Si duhet t’i trajtojmë të moshuarit?
Pikëpamja e Biblës
Si duhet t’i trajtojmë të moshuarit?
GJATË verës së vitit 2003, mijëra veta vdiqën në gjithë Evropën si pasojë e nxehtësisë më të tmerrshme që ka përfshirë kontinentin këto 60 vitet e fundit. Shumica e atyre që vdiqën ishin të moshuar. Disa kishin mbetur vetëm, sepse të afërmit e tyre kishin shkuar me pushime. Ndërsa disa të tjerë thuhet se ishin lënë pas dore ose ishin harruar nga personeli i mbingarkuar me punë i spitaleve dhe i azileve. Gazeta Le Parisien raportonte se vetëm në Paris, 450 trupa kishin mbetur në morg, pa i marrë dikush nga të afërmit. «Në çfarë kohësh po jetojmë, që harrojmë baballarët, nënat dhe gjyshërit?»,—ishte pyetja që ngrinte gazeta për gjendjen e atyre që vdiqën të vetmuar dhe të paidentifikuar.
Në një botë ku numri i njerëzve mbi 65 vjeç po rritet me ritme të papara,—795.000 veta çdo muaj—kujdesi për nevojat e të moshuarve është bërë një nga problemet më të mëdha. «Përqindja e të moshuarve në të gjithë botën po rritet në një shkallë të paparë ndonjëherë dhe do të na duhet t’i kushtojmë shumë vëmendje reagimit që do të kenë vendet ndaj problemeve dhe mundësive që paraqet plakja»,—tha Nensi Gordoni, zëvendësdrejtoresha e programit demografik në Zyrën e Regjistrimeve në SHBA.
Edhe Krijuesi ynë interesohet për të moshuarit. Në fakt, Fjala e tij, Bibla na mëson se si duhen trajtuar ata.
Respekt për të moshuarit
Ligji i Perëndisë që iu dha Moisiut, nxiste te njerëzit respekt për të moshuarit. Aty thuhej: «Çohu në këmbë para atij që ka kokën të zbardhur, nderoje plakun.» (Levitiku 19:32) Adhuruesit që i bindeshin Perëndisë duhej të ‘çoheshin’ para të moshuarve (1) në shenjë respekti për ta dhe (2) për të treguar frikën përnderuese që kishin ndaj Perëndisë. Pra, të moshuarve u takonte nderimi dhe duhej të konsideroheshin si njerëz me shumë vlerë.—Fjalët e urta 16:31; 23:22.
Megjithëse sot të krishterët nuk janë më nën Ligjin e Moisiut, nga parimet e tij kuptojmë pikëpamjen e Jehovait dhe çfarë gjëje i jep përparësi, dhe kjo nuk lë pikë dyshimi që ai ka konsideratë të lartë për të moshuarit. Edhe anëtarët e kongregacionit të krishterë në shekullin e parë i kishin kuptuar këto parime. Provat e para që dëshmojnë për këtë, gjenden në librin biblik të Veprave. Në atë kohë, në radhët e të krishterëve në Jerusalem kishte edhe vejusha nevojtare. Pa dyshim që një pjesë e tyre ishin të moshuara. Apostujt caktuan shtatë «burra me dëshmi të mirë» që këtyre grave t’u sigurohej rregullisht buka e përditshme, duke e konsideruar këtë gjë një «detyrë të nevojshme» në kongregacion.—Veprat 6:1-7.
Apostulli Pavël tregoi se parimi «çohu në këmbë para atij që ka kokën të zbardhur» vlente edhe për kongregacionin e krishterë. Ai i shkroi Timoteut, mbikëqyrësit të ri të krishterë: «Mos e kritiko ashpër një më të moshuar. Përkundrazi, përgjëroje si një atë, . . . më të moshuarat si nëna.» (1 Timoteut 5:1, 2) Megjithëse Timoteu i ri kishte njëfarë autoriteti mbi të krishterët e moshuar, ai mori porosi që të mos i fliste me përbuzje një të moshuari. Përkundrazi, duhej t’i përgjërohej me respekt si një babai. Madje edhe gratë e moshuara në kongregacion duhej t’i respektonte po njësoj. Në të vërtetë, apostulli Pavël po këshillonte Timoteun, një këshillë që vlente edhe për të gjithë pjesëtarët e kongregacionit të krishterë, që ‘të çoheshin në këmbë para atij që e kishte kokën të zbardhur’.
Sigurisht, njerëzit që i binden Perëndisë nuk kanë nevojë për ndonjë ligj që t’i trajtojnë të moshuarit me dinjitet dhe respekt. Shqyrtoni shembullin biblik të Jozefit, i cili nuk u kursye, por shpenzoi shumë, vetëm e vetëm që ta sillte babanë e tij të moshuar në Egjipt, duke e shpëtuar kështu Jakobin 130-vjeçar nga zia e bukës që kishte marrë dhenë. Kur e takoi babanë, për herë të parë pas më shumë se 20 vjetësh, Jozefi «sa e pa, iu hodh në qafë dhe qau gjatë i shtrënguar pas tij». (Zanafilla 46:29) Me veprimet e tij, Jozefi pasqyroi pikëpamjen e Perëndisë shumë kohë para se trajtimi i të moshuarve me dhembshuri dhe respekt të thellë të bëhej ligj për izraelitët.
Gjatë shërbimit të tij, Jezui vetë tregoi kujdes për të moshuarit. Ai i kritikoi ashpër udhëheqësit fetarë që justifikoheshin me anë të traditave të tyre fetare për shpërfilljen që u bënin prindërve të moshuar. (Mateu 15:3-9) Madje Jezui u kujdes me dashuri për mamanë e tij. Edhe pse vuante nga dhembjet e tmerrshme në shtyllën e torturës, ai u sigurua që apostulli Gjon, miku i tij i dashur, të kujdesej për nënën e tij të moshuar.—Gjoni 19:26, 27.
Perëndia nuk i braktis besnikët e tij
Psalmisti u lut: «Mos më hidh poshtë në kohën e pleqërisë; mos më braktis kur forca ime po pakësohet.» (Psalmi 71:9) Perëndia nuk i ‘hedh poshtë’ shërbëtorët e tij besnikë as atëherë kur ata mund të mendojnë që nuk janë më të dobishëm për asgjë. Psalmisti nuk ndihej i braktisur nga Jehovai. Përkundrazi, ai e kuptonte se kishte nevojë të mbështetej edhe më shumë te Krijuesi i tij, ndërsa plakej. Kur një njeri tregon një besnikëri të tillë Jehovai reagon duke i dhënë mbështetje gjatë gjithë jetës. (Psalmi 18:25) Shpesh kjo ndihmë vjen nëpërmjet të bashkëkrishterëve.
Me sa pamë më sipër, është e qartë se të gjithë ata që duan të nderojnë Perëndinë duhet të nderojnë edhe të moshuarit. Të moshuarit janë vërtet të çmuar në sytë e Krijuesit tonë. Si krijesa të bëra sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, le të shfaqim gjithmonë pikëpamjen e tij për ‘të thinjurit’.—Psalmi 71:18.
[Figura në faqen 23]
Të krishterët i nderojnë dhe i respektojnë të moshuarit.