Nga lexuesit tanë
Nga lexuesit tanë
Shënim: Për serinë e artikujve «Të kuptojmë çrregullimet e humorit», që doli në numrin e 8 janarit 2004, lexuesit dërguan jashtëzakonisht shumë letra. Letrat e mëposhtme janë vetëm një numër i vogël i atyre që erdhën.
Nga të gjithë artikujt që kam lexuar në këto revista asnjë nuk më ka prekur kaq shumë sa artikujt e kësaj serie. Më erdhi vërtet keq kur lexova për motrat e vëllezërit që vuajnë nga këto çrregullime. Nëse e kam lënduar me fjalë ndonjë nga këta, shpresoj që të më falin. Ju lutem vazhdoni të botoni artikuj të tillë. Të gjithëve na ndihmojnë që të jemi më të dashur e të kuptueshëm.
S. U., Shtetet e Bashkuara
Kur mora vesh që kisha çrregullimin bipolar mendova se aq e pati dhe jeta ime. Qaja pa pushim dhe i lutesha me përgjërim Jehovait. Këtë javë mora përgjigjen e lutjeve të mia, dhe kjo përgjigje ishte revista Zgjohuni! që fliste për çrregullimet e humorit. Ndihesha sikur Jehovai po më mbështillte me batanije në një ditë të ftohtë dimri. Këta artikuj më dhanë guxim që të eci përpara.
R. T., Kanada
Para tre vjetësh morëm vesh se djali ynë 12-vjeçar kishte çrregullimin bipolar. Shpesh ai mendon se askush nuk i kupton problemet e tij dhe që Jehovai nuk kujdeset për të. Kur i treguam artikujt, i lexoi menjëherë. Sytë i kishte të mbushur me lot kur më tha: «Mami, disa vërtet më kuptojnë. Edhe Jehovai më kupton.» Mjeku i tij e pranoi me kënaqësi revistën dhe pata një bisedë të këndshme me të për Biblën.
L. P., Shtetet e Bashkuara
I isha lutur me gjithë zemër Jehovait që të botohej diçka për çrregullimin bipolar. Sot, dy muaj pas lutjes sime, kam në dorë revistën Zgjohuni! të 8 janarit 2004. Falë këshillave tuaja praktike kam bërë më tepër në shërbim të Jehovait.
M. S., Meksikë
E përdora materialin e këtyre artikujve për një detyrë që kishim në universitet. Drejtori i departamentit të programit për njerëzit me nevoja të veçanta më kërkoi një kopje të revistës për t’u shpjeguar pjesëtarëve të tjerë të programit për çrregullimin bipolar. Mos e ndërpritni këtë punë të mrekullueshme. Shumë njerëz përfitojnë prej saj.
K. R., Shtetet e Bashkuara
Ju e theksonit mjaft qartë se është e rëndësishme që të mos ngatërrojmë sëmundjen me individin. Këta artikuj na ndihmojnë ne pleqve të kongregacionit që t’i kuptojmë rrethanat e vëllezërve dhe të motrave që luftojnë me këto probleme shëndetësore e t’i ndihmojmë ata.
R. P., Itali
Motra ime e madhe vuan nga depresioni i rëndë. Kur i lexova këta artikuj qava, sepse e kuptova që kisha folur gabim për gjendjen e saj të vështirë pa ditur çfarë po kalonte në të vërtetë. Tani e kuptoj që duhet t’i qëndroj gjithmonë pranë dhe të përpiqem me durim që ta kuptoj.
D. P., Shtetet e Bashkuara
Gjeta vetveten te çdo gjë që lexova në këta artikuj. Qava, dhe në njëfarë mënyre u lehtësova nga ndjenjat e fajit. I dhashë një kopje të revistës mjekut tim, i cili më ka inkurajuar gjithmonë që t’u qëndroj besnike bindjeve të mia fetare.
A. L., Francë
Jam 13 vjeçe. Kushedi sa herë kam dashur të vdes! Revista Zgjohuni! më ka ndihmuar vërtet që të jem më e fortë. Tani e kuptoj që Jehovai kujdeset vërtet për ne dhe i dëgjon lutjet tona.
M. S., Shtetet e Bashkuara
Gjithmonë e kam konsideruar depresionin si shenjë egoizmi, diçka që ai njeri që e ka duhej t’i jepte fund. Por, pasi lexova këta artikuj, e kuptova që egoistja në këtë mes isha unë, sepse nuk po merrja në konsideratë ndjenjat e të tjerëve.
R. N., Shtetet e Bashkuara
Ju falënderoj për këtë seri kaq të bukur. Është një fillim i mirë si mjekim. Këto kohë po specializohem për psikoterapi dhe do ta përdor këtë seri artikujsh me klientët e mi.
P. J., Shtetet e Bashkuara
Kam më shumë se dhjetë vjet që luftoj me depresionin. Në artikuj thuhej se do të ishte mirë të mbanim ditar dhe do të më pëlqente ta provoja. Një shoqe e krishterë m’i regjistron mbledhjet kur nuk mund të shkoj, dhe kjo është një ndihmë e madhe për mua.
M. S., Japoni
U bënë dhjetë vjet që jetoj me këto simptoma. I kam lexuar shumë herë artikujt dhe i kam studiuar me kujdes bashkë me burrin tim. Artikujt na ndihmuan që të bisedonim për gjendjen time emocionale dhe t’i kushtonim më tepër vëmendje njëri-tjetrit.
I. H., Hungari
Familja më ka kritikuar aq shumë, sa doja të vritja veten. Por këta artikuj më dhanë shpresë, sepse më treguan se Jehovai më kupton. Tani kam filluar të shkoj përsëri në mbledhjet e krishtere dhe të dal në shërbim.
M. B., Shtetet e Bashkuara
Më ngushëllon fakti që nuk po e kaloj e vetme këtë situatë të vështirë. Kishte shumë këshilla praktike në ata artikuj dhe do të përpiqem t’i zbatoj aq sa mundem. Ju lutem vazhdoni të botoni artikuj të tillë që ndihmojnë shumë njerëz.
V. L., Rusi
Jam një plak kongregacioni 68-vjeçar dhe kam dhjetë vjet që vuaj nga depresioni. Edhe «barinjtë» kanë nevojë për kujdes, sepse janë edhe vetë dele, e madje disa prej nesh mund të preken rëndë nga depresioni. U preka thellë kur lexova se si po i përballojnë të tjerët çrregullimet e humorit.
B. A., Shtetet e Bashkuara
Këta artikuj më bindën që të kurohesha. Madje edhe gruan time e ndihmuan shumë që ta përballonte më mirë depresionin tim. Gjithmonë mahnitem nga artikujt tuaj të saktë që vijnë në kohën e duhur.
K. B., Gjermani
Tre muaj para se t’i lexoja këta artikuj, mora vesh se isha me depresion. Kur më thanë se kisha këtë sëmundje, reagimi im ishte pikërisht siç e përshkruanit në artikuj, isha e tronditur dhe ngurroja t’ua thosha të tjerëve. Falë artikujve tuaj, tani e di që më kuptojnë dhe nuk ndihem më e vetmuar.
A. G., Austri
Që kur isha e vogël, babai vuante nga çrregullimi bipolar. Kur kalonte fazën e manisë, e gjithë familja vuante shumë. Edhe pse e dija që ishte i sëmurë, e urreja. Por kur lexova këta artikuj, për herë të parë e kuptova se çfarë po hiqte babai. Ndërsa lexoja, nuk më pushonin lotët. Kur të shkoj në shtëpi herën tjetër, dua të bisedoj me të. Do të përpiqem me gjithë zemër që ta pranoj sëmundjen e tij.
S. S., Japoni
Vajza e shoqes sime ka probleme mendore dhe i thashë se do të ndihej më mirë po të studionte e të lutej më shumë. Nga ajo që lexova në faqen 10 të këtyre artikujve kuptova se e kisha gabim. Lutja dhe studimi ndihmojnë, por nuk shërojnë sëmundje. Ju falënderoj që më jepni informacionet më të fundit.
B. D., Shtetet e Bashkuara
Shumë herë kam qarë kur dikush më thoshte se ai që është i krishterë nuk vuan nga depresioni. Por këta artikuj më kanë ndihmuar, dhe ngushëllohem kur mendoj se nuk jam e vetmja që kam këtë problem.
P. B., Angli