Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
Truri i mbingarkuar
Disa kërkues thonë se «po të bësh shumë gjëra njëkohësisht, i bën dëm trurit», siç raporton gazeta kanadeze Toronto Star. Nga studimet duket se kryerja e disa detyrave njëkohësisht, ul efektshmërinë, shkakton gabime e madje sëmundje. Për shembull, ndoshta kjo «dobëson kujtesën, shkakton dhembje shpine, të bën më të prekshëm nga gripi dhe nga mostretja e ushqimit, e madje dëmton dhëmbët e mishrat e tyre». Studimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë në SHBA tregojnë se kur njerëzit kryejnë detyra të ndryshme, aktivizohen pjesë të ndryshme të trurit. Por, kur ata përpiqen të bëjnë dy ose më shumë gjëra përnjëherësh, si për shembull të flasin në celular ndërsa ngasin makinën, «truri faktikisht fillon të mos marrë komandat. Madje jo vetëm që nuk e bën dot detyrën, por truri nuk pranon ta bëjë», siç thotë dr. Xhon Sledki, një neurolog në universitetin «Emëri». Sipas kërkuesve, njerëzit duhet t’i bëjnë gjërat më ngadalë dhe të pranojnë se truri i tyre nuk i bën dot të gjitha gjërat që i kërkojnë ata.
Zbulohen lloje të reja peshqish
Shkencëtarët që studiojnë pellgun e lumit Kaura në Venezuelë, njoftuan «se janë zbuluar dhjetë lloje peshqish». Mes tyre ishte një peshk i vockël «me bishtin në ngjyrë gjaku», një «peshk-mace me një kreshtë tentakulash në kokë» dhe një «piranjë që ha fruta, si edhe mishin», siç thuhet në gazetën e Venezuelës, El Universal. Kjo zonë pothuajse e virgjër, me pyje tropikale dhe me ujëra të lundrueshme, është përshkruar si një nga vendet më të pasura me gjallesa në gjithë planetin tonë. Shkencëtarët po i kërkojnë qeverisë që të mbrojë zonën, e cila rrezikohet nga bujqësia, peshkimi, projektet e strehimit, minierat dhe nga projektet e mundshme për hidrocentrale.
Stres në paradhomat e mjekëve
«Pacientët gjermanë duhet të presin mesatarisht 48 minuta në paradhomë para se të thirren për të takuar mjekun. Disa presin edhe më tepër se kaq»,—thotë revista Psikologjia sot (gjermanisht). Një studim për klinikat e 610 mjekëve, i bërë kohët e fundit nga një institut, Institute for Business-Management Analyses, Consultation, and Strategic Development, zbuloi se «sa shumë mërziten pacientët nga kjo gjendje». Në klinikat ku mjekët s’bënin asgjë për të ndrequr problemin e kësaj pritjeje të gjatë, sipas raportit, «pacientët e rregullt pakësoheshin 19 për qind çdo vit». Niveli i stresit në klinikat e tejmbushura ishte shumë më i lartë se në zyrat e tjera, kurse efektshmëria e punës ishte një e treta më e ulët si për mjekët, ashtu dhe për ndihmësit e tyre. Për më tepër, ndihmësit bënin dy herë më shumë gabime.
Mezi dallojnë të drejtën nga e gabuara
«Afro një në katër australianë e pranuan se vidhnin në punë artikuj të tillë, si lapsa, letra etj.»,—thotë The Sun-Herald e Sidneit. Një sondazh me më se 2.000 punonjës zyrash zbuloi se ndër gjërat që bëheshin rëndom gjatë punës, ishin edhe shikimi i informacioneve personale të kolegëve, përdorimi i Internetit për arsye vetjake gjatë orarit të punës, futja e programeve të paautorizuara në kompjuterët e firmës, si dhe përdorimi i programeve të punës në kompjuterin në shtëpi. «Ka shumë njerëz që nuk e kanë fare të qartë se ç’është e drejtë dhe ç’është e gabuar»,—tha Geri Dulei, i cili mbikëqyri sondazhin.
Të vihen a të mos vihen taksat për varrimet e kafshëve?
Gazeta japoneze IHT Asahi Shimbun shpjegon se një tempull budist në Japoni kohët e fundit ngriti padi ndaj autoriteteve të taksave, duke kërkuar që të përjashtohej nga taksat rreth të ardhurave të fituara nga funeralet e kafshëve, nga djegia e trupit dhe nga magazinimi i hirit. Zyra e taksave tha se djegia e trupit dhe shërbimet fetare për kafshët janë «biznes i licensuar» dhe se magazinimi i hirit e vë tempullin në kategorinë e «bizneseve të magazinimit». Nga ana tjetër, tempulli thotë se «shërbesa në përkujtim të të ndjerit është një rit fetar, i cili ndihmon të shërohen plagët e të zotit të kafshëve të ndjera dhe të ngushëllohet shpirti i kafshëve», pa pasur qëllime fitimi.
Pakësohen aksidentet ajrore
Numri i aksidenteve ajrore në mbarë botën në vitin 2003 ishte më i ulëti që nga vitet 50, shekulli i 20-të, kur filluan të regjistroheshin këto aksidente, siç raporton revista Flight International. Numri i vdekjeve ishte 702, më i ulëti që nga viti 1990, ndonëse që nga ai vit ka një rritje prej 40 për qind në trafikun ajror. Sipas gazetës londineze Daily Telegraph, një nga arsyet për «përmirësimin e përgjithshëm të sigurisë ishte se ka pasur një rënie të aksidenteve që ndodhin nga gabime pilotimi, të cilat bëjnë që avioni të takojë në ndonjë vend të lartë. Thuhet se njëfarë roli kanë luajtur edhe sistemet e reja të alarmit, të instaluara në tokë, por teknologjia nuk përshkruhet ‘si e padështueshme’». Shumë aeroplanë më të vjetër nuk janë pajisur me këto sisteme alarmi.
Kripa e hidhur shpëton gratë shtatzëna
Një terapi e thjeshtë dhe jo e kushtueshme, hidrati i sulfatit të magnezit (kripa e hidhur), mund t’i përgjysmojë rastet e ndërlikimeve vdekjeprurëse gjatë shtatzënisë te një grua, shpjegon The Times e Londrës. Eklampsia, një formë e rrezikshme e tensionit të lartë të gjakut, që shkakton spazma, çdo vit, në mbarë botën, vret mbi 50.000 gra bashkë me foshnjat që kanë në bark. Në Shtetet e Bashkuara sulfati i magnezit ka vite që përdoret, duke e futur në trup me injeksione dhe me pika, për të kuruar preeklampsinë, e cila mund të kthehet në eklampsi nëse nuk kurohet. Por në mjaft vende të tjera terapia nuk është futur ende. Prandaj, siç raportohet në The Times, një ekip mjekësh ndërkombëtarë në Institutin e Shkencave Mjekësore në Oksford të Anglisë, «vendosi të provonte dobitë e kripës së hidhur duke bërë një eksperiment me 10.000 gra në 33 vende. Pas tre vjetësh, . . . eksperimenti u ndërpre në fazën e hershme të mjekimit, kur u bë e dukshme sa i efektshëm ishte trajtimi. Duke përdorur sulfatin e magnezit te gratë me preeklampsi, rreziku për të pasur një krizë u zvogëlua në 58 për qind. Kurse rreziku i vdekjes u pakësua në 45 për qind». Kura «kushton vetëm 4,5 dollarë për çdo grua, e prandaj mund ta marrin edhe gratë e vendeve në zhvillim».
Zakonet e të ngrënit në adoleshencë
«Të alarmon numri i nxënëseve adoleshente që nuk i hanë më të gjitha vaktet, nga meraku për format e trupit dhe nga dëshira për t’u matur me modelet e me yjet në fusha të ndryshme»,—thotë gazeta e Londrës Daily Telegraph. Një studim për zakonet e të ngrënit të 300.000 nxënësve, i zhvilluar nga Sektori i Edukatës Shëndetësore të Shkollave të Britanisë, zbuloi se mbi 40 për qind e vajzave të moshës 14 dhe 15 vjeçe «shkonin në shkollë pa ngrënë mëngjes. Në krahasim me disa të dhëna të ngjashme, të përpiluara në vitin 1984, numri i atyre që dalin nga shtëpia pa ngrënë, gati është dyfishuar». Gjithashtu është rritur numri i atyre që nuk hanë drekë, nga 2 për qind në vitin 1984 në 18 për qind më 2001. Për shkak të rrezikut të madh që të zhvillohen çrregullime në të ngrënë, si anoreksia nervore dhe bulimia, mësuesve kujdestarë në kolegjet e vajzave po u kërkohet të mbajnë nën kontroll peshën e nxënëseve të tyre. Edhe djemve sikur po u pëlqen më shumë të mbajnë dietë. Mes tyre, 31 për qind e djemve të moshës 12 dhe 13 vjeç, si dhe 25 për qind e djemve 14 e 15 vjeç duan të bien në peshë. Ky numër është rritur përkatësisht me 26 dhe 21 për qind.