Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Rëndësia e edukimit të fëmijës

Rëndësia e edukimit të fëmijës

Rëndësia e edukimit të fëmijës

GJËRAT që mëson dhe që nuk mëson fëmija gjatë fëmijërisë, mund të ndikojnë në aftësitë e tij në të ardhmen. Pra, për çfarë kanë nevojë fëmijët nga prindërit, që të bëhen të rritur të ekuilibruar dhe të zotë? Shqyrtoni se në çfarë përfundimi kanë arritur disa duke u bazuar në studimet e bëra dhjetëvjeçarët e fundit.

Roli i sinapseve

Përparimet në teknologjinë e kompjuterizuar kanë bërë të mundur që shkencëtarët të studiojnë zhvillimin e trurit më me hollësi se kurrë më parë. Këto studime tregojnë se fëmijëria e hershme është një kohë kritike për zhvillimin e funksioneve të trurit që janë të nevojshme për përpunimin e informacioneve, për t’i shprehur normalisht ndjenjat dhe për t’u bërë të aftë në të folur. «Lidhjet e trurit krijohen me një shpejtësi të jashtëzakonshme gjatë viteve të para të jetës, pasi struktura e trurit merr formë nga bashkëveprimi që ndodh në çdo çast midis informacionit gjenetik dhe nxitjeve që vijnë nga mjedisi rrethues»,​—thotë revista Nation.

Shkencëtarët mendojnë se shumica e këtyre lidhjeve, të quajtura sinapse, krijohen në vitet e para të jetës. Dr. T. Beri Brazëltoni, specialist në fushën e zhvillimit të fëmijës, thotë se pikërisht kjo është koha kur «krijohen lidhjet nervore që do të ndikojnë në inteligjencën e fëmijës, në individualitetin e tij, në aftësinë për të pasur besim te të tjerët dhe në motivimin për të mësuar».

Gjatë viteve të para të jetës, truri i foshnjës rritet ndjeshëm në madhësi, zhvillohet shumë përsa i përket strukturës dhe funksioneve të tij. Në një mjedis, ku fëmija i ka me bollëk nxitjet e jashtme dhe mundësitë për të mësuar, lidhjet sinaptike shtohen, dhe në tru krijohet një rrjet i madh lidhjesh nervore. Këto rrugë nervore bëjnë të mundur që njeriu të mendojë, të mësojë dhe të arsyetojë.

Mund të ndodhë që sa më shumë nxitje të marrë truri i një foshnjeje, aq më shumë qeliza nervore vihen në punë dhe aq më shumë lidhje krijohen ndërmjet tyre. Është interesante që kjo nxitje nuk duhet të jetë vetëm intelektuale, pra që truri i fëmijës të nxitet vetëm duke i treguar atij gjëra të reja, figura ose duke i folur. Shkencëtarët kanë zbuluar se është e nevojshme edhe nxitja emocionale. Studimet tregojnë se foshnjat që nuk i përqafojnë, nuk i përkëdhelin dhe me të cilët nuk luajnë ose që nuk marrin nxitje emocionale krijojnë më pak lidhje sinaptike.

Edukimi dhe aftësitë e lindura të fëmijës

Dalëngadalë, ndërkohë që fëmijët rriten, ndodh një proces që ngjan me krasitjen. Duket sikur trupi i pret ato lidhje sinaptike që mund të jenë të panevojshme. Kjo mund të ketë një ndikim të madh në aftësitë e lindura të fëmijës. Maks Kënedëri, një studiues i trurit, thotë: «Nëse një fëmijë nuk merr nxitjet e duhura në moshën e duhur, lidhjet nervore nuk do të zhvillohen siç duhet.» Dr. J. Frejzër Mastërdi thotë se si pasojë e kësaj fëmija mund ta ketë të ulët treguesin e inteligjencës, të mos jetë i aftë në të folur, të jetë i dobët në matematikë, të ketë probleme shëndetësore kur të rritet, e madje edhe probleme me sjelljen.

Pra me sa duket, ato që kalon dikush në foshnjëri mund të kenë një ndikim vendimtar në jetën e tij kur të rritet. Nëse një njeri do të jetë i fortë për jetën ose do të jetë i brishtë, nëse do të mësojë të mendojë në mënyrë abstrakte ose jo, nëse do të bëhet i dhembshur ose jo, të gjitha këto mund të varen nga përvojat e tij në fëmijërinë e hershme. Pra roli i prindërve është veçanërisht i rëndësishëm. «Një nga gjërat më jetësore të përvojave të hershme të fëmijës,​—thotë një pediatër,​—është prania e një njeriu të ndjeshëm që tregon kujdes prindëror.»

E gjithë kjo mund të duket shumë e thjeshtë. Edukojini dhe kujdesuni për fëmijët tuaj, dhe ata do të rriten të mbarë. Prindërit e dinë se të mësosh të kujdesesh siç duhet për fëmijët, mjerisht, nuk është gjithnjë kaq e thjeshtë. Të jesh një prind i mirë nuk vjen gjithnjë vetvetiu.

Sipas një studimi, 25 për qind e prindërve të anketuar nuk e dinin se mënyra se si kujdeseshin për fëmijët mund të nxiste ose të pengonte zhvillimin e inteligjencës së tyre, sigurinë te vetja dhe dashurinë për mësimin. Ky fakt bën që të lindë pyetja: Cila është mënyra më e mirë për të zhvilluar aftësitë e fëmijës tuaj? Veç kësaj, si mund të krijoni atmosferën e duhur? Le ta shohim në artikullin vijues.

[Figura në faqen 6]

Foshnjat që nuk marrin nxitje të jashtme, mund të mos zhvillohen aq mirë sa të tjerat