Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A është dhjamosja vërtet një problem?

A është dhjamosja vërtet një problem?

A është dhjamosja vërtet një problem?

«Dhjamosja tek adoleshentët është bërë si epidemi.»​—S. K. Uangnu, kryemjek konsulent në endokrinologji, i cili punon në spitalin «Indreprestë Apollo», Delhi, Indi.

SIÇ tregon komenti i mësipërm, ndryshimi i mënyrës së jetesës në shumë familje të shtresës së mesme në Indi, ka çuar në përhapjen e dhjamosjes tek adoleshentët. Kjo epidemi po përhapet edhe në mjaft vende të botës, pasi njerëzit bëjnë më pak fizkulturë dhe hanë më shumë ushqime kalorike, por pa vlera ushqyese. Një specialist në degën e mjekësisë që merret me adoleshentët tha: «Brezi i ardhshëm [në Britani] do të jetë . . . më i dhjamosuri në historinë e njerëzimit.» Gazeta The Guardian Weekly thoshte: «Dikur dhjamosja ishte kryesisht një problem i të rriturve. Sot Britania ka një brez të rinjsh, të cilët zakonet në të ngrënë dhe jeta pa aktivitet fizik po i çojnë në probleme që për herë të parë u vërejtën në SHBA. Dhjamosja që vazhdon për një kohë të gjatë do t’i bëjë ata më të prirur për sëmundje të tilla, si: diabeti, sëmundjet e zemrës dhe kanceri.»

Autorët e librit Luftë me ushqimet (anglisht) thonë: «Për sa i përket ushqimit, ngrënia me tepri është bërë problemi kryesor në nivel botëror, dhe kështu i ka zënë vendin të ushqyerit të keq.» Në revistën The Atlantic Monthly, Don Peku shkruan: «Rreth nëntë milionë amerikanë vuajnë nga ‘dhjamosja patologjike’ që do të thotë se janë 45 kilogramë ose më shumë mbipeshë.» Problemet shëndetësore që lidhen me peshën bëjnë që çdo vit në këtë vend, 300.000 njerëz të kenë vdekje të parakohshme, dhe kështu problemet e peshës bëhen «shkaku më vdekjeprurës pas pirjes së duhanit». Peku nxori këtë përfundim: «Së shpejti dhjamosja mund të bëhet problemi më shqetësues për shëndetin publik, duke ia kaluar edhe urisë, edhe sëmundjeve ngjitëse.» Prandaj kush mund ta shpërfillë rrezikun që mbart dhjamosja? Në librin Ha, pi dhe ji i shëndetshëm (anglisht), dr. Uollter C. Uilleti shkruan se «pas duhanit, shifra që tregon peshorja është treguesi më i rëndësishëm që përcakton shëndetin tuaj në të ardhmen». Fjala kyçe këtu është shëndeti në të ardhmen.

Si e përkufizoni dhjamosjen?

Kur një njeri quhet i dhjamosur dhe jo vetëm disi mbipeshë? Klinika Mejo në Roçester, Minesota të SHBA-së, thotë: «E thënë thjesht, dhjamosja nënkupton të jesh shumë mbipeshë për shkak të dhjamit të tepërt në trup.» Si përcaktohet nëse dikush është mbipeshë? Tabelat ku tregohet pesha në varësi të gjatësisë mund të jenë njëfarë treguesi për të përcaktuar nëse dikush është thjesht mbipeshë apo ka kaluar në dhjamosje. (Shih tabelën në faqen 5.) Gjithsesi këto tabela nuk marrin parasysh ndryshimet e konstruktit të trupit. Klinika Mejo thotë: «Sasia e dhjamit në trup është një tregues më i mirë për shëndetin e dikujt, sesa pesha e përgjithshme e tij.» Për shembull, pesha e një sportisti ka të ngjarë të jetë më e madhe për shkak të muskujve të zhvilluar ose konstruktit kockëmadh. Cilat janë shkaqet kryesore të mbipeshës ose të dhjamosjes? Kjo pyetje do të shqyrtohet në artikullin vijues.