Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Shtimi i bebeve merr hov nga riprodhimi in vitro

Shtimi i bebeve merr hov nga riprodhimi in vitro

Shtimi i bebeve merr hov nga riprodhimi in vitro

Më 25 korrik 1978, në Oldam të Anglisë ndodhi një lindje e jashtëzakonshme. Erdhi në jetë një vajzë, me emrin Lusi-Xhoi Braun e cila ishte e para bebe epruvete.

NËNTË muaj më parë Lusi ishte ngjizur në laborator nëpërmjet një procesi të quajtur fekondimi in vitro. Me anë të kësaj metode, veza e marrë nga nëna e saj u bashkua me një spermatozoid në një enë qelqi laboratorike. Dy ditë e gjysmë më vonë, pasi qeliza vezë ishte ndarë në tetë qeliza mikroskopike, grupin e vogël të qelizave të formuara e futën në mitrën e nënës që të zhvillohej normalisht. Lindja e Lusit hapi një kapitull krejt të ri në trajtimin e sterilitetit.

Fekondimi in vitro i dha shtysë asaj që sot njihet me emrin teknologjia e riprodhimit in vitro. Ajo përfshin të gjitha ato metoda për trajtimin e sterilitetit, gjatë së cilave përdoret si veza, ashtu edhe spermatozoidi. Le të shqyrtojmë disa shembuj. Në vitin 1984 një grua në Kaliforni, SHBA, lindi një foshnjë falë një veze që e kishte dhuruar një grua tjetër. Po atë vit, në Australi, lindi një foshnjë nga një embrion që ishte ruajtur në ngrirje. Më 1994, një grua 62-vjeçare në Itali solli në jetë një fëmijë, duke përdorur vezë të dhuruara dhe spermatozoidët e burrit të saj.

Arritje të reja

Sot, gati 25 vjet pas lindjes së Lusi-Xhoi Braunit, studiuesit kanë zbuluar një mori ilaçesh dhe procedurash të një teknologjie të përparuar, të cilat i kanë transformuar plotësisht metodat e trajtimit të sterilitetit. (Shih kutitë «Disa metoda për trajtimin e sterilitetit» dhe «Cilat janë rreziqet?») Arritje të tilla kanë bërë që të shtohen shumë fëmijët e lindur me anë të riprodhimit in vitro. Për shembull, më 1999, me ndihmën e riprodhimit in vitro, vetëm në Shtetet e Bashkuara lindën më shumë se 30.000 foshnja. Në disa vende skandinave, 2 deri në 3 për qind e fëmijëve që lindin çdo vit, janë ngjizur me metoda të tilla. Në mbarë botën, lindin çdo vit rreth 100.000 fëmijë me anë të fekondimit in vitro. Është llogaritur se që nga viti 1978, me anë të kësaj metode kanë lindur rreth një milion fëmijë.

Riprodhimi in vitro përdoret kryesisht në vendet e zhvilluara. Çdo cikël i plotë trajtimi kushton mijëra dollarë dhe zakonisht këto shpenzime nuk mbulohen nga shërbimet shëndetësore kombëtare, nga punëdhënësit ose nga shoqëritë private të sigurimit. Revista Time tha se «një grua 45-vjeçare që ka bërë shtatë cikle të plota të fekondimit in vitro mund të ketë harxhuar 100.000 dollarë për trajtimin». Megjithatë riprodhimi in vitro u jep shpresë shumë çifteve sterile, për të cilat e vetmja mënyrë për të pasur fëmijë ka qenë adoptimi. Në ditët tona teknikat e trajtimit të sterilitetit bëjnë të mundur zgjidhjen e shumë prej problemeve të sterilitetit te femrat dhe te meshkujt. *

Përse kërkohen kaq shumë?

Një arsye përse metodat e trajtimit të sterilitetit kërkohen kaq shumë është mënyra moderne e jetesës. Një raport i botuar nga Shoqëria Amerikane për Mjekësinë në Fushën e Riprodhimit thotë: «Mosha mesatare e lindjes së fëmijëve është rritur gjatë tre dhjetëvjeçarëve të fundit. Kjo vjen ngaqë më shumë gra i kanë hyrë arsimit të lartë dhe karrierës, e kështu e kanë shtyrë për më vonë martesën. Krahas kësaj, gjatë periudhës kur numri i lindjeve mori hov (1946-1964) lindën shumë foshnja vajza, prandaj sot kemi shumë gra të atij brezi, të cilat kanë arritur në fund të moshës kur gruaja ka aftësi të lindë. Si pasojë, në ditët tona ka më shumë gra të kësaj moshe që po kërkojnë ndihmën e metodave për trajtimin e sterilitetit.»

Disa gra mbase nuk e kuptojnë se sa shpejt bie aftësia për të lindur ndërkohë që u kalon mosha. Sipas Qendrave Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, kur një grua bëhet 42 vjeçe, mundësitë që ajo të lindë një bebe, duke përdorur vezët e saj, janë më të vogla se 10 për qind. Prandaj vezët e dhuruara shpesh përdoren për gratë në moshë të madhe të cilat i drejtohen për ndihmë riprodhimit in vitro.

Sipas një metode të re, disa çifte sterile «adoptojnë» një embrion, pra marrin një embrion të mbetur nga trajtimi i sterilitetit të një çifti tjetër. Vetëm në Shtetet e Bashkuara po ruhen në ngrirje rreth 200.000 embrione. Kohët e fundit në lajmet e CBS-së, njërit prej stacioneve më të fuqishme televizive në SHBA, u tha: «Për vite të tëra, dhurimi i embrionit është përdorur pa bujë dhe në një shkallë të vogël.»

Nuk është për t’u habitur që zhvillimet në fushën e riprodhimit in vitro ngrenë një sërë pyetjesh. Si shihen nga ana etike dhe morale këto lloj shtatzënish? Cila është pikëpamja e Biblës për këtë çështje? Këto pyetje si edhe të tjera do të trajtohen në artikullin vijues.

[Shënimi]

^ par. 7 Disa nga shkaqet e sterilitetit te femrat janë: çrregullime të procesit të ovulacionit, bllokimi i gypave të Falopit ose endometrioza. Steriliteti te meshkujt shpesh lidhet me prodhimin e paktë të spermatozoidëve ose me mungesën e tyre.

[Kutia dhe figura në faqen 4]

DISA METODA PËR TRAJTIMIN E STERILITETIT

INSEMINIMI ARTIFICIAL. Sperma futet në organet riprodhuese të gruas jo nëpërmjet rrugës së zakonshme të marrëdhënieve seksuale. Shpesh kjo është metoda që përdoret para këtyre të përmendura më poshtë.

VENDOSJA E GAMETËVE NË GYPIN E FALOPIT. Nga vezorja e gruas merren disa vezë që bashkohen me spermatozoidët. Pas kësaj, me anë të një laparoskopi (aparat që përdoret për ekzaminimin e zgavrës së barkut), vezët e papllenuara dhe spermatozoidët futen në gypin e Falopit. Që të realizohet ky proces, në barkun e gruas bëhen disa çarje të vogla kirurgjike.

INJEKTIMI I SPERMATOZOIDIT NË CITOPLAZMË. (Majtas, e zmadhuar) Një spermatozoid i vetëm injektohet drejtpërdrejt në një vezë.

FEKONDIMI IN VITRO. Nga vezoret e gruas merren disa vezë që fekondohen jashtë trupit të saj. Embrionet e përftuara futen në mitrën e saj përmes qafës së mitrës.

VENDOSJA E ZIGOTËS NË GYPIN E FALOPIT. Vezët e marra nga vezorja e gruas fekondohen jashtë trupit të saj. Pastaj me anë të një çarjeje të vogël kirurgjike në barkun e gruas, një vezë e fekonduar futet në gypin e Falopit.

[Burimet]

Materiali bazohet në Burimin e Informacionit për Shëndetin Riprodhues, Qendrat Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Me mirësjelljen e Universitetit të Jutës të Laboratorëve të Andrologjisë dhe të Fekondimit In Vitro

[Kutia dhe figura në faqen 5]

CILAT JANË RREZIQET?

GABIMI NJERËZOR. Në Shtetet e Bashkuara, Holandë dhe në Britaninë e Madhe, në klinikat që merren me riprodhimin, gabimisht janë ngatërruar spermatozoidët ose embrionet. Në një rast lindën binjakë që kishin një racë tjetër me prindërit, kurse një grua lindi binjakë që ishin të dy racave të ndryshme.

LINDJA E SHUMË FËMIJËVE NJËHERËSH. Studimet kanë treguar se lindja e shumë fëmijëve njëherësh​—si pasojë e shumë embrioneve që futen në mitër​—rrit rrezikun që fëmijët të lindin para kohe, të lindin nën peshë, të vdekur ose të kenë ndonjë paaftësi që vazhdon për një kohë të gjatë.

DEFEKTET E LINDURA. Sipas një studimi, fëmijët që lindin me anë të fekondimit in vitro kanë më shumë rrezik të lindin me defekte, si për shembull, me probleme të zemrës ose të veshkave, me qiellzë të çarë ose me probleme të testikujve.

SHËNDETI I NËNËS. Komplikacionet që vijnë nga trajtimi me hormone ose nga një shtatzëni me shumë fetuse i shtojnë rreziqet për shëndetin e nënës.