Ndihmë dhe mbrojtje për të rejat
Ndihmë dhe mbrojtje për të rejat
TË COPËTOHET zemra kur një vajzë, që është fëmijë për vete, ngelet shtatzënë ndonëse nuk është e martuar. Megjithatë, shtatzënia në adoleshencë është përhapur shumë dhe, në njëfarë mënyre, ndikon te të gjithë. Ky fenomen është vetëm një nga provat që vërteton se sa i drejtë është urdhërimi i Perëndisë: «Ikni nga kurvëria.»—1 Korintasve 6:18.
Pavarësisht nga kjo, herë pas here ndonjë vajzë e re që i njeh mirë mësimet e Perëndisë vendos t’i shpërfillë ose t’i hedhë poshtë ato që mëson. Përfshihet në imoralitet dhe ngelet shtatzënë. Si duhet të reagojnë të krishterët e tjerë? Kur kjo e re e pabindur jep shenja pendimi, prindërit dhe pjesëtarët e tjerë të kongregacionit të krishterë, me dashuri duhet t’i japin ndihmën dhe mbështetjen e tyre.
Të kthehemi edhe njëherë te Nikola. Prindërit e stërvitën me mësimet e Jehovait. Kështu që ishte tepër e hidhur për ta kur ngeli shtatzënë
edhe pse nuk ishte e martuar. Megjithatë, Nikola kujton: «Vëllezër dhe motra të krishterë vinin në shtëpi dhe përpiqeshin të më nxitnin që të studioja Biblën dhe të mbështetesha fort te Jehovai.»Dëshmitarët e Jehovait nuk i miratojnë aspak shkeljet imorale. Por e dinë se, duke zbatuar parimet e Biblës, ata që kanë gabuar mund ‘të transformohen’. (Romakëve 12:2) Dëshmitarët janë plotësisht të bindur se Perëndia i fal ata që pendohen për gabimet. (Efesianëve 1:7) Përveç kësaj, e dinë se fëmija nuk ka asnjë faj, edhe pse ka lindur jashtë martese. Kështu, në vend që ta mbulojnë me turp këtë fëmijë, pjesëtarët e kongregacionit të krishterë i tregojnë atij të njëjtën përzemërsi, dhembshuri dhe mirëdashje të cilën do t’ia tregonin çdo fëmije tjetër që ndodhet në mes tyre.—Kolosianëve 3:12.
Një nënë e pamartuar filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Ajo reagoi menjëherë ndaj mesazhit të Biblës dhe bëri ndryshime të mëdha në jetën e saj. Më pas tha për Dëshmitarët: «Ata të gjithë treguan interes të vërtetë për mua dhe fëmijët e mi. Kur kisha nevojë më ndihmuan si me ushqime e rroba, ashtu edhe nga ana financiare. Kur u kualifikova për të dalë në shërbim me Dëshmitarët e Jehovait, ata më ndihmuan duke më mbajtur fëmijët. Bënë gjithçka mundën, në mënyrë që të zhvilloja një dashuri të vërtetë për Jehovain.»
Parandalimi
Gjëja më e mirë do të ishte që, pikësëpari t’i ndihmojmë të rinjtë të mos arrijnë deri këtu. Prandaj, Dëshmitarët e Jehovait përpiqen të krijojnë për fëmijët e tyre një ambient të ngrohtë dhe të dashur familjar. Në vend që të përpiqen t’u ngjallin frikën fëmijëve të tyre, duke u theksuar rreziqet e SIDA-s ose të shtatzënisë, Dëshmitarët përpiqen t’u ngulitin atyre dashuri të vërtetë për Perëndinë dhe për ligjet e tij. (Psalmi 119:97) Ata besojnë se fëmijët duhet të marrin informacione të sakta për marrëdhëniet seksuale. Ç’është më e rëndësishmja ata besojnë se, që në fëmijëri, fëmijëve duhet t’u mësohen parimet morale që jepen në Bibël. (2 Timoteut 3:15) Këto parime mësohen në Sallat e Mbretërisë së Dëshmitarëve të Jehovait. Përveç kësaj, prindërit që janë Dëshmitarë, nxiten të studiojnë Biblën me fëmijët e tyre, duke u marrë individualisht me secilin prej tyre. Për t’i ndihmuar prindërit që t’u japin fëmijëve mësimet e duhura morale, kanë dalë botime të ndryshme, siç është edhe libri Të rinjtë pyesin: Përgjigje praktike. *
Ndjekja e standardeve të qarta morale të Biblës do të thotë të shkosh kundër rrymës së imoralitetit, që ka përfshirë gjithë botën. Por është një mënyrë jetese që do t’i shpëtonte miliona adoleshente nga problemi i shtatzënisë në adoleshencë.
[Shënimi]
^ par. 8 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Figura në faqen 12]
Të krishterët e vërtetë i trajtojnë nënat e pamartuara me mirëdashje dhe respekt.