Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të burgosur, e megjithatë të lirë!

Të burgosur, e megjithatë të lirë!

Të burgosur, e megjithatë të lirë!

Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Meksikë

NËNTËDHJETË kilometra nga pjesa qendrore e bregut perëndimor të Meksikës ndodhen Islas Marias. * Një prej këtyre ishujve të Oqeanit Paqësor, ishulli Maria Madre, ka shërbyer si koloni ndëshkimore federale e Meksikës që prej vitit 1905. Dikur internimi në këtë vend ishte një ndëshkim i frikshëm, por tani të burgosurit që sillen mirë, mund të kërkojnë madje që të transferohen atje.

Njëra arsye është se disa të burgosurve u lejohet të jetojnë aty bashkë me familjen. Në vend që të jetojnë në qeli me shufra hekuri, të dënuarit jetojnë në shtëpi të vogla. Në këtë vend ka shumë prej shërbimeve që do të gjenit në çdo qytet të vogël. Telefoni, telegrafi, televizori dhe posta ndihmojnë që të burgosurit të lidhen me botën e jashtme. Fëmijët mund të ndjekin aty shkollën fillore, megjithëse duhet të kthehen në kontinent për shkollën e mesme. Ndonëse hyrja në ishuj kontrollohet rreptësisht, një herë në javë vjen një anije ushtarake e cila sjell furnizime dhe vizitorë.

Si veprohet për rehabilitimin e të dënuarve? Të burgosurve, të cilët e quajnë veten të shpërngulur, u kërkohet të punojnë në një punë për disa orë në ditë. Kjo gjë i ndihmon ata që jo vetëm të përshtaten me jetën në botën përreth, por edhe që të mbajnë veten financiarisht. Të shpërngulurit janë gjithashtu të lirë të kryejnë aktivitete të tilla, si kopshtaria dhe zejtaria me qëllim fitimi. Kjo nuk do të thotë se disiplina në burg nuk ekziston fare. Të burgosurit duhet t’i përgjigjen apelit të mëngjesit dhe të qëndrojnë brenda në shtëpi pas orës 9 të mbrëmjes.

Liria frymore arrin në Islas Marias

Rreth vitit 1985, një i shpërngulur që i kishte pjesëtarët e familjes Dëshmitarë të Jehovait kërkoi që ta ndihmonin frymësisht. Me të u fillua një studim biblik me korrespondencë. Me kalimin e kohës u formua një grup studentësh të Biblës dhe ata filluan të mbanin mbledhjet e krishtere. Me të marrë leje nga qeveria, Dëshmitarët e Jehovait filluan të bënin rregullisht vizita në ishull. Për të shkuar në ishull nga Mazatlani duhet të bësh një udhëtim natën, 13 orë të gjatë. Gjatë viteve rreth 40 të burgosur kanë mësuar të vërtetën e Fjalës së Perëndisë, janë pagëzuar dhe pasi kanë mbaruar dënimin, janë liruar. Në kohën që u shkrua ky artikull, në ishull kishte 6 Dëshmitarë të pagëzuar dhe mesatarisht 25 veta ndiqnin mbledhjet.

Dëshmitarët e Jehovait admirohen nga autoritetet për përpjekjet e tyre dhe të burgosurit që bëhen Dëshmitarë respektohen nga të gjithë. Kohët e fundit zëvendësdrejtori i burgut i tha një Dëshmitari që kishte ardhur për vizitë: «Sa gjë e mirë është që ju keni të njëjtin interes si ne për t’u kujdesur për mirëqenien fizike dhe morale të të burgosurve dhe shqetësoheni për ta! Keni mbështetjen tonë të plotë.» Ai tha se ishte i gatshëm të riparonte ndërtesën ku vëllezërit janë lejuar të zhvillojnë mbledhjet.

Një Dëshmitar i pagëzuar, i burgosur prej dhjetë vjetësh, tha: «Kur vëllezërit që na vizitojnë më pyesin nëse dua të iki që këtu, u them se dua të vazhdoj të shërbej këtu. E shoh si territorin që më është caktuar për të predikuar, sepse ka shumë nevojë. Natyrisht do të më pëlqente të shkoja nëpër asamble dhe të gëzoja shoqërinë e krishterë.» Ai pret të lirohet vitin tjetër për sjellje të mirë.

Sistemi ndëshkimor në Islas Marias duket se ka pasur njëfarë suksesi në riedukimin e të burgosurve. Megjithatë, mesazhi i Mbretërisë ka sjellë çlirim dhe një edukim të vërtetë edhe nga ana frymore. U ka sjellë «çlirimin robërve» dhe ‘hapjen e plotë të syve, të burgosurve’.​—Luka 4:18; Isaia 61:1, BR.

[Shënimi]

^ par. 3 Ndonëse arkipelagu quhet edhe Islas Tres Marias, që do të thotë «Tri Maritë», zyrtarisht ai përfshin katër ishuj, tre nga të cilët janë të pabanuar.

[Kutia dhe figurat në faqen 21]

Nga një i droguar në një mbikëqyrës të krishterë

Gijermo u fut në burg për shitje dhe përdorim droge. Pasi e dërguan në Islas Marias ai vazhdoi të ishte në varësinë e drogës. Por vërejti se disa të burgosur që ishin dënuar me shumë vjet burgim për gjëra të tilla, si trafik droge, visheshin në mënyrë të rregullt, ishin të burgosur shembullorë dhe optimistë. Kur mori vesh se ata studionin Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, pranoi ftesën për të marrë pjesë në mbledhjet e tyre. Më vonë me të u fillua një studim biblik.

Gijermo bëri ndryshime të mëdha në jetë dhe u lirua pas pak kohe. Menjëherë më pas kërkoi Dëshmitarët e Jehovait që të vazhdonte studimin. Sot ai shërben si mbikëqyrës në një kongregacion të krishterë dhe 17 pjesëtarë të familjes së tij janë Dëshmitarë të Jehovait. Gijermo thotë: «Është një privilegj i madh që kam njohur Jehovain dhe kam braktisur të gjitha ato vese. Shumë nga ish-shokët e mi kanë vdekur për shkak të drogës. Droga më ka ndikuar në tru, dhe më ka dobësuar kujtesën. Por metoda e studimit që përdorën Dëshmitarët më ndihmoi të përmirësohesha shumë në këtë drejtim. Doktorët mbetën të mahnitur, sepse mendonin se nuk do ta merrja kurrë veten. Ajo që ka bërë e vërteta e Biblës për mua dhe për familjen time është e pabesueshme. Më parë nuk shfaqnim kurrë dashuri ndaj njëri-tjetrit, por tani jemi të bashkuar.»

[Hartat në faqen 20]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Mazatlani

Islas Marias

Maria Madre

[Figura në faqen 20]

Të shpërngulurit bashkë me familjet ndjekin mbledhjet në Sallën e Mbretërisë në Maria Madre