Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Që në fëmijëri më mësuan ta dua Perëndinë

Që në fëmijëri më mësuan ta dua Perëndinë

Që në fëmijëri më mësuan ta dua Perëndinë

TREGUAR NGA ANATOLI MELNIKU

Shumë më thërrasin me dashuri «gjysh». Kjo fjalë më kënaq zemrën, sepse më kujton gjyshin tim, të cilin e doja fort dhe i jam shumë borxhli. Do të doja t’ju tregoja diçka më tepër për gjyshin dhe gjyshen time, si edhe për ndikimin e madh që patën ata te familja e tyre dhe te shumë të tjerë.

LINDA në fshatin e Hlinës, në veri të Moldavisë së sotme. * Në vitet 20, nga Rumania, e cila ishte në kufi me zonën tonë të bukur me kodra, erdhën disa shërbëtorë udhëtues të njohur si pelegrinë. Prindërit e mamasë e pranuan menjëherë lajmin e mirë që iu predikua nga Bibla. Në vitin 1927 ata u bënë Studentë të Biblës, siç quheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait. Kur filloi Lufta II Botërore në vitin 1939, në fshatin tonë të vogël kishte tashmë një kongregacion të Dëshmitarëve të Jehovait.

Kur linda unë, në vitin 1936, të gjithë në familje ishin Dëshmitarë të Jehovait, përveç tim eti, që shkonte ende në kishën ortodokse. Gjatë Luftës II Botërore, ai filloi të mendonte seriozisht për qëllimin e jetës dhe pas njëfarë kohe ia kushtoi jetën Krijuesit, Perëndisë Jehova, duke e simbolizuar këtë kushtim me pagëzimin në ujë. Gjyshi luajti një rol shumë të rëndësishëm në rritjen frymore të familjes sonë. Ai e donte shumë Biblën dhe dinte përmendësh me qindra shkrime. Arrinte ta lidhte me Biblën çfarëdo lloj bisede.

Shpesh i ulesha gjyshit në prehër dhe e dëgjoja kur më tregonte histori biblike. Ai më nguliti thellë në zemër dashurinë për Perëndinë, dhe për këtë i jam tepër mirënjohës. Kur isha tetë vjeç, dola për herë të parë në predikim me gjyshin. Duke përdorur Biblën, u folëm banorëve të tjerë në fshat për Jehovain dhe u treguam si mund t’i afroheshin atij.

Nën shtypjen e komunistëve

Në vitin 1947, të ndikuar nga politika komuniste dhe nga kisha ortodokse, autoritetet filluan t’i përndiqnin Dëshmitarët e Jehovait në Moldavi. Agjentë të shërbimit sekret, që më vonë mori emrin KGB, si edhe policë vendës, vinin në shtëpinë tonë dhe na pyetnin se kush po merrte drejtimin në veprën e predikimit, nga vinte literatura dhe ku mblidheshim për të adhuruar. Na thanë edhe se do t’i ndalonin veprimtaritë e Dëshmitarëve të Jehovait që, sipas tyre, «pengonin zhvillimin e komunizmit në vendin tonë».

Ndërkohë, im atë, që kishte shumë arsimim, kishte zhvilluar dashuri të thellë për të vërtetën biblike. Ai bashkë me gjyshin dinin si t’u përgjigjeshin këtyre policëve në atë mënyrë që të mos i tradhtonin vëllezërit dhe motrat e krishtere. Që të dy ishin të guximshëm dhe kujdeseshin për mirëqenien e bashkëbesimtarëve. Po ashtu, edhe mamaja qëndroi gjithnjë e qetë dhe gjakftohtë si ata.

Në vitin 1948 babanë e arrestuan dhe e morën me vete. Nuk na thanë kurrë se çfarë akuzash kishte kundër tij. E dënuan shtatë vjet, që do t’i kryente në një burg të sigurisë së lartë, dhe pastaj dy vjet internim. Më pas e dërguan në krahinën e Magadanit, në verilindje të Rusisë, më shumë se 7.000 kilometra larg shtëpisë. Nuk u takuam për nëntë vjet. Të jetoja pa babanë ishte e vështirë, por gjyshi më mbështeti shumë.

Në internim

Natën e 6 qershorit 1949, në shtëpinë tonë hynë me forcë dy ushtarë dhe një oficer. Ata thanë se kishim dy orë kohë për të dalë nga shtëpia dhe për të hipur në makinën e tyre. S’na dhanë asnjë shpjegim tjetër. Thjesht thanë se po na internonin dhe s’do të ktheheshim më kurrë. Kështu, së bashku me mamanë, gjyshin, gjyshen dhe bashkëbesimtarë të tjerë, na çuan në Siberi. Në atë kohë isha vetëm 13 vjeç. Pas disa javësh, u gjendëm nëpër moçalet e tajgës, në mes të pyjeve të dendur e të papërshkueshëm. Sa ndryshonte kjo natyrë nga ajo e vendlindjes sime, të cilën e doja kaq shumë! Nganjëherë na vinte për të qarë. Megjithatë, ishim të sigurt se Jehovai nuk do të na braktiste kurrë.

Fshati i vogël ku na çuan përbëhej nga dhjetë kasolle të bëra me trungje drurësh. Dëshmitarët e tjerë i çuan në fshatra të ndryshëm të shpërndarë në të gjithë tajgën. Për t’i frikësuar banorët vendës, si edhe për t’u krijuar paragjykime për ne, autoritetet u thanë se Dëshmitarët ishin kanibalë. Megjithatë, s’kaloi shumë kohë dhe njerëzit e kuptuan se kjo ishte një gënjeshtër, kështu që s’kishin pse të na kishin frikë.

Dy muajt e parë na vunë në një kasolle të vjetër. Por, duhej të ndërtonim një banesë më të përshtatshme para se të vinte dimri i ashpër. Gjyshi dhe gjyshja e ndihmuan mamanë të ndërtonte një banesë shumë të thjeshtë, e cila ishte gjysmë e futur nën tokë. Jetuam atje për më shumë se tre vjet. Nuk na lejohej të largoheshim pa leje nga fshati, por këtë leje nuk na e jepnin kurrë.

Pas disa kohësh më lejuan të ndiqja shkollën. Meqë kisha pikëpamje të ndryshme fetare nga nxënësit e tjerë, shpesh mësuesit dhe nxënësit më bënin pyetje. Gjyshit i shkëlqenin sytë kur kthehesha nga shkolla dhe i tregoja se si ua kisha shpjeguar atyre bindjet tona.

Pak më shumë liri

Pas vdekjes së diktatorit Stalin në vitin 1953, jeta jonë u përmirësua pak. Tani na lejonin të largoheshim nga fshati. Kjo na dha mundësinë të shoqëroheshim me bashkëbesimtarët dhe të ndiqnim mbledhjet në fshatrat ku ishin çuar Dëshmitarët e tjerë. Për të mos tërhequr vëmendjen, mblidheshim në grupe të vogla. Për të shkuar atje, bënim rreth 30 kilometra rrugë më këmbë dhe nganjëherë bora na arrinte deri në gju, e temperatura ishte 40 gradë nën zero. Ditën tjetër bënim udhëtim të gjatë për t’u kthyer në shtëpi. Rrugës hanim ndonjë kastravec turshi dhe ca lugë sheqer. E megjithatë, ishim shumë të lumtur, pikërisht siç ishte Davidi në lashtësi.​—Psalmi 122:1.

U pagëzova në vitin 1955, duke simbolizuar kushtimin tim ndaj Jehovait. Pak kohë më parë, në një mbledhje të kongregacionit të një fshati fqinj, kisha takuar Lidian, një vajzë të thjeshtë me flokë të zeza. Edhe ajo bashkë me familjen ishin Dëshmitarë nga Moldavia, që i kishin internuar njësoj si ne. Këndonte shumë bukur dhe i dinte përmendësh gati të 337 këngët e librit që përdornim atëherë. Kjo më bëri vërtet përshtypje, sepse edhe mua më pëlqenin shumë muzika dhe këngët tona. Në vitin 1956 vendosëm të martoheshim.

I shkrova një letër babait, sepse tani e dinim që e kishin çuar në Magadan, dhe vendosëm ta shtynim martesën derisa të na jepte ai miratimin. Jo shumë kohë më pas babanë e liruan dhe arriti të vinte te ne, ku ishim të internuar. Ai na tha se si, me ndihmën e Perëndisë, së bashku me të krishterët e tjerë, kishin mbijetuar në kushtet e tmerrshme të kampeve të punës. Tregime të tilla na e forcuan besimin.

Jo shumë kohë pas kthimit të babait, ndodhi një aksident shumë i rëndë kur mamaja po përgatiste disa vajra që i përdornim për bojëra dhe për vernik. Nuk e dimë se si, por kazani i madh me vaj të valuar u rrëzua dhe vaji u derdh mbi mamanë, e cila vdiq më pas në spital. Në fillim dhimbja ishte tepër e madhe, por me kalimin e kohës babai filloi ta merrte veten. Më vonë u njoh dhe u martua me Tatjanën, një Dëshmitare nga një fshat fqinj.

Zgjerojmë shërbimin

Në vitin 1958, unë dhe Lidia ikëm nga Kizaku, fshati ku jetonim, dhe u vendosëm me banim në Libiaje, një fshat shumë më i madh, rreth 100 kilometra larg. Kishim lexuar se të krishterët në vende të tjera predikonin shtëpi më shtëpi. Prandaj, u përpoqëm ta bënim këtë në fshatin ku shkuam. Sigurisht, Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! ishin ndaluar, por ne kishim marrë kopje që ishin futur fshehurazi nga vendet e tjera. Tani na njoftuan se do të merrnim revista vetëm në gjuhën ruse. Deri në atë kohë, kishim marrë revista edhe në gjuhën moldave. Prandaj e studiuam më shumë rusishten, për ta kuptuar më mirë. Edhe sot e kësaj dite më kujtohen jo vetëm titujt e atyre artikujve, por edhe disa mendime të shprehura në to.

Për të siguruar gjërat e nevojshme, Lidia punonte në një hambar gruri, kurse unë si hamall për të shkarkuar drurë nga trenat. Puna ishte e lodhshme dhe paga e ulët. Ndonëse Dëshmitarët vlerësoheshin si punëtorë të palodhur, ne s’merrnim as ndihmë financiare, as shpërblime. Zyrtarët na thoshin hapur: «Dëshmitarët e Jehovait s’kanë vend në një shoqëri komuniste.» E megjithatë, ishim të kënaqur që në rastin tonë ishin të vërteta fjalët që tha Jezui për ithtarët e tij: «Ata nuk janë pjesë e botës, ashtu si unë nuk jam pjesë e botës.»​—Gjoni 17:16.

Vështirësi të reja

Në vitin 1959 na lindi një vajzë, Valentina. Jo shumë kohë më pas filloi një valë e re përndjekjeje. The Encyclopædia Britannica thotë: «Në vitet 1959-1964 filloi një lëvizje e re antifetare nga Nikita Hrushovi, sekretari i parë.» Anëtarë të sigurimit të shtetit na thanë se synimi i qeverisë sovjetike ishte të zhdukte të gjitha fetë, po sidomos Dëshmitarët e Jehovait.

Kur Valentina ishte afro një vjeçe, më thirrën për në ushtri. Nuk shkova, prandaj më dënuan me pesë vjet burg, për shkak të asnjanësisë. Në një rast, kur Lidia erdhi të më takonte, një kolonel i KGB-së i tha: «Nga Kremlini na kanë njoftuar se brenda dy vjetësh në Bashkimin Sovjetik nuk do të ketë mbetur më këmbë Dëshmitari.» Pastaj e kërcënoi: «Duhet të heqësh dorë nga besimi yt, përndryshe do të përfundosh në burg.» Ai mendonte se këto fjalë do t’i frikësonin shumë gratë, duke thënë: «S’janë veçse femra, të dobëta.»

Brenda një kohe të shkurtër shumica e burrave Dëshmitarë ishin nëpër burgje dhe kampe pune. Megjithatë, veprën e predikimit e vazhduan gratë e guximshme të krishtere. Duke rrezikuar shumë, ato arrinin t’u jepnin literaturë vëllezërve nëpër burgje e kampe pune. Edhe Lidia kaloi sprova të tilla e, gjithashtu, shpesh i bënin propozime imorale burra që donin të përfitonin nga mungesa ime. Veç kësaj, i thanë se nuk do të më lironin kurrë nga burgu! Por, faktikisht më liruan.

Lirimi dhe ikja në Kazakistan

Çështja ime u kalua prapë për gjykim në vitin 1963, e më pas më liruan, pasi kisha kaluar tri vjet në burg. Por, nuk na jepnin lejë për të banuar asgjëkundi, prandaj nuk arrija dot të gjeja punë. Shteti kishte një ligj që thoshte: «Pa vendbanim të përhershëm, s’ka punë.» Iu lutëm Jehovait me përgjërim që të na ndihmonte. Pastaj vendosëm të shkonim në Petropavl, në veri të Kazakistanit. Mirëpo, autoritetet atje tashmë ishin njoftuar për mbërritjen tonë dhe nuk donin të na linin të jetonim dhe të punonim atje. Rreth 50 Dëshmitarë të tjerë në këtë qytet po kalonin përndjekje të ngjashme.

Së bashku me një çift tjetër Dëshmitarësh, shkuam më në jug, në një qytezë të vogël me emrin Shçuçinsk. Aty s’kishte Dëshmitarë të tjerë dhe autoritetet s’dinin gjë për veprën tonë të predikimit. Për një javë, ne dy burrat, pra unë dhe Ivani, kërkuam punë, kurse gratë ndenjën te stacioni i trenit, ku kalonim natën. Më në fund gjetëm punë në një fabrikë qelqi. Morëm me qira për të dyja familjet një dhomë të vogël, e cila kishte vend për dy shtretër dhe për pak gjëra të tjera, por megjithatë ishim të kënaqur.

Unë dhe Ivani iu përkushtuam punës, kështu që punëdhënësit ishin shumë të kënaqur. Në kohën kur më thirrën prapë për shërbimin ushtarak, administratori i fabrikës e kishte mësuar se ndërgjegjja ime e stërvitur nga Bibla nuk do të më lejonte të stërvitesha si ushtar. Për habinë time, ai shkoi te komandanti ushtarak dhe i tha që unë dhe Ivani ishim punëtorë shumë të aftë dhe se fabrika nuk ecte dot pa ne. Kështu, na lejuan të qëndronim.

Rritim fëmijët dhe u shërbejmë të tjerëve

Vajza e dytë, Lilja, na lindi në vitin 1966. Një vit më vonë, shkuam të jetonim në Bjelije-Vodi, në jug të Kazakistanit, pranë kufirit me Uzbekistanin, ku kishte një grup të vogël Dëshmitarësh. S’kaloi shumë dhe u formua një kongregacion, ku më caktuan mbikëqyrës drejtues. Në vitin 1969 u bëmë me djalë, Olegun, dhe dy vjet më vonë na lindi Natasha, vajza e vogël. As Lidia, as unë, nuk harruam kurrë se fëmijët janë një trashëgimi nga Jehovai. (Psalmi 127:3) Konsultoheshim bashkë se çfarë duhej të bënim që t’i rritnim me dashurinë për Jehovain.

Në vitet 70, shumica e burrave Dëshmitarë ishin ende në kampet e punës. Shumë kongregacione kishin nevojë për mbikëqyrje dhe udhëheqje nga burra të pjekur. Prandaj, Lidia mori përsipër një rol më të madh për të rritur fëmijët, duke qenë disa herë edhe nënë, edhe baba, kurse unë shërbeja si mbikëqyrës udhëtues. Vizitoja kongregacionet në Kazakistan, si edhe në republikat sovjetike fqinje, siç ishin: Taxhikistani, Turkmenistani dhe Uzbekistani. Në të njëjtën kohë vazhdoja edhe punën për të mbështetur financiarisht familjen, dhe Lidia e fëmijët bashkëpunonin me dëshirë.

Ndonëse disa herë më rastiste të isha larg shtëpisë për disa javë, përpiqesha t’ua tregoja fëmijëve dashurinë atërore dhe t’i ndihmoja në rritjen frymore. Së bashku me Lidian i luteshim me zjarr Jehovait që t’i ndihmonte fëmijët tanë, e po ashtu flitnim me ta si ta kapërcenin frikën e njeriut dhe të zhvillonin një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë. Pa mbështetjen altruiste të gruas sime të dashur, nuk do të kisha arritur t’i përmbushja detyrat e mia si mbikëqyrës udhëtues. Lidia dhe motrat e tjera s’ishin aspak ‘të dobëta’, siç kishte thënë ai kolonel. Ato ishin të forta, gjigante të vërteta në kuptimin frymor!​—Filipianëve 4:13.

Në vitin 1988, kur të gjithë fëmijët ishin rritur, më caktuan mbikëqyrës udhëtues të përhershëm. Qarku që mbikëqyrja përfshinte pjesën më të madhe të vendeve në Azinë Qendrore. Pasi vepra e predikimit e Dëshmitarëve të Jehovait në ish-Bashkimin Sovjetik u regjistrua zyrtarisht në vitin 1991, u caktuan burra të tjerë të pjekur e të kualifikuar për të shërbyer në republikat aziatike që më parë kishin qenë pjesë e Bashkimit Sovjetik. Sot ka 14 mbikëqyrës udhëtues që shërbejnë në këto vende, ku vitin e kaluar më shumë se 50.000 veta ndoqën Përkujtimin e vdekjes së Krishtit.

Një ftesë e papritur

Në fillim të vitit 1998 mora një telefonatë të papritur nga zyra e degës e Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi. Më pyetën: «Anatoli, a ke menduar bashkë me Lidian të filloni shërbimin e plotkohor?» Sigurisht që këtë privilegj e kishim menduar, po për fëmijët tanë. Në fakt, djali ynë, Olegu, kishte pesë vjet që shërbente në zyrën e degës në Rusi.

Kur i tregova Lidias për ftesën që na kishin bërë, më pyeti: «Po shtëpia jonë, me kopshtin dhe me gjërat që kemi?» Pasi u lutëm dhe i shqyrtuam gjërat me kujdes, vendosëm ta pranonim ftesën. Na ftuan të shërbenim në qendrën fetare të Dëshmitarëve të Jehovait në Isik të Kazakistanit, pranë qytetit të madh të Alma-Atës. Në këtë qendër punohet për ta përkthyer literaturën biblike në gjuhët që fliten në këtë zonë.

Familja sot

Sa mirënjohës i jemi Perëndisë që na ndihmoi t’u mësonim fëmijëve të vërtetën biblike! Vajza e madhe, Valentina, u martua dhe shkoi bashkë me të shoqin në Ingelheim, Gjermani, në vitin 1993. Kanë tre fëmijë, që të tre Dëshmitarë të Jehovait.

Edhe vajza e dytë, Lilja, ka krijuar familje. Ajo bashkë me të shoqin, që është plak kongregacioni në Bjelije-Vodi, po rritin dy fëmijë dhe po i mësojnë ta duan Perëndinë. Olegu u martua me Natashën, një motër e krishterë nga Moska, dhe po shërbejnë në zyrën e degës së Rusisë, që ndodhet pranë Shën-Pjetërburgut. Në vitin 1995 u martua edhe vajza jonë e vogël, Natasha, e cila tani po shërben së bashku me të shoqin në një kongregacion rus në Gjermani.

Herë pas here mblidhemi të gjithë së bashku për të kaluar kohë si familje. Fëmijët tanë u tregojnë fëmijëve të tyre se si «mami» dhe «babi» e dëgjuan Jehovain dhe i rritën fëmijët që ta duan dhe t’i shërbejnë Perëndisë së vërtetë, Jehovait. E kuptoj se këto biseda i ndihmojnë nipërit dhe mbesat që të rriten frymësisht. Nipi më i vogël më ngjan mua kur isha në moshën e tij. Nganjëherë më ulet në prehër dhe më kërkon t’i tregoj ndonjë histori biblike. Më mbushen sytë me lot kur kujtoj me mall se si edhe unë shpesh i ulesha në prehër gjyshit tim, dhe se si më ndihmoi ai që ta dua dhe t’i shërbej Krijuesit tonë të Madh.

[Shënimi]

^ par. 4 Në këtë artikull do të përdoret emri Moldavi, në vend të emrave Moldovë ose Republika Socialiste e Moldavisë.

[Figura në faqen 11]

Me prindërit në shtëpinë tonë në Moldavi, pak para se të burgosnin babanë

[Figura në faqen 12]

Me Lidian në vitin 1959, ende në internim

[Figura në faqen 13]

Lidia me vajzën tonë, Valentinën, në kohën kur unë isha në burg

[Figura në faqen 15]

Me Lidian sot

[Figura në faqen 15]

Me fëmijët tanë, nipërit e mbesat. Që të gjithë i shërbejnë Jehovait!