Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Monteverde​—Rezervat natyror në pyjet e shiut

Monteverde​—Rezervat natyror në pyjet e shiut

Monteverde​—Rezervat natyror në pyjet e shiut

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË KOSTA-RIKË

Alizejtë e ngrohtë të Karaibeve që fryjnë nga deti ndeshen me malet që arrijnë deri në 1.700 metra lartësi. Ndërsa ngjitet në këtë lartësi, era ftohet dhe lagështira që gjendet në të kondensohet. Kështu, në afërsi të malit formohen re të mëdha e të ulëta, të cilat i lajnë malet me shi ose i mbështjellin me një vel mjegulle. Çfarë sjell kjo? Një vend të rrallë me bukuri të mahnitshme natyrore që njihet me emrin pyll i shiut.

ËSHTË viti 1951. Dyzet e katër anëtarë të një grupi fetar që në përgjithësi njihen me emrin kuakerë largohen nga vendi i tyre, nga Alabama e SHBA-së, në kërkim të një vendi ku mund të ngrenë një komunitet fetar paqësor. Kërkimi i shpie në malet e mbuluara me re në veriperëndim të Kosta-Rikës, në Amerikën Qendrore. Atje toka është e veçuar, pjellore dhe jo shumë e shtrenjtë.

Megjithatë kthimi i këtyre tokave në toka bujqësore nuk është i lehtë. Marvin Rokuelli, një nga të ardhurit e parë në atë vend, sjell ndër mend: «E vetmja rrugë që të çonte lart në mal ishte një shteg qerresh që ne e rregulluam me kazma e lopata që të mund të kalonin xhipet tona.» Me ndihmën e banorëve vendës, më në fund i ngritën shtëpitë e tyre atje lart, në pyjet e shiut. E quajtën Monteverde, emër i përshtatshëm sepse do të thotë «Mali i gjelbër».

Të ardhurit morën dy vendime që do të sillnin rezultate të shkëlqyera. E dinin se duhej të krijonin një vend bujqësor me kushte të përshtatshme jetese. Por, çfarë mund të prodhonin që t’i rezistonte rrugës së gjatë kur ta zbritnin nga mali për ta shitur? Vendosën që djathi do të ishte produkti më i përshtatshëm. Ajo që në atë kohë ishte një biznes i vogël djathi, tani prodhon më shumë se 4.000 kilogramë djathë në ditë, përveç nënprodukteve të tjera të qumështit, si: salcë kosi, djathë të njomë dhe akullore.

Vendimi tjetër ishte të linin pa prekur 541 hektarë pyje malore që ndodheshin lart shtëpive të tyre. Meqë në këtë zonë sigurohej uji për hidrocentralin e tyre të vogël, menduan se do të ishte e mençur që ta mbronin. Megjithatë shumë shpejt, llojet e shumta të florës dhe faunës në këtë zonë u ranë në sy shkencëtarëve, sidomos pas zbulimit të thithlopës së artë. (Shih kutinë për thithlopën e artë.) Në vitet 60 të shekullit të 20-të, një grup shkencëtarësh dhe banorësh vendës themeluan Rezervatin e Pyjeve të Shiut të Monteverdes, një rezervat kafshësh që jo shumë kohë më pas u zgjerua dhe përfshiu edhe pyjet malore. Që atëherë, rezervati është zgjeruar më shumë, duke përfshirë përafërsisht 10.500 hektarë tokë.

Rezervati i Pyjeve të Shiut të Monteverdes është një nga vendet turistike më të vizituara në Kosta-Rikë. Çdo vit, rreth 50.000 turistë i ngjiten rrugës së thepisur gjarpërore për në Monteverde. Vëzhguesit e zogjve dhe natyralistët vijnë grupe-grupe për të parë mijëra lloje zogjsh, kafshësh dhe bimësh që gjenden në rezervat dhe në zonat përreth.

Bimësia

Rreth 500 lloje drurësh përbëjnë pjesën kryesore të ekosistemit të rezervatit. Disa drurë janë ngjitur me kokëfortësi pas kreshtave të zhveshura, duke luftuar me erërat që i kanë shtrembëruar dhe i kanë bërë me gunga. Ata që rriten në pjesët që nuk i rreh era mbështillen nga bimë të ndryshme kacavjerrëse, barëra dhe nga shkurre të dendura që mbulojnë gjithë trungun. Po si mund të jetojnë këto bimë, që quhen epifite, pa i pasur rrënjët në tokë? Në një broshurë udhëzuese thuhet: «Në këtë vend bie shumë shi, dhe epifitet marrin aq shumë ujë sa nuk kanë nevojë t’i shtrijnë rrënjët në tokë. Bimësia e dendur grumbullon një sasi të konsiderueshme gjethesh që bien gjatë shiut nga kurora e pemës, duke siguruar kështu lëndën ushqyese.»

Treqind llojet e orkideve i japin larmi ngjyrash pyllit ku kryesisht mbizotëron ngjyra e gjelbër. Pjesa tjetër e peizazhit është e mbushur kryesisht me 200 lloje fieresh që rriten këtu, disa prej të cilave arrijnë deri në 12 metra gjatësi dhe jetojnë deri në 150 vjet.

Po si është e mundur kjo shumëllojshmëri biologjike kaq e madhe në një vend kaq të vogël? Një arsye është se kufijtë e rezervatit shtrihen deri poshtë në oqeanin Paqësor dhe në Karaibe. Ndryshimet drastike të lagështirës dhe të temperaturës në lartësi të ndryshme krijojnë gjashtë zona të veçanta ekologjike, në të cilat jeta lulëzon me një larmi kaq të madhe, sa të mahnit.

Shpendët dhe kafshët e ishullit

Monteverde është një parajsë për ata që duan të vëzhgojnë zogjtë. Në vitin 1996, u llogarit numri i llojeve të shpendëve që ndodheshin në një sipërfaqe prej 25 kilometrash katrorë, ku përfshiheshin disa pjesë të Monteverdes. Brenda 24 orëve, u numëruan 369 lloje. Shpendët e kësaj zone variojnë nga kolibri i vogël e deri te ketzali i mahnitshëm. Në të vërtetë shumë turistë vijnë posaçërisht për të parë ketzalin, një nga zogjtë më mbresëlënës në tropik. Janë me përafërsi 100 çifte ketzalësh që kanë ngritur foletë e tyre në Monteverde, por është e vështirë t’i dallosh pasi puplat e tyre të gjelbra bëhen njësh me gjelbërimin e pyllit. Megjithatë, zor se shpëtojnë pa u parë kolibrat, të cilët vijnë shpesh afër dyqaneve dhe restoranteve sepse aty lënë ushqim për ta. Të stolisur bukur me pupla të shndritshme ngjyrë vjollcë, smeraldi dhe të kaltër të thellë, ata kalojnë si shigjeta nga lulet te vendet ku është ushqimi me krahët që i rrahin aq shpejt sa nuk arrijmë t’i shohim.

Monteverde strehon edhe njëqind lloje gjitarësh. Libri Manuali i Kosta-Rikës thotë: «Është një nga vendet e pakta ku gjenden ende të pesë llojet e familjes së maceve: jaguari, oçeloti, puma, margai dhe jaguarundi.» Por gjithsesi, këto mace të mëdha e të vetmuara qëndrojnë larg njerëzve. Rafael Bolanjosi, administratori i rezervatit, tha për revistën Zgjohuni: «Një pumë mund të shihet çdo gjashtë muaj. Ndërsa një jaguar mund të shihet vetëm një herë në tre vjet.» Edhe me 120 llojet e amfibëve dhe zvarranikëve është pak a shumë e njëjta gjë.

Çfarë premton e ardhmja për Monteverden? Po bëhen përpjekje për ta zgjeruar më shumë rezervatin. Në fakt, kohët e fundit zona e mbrojtur është rritur më shumë se dyfish me përfshirjen e Rezervatit Pyjor të Santa-Elenës dhe të Pyllit të Përhershëm të Shiut të Fëmijëve. (Shih kutinë e mëposhtme.) Shpresohet se këto masa do të bëjnë që pyjet e shiut të gëlojnë gjithnjë nga jeta.

[Kutia dhe figura në faqen 17]

Zhdukja e thithlopës së artë

Thithlopa e artë vendëse me ngjyrë portokalli, u zbulua për herë të parë lart në pyjet e Monteverdes në vitet 60 të shekullit të 20-të nga biologu Xhei Sevixh. Me sa duket Monteverde ishte i vetmi vend ku mund të gjendej kjo thithlopë. «Në vitin 1985 u vu re një grup prej 1.000 thithlopash të tilla,​—thotë Rafael Bolanjosi, administratori i Rezervatit të Pyjeve të Shiut në Monteverde.​—Por vetëm dy vjet më vonë shikoje shumë pak prej tyre.» Besohet se thithlopa e artë tani është zhdukur.

Dr. Alan Paundsi, i cili ka studiuar zhdukjen e 20 llojeve të bretkosave dhe thithlopave në Rezervatin e Pyjeve të Shiut në Monteverde, shpjegon se «anomalitë në reshjet e përditshme . . . kanë qenë faktori i parë që ka çuar në rënien e ndjeshme dhe në zhdukjen e shumë llojeve të amfibëve, përfshirë edhe thithlopën e artë që është tipike për vendin.»

[Burimi]

© 2003 Richard Sage

[Kutia në faqen 18]

Pylli i përhershëm i shiut i fëmijëve

Në një shkollë të vogël fillore në fshatrat e Suedisë, fëmijët nëntëvjeçarë të një klase pyetën se çfarë mund të bënin për të mbrojtur pyjet e shiut. Me ndihmën e mësueses, ata mblodhën një sasi parash të cilat në vitin 1988 u përdorën për të blerë në pyjet e shiut një sipërfaqe prej 6 hektarësh që ishte në rrezik. Kështu lindi Pylli i Përhershëm i Shiut i Fëmijëve. Lajmi për këtë projekt u përhap, dhe fëmijë nga 44 vende u bashkuan me ta. Fëmijët kanë mbledhur aq para sa për të zgjeruar zonën e mbrojtur në mijëra hektarë që do të kufizohen nga tre anë me Rezervatin e Pyjeve të Shiut të Monteverdes.

[Harta në faqen 16]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Monteverde

[Figura në faqen 16]

Bimë epifite

[Figura në faqen 16]

Fiere

[Figura në faqet 16, 17]

Orkide

[Figura në faqen 18]

Kolibri

[Burimi]

THE HUMMINGBIRD SOCIETY/Newark Delaware USA

[Figura në faqen 18]

Ketzali

[Burimi]

© Anthony Mercieca/SuperStock

[Figura në faqen 18]

Bretkosa sykuqe e drurëve

[Burimi i figurës në faqen 18]

Sfondi dhe orkideja: © Michael and Patricia Fogden