Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Bukuri e fshehur në vende të errëta

Bukuri e fshehur në vende të errëta

Bukuri e fshehur në vende të errëta

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË SLLOVENI

LUKA Çeçi mori një llambë të vogël dhe filloi të ecte dalëngadalë nëpër errësirën e dendur të nëntokës. Kur kishte bërë shumë rrugë poshtë sipërfaqes së tokës, u kacavar deri në majë të një shkëmbi dhe ja, përpara i doli një pamje e pabesueshme. Para syve të tij u shpalos një botë tërë vezullim e shkëlqim. Çfarë kishte gjetur? Një kalim të ri për në shpellën e Postojnës në Slloveni.

Ky zbulim, i bërë në pranverën e vitit 1818, shënoi për këtë vend fillimin e industrisë së turizmit, një industri që sot është shumë fitimprurëse. Gjithashtu hapi rrugën për zhvillimin e mëtejshëm të speleologjisë, «dega e gjeografisë fizike që merret me studimin ose eksplorimin e shpellave». Nëse doni t’i hidhni një sy më nga afër këtij vendi mbresëlënës me shpella, ejani me ne për të bërë një vizitë në Postojna, një qytet në perëndim të Sllovenisë.

Terren plot me shpella

Rrjeti i shpellave të Postojnës, me më shumë se 20 kilometra kalime dhe shpella, është ndër më të mëdhenjtë në Evropë. Shpellat ndodhen në rajonin e Sllovenisë të quajtur Kras ose Karst, një rrafshnaltë gëlqerore që shtrihet rreth 50 kilometra larg Detit Adriatik, midis Alpeve Julike dhe Maleve Dinarike. Ndër mijëra shpellat e këtij rajoni gjenden edhe ato të Postojnës.

Sot fjala «karst» ka marrë një kuptim të gjerë. Ajo përdoret nga gjeologët në gjithë botën për të përshkruar terrenet që ngjajnë me rajonin e Karstit. Zona karstike ka në shumë pjesë të botës, përfshirë Australinë, Amerikën Qendrore, Indokinën, Kinën, Rusinë, si edhe ishujt e Karaibeve dhe Mesdheun. Është një terren i karakterizuar nga tokë shkëmbore pa bimësi, ku erozioni ka formuar shpella, gropa, kanale dhe liqene të nëndheshme.

Meqë një pjesë e madhe e Sllovenisë ka përbërje karstike, në këtë vend ka shumë shpella dhe formacione të nëndheshme. Shpella e Postojnës renditet përkrah shpellave të tjera të famshme karstike, si shpella e Mamuthit në Kentaki, SHBA, dhe shpella e Flautit prej Xunkthi në Kuei-lin, Kinë.

Eksplorimi i shpellave

Për shpellën e Postojnës është folur që në shekullin e 17-të, kur studiuesi slloven Janez Vajkard Valvazori shkroi për të në librin Lavdia e Dukatës së Karniolës (gjermanisht). Valvazori i përshkroi shpellat e kësaj zone si vende «që kishin shtylla me forma të çuditshme». Ai i krahasoi këto shtylla me «lloj-lloj krijesash të pështira, gjarpërinjsh dhe kafshësh të tjera . . . ose përbindëshash të ndryshëm, formash të deformuara, fantazmash e gjëra si këto». Pastaj shtoi: «Tmerri dhe frika shtohen edhe nga kalimet e shumta, gropat dhe humnerat e thella që i gjen nga të gjitha anët.» S’do mend që, pasi lexuan këtë përshkrim të frikshëm, pak njerëz guxonin të shkonin shumë larg nëpër këto shpella të errëta e të frikshme për të eksploruar.

Por, me kalimin e kohës fama e shpellës së Postojnës u rrit. Kjo ndodhi sidomos pasi Luka Çeçi bëri zbulimin e tij në vitin 1818. Në vitin pasues, shpellat u hapën për publikun. Po sidoqoftë, shumë veta arritën t’i shihnin me sytë e tyre këto mrekulli të natyrës vetëm pasi u shtua një hekurudhë e nëndheshme në vitin 1872 dhe dritat elektrike në vitin 1884. Çfarë panë?

Sot, sistemi i shpellave të Postojnës njihet për kalimet e bukura që ka. Ngjyrat e theksuara dhe format e çuditshme të stalaktiteve dhe të stalagmiteve u japin këtyre kalimeve një bukuri si të xhevahireve. Disa prej tyre vezullojnë si t’u ishte hedhur pluhur diamantesh, kurse të tjerat kanë ngjyra të thella okre dhe ndryshku. Disa mbishkrime në mure tregojnë se edhe në shekujt e kaluar këto shpella kanë pasur vizitorë, që kanë admiruar bukurinë e tyre të rrallë.

Zbulohen lloje të reja kafshësh

Eksplorimi i këtyre shpellave të mëdha ka nxjerrë në dritë jo vetëm formacione gjeologjike të reja dhe të pazakonta, por edhe forma jete që s’njiheshin më parë. Deri tani, në sistemin e shpellave të Postojnës, janë gjetur dhjetë lloje të reja.

Luka Çeçi bëri një zbulim të tillë në vitin 1831, për kënaqësinë e speleologëve të mbarë botës. Ai zbuloi një brumbull të çuditshëm të shpellave, të cilin e quajtën Leptodirus hohenwarti, që do të thotë «me qafë të hollë». Siç e tregon vetë emri, ky brumbull ka qafë të gjatë e të hollë. Gjithashtu, ka kokë të vogël, bark të fryrë dhe antena e këmbë tepër të gjata. Mjerisht, i pari brumbull që u gjet u dëmtua aksidentalisht, prandaj nuk ishte e mundur të bëhej një studim i hollësishëm i tyre derisa u gjet një brumbull tjetër 14 vjet më vonë.

Një krijesë tjetër e çuditshme që u gjend në këtë zonë është olmi, një salamandër e verbër. Që në vitin 1689, Janez Valvazori e quajti këtë lloj salamandre ‘pasardhëse e dragoit’. Ky zvarranik i vogël i është nënshtruar studimeve të shumta shkencore.

Shpellat fqinje

Sistemi i shpellave të Postojnës s’është veçse njëri nga sistemet e shumta të shpellave që gjenden në këtë krahinë. Një shpellë shumë e veçantë është ajo e Shkocjanit, e cila që nga viti 1986 ka qenë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Ata që vizitojnë këtë sistem shpellash mahniten nga përmasat gjigante të guvave dhe të kanioneve të tij. Thuhet se ato janë më të mëdhatë në Evropë. Për shembull, një pjesë e këtij sistemi shpellash është 300 metra e gjatë, 100 metra e gjerë dhe 110 metra e lartë.

Në hyrje të shpellës së Predjamës gjendet një fortesë e madhe, banesa e mëparshme e luftëtarit legjendar Erazem Jamskit. Thuhet se kjo fortesë u ka qëndruar pushtuesve për shekuj me radhë. Atyre që ishin në fortesë ushqimet u dërgoheshin nëpërmjet kalimeve sekrete të nëndheshme, që lidheshin me shpellën poshtë saj. Sipas gojëdhënave, Erazemi tallej me sulmuesit duke u tundur qershi të freskëta ose mish të pjekur, provë që tregonte se nuk po vuante nga uria, ndërkohë që ishte i ngujuar brenda mureve të fortesës. Nuk e dimë sa e vërtetë është kjo histori, por megjithatë kalimet e fshehta janë një realitet.

Eksplorimi i botës mahnitëse të shpellave në këtë zonë karstike mund t’ju sjellë shumë kënaqësi të papritura. Skulptori me famë botërore Henri Mur e përshkroi kështu shpellën e Postojnës: «Është ekspozita më e bukur e skulpturave të Natyrës që më kanë zënë sytë.» Po t’ju jepet rasti të shkoni atje, me siguri do të mendoni po njësoj.

[Kutia dhe figura në faqen 24]

«Peshku-njeri»

Proteus anguinus njihet në këtë zonë si peshku-njeri, për shkak të ngjyrës së pazakontë të lëkurës së tij, e cila të kujton lëkurën e njeriut. Ky amfib gjendet vetëm në ujërat nëntokësore të rajonit karstik të Italisë Verilindore, të Sllovenisë dhe më në jug. Lëkura pa ngjyrë dhe sytë e atrofizuar nuk janë mangësi, pasi ai rron në errësirë të plotë, nga faza e vezës deri sa ngordh. Është e mahnitshme që disa prej tyre kanë jetuar deri në 100 vjet dhe mund të mbijetojnë disa vjet pa ushqim.

[Burimi]

Arne Hodalic/www.ipak.org

[Figurat në faqen 24]

1. Një guvë në shpellat e Shkocjanit është 110 metra e lartë

2. Kjo fortesë ndodhet në hyrjen e shpellës së Predjamës

3. Shpellat e Postojnës janë bërë të famshme në gjithë botën

[Burimi i figurës në faqen 23]

Arne Hodalic/www.ipak.org