Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
Djegiet në plazh
Sipas gazetës australiane Medical Journal of Australia, shumë plazhistë nuk përdorin aq krem sa duhet për të arritur atë faktor mbrojtës nga dielli (SPF) që shënohet në ambalazhin e kremit. Sipas dr. Stivën Tejlorit, «shumë njerëz, për arsye estetike ose ekonomike, vënë aq krem sa arrihet vetëm një e treta e faktorit mbrojtës ose vetëm një çereku i sasisë që duhet». Atëherë, sa krem plazhi duhet të vëmë? Dr. Xhefri Shnajder, duke shkruar për Arkivat e Dermatologjisë, këshillon «një masë sa një lugë kafeje». Një i rritur me përmasa trupore mesatare duhet të vendosë më shumë se gjysmë luge kafeje në secilën prej këtyre zonave të trupit: në fytyrë dhe në qafë, në krahun e djathtë dhe të majtë. Gjithashtu, në secilën nga pjesët e tilla, si kraharori, barku, kurrizi, këmba e majtë dhe e djathtë, duhet të vendosim më shumë se një lugë kafeje. «Përdorimi i sasisë së duhur,—thotë Shnajderi,—e mbron më mirë trupin, sesa kur përdoret më pak . . . krem plazhi me faktor më të lartë mbrojtës.»
Kampion në kërcimin së larti
Gazeta The Times e Londrës raporton se, në botën e insekteve, kemi një kampion të ri në kërcimin së larti. Morri kërcimtar është tepër i vogël, por mund të kërcejë më lart se 70 centimetra. Kjo do të ishte njësoj sikur një njeri të kërcente mbi një grataçelë më shumë se 180 metra të lartë. Duke përdorur një aparat fotografik shumë të shpejtë, profesori Malkom Bërous, i Universitetit të Kembrixhit në Angli, pa që muskujt e këmbëve të pasme të këtij insekti veprojnë si një katapultë, duke çliruar një energji shpërthyese në çastin që shkëputet nga toka. Gazeta thotë se sipas llogaritjeve të Bërousit, kur ky morr kërcen, duhet të përballojë më shumë se 400-fishin e forcës së rëndesës së tokës, «që është 130 herë më e madhe se ajo që përballon ekuipazhi i anijes kozmike në ngritje».
Sa duhet të flemë?
Gazeta amerikane USA Today shkruan se «është zbuluar se gjatë një periudhe 10-vjeçare mesatarja e jetëgjatësisë së atyre që flenë 7 orë është më e lartë se ata që flenë më shumë». Gjatë një periudhe 10-vjeçare, studiuesit në Japoni vëzhguan rreth 104.000 të rritur, duke marrë parasysh regjimin e gjumit, shëndetin e përgjithshëm, shëndetin mendor dhe mënyrën e jetesës. Shkencëtarët zbuluan se «fjetja më pak, madje edhe katër orë, nuk e rriste ndjeshëm numrin e vdekjeve te burrat dhe te gratë vetëm ulte shkallën e mbijetesës, nëse flinin mesatarisht më pak se katër orë». Këto zbulime përkrahen nga dy studime të mëdha që janë botuar dhe nga shumë studime të vogla. Megjithatë, studiuesit e gjumit kanë zbuluar edhe se «ata që flinin katër deri pesë orë e gjysmë nuk dolën mirë në testet që provonin kujtesën, kthjelltësinë e mendjes dhe aftësinë për t’u përqendruar». Psikiatri dhe studiuesi i gjumit Daniel Kripke thotë: «Njerëzit kanë nevojë për aq orë gjumë sa mjafton për t’u çlodhur.»
Shumë të rinj përballen me një të ardhme të zymtë
Raporti i OKB-së për vitin 2003, me titull Gjendja e popullsisë në botë, thoshte: «Pothuajse gjysma e gjithë popullsisë së botës është nën moshën 25 vjeç. Ky është brezi më i madh i të rinjve që ka parë ndonjëherë historia.» Çfarë premton e ardhmja për këta të rinj? Sipas gazetës londineze The Independent, «dr. Thoraja Obeidi, drejtoreshë e Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë, tha se brezi më i madh i të rinjve në histori përballet me rreziqe të papara ndonjëherë, si SIDA dhe sëmundje të tjera seksualisht të transmetueshme, martesa dhe shtatzënia në moshë të vogël, familje të shpërbëra, përdorimi i drogës, dhuna dhe prostitucioni». Për shembull, gjysma e atyre që kanë marrë virusin e HIV-it kohët e fundit, u përkasin moshave 15 deri 24 vjeç. Është llogaritur që ndër adoleshentët, ndodh një infektim çdo 14 sekonda. Vdekja gjatë shtatzënisë dhe gjatë lindjes së fëmijës është dy herë më e lartë tek adoleshentet se te gratë. Dhe për më tepër, mendohet se rreth katër milionë të reja përfshihen çdo vit në trafikun e prostitucionit.
Më shumë nëna në moshën 40-vjeçare
Mosha mesatare e grave italiane që bëhen nëna po rritet. Në vitin 1980 numri i italianeve që bëheshin nëna në moshën 20-vjeçare ishte 74,3 në një mijë, ndërsa në vitin 2000 shifrat zbritën në 20,7 në një mijë. Gjatë së njëjtës periudhë, numri i atyre që bëheshin nëna në të 40-at u rrit nga 12,2 në 16,1 në një mijë. Statistikat e nxjerra nga Instituti Kombëtar Italian i Statistikave (ISTAT) dhe të botuara nga gazeta Corriere della Sera, nxjerrin në pah prirjen e grave që tani presin më gjatë, para se të bëhen nëna për herë të parë. Sipas ISTAT-it, «gratë nuk bëhen shumë shpejt nëna, por presin që të kenë një punë të qëndrueshme, të sigurojnë gjërat e nevojshme për një jetë sa më të mirë dhe gjithashtu sepse duan të jenë të pavarura sa më gjatë. Sidoqoftë, fëmija konsiderohet si një pengesë, si diçka që të lidh këmbët.»
Rrëfimi në rënie
«Sot, rrëfimi i rregullt te prifti ka rënë në më pak se 25 për qind»,—thotë Uilliam D’Antonio, sociolog në Universitetin Katolik. Botimi ndërkombëtar i gazetës The Miami Herald shkruan: «Sipas ekspertëve, arsyeja kryesore është se ka ndryshuar mendimi për atë që përbën një mëkat.» Monsinjor Tomas Kejni, një pastor 76-vjeçar i kishës katolike të Shën Patrikut në Rokvill të Merilendit shton: «Mbizotëron një lloj relativizmi moral. . . . Asgjë nuk shihet si vërtet e gabuar. Për aq kohë sa ekziston një arsye e mirë për një veprim, atëherë nuk konsiderohet mëkat.» Për më tepër, pohon gazeta, «është bërë e zakonshme që katolikët të kundërshtojnë mësimet e kishës për kontrollimin e lindjeve, për homoseksualizmin dhe për divorcin». Kështu që, «katolikët gjithnjë e më shumë kanë prirjen të mbështeten në ndërgjegjen e tyre për të vendosur nëse kanë bërë mëkat apo jo».
Kriza e pashmangshme e ujit
«Gjatë 20 viteve të ardhshme, mesatarja e sasisë së ujit për person në të gjithë botën pritet që të bjerë më shumë se 30 për qind»,—thotë Koiçiro Matsura, drejtori i përgjithshëm i UNESCO-s. Pritet që burimet e ujërave të shterojnë, por jo për shkak të rritjes së vazhdueshme të popullsisë botërore, të ndotjes dhe të faktorëve natyrorë. UNESCOPRESS thotë se kriza është e pashmangshme për shkak se «mungon angazhimi nga ana e politikanëve për të ndryshuar këtë gjendje». Në një raport të titulluar Ujë për njerëzit, ujë për të jetuar, të përgatitur nga 23 vende anëtare të OKB-së, thuhet: «Indiferentizmi nga ana e udhëheqësve botërorë dhe nga ana e njerëzve që nuk e kuptojnë tamam se sa i rëndë është problemi, bën që të mos arrijmë t’i marrim në kohë masat parandaluese.» Zoti Matsura thotë: «Asnjë vend nuk do t’i shpëtojë kësaj krize.»
Paralajmërime për përdorimin e ekografisë
Siç thotë revista FDA Consumer, në Shtetet e Bashkuara një numër gjithnjë e më i madh grash shtatzëna po bëjnë «videokaseta për kujtim», duke filmuar fëmijët kur janë ende në bark. Këtë e bëjnë me anë të teknologjisë së ekografive që japin pamje të hollësishme. Falë përpunimit kompjuterik të ultratingujve me frekuencë të lartë që përplasen në organet e brendshme, krijohen imazhet (ekografitë) e fetusit. Këto imazhe pastaj regjistrohen dhe riprodhohen në formën e videokasetave për kujtim ose në formën e fotografive. Kompanitë që prodhojnë imazhe të fëmijëve që në bark janë shtuar rrufeshëm në të gjithë vendin, në qendrat tregtare dhe nëpër mapo. Megjithatë, ndryshe nga mjekët që i bëjnë ekografitë në spitale apo klinika, operatorët e ekografive që përgatitin këto videokaseta mund të jenë pa përvojë dhe pa licensë. Kështu që koha e ekspozimit ndaj këtyre ultratingujve mund të jetë më e gjatë ose fuqia e valëve mund të jetë më e madhe sesa ajo që përdoret nga mjeku. Sipas revistës FDA Consumer, ‘është e rrezikshme të bësh ekografinë e një fëmije në bark kur nuk është e nevojshme nga ana mjekësore.’