Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Xhevahire të gjalla të botës së insekteve

Xhevahire të gjalla të botës së insekteve

Xhevahire të gjalla të botës së insekteve

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË SPANJË

NËN kurorën e dendur e të lartë të pyjeve tropikale të shiut fshihen mijëra margaritarë të gjallë. Disa shkëlqejnë si ari e argjendi, kurse të tjerë rrëzëllejnë si smeraldi, rubini e safiri. Këto xhevahire të pyllit, që nuk para u bien në sy njerëzve, janë brumbujt.

Ç’gjë të vjen ndër mend kur kujton brumbujt? Ndoshta disa kandrra të zeza e me pamje të çuditshme, që lëvrijnë në tokë, mu përpara këmbëve të tua? Por faktikisht brumbujt renditen mes krijesave me më shumë ngjyra e që janë më të shumta në numër në tërë tokën. Sipas Librit Gines të rekordeve të kafshëve (anglisht), gati 400.000 llojet e njohura të Flatrafortëve​—emri shkencor i rendit ku bëjnë pjesë brumbujt​—përbëjnë pothuajse një të tretën e të gjitha llojeve të kafshëve që njihen në planetin tonë. Dhe po të jetë se ti vetë ke shumë qejf të zbulosh ndonjë lloj të ri kafshe, pse të mos provosh me brumbujt? Studiuesi i insekteve, dr. Terri Ervini, beson se mund të ketë miliona lloje brumbujsh që shkenca nuk i njeh ende. Çuditërisht, Ervini gjeti afro 1.200 lloje brumbujsh vetëm në 19 drurë tropikalë të mëdhenj.

Larmi mahnitëse

Po të kemi parasysh numrin e llojeve të brumbujve, nuk habitemi që ata kanë lloj-lloj formash e përmasash. Disa janë «kaq të mëdhenj, sa dikur koleksionistët i qëllonin në fluturim e sipër me çifte të mbushura me rërë», sipas revistës National Geographic. Disa të tjerë janë «kaq të vegjël sa udhëtojnë të ngjitur në gojën e bletëve. Madje ka brumbuj që arrijnë të futen nëpër muze dhe përlajnë koleksionet me brumbuj që janë të ekspozuara aty», siç vëren revista.

Ç’është e vërteta, koleksionet e brumbujve mund të vlejnë një thes me para. Si ngjyra, ashtu edhe fakti që disa janë tepër të rrallë, ua rritin vlerën. Zhuzhakët i kanë të gjitha nuancat e së gjelbrës dhe të së kuqes, e janë edhe në ngjyrë argjendi ose ari. Për shembull, një zhuzhak në të kuqe të ndezur mund të shitet 170 euro, kurse një zhuzhak i artë mund të kushtojë dyfish.

Disa brumbuj brigjatë, të quajtur kështu nga përmasat e jashtëzakonshme të brirthëve të tyre, kanë tipare mbresëlënëse e janë ngjyra-ngjyra. Përveç këtyre, disa brumbuj të tjerë shkëlqejnë si mozaikë të veckël të ylbertë. E gjelbra dhe bluja e tyre vezulluese ua kalon edhe ngjyrave të kolibrit. Por nuk janë vetëm ngjyrat që i bëjnë brumbujt të vlefshëm. Ata luajnë edhe një rol jetësor në ruajtjen e ekosistemeve, duke përpunuar bimët e kalbura dhe plehun.

Stoli me insekte

Koleksionuesit e brumbujve nuk janë të vetmit që i vlerësojnë jashtë mase këto insekte të bukura si xhevahire. Në të dyja kontinentet amerikane, disa gra bëjnë varëse duke shkuar në pe krahët e sipërm të brumbujve, që i kanë tërë ngjyra. Në disa zona të Meksikës, brumbujt-stoli​—të denjë për emrin që kanë​—i veshin me rruaza e me copëra xhami me ngjyra që t’i përdorin si karfica të gjalla zbukurimi për veshje. Gjithashtu, brumbujve u ngjitet edhe një zinxhir i shkurtër për zbukurim.

Ndoshta të pëlqen t’i admirosh brumbujt nga larg ose t’i kundrosh nga afër. Cilëndo mënyrë të zgjedhësh, këto xhevahire të gjalla shprehin me forcë se krijesat e tokës janë mrekullisht të bukura e të ndërlikuara.

[Kutia dhe figura në faqen 16]

Buburrecat e bimëve

Ndonëse të bukur, disa lloje brumbujsh janë të dëmshëm. Për shembull, buburrecat e bimëve përlajnë gjethet, kërcejtë dhe rrënjët e një morie bimësh dhe drithërash.

Megjithëse ka afro 25.000 lloje buburrecash të bimëve, shumë bujqve ky emër u sjell ndër mend vetëm një: buburrecin e patates. Në vitin 1859 kolonët në Amerikën e Veriut për herë të parë e kuptuan që ky buburrec ishte një rrezik për të mbjellat e tyre me patate. Aty nga fillimi i shekullit të 20-të, buburreci kishte pushtuar Evropën, dhe tani është përhapur anembanë saj e në Azi.

Për shkak të aftësisë për t’u rezistuar pesticideve, buburreci i patates ka qenë një armik i tmerrshëm. Sot po ndërthuren metodat bujqësore, biologjike dhe kimike për t’i sprapsur këta llupës që përlajnë bimët.

[Figura]

Buburreci i patates, SHBA

[Burimi]

Scott Bauer/Agricultural Research Service, USDA

[Kutia dhe figurat në faqen 17]

Brumbuj kampionë

▪ Mes insekteve, brumbujt mbajnë rekordin për jetëgjatësinë. Ndonëse shumica e insekteve jetojnë më pak se një vit, disa brumbuj-stoli jetojnë më tepër se 30 vjet, dhe është dokumentuar se njëri prej tyre ka arritur të pleqërojë deri në 47 vjeç. Brumbujt-stoli «i lëshojnë vezët nën lëvoren e një druri të gjallë», siç shpjegon Libri Gines i rekordeve të kafshëve. «Nëse druri pritet, nuk është e pazakontë që disa nga larvat të mbijetojnë, e pastaj të çohen përreth botës nëpërmjet lëndës drusore. Veç kësaj, meqë disa llojeve u duhen vite që të arrijnë pjekurinë, me kalimin e kohës nga mobiliet e drurit mund të dalin brumbuj të rritur.»

▪ Brumbujt gjigantë të Afrikës tropikale janë kampionë mes insekteve për peshën. Disa meshkuj mund të peshojnë 100 gramë, tri herë më shumë se një mi shtëpie.

▪ Çmimin për peshëngritësin më të fortë në botën e kafshëve (në përpjestim me madhësinë e trupit) e marrin kacadrenjtë e nënfamiljes Dynastinae. Kjo krijesë e fuqishme mund të mbajë një peshë 850 herë më të madhe se pesha e trupit të vet.

[Figura]

Brumbulli gjigant, Zaire

[Burimi]

Faunia, Madrid

[Figura]

Kacadre, Guineja Ekuatoriale

[Figura në faqen 16]

Zhuzhak-stoli, Meksikë

[Figura në faqen 16]

Zhuzhak-stoli, Honduras

[Figura në faqen 16]

Zhuzhak-stoli, Kosta-Rikë

[Figura në faqen 17]

Brumbulli brigjatë, Indonezi

[Figura në faqen 17]

Zhuzhak, Tajlandë

[Figura në faqen 17]

Zhuzhak metalik që bren drurin, Tajlandë

[Figura në faqen 17]

Zhuzhak metalik që bren drurin, Hungari

[Figura në faqen 17]

Zhuzhak-stoli, Honduras

[Burimet e figurave në faqen 16]

Në krye majtas dhe në mes: © David Hawks; djathtas: © Barbara Strnadova/Photo Researchers, Inc.

[Burimet e figurave në faqen 17]

Në krye, nga e majta në të djathtë: Tre të parët: Faunia, Madrid; i katërti: Gyorgy Csoka, Hungary Forest Research Institute, www.insectimages.org; fifth: © Barbara Strnadova/Photo Researchers, Inc.