Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Glaukoma​—Grabitësja e shikimit

Glaukoma​—Grabitësja e shikimit

Glaukoma​—Grabitësja e shikimit

FIKSOJINI sytë për një moment te fjala e fundit e kësaj fjalie. Pa i lëvizur sytë, a mund t’i shihni pjesët e mësipërme, e mëposhtme dhe dy anët e faqes së revistës? Falë atij që quhet shikim anësor, ka shumë të ngjarë që mund t’i shihni. Aftësia për të parë anash ju ndihmon që ta shikoni një njeri të dyshimtë kur ju afrohet nga njëri krah. Ju ndihmon që t’i anashkaloni sendet që janë përtokë dhe të mos përplaseni me murin kur ecni. Edhe kur i jepni makinës, shikimi anësor ju lajmëron për ndonjë këmbësor që zbret nga trotuari.

Por, edhe duke lexuar këtë faqe, shikimi juaj anësor pa e kuptuar fare mund të jetë duke u ngushtuar gradualisht. Në mbarë botën 66 milionë njerëz vuajnë nga një grup sëmundjesh të syrit, që njihen gjerësisht me emrin glaukoma. Më shumë se 5 milionë prej tyre e kanë humbur fare shikimin, gjë që e bën glaukomën të renditet e treta në listën e shkaqeve të verbërisë së përhershme. «Megjithëse në vendet e zhvilluara ekziston për publikun e gjerë një program edukativ që trajton në mënyrë të veçantë glaukomën, prapëseprapë gjysma e atyre që vuajnë nga kjo sëmundje mbeten të padiagnostikuar»,​—thotë gazeta mjekësore The Lancet.

Kush rrezikon të preket nga glaukoma? Si mund të zbulohet dhe si kurohet?

Çfarë është glaukoma?

Së pari, duhet të kuptojmë disa gjëra për syrin. Një broshurë e botuar nga Fondacioni Australian për Glaukomën shpjegon: «Syri merr formë të ngurtë nga presioni, domethënë indet e buta të syrit ‘fryhen’ tamam si një gomë makine ose një tullumbace.» Brenda syrit një pompë, që quhet trupi qerpikor, qarkullon një lloj lëngu që quhet lëngu ujor, nga enët e gjakut në sy. «Lëngu qarkullon në thellësi të syrit, duke ushqyer pjesët funksionale të tij, dhe kthehet përsëri në enët e gjakut nëpërmjet një rrjete kulluese, që quhet rrjeta trabekulare.»

Nëse për ndonjë arsye kjo rrjetë bllokohet ose ngushtohet, presioni brenda syrit rritet dhe fillon të dëmtojë fijet nervore delikate të pjesës së prapme të syrit. Kjo quhet glaukoma me kënd të gjerë dhe përbën 90 për qind të rasteve me glaukomë.

Presioni brenda syrit, që quhet tensioni intraokular ose tensioni i syrit, mund të ndryshojë nga ora në orë dhe ndikohet nga disa faktorë, si për shembull: rrahjet e zemrës, sasia e lëngjeve që pi dhe pozicioni i trupit. Këto ndryshime natyrore në të vërtetë nuk e dëmtojnë syrin. Tensioni i lartë i syrit në vetvete nuk është provë se keni glaukomë, pasi tensioni «normal» i syrit ndryshon në varësi të personit. Prapëseprapë, tensioni i lartë intraokular është një nga shenjat e glaukomës.

Një formë e rrallë e kësaj sëmundjeje quhet glaukomë akute ose me kënd të ngushtë. Ndryshe nga glaukoma me kënd të gjerë, ky lloj përfshin një rritje të menjëhershme të tensionit të syrit. Shkakton dhembje të forta në sy, shikim të mjegullt dhe të vjella. Nëse nuk kurohet brenda disa orësh, që nga fillimi i simptomave, shpesh shkakton verbim. Një kategori tjetër quhet glaukoma dytësore ose sekondare. Siç mund ta kuptojmë nga vetë emri, kjo lloj glaukome shkaktohet nga probleme të tjera në sy, si për shembull: tumori, kataraktet ose dëmtimet e syrit. Një grup i vogël njerëzish preken nga lloji i katërt, që njihet si glaukomë e lindur. Në këto raste fëmija lind me këtë sëmundje ose sëmundja shfaqet pak kohë pas lindjes dhe kuptohet sepse fëmija i ka kokërdhokët të zmadhuar dhe është shumë i ndjeshëm ndaj dritës.

Si e ‘grabit’ shikimin?

Glaukoma mund t’ju rrëmbejë gati 90 për qind të shikimit në njërin sy dhe ju të mos e kuptoni fare. Si është e mundur? Në pjesën e prapme të çdo syri, të gjithë kemi një pjesë që quhet njolla e verbër. Kjo njollë, që ndodhet në retinë, ku fijet nervore bashkohen për të formuar nervin optik, nuk ka qeliza të ndjeshme ndaj dritës. Megjithatë, nuk e kuptojmë këtë njollë të verbër, sepse truri ka aftësinë që t’i «kompensojë» ato pjesë të pamjes që mungojnë. Dhe si për ironi, pikërisht kjo aftësi e trurit është fajtore për fshehjen e glaukomës.

Dr. Ivan Golldbergu, një okulist i famshëm australian, tha për revistën Zgjohuni!: «Glaukoma quhet një grabitëse tinëzare e shikimit, sepse nuk shfaq fare simptoma. Lloji më i zakonshëm i glaukomës është i ngadaltë dhe i vazhdueshëm e, pa dhënë asnjë shenjë, dëmton strukturën nervore që lidh syrin me trurin. Glaukoma nuk ka të bëjë fare me faktin nëse të lotojnë sytë apo jo, nëse i ke të thatë apo jo, ose nëse sheh mirë për të lexuar apo shkruar. Mund të ndodhë që sytë t’i keni për mrekulli dhe në të njëjtën kohë të keni glaukomë të gradës së fundit.»

Si mund ta kuptoni që keni glaukomë?

Mjerisht nuk ka një ekzaminim të mirëfilltë mjekësor për të kuptuar që keni glaukomë. Si fillim, me anë të një mjeti që quhet tonometër, okulisti mund të kontrollojë presionin e lëngut në sy. Tonometri përdoret me kujdes për të sheshuar kornenë ose pjesën ballore të syrit. Matet sasia e forcës që përdoret për të sheshuar kornenë dhe në këtë mënyrë mund të matet tensioni brenda në sy. Gjithashtu, okulisti mund të kontrollojë për shenja të glaukomës edhe duke përdorur mjete që tregojnë indet e dëmtuara të nervave të cilat bashkojnë syrin me trurin. Dr. Golldbergu thotë: «Përcaktojmë nëse fijet nervore ose enët e gjakut në pjesën e prapme të syrit kanë formë të pazakontë. Kjo mund të tregojë që nervat po dëmtohen.»

Glaukoma kuptohet edhe me anë të kontrollit të fushës pamore. Dr. Golldbergu shpjegon: «Pacienti duhet të shohë brenda një sfere të prerë përgjysmë ku ka dritë, dhe brenda saj është një dritë edhe më e fortë që vjen nga një pikë e vogël. Kur e sheh dritën e vogël, pacienti duhet të shtypë një buton.» Nëse nuk arrin ta dallojë këtë dritë kur ajo është në skaj të fushës pamore, atëherë kjo gjë është tregues i glaukomës. Po prodhohen mjete të reja që mund ta thjeshtojnë këtë procedurë të lodhshme.

Kë mund të prekë?

Poli është një burrë i shëndetshëm, që sapo ka hyrë në të 40-at. Ai thotë: «Shkova te okulisti për të bërë kontroll për një palë syze të reja dhe gjatë vizitës ai më pyeti nëse kisha pasur ndonjë në familje me glaukomë. Bëra ca kërkime dhe zbulova se një teze dhe një dajë vuanin nga glaukoma. Shkova te një specialist i syve, i cili pas kontrollit nxori përfundimin se kisha glaukomë.» Dr. Golldbergu shpjegon: «Nëse mamaja ose babai juaj vuan nga glaukoma, rrezikshmëria për ju rritet tre deri në pesë herë. Ndërsa, nëse vëllai ose motra juaj është me glaukomë, atëherë rrezikshmëria është pesë deri në shtatë herë më e lartë.»

Dr. Kevin Grinixhi, nga Fondacioni i Glaukomës në Shtetet e Bashkuara, tregon disa faktorë të tjerë që e rritin rrezikun: «Nëse jeni mbi 45 vjeç dhe me prejardhje afrikane ose në rast se keni pasur dikë në familje me glaukomë, vuani nga miopia ose diabeti, jeni dëmtuar më parë nga sytë ose keni përdorur rregullisht ilaçe që përmbajnë kortizone ose steroidë, duhet të kontrolloheni te mjeku i syve çdo vit.» Edhe nëse nuk i përkitni asnjërit prej këtyre grupeve dhe jeni nën 45 vjeç, fondacioni këshillon që të bëhet një kontroll çdo katër vjet për glaukomën. Ndërsa, në rast se jeni mbi 45 vjeç, duhet ta bëni këtë kontroll çdo dy vjet.

Mjekohuni dhe mbajeni nën kontroll

Për të luftuar glaukomën, një herë në ditë Poli hedh në sy një ilaç të veçantë me pika. Ai thotë: «Ilaçi që përdor pengon prodhimin e lëngut ujor brenda në sy.» Poli iu nënshtrua edhe një ndërhyrjeje mjekësore, ku me anë të rrezeve lazer i «shpuan» dhjetë vrima të vogla në pjesën e përparme të syve, atje ku ndodhen kanalet natyrore të kullimit të lëngut. Ai thotë: «Kur bëra këtë ndërhyrje në syrin e parë, isha mjaft në tension e në ankth dhe këto ma shtuan më tepër sikletin. Megjithatë, disa ditë më vonë, kur i erdhi radha syrit tjetër, e dija çfarë më priste. Isha më i qetë dhe doktori kishte mbaruar para se ta kuptoja.» Kjo ndërhyrje ka bërë të mundur stabilizimin e tensionit në sytë e Polit.

Për këtë arsye, Poli është optimist. Ai thotë: «Retina e syve të mi është dëmtuar shumë pak, dhe jam i gëzuar që shikimi anësor nuk më është ngushtuar fare. Nëse nuk harroj të përdor çdo ditë ilaçin me pika, gjendja ime do të mbetet po njëlloj.»

A po e humbisni shikimin për shkak të «grabitëses tinëzare të shikimit»? Nëse nuk keni bërë asnjëherë kontroll për glaukomën dhe, për më tepër, bëni pjesë në një nga grupet e rrezikuara, do të bënit mirë të shkonit te mjeku për një kontroll. Ashtu siç thotë dr. Golldbergu, «shumë nga dëmtimet e glaukomës mund të parandalohen nëse kurohet në kohë dhe ashtu siç duhet.» Po, mund ta frenoni këtë grabitëse të shikimit.

[Kutia dhe figura në faqen 26]

Rreziku për t’u prekur nga glaukoma është më i lartë në qoftë se:

● Jeni me prejardhje afrikane

● Dikush në familjen tuaj vuan nga glaukoma

● Jeni me diabet

● Jeni miop

● Keni përdorur rregullisht dhe për një kohë të gjatë kortizone ose steroidë, që përdoren në disa pomada dhe ilaçe me sprucim për astmën

● Jeni dëmtuar më parë në sy

● Jeni mbi 45 vjeç

[Figura]

Duke bërë rregullisht vizita te mjeku mund të shmangni humbjen e plotë të shikimit

[Diagrami dhe figurat në faqen 25]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

GLAUKOMA ME KËND TË GJERË

Kornea

Irida

Kristalini

Retina

Disku optik ose «njolla e verbër» është vendi ku fijet nervore bashkohen për të formuar nervin optik

Nervi optik çon impulset pamore në tru

Trupi qerpikor ku prodhohet lëngu

1 Lëngu ujor është një lëng i tejdukshëm që ushqen kristalinin, iridën dhe pjesën e brendshme të kornesë. Nuk është e njëjta gjë me lotët, që pastrojnë pjesën e jashtme të syrit

2 Rrjeta trabekulare kullon lëngun

3 Nëse rrjeta trabekulare bllokohet ose ngushtohet, rritet tensioni brenda në sy

4 Nëse rritet tensioni, fijet nervore delikate që ndodhen në fund të syrit dëmtohen, duke shkaktuar kështu glaukomën ose dobësimin e shikimit

[Figurat në faqen 25]

Disku optik

Çfarë do të shihnit

SHIKIM NORMAL

FILLIMI I GLAUKOMËS

GLAUKOMË E AVANCUAR

[Burimi]

Pamjet e disqeve optike: Me mirësjellje, Atlasi i oftalmologjisë