«O Jehova, ti më gjete!»
«O Jehova, ti më gjete!»
Treguar nga Neli Lensi
Jeni Dëshmitarë të Jehovait?—i pyeta dy burrat që kishin ardhur në shtëpinë tonë.—Po,—u përgjigjën ata. Pastaj unë thirra: «Edhe unë!» Isha vetëm 13 vjeçe në atë kohë dhe nuk shkoja në mbledhje, në Sallën e Mbretërisë. Prindërit e mi nuk ishin Dëshmitarë të Jehovait. Atëherë pse u thashë që isha Dëshmitare?
PO TË mos ishte për Dëshmitarët e Jehovait, unë mund të mos kisha lindur fare. Mamaja ngeli shtatzënë me mua në kohën që jetonte në Monreal të Kuebekut, Kanada. Ishte vetëm 17 vjeçe. Familja i bënte presion që të abortonte. Dhe ajo pranoi.
Mami kërkoi një ditë leje nga puna që të bënte abortin. Pronarja e saj, një Dëshmitare e Jehovait, me sa duket mori vesh përse po kërkonte leje. Ajo i tregoi mamasë se sa e çmuar është dhurata e jetës. (Psalmi 139:13-16) Rrugës për në klinikë, mamaja i peshoi mirë fjalët e pronares. Vendosi të mos abortonte. Pasi linda në vitin 1964, mamaja më çoi në një jetimore.
Dëgjoj për të vërtetën biblike
Kur isha rreth dy vjeçe, mamaja dhe burri i saj më morën nga jetimorja. Kur jetonin në qytetin e Sant-Magrit-dy-Lak-Masonit, të dy filluan të studionin Biblën me Dëshmitarët e Jehovait dhe të shkonin në mbledhje. Por, nuk kaloi shumë dhe u transferuam në qytetin e Buabrijanit dhe prindërit e ndërprenë studimin.
Disa vite më vonë ata e vazhduan përsëri studimin. Mbaja vesh për të dëgjuar çfarë thuhej për shpresën që jepte Bibla për një tokë parajsore. (Luka 23:43) Fillova ta doja shumë Jehovain.
Por një ditë, mamaja më tha që e kishin ndërprerë studimin me Dëshmitarët dhe se nuk do të shkonim më në Sallën e Mbretërisë. Në fillim u kënaqa. Si një 8-vjeçare që isha, ndonjëherë mbledhjet më dukeshin tepër të gjata. Pavarësisht nga kjo, atë mbrëmje doja të flisja me Jehovain në lutje dhe kisha merak se mos nuk më dëgjonte.
Atë të diel pasdite, pashë fqinjët e mi, që ishin Dëshmitarë të Jehovait, të niseshin për në mbledhje, në Sallën e Mbretërisë. Fillova të qaja dhe e pyeta Perëndinë: «Pse fëmijët e tyre mund të shkojnë në mbledhje dhe unë jo?» Por do të dilnin të vërteta fjalët e Psalmit 33:18: «Ja, syri i Zotit është mbi ata që kanë frikë para tij, mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij.»
Kthehem në Sallën e Mbretërisë
Tri javë më vonë, shkova te fqinjët dhe i thashë Liljanës, nënës së fëmijëve, që doja të shkoja në mbledhje. Liljana më shpjegoi se ishte e pamundur pasi mamaja ime nuk donte të përzihej fare me Dëshmitarët e Jehovait. Por prapëseprapë unë ngula këmbë. Kështu që më solli në shtëpi dhe e pyeti mamanë nëse mund të shkoja me ta në mbledhje. Për çudi, mamaja pranoi. Ajo tha se në mbledhje mund të mësoja parime të mira. Kështu që shkoja në mbledhje çdo të diel.
Për rreth tre vjet munda t’i ndiqja mbledhjet bashkë me kongregacionin. Por kur isha 11 vjeçe, prindërit e mi u divorcuan dhe bashkë me mamanë u largova prej aty. Edhe këtë herë i humba lidhjet me Dëshmitarët e Jehovait.
Një takim i papritur
Një ditë isha ulur te shkallët jashtë shtëpisë kur dy Dëshmitarë, Edi Besoni dhe Don Fishëri, mu afruan dhe më pyetën nëse prindërit e mi ishin në shtëpi. Kur i thashë se nuk ishin, ata u larguan. Por unë u shkova nga pas me vrap, dhe u zhvillua biseda që tregova në fillim.
Kuptohet, të dy burrat u habitën kur u thashë që isha Dëshmitare e Jehovait. U shpjegova situatën time dhe iu luta të ktheheshin po atë mbrëmje. Kur i thashë mamasë që Dëshmitarët do të na vinin për vizitë, ajo u nervozua dhe tha se nuk do t’i fuste në shtëpi. Në fakt ajo vendosi të dilte para se të vinin ata. Me lot në sy iu luta që të qëndronte dhe pikërisht kur po bëhej gati të dilte, ra zilja. Ishte Edi Besoni. E merrni dot me mend gëzimin tim kur mamaja pranoi një studim biblik?!
Më në fund mund të shkoja përsëri në mbledhje! Megjithatë, më pak se një vit më vonë mamaja e ndërpreu përsëri studimin. Këtë herë nuk më la që të kisha asnjë lidhje me Dëshmitarët dhe hidhte të gjitha botimet e Dëshmitarëve të Jehovait që i dilnin para. Por unë arrita të fshihja një Bibël, një libër këngësh, dy vëllime të lidhura të Kullës së Rojës, dy Libra Vjetorë të Dëshmitarëve të Jehovait dhe një libër me titull E vërteta që të çon në jetën e përjetshme. * Gjatë studimit tim të fundit, e pyeta Edi Besonin se çfarë mund të bëja pasi e doja shumë Jehovain. Ai më inkurajoi të studioja vetë dhe të lutesha shpesh. Më siguroi se Jehovai do të kujdesej për mua. Isha vetëm 14 vjeçe.
I bëj vetë ‘mbledhjet’
Që nga ajo kohë, çdo të diel shkoja në dhomën time dhe bëja sikur isha në mbledhje. Si në fillim dhe në fund këndoja këngën «Mbaji sytë nga çmimi!», sepse kjo ishte e vetmja këngë e Mbretërisë të cilën e mbaja mend. Edhe sot e kësaj dite nuk i mbaj dot lotët kur e këndoj këtë këngë. Gjithashtu studioja edhe një artikull të Kullës së Rojës në volumet e lidhura që kisha. ‘Mbledhjen’ e mbyllja me lutje. Kështu që edhe pse nuk shoqërohesha më me Dëshmitarët e Jehovait, e ndieja Jehovain pranë.
Kur mbusha 17 vjeçe, mamaja dhe unë shkuam për të jetuar në Monreal. Ato vite ishin shumë të vështira sepse shtëpia jonë mund të ishte çdo gjë, vetëm strehë dashurie nuk ishte.
Jehovai më gjeti!
Një ditë mamaja pranoi nga Dëshmitarët e Jehovait librin Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokë. Kur erdha në shtëpi e gjeta mbi tavolinë dhe fillova ta shfletoja. Kur pashë që atje përmendej emri i Perëndisë Jehova, fillova të qaja dhe të lutesha pa zë: «O Jehova, ti më gjete!»
Kisha nevojë të lidhesha me motrat dhe vëllezërit e krishterë. Por si? Mamaja më tha se një nga fqinjët tanë mund të ishte një Dëshmitar i Jehovait. Kështu që rrugës për në punë, shkova në shtëpinë e tij dhe i rashë ziles. Një burrë i përgjumur doli te dera. Sa u habit kur i thashë se isha një Dëshmitare e Jehovait dhe se doja të pagëzohesha! Ai më ndihmoi që të filloja një studim biblik me një motër të krishterë me emrin Josa Miron. Po edhe këtë herë mamaja filloi të më ndalonte që të studioja Biblën. Më tha se nëse doja të bëhesha Dëshmitare e Jehovait, duhet të prisja derisa të bëhesha 18 vjeçe.
Një familje të vërtetë apo Jehovain?
Punëdhënësi im kishte vënë re se situata ime në shtëpi sa vinte e keqësohej. Shpesh, në fundjavë ai më ftonte të qëndroja me të dhe me gruan e tij. Shumë herë shkonim për të kalëruar sepse më pëlqejnë shumë kuajt. E ndieja se ata të dy ishin për mua si prindër.
Një ditë pronari më tha se ai dhe e shoqja më donin shumë dhe se donin që të shkoja të jetoja me ta. Po më ofronte diçka që e kisha dëshiruar gjithë jetën, ngrohtësinë e një familjeje. Por kjo
kishte një çmim. Nuk duhej të shoqërohesha më me Dëshmitarët e Jehovait. Më lanë një javë kohë që të mendohesha për ofertën e tyre, por nuk kisha nevojë të mendohesha as edhe një ditë të vetme, dhe kështu ua dhashë përgjigjen menjëherë. Jehovai nuk më kishte braktisur kurrë dhe as unë nuk mund ta braktisja atë.I shërbej Perëndisë
Për shkak të telasheve në shtëpi shkova të jetoja me njerkun tim. Ai më inkurajoi të vazhdoja studimin dhe kur isha 19 vjeçe, më 17 dhjetor të vitit 1983 u pagëzova. Isha kaq e lumtur kur pashë Edi Besonin ditën e pagëzimit. Atë ditë nuk dyshonte aspak nëse isha apo jo një Dëshmitare e Jehovait.
Megjithatë qëndrimi i njerkut ndryshoi pasi u pagëzova. Sa herë më shihte që lutesha, e ngrinte zërin në maksimum e madje më gjuante me ç’të mundte. Gjithashtu këmbëngulte që të vazhdoja shkollën vetëm e vetëm që të më pengonte të bëhesha pioniere, një ungjillëzuese në kohë të plotë. Në fund më tha të largohesha nga shtëpia. Më dha një çek prej 100 dollarësh dhe më tha se kur të më lindte nevoja për ta thyer, atëherë do të kuptoja se Jehovai nuk kujdesej për mua.
Më 1 shtator të vitit 1986 u bëra pioniere, por deri më sot nuk e kam thyer atë çek. Ndonjëherë ishte e vështirë të predikoja në fshat e të shërbeja si pioniere pasi nuk kisha makinë. Por vëllezërit e motrat e kongregacionit aty më ndihmonin dhe ishin shumë të gjindshëm.
Më vonë u njoha me një vëlla të mirë, Ruben Lensin. U martuam në vitin 1989. Tani Rubeni shërben si plak kongregacioni në Milton, në Ontario të Kanadasë ku jetojmë që nga viti 2002. Martesa jonë ka qenë një nga bekimet më të mëdha që Jehovai më ka dhënë. Vazhdova shërbimin e plotkohor deri në vitin 1993, kur lindi Erika, fëmija ynë i parë. Pak më shumë se tre vjet më vonë u bëmë me djalë dhe ia vumë emrin Mika. Pas shumë vitesh në vetmi, Perëndia Jehova më bekoi me një familje që e do Atë po aq sa edhe unë.
Megjithëse gjatë fëmijërisë isha shkëputur herë pas here nga populli i Jehovait, gjithmonë shpresën e vija te Perëndia dhe isha kapur fort pas shpresës së jetës së përjetshme në Parajsë. (Gjoni 3:36) Sa shumë e falënderoj Jehovain që më «gjeti»!
[Shënimi]
^ par. 17 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Figura në faqen 15]
Me kalin e pronarit tim
[Figura në faqen 15]
Neli Lensi me Rubenin, burrin e saj, dhe me fëmijët, Erikën dhe Mikan