Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Adoleshente shtatzëna: Problem botëror

Adoleshente shtatzëna: Problem botëror

Adoleshente shtatzëna: Problem botëror

SHTATZËNIA te adoleshentet është quajtur një epidemi. Por përmasat tragjike që ka marrë ky problem kuptohen më mirë kur shikohet ndikimi që ka shtatzënia te një adoleshente e frikësuar. Më e pakta, ajo do të përjetojë ndryshime drastike në jetën e saj që do të kenë ndikim të madh jo vetëm tek ajo, por edhe te familja dhe te të afërmit e saj.

Adoleshentët jetojnë në atë periudhë që Bibla e quan «lulen e rinisë», një kohë kur dëshirat seksuale arrijnë kulmin. (1 Korintasve 7:36) Megjithatë, do ta thjeshtonim shumë nëse do ta konsideronim shtatzëninë tek adoleshentet thjesht një çështje kontraceptivësh. Faktet kanë treguar se shtatzënia tek adoleshentet përfshin një sërë çështjesh të ndërlikuara shoqërore dhe emocionale.

Faktorët vendimtarë

Studimet tregojnë se shumë nëna adoleshente vijnë nga familje të ndara. «Gjithçka kam dashur në jetë ka qenë një familje e vërtetë»,​—thonë shpesh shumë nëna adoleshente. Me sa duket familja jo e shëndoshë mund të jetë një nga faktorët e parë që çon në shtatzëninë në adoleshencë. Një program i veçantë që ndihmon nënat adoleshente zbuloi se shpesh ato kanë «një marrëdhënie të paqëndrueshme me nënën, ndërsa me babanë nuk kanë fare një marrëdhënie». Anita, e cila u bë nënë kur ishte 18 vjeçe, sjell ndër mend se mungesa e babait i krijonte një boshllëk emocional, megjithëse nëna e saj, si prind i vetëm, punonte shumë për t’i siguruar gjërat e nevojshme.

Vajzat e tjera bëhen nëna të pamartuara si rezultat i drejtpërdrejtë i përdhunimit. Te disa, kjo traumë mund të shkaktojë dhembje emocionale që mund të shfaqen më vonë në formën e një sjelljeje të tillë që dëmton veten. Për shembull, Xhazminën e përdhunuan kur ishte vetëm 15 vjeçe. Ajo kujton: «Pas kësaj nuk më interesonte se si do t’i vinte filli jetës sime. Kur isha 19 vjeçe, ngela shtatzënë.» Abuzimi seksual mund të shkaktojë gjithashtu ndjenjën e pavlefshmërisë. «Mendoja se nuk vleja për asgjë»,​—thotë Xhazmina e pikëlluar. Edhe Anita kishte pasur të njëjtën përvojë: «Nga 7 deri në 11 vjeçe, pata ngacmime seksuale nga një adoleshent. E urreja dhe e fajësoja veten.» Kur ishte 17 vjeçe ngeli shtatzënë.

Nga ana tjetër, disa të reja janë viktima të kureshtjes dhe të besimit të tepruar te vetja. Nikola që u përmend në artikullin e mëparshëm, pranon: «Mendoja se dija gjithçka dhe s’kishte asgjë që s’mund ta bëja. Mjerisht, edhe fëmijën mund ta bëja.» Karola, që gjithashtu u bë një nënë e pamartuar në moshë shumë të re, ishte kureshtare dhe luante me marrëdhëniet seksuale. Ajo thotë: «Mendoja se kishte shumë gjëra në jetë që duhej t’i provoja.»

Një faktor tjetër është mosnjohja e pasojave që sjellin marrëdhëniet seksuale. Sipas sociologëve Karen Roulingson dhe Stefën Mak-Kei, në Britani, disa të rinjve «u mungon njohuria e duhur në lidhje me . . . atë që duhet të presësh kur kryen marrëdhënie seksuale dhe se çfarë do të thotë të mbetesh shtatzënë». Disa të reja nuk e kuptojnë fare se kur kryejnë marrëdhënie seksuale mund të ngelen shtatzëna. Gjatë një sondazhi, nënat adoleshente «edhe pse nuk përdornin kontraceptivë, shpesh thoshin që ishin habitur dhe tronditur kur morën vesh që kishin mbetur shtatzënë».

Sidoqoftë, faktori që ka ndikuar më tepër te shtatzënia në adoleshencë ka qenë qëndrimi që ekziston kundrejt marrëdhënieve seksuale. Jetojmë në një kohë kur njerëzit janë «kënaqësidashës në vend se perëndidashës». (2 Timoteut 3:1-4) Studiueset australiane Eilsa Bërnsi dhe Kath Skoti thonë se «kufizimet shoqërore, fetare dhe ekonomike kundrejt seksit jashtë martese janë zbutur shumë». Të lindësh fëmijë edhe kur nuk je e martuar mund të mos jetë më aq e turpshme sa më parë. Vërtet, në disa vende adoleshentet mund ta konsiderojnë fëmijën si një trofe ose si shenjë prestigji.

Pasojat emocionale

Realiteti i nënave adoleshente është krejt ndryshe nga fantazitë e rinisë. Kur marrin vesh që janë shtatzëna, vajzat shpesh vuajnë nga një furtunë emocionesh. Shumë prej tyre e pranojnë që ndihen të tronditura dhe të shtangura. «Zakonisht përshkohen nga ndjenja të tilla, si inati, ndjenja e fajit dhe refuzimi i realitetit»,​—thotë Akademia Amerikane e Fëmijës dhe e Psikiatrisë së Adoleshentëve. Mund të jetë me rrezik kur nuk e pranojnë realitetin, sepse kjo ndjenjë e pengon një vajzë të marrë kujdesin e duhur mjekësor.

«Më hyri frika»,​—thotë Elvinia duke kujtuar momentin kur u përball me rezultatet e «aventurës» së saj seksuale. Shumë vajza shtatzëna nuk kanë dikë me të cilin të flasin ose u vjen shumë turp të flasin për gjendjen e tyre. Ja pse nuk është çudi që disa i pushton ndjenja e fajit dhe frika. Shumë adoleshente shtatzëna vuajnë nga depresioni i rëndë. «Nuk doja t’ia dija nëse jetoja apo jo»,​—thotë Xhazmina. *

Pavarësisht se si mund të reagojë në fillim një vajzë, ajo duhet të marrë disa vendime të rëndësishme për veten dhe fëmijën. Pikërisht për këtë do të flasë artikulli vijues, për mënyrën se si këto vajza mund të marrin vendime të mençura.

[Shënimi]

^ par. 12 Për më tepër informacione se si mund të mposhten ndjenjat e vetëvrasjes, shihni revistën Zgjohuni! të 22 tetorit 2001 me titull «Jeta ia vlen të jetohet!», anglisht.

[Kutia në faqen 7]

Shtatzënia në adoleshencë: Faktet e hidhura

Megjithëse statistikat e mëposhtme paraqesin situatën në Shtetet e Bashkuara, ato pasqyrojnë disa nga problemet që hasin adoleshentet shtatzëna në të gjithë botën.

● Katër në dhjetë vajza ngelen shtatzëna para moshës 20-vjeçare. Numri i këtyre vajzave është më shumë se 900.000 në vit.

● Rreth 40 për qind e nënave adoleshente janë nën 18 vjeçe.

● Fëmijët e prindërve adoleshentë vuajnë më tepër nga abuzimi dhe pakujdesia, sesa fëmijët e prindërve të rritur.

● Vetëm 4 nga 10 nëna të moshave nën 18-vjeçare mbarojnë shkollën e mesme.

● Afërsisht 80 për qind e baballarëve nuk martohen me këto adoleshente, megjithëse janë nënat e fëmijëve të tyre.

● Vetëm 30 për qind e këtyre nënave që martohen pasi lindin, nuk divorcohen. Martesat mes adoleshentëve rrezikojnë të dështojnë dy herë më shumë sesa martesat ku bashkëshortja është të paktën 25 vjeçe.

● Ka më tepër të ngjarë që fëmijët e nënave adoleshente të lindin para kohe dhe nën peshë, duke rrezikuar kështu jetën e fëmijës. Gjithashtu ka rrezik që të mbeten të verbër, të shurdhër, me probleme kronike të frymëmarrjes, të vonuar mendërisht, me probleme mendore, me paralizë cerebrale dhe mund të kenë vështirësi për të lexuar dhe të jenë hiperaktivë.

[Burimi]

Marrë nga Jo vetëm një problem tjetër i veçuar: Parandalimi i shtatzënisë te adoleshentet dhe lidhja me problemet e tjera kritike sociale, fushata kombëtare amerikane për të parandaluar shtatzëninë tek adoleshentet, shkurt 2002.

[Kutia dhe figura në faqen 7]

Fenomen mbarëbotëror

BRAZIL: «Gjatë vitit 1998,​—nga sa raportohet,​—698.439 adoleshente të moshës nën 19-vjeçare lindën fëmijë në klinikat e Sistemit Shtetëror Brazilian të Shëndetit. . . dhe 31.857 nga këto vajza, ishin nga 10 deri në 14 vjeçe. Edhe ju pa dyshim jeni dakord se është absurde të lindësh fëmijë në këtë moshë.»​—Folha de S. Paulo, 25 gusht 1999.

BRITANI: «Në të gjithë Evropën Perëndimore, Britania ka përqindjen më të madhe të lindjeve në adoleshencë . . . Në vitin 1997, në Angli kishte pothuajse 90.000 adoleshente shtatzëna. Afërsisht tre të pestat e këtyre vajzave (gjithsej 56.000) arritën të lindnin dhe 90 për qind (rreth 50.000) e këtyre të fundit nuk ishin të martuara.»​—Familjet me një prind të vetëm, (anglisht) 2002.

MALAJZI: «Që në vitin 1998 është rritur numri i fëmijëve të jashtëligjshëm dhe shumica e këtyre nënave ishin në vitet e fundit të adoleshencës.»​—New Straits Times–​Management Times, 1 prill 2002.

RUSI: «Statistikat shtetërore tregojnë se vitin e kaluar gati një e treta e fëmijëve të lindur në Rusi ishin të jashtëligjshëm. Ky është dyfishi i përqindjes së një dekade më parë, një shifër që nuk ishte dëgjuar që nga Lufta II Botërore. Më shumë se 40 për qind e këtyre fëmijëve i kishin nënat adoleshente.»​—The Moscow Times, 29 nëntor 2001.

SHTETET E BASHKUARA: «Megjithëse kohët e fundit numri i shtatzënive në adoleshencë ka rënë, 4 në 10 vajza ngelin shtatzënë të paktën një herë para se të mbushin 20 vjeç.»​—Po fëmijëria ku shkoi? Problemi i shtatzënisë në adoleshencë në Shtetet e Bashkuara, (anglisht) 1997.

[Figura në faqen 5]

Kur prindërit ndahen, rreziku që një adoleshente të mbetet shtatzënë rritet

[Figura në faqen 6]

Me sa duket disa adoleshente as nuk e bëjnë dot lidhjen që shtatzënia vjen si rezultat i marrëdhënieve seksuale

[Figura në faqen 6]

Shtatzënia mund të ndikojë jashtë mase si në jetën e vajzës, ashtu edhe në jetën e të afërmve të saj