Bëhen nëna tepër shpejt
Bëhen nëna tepër shpejt
«I dashuri im ishte shumë simpatik. Kishte para, mund të shkonim ku të donim dhe të bënim qejf. Por kur m’u vonua cikli, e kuptova se diçka nuk shkonte. Po mamasë si t’ia thosha? S’e kuptova si më ndodhi! Isha vetëm 16 vjeçe dhe nuk dija ç’të bëja.»—Nikola.
SOT, Nikola * i ka kaluar të tridhjetat dhe është një grua e sigurt, plot energji dhe nënë e tre fëmijëve. Më i madhi nga fëmijët është 20 vjeç. Vite më parë ajo ishte një nga ato miliona adoleshente shtatzëna të pamartuara. Ashtu si nënat e tjera adoleshente, ajo u gjend përballë një morie sfidash, vendimesh të vështira dhe përballë një të ardhme të pasigurt.
Nikola nuk flet shpesh për tronditjen, mospranimin e realitetit, frikën, inatin dhe dëshpërimin që karakterizuan vitet e saj të fundit të adoleshencës. Ndërkohë që ajo ndodhej në një gjendje të tillë, bashkëmoshatarët e saj e kishin mendjen te veshjet dhe notat në shkollë. Mirëpo, gjendja e Nikolës nuk ishte e pashpresë. Ajo vinte nga një familje e dashur që ishte përpjekur t’i nguliste parime të larta morale. Ndonëse për ca kohë vendosi të mos u përmbahej këtyre parimeve—gjë që i solli shumë pasoja—më vonë këto parime e çuan drejt një jete të frytshme dhe domethënëse. Motoja e saj në atë kohë ishte: «Shpresa vdes e fundit.»
Mjerisht, jo çdo nënë adoleshente ka një familje që e mbështet apo një pikëpamje kaq optimiste. Shumë prej tyre bien shpejt në një gjendje mjerimi që duket e pashpresë. Disa duhet të përballen me pasojat emocionale të përdhunimit ose të dhunës.
Asnjë nga këto nuk është gjë e mirë për fëmijët e nënave adoleshente. Libri Nënat adoleshente: Ankthi dhe shpresa, (anglisht) thotë se fëmijët e nënave adoleshente «kanë prirjen të lindin nën peshë, të kenë më tepër sëmundje të moshës, të vdesin kur janë të vegjël dhe mund të mos marrin kujdesin e duhur mjekësor. Po ashtu mund të vuajnë më shumë nga uria dhe nga të kequshqyerit; bëhen viktima të dhunës dhe mund të kenë zhvillim më të ngadaltë sesa fëmijët e nënave në një moshë më të madhe». Në të vërtetë vajzat e nënave adoleshente kanë prirjen të bëhen vetë nëna që në adoleshencë, dhe kjo prirje është më e madhe se te vajzat e nënave joadoleshente.
Sa i përhapur është fenomeni i shtatzënisë në adoleshencë? Si mund t’i përballojnë me sukses nënat adoleshente sfidat e rritjes së fëmijëve? A ka ndonjë mënyrë për t’i ndihmuar të rinjtë që në radhë të parë të mos bëhen pre e një vështirësie kaq të madhe? Këto pyetje do të shqyrtohen në artikujt e mëposhtëm.
[Shënimi]
^ par. 3 Në këtë seri artikujsh disa emra janë ndryshuar.