni uashi, letër japoneze e bërë me dorë. *

Për pjesën më të madhe të formave, ka rëndësi që letra të jetë katrore. Mund ta kontrolloni a është katrore duke i puthitur cepat e kundërt dhe duke e palosur letrën si trekëndësh. Nëse të gjitha anët përputhen plotësisht, atëherë letra është prerë në rregull.

Për të pasur rezultate të mira, duhet ta palosni letrën në mënyrë të tillë që secili cep dhe secila anë të puthiten plotësisht me njëra-tjetrën. Gjithashtu, vijën e palosjes shtrijeni mirë. Kur e palosni letrën më dysh për të formuar një trekëndësh, mbajini të bashkuara fort të dy cepat diagonalë me gishtin e madh dhe me treguesin. Pastaj ushtroni presion mbi vijën e palosjes me dorën tjetër. Kur e palosni letrën më dysh për të formuar një drejtkëndësh, sigurohuni që cepat e sipërm të përputhen plotësisht. Pastaj mbajini fort të bashkuara anët e sipërme ndërsa ushtroni presion mbi vijën e palosjes.

Për disa forma origami, letra duhet palosur e shpalosur, duke bërë kështu një vijë për fazën tjetër. Nganjëherë letra përdridhet, bëhet me pala, bëhet rrotull, pickohet me gishta, kthehet për nga brenda, hapet duke i fryrë, kthehet përmbys; të gjitha këto që t’i jepen forma të ndryshme.

Origami mund të praktikohet kudo e në çdo kohë. Pasi ta keni mësuar këtë art, në thelb nuk ju duhet gjë tjetër veç letrës. Duke përdorur vetëm gishtat, mund të bëni shumë forma tradicionale të larmishme e madje mund të shpikni ju vetë modele të reja. Po të përpiqeni ta mësoni origamin nga disa udhëzime me skica, ka të ngjarë të lodheni disi. Por, po t’ju qëllojë të takoni dikë që e di origamin, përfitoni nga rasti për të mësuar këtë art të palosjes së letrave.

[Shënimi]

^ par. 9 Shihni artikullin «Uashi​—Letra e lashtë japoneze, e bërë me dorë», botuar në revistën Zgjohuni!, 8 janar 1992, anglisht.