Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dhjamosja: Pse shkaktohet?

Dhjamosja: Pse shkaktohet?

Dhjamosja: Pse shkaktohet?

«Jemi në mes të një epidemie që mund të ketë pasoja të rënda shëndetësore për fëmijët tanë. Nëse shoqëria nuk merr masa parandaluese sot, përhapja e dhjamosjes nuk do të reshtë.»​—Uilliam J. Klishi, profesor në pediatri.

PRIRJA e disa njerëzve të cilët nuk kanë probleme me peshën është që t’i shohin shtrembër njerëzit që vuajnë nga mbipesha ose dhjamosja dhe t’i quajnë njerëz pa vullnet e pa forcë të brendshme. Por, a është kaq i thjeshtë ky problem? A janë medoemos njerëzit e dhjamosur individë përtacë që nuk bëjnë asnjë ushtrim fizik? Apo në shumë raste ka shkaqe me një ndikim më të gjerë që është më e vështirë t’i kontrollosh?

Trashëgimia? Mjedisi? Apo të dy bashkë?

Në librin Lufta me ushqimet thuhet: «Për një kohë të gjatë ka vazhduar një debat, ku diskutohej nëse në origjinë të dhjamosjes ishte trashëgimia gjenetike apo mjedisi.» Çfarë nënkuptohet me trashëgimi gjenetike në këtë kontekst? Disa përkrahin teorinë se trupi i njeriut vetvetiu i depoziton kaloritë e tepërta që t’i shfrytëzojë në rast nevoje në të ardhmen. I njëjti libër vazhdon: «Për dhjetëvjeçarë me radhë është studiuar lidhja e trashëgimisë gjenetike me dhjamosjen. . . . Në ditët tona janë bërë shumë studime për gjenet e njeriut dhe për dhjamosjen. Po përdoren metoda të sofistikuara për të përcaktuar gjenet që i bëjnë njerëzit të prirur të shtojnë në peshë dhe të vuajnë nga sëmundje të tilla, si diabeti. Po të flasim në gjuhën shkencore, 25 deri në 40 për qind e ndryshimeve të peshës trupore nga njëri te tjetri mund të shpjegohen me anë të gjeneve.» Libri vazhdon: «Po të marrim parasysh se për dhjamosjen zakonisht i vihet faji individit, mund të thuhet se këto shifra theksojnë rëndësinë e faktorit biologjik. Sidoqoftë, është mjedisi ai që ndikon 60 për qind ose më shumë te pesha.» Kjo do të thotë se një nga shkaqet kryesore të dhjamosjes mbetet mënyra e jetesës. A merr çdo ditë një individ më shumë kalori sesa harxhon? A konsumon rregullisht ushqime që nuk i bëjnë mirë? A ka programuar çdo ditë kohë për të bërë pak fizkulturë?

Klinika Mejo shpjegon me fjalë të thjeshta shkakun e dhjamosjes: «Gjenet mund të krijojnë terrenin për mbipeshë ose dhjamosje, por në fund të fundit pesha e trupit tuaj varet nga ushqimi dhe nga lëvizja. Kur për një kohë të gjatë merren kalori të tepërta, bëhet një jetë sedentare ose kombinohen të dyja bashkë, kjo çon në dhjamosje.» (Kursivi është yni.) I njëjti burim shton: «Trashëgimia gjenetike nuk do të thotë se medoemos do të jeni të dhjamosur. . . . S’ka rëndësi se çfarë thonë gjenet, ajo që përcakton përfundimisht peshën tuaj është zgjedhja e ushqimeve dhe aktiviteti fizik.»

Kompanitë që i ndihmojnë njerëzit të bien në peshë fitojnë me miliona dollarë ndërkohë që njerëzit kërkojnë të dëshpëruar të kenë sërish formën trupore të mëparshme. Por, ç’thonë specialistët për këto programe? «Dhjamosja është shumë e vështirë për t’u trajtuar dhe shumica e njerëzve që arrijnë të dobësohen nuk arrijnë ta mbajnë peshën e re,​—thotë libri Luftë me ushqimet.​—Rezultatet më pozitive të statistikave tregojnë se 25 për qind [një në katër veta] bien në peshë dhe arrijnë ta mbajnë atë, shpesh pasi kanë provuar shumë herë.»

Rreziqet e dhjamosjes

Dhjamosja mund të çojë në probleme të rënda shëndetësore. Dr. Skot Loren-Selko, neurolog në Qendrën Mjekësore në Universitetin e Kalifornisë Jugore, paralajmëron për rrezikun e diabetit të tipit 2 madje edhe për të rinjtë e dhjamosur. (Shih Zgjohuni! të 8 majit 2003.) Ai thotë: «Është diçka që sot po e vërejmë gjithnjë, dhe më besoni, është vërtet frikësuese. U them [pacientëve që vuajnë nga dhjamosja] se po të duan mund t’i çoj në pavionin e diabetikëve dhe t’u tregoj se si mund të jetë e ardhmja e tyre. Aty ka njerëz të verbër, me ndonjë gjymtyrë të prerë, ka një mori njerëzish që janë plotësisht të pafuqishëm për shkak të tipit 2 [të diabetit], dhe që të gjithë këta janë të dhjamosur.» Cili është një nga faktorët që ndikon në sëmundjen e tyre? «Ata kanë aq para sa të blejnë hamburgerë të stërmëdhenj dhe patate të skuqura, dhe i blejnë,​—thotë Loren-Selko.​—Askush nuk u thotë se kjo gjë i dëmton. Sigurisht këtë nuk e bëjnë shoqëritë e ushqimeve ‘fast-food’, e po të flasim hapur, pa dyshim që nuk e bëjnë as shumica e mjekëve, të cilët ende nuk janë të specializuar në fushën e të ushqyerit.»

Dr. Eduard Tobi, i njohur për shkrimet e tij në fushën e të ushqyerit, thotë: «Kohët e fundit është bërë më e modës, madje nuk ka asgjë të gabuar të mendosh se të jesh mbipeshë është diçka normale dhe e pranueshme në jetën moderne. Kjo është vërtet një propagandë e habitshme që bëhet nga aktivitetet tregtare të cilat begatohen duke na dhjamosur.»

Specialistët thonë se trupat «në formën e dardhës», ku dhjami i tepërt grumbullohet në pjesën e legenit, mund të jenë më të shëndetshëm se ata «në formën e mollës», ku dhjami grumbullohet në organet e barkut (sidomos nëse beli është 89 deri në 101 centimetra a më shumë). Pse? Sepse, siç shkruhet në librin Klinika Mejo rreth peshës për një trup të shëndetshëm, (anglisht), «dhjami në bark e shton rrezikun e tensionit të lartë, të sëmundjeve të arteries koronare, të diabetit, të apopleksisë dhe të disa llojeve të kancerit. Nëse keni konstrukt në formë dardhe​—pjesa e legenit është e gjerë, kofshët dhe të ndenjurat janë të bëshme​—rrezikoni më pak nga ana shëndetësore».

Atëherë, si t’ia bëjnë ata miliona të rritur dhe fëmijë anembanë botës që janë mbipeshë dhe që rrezikojnë të kenë probleme të rënda shëndetësore? A ka ndonjë kurë të efektshme?

[Kutia dhe tabela në faqen 5]

Çfarë është treguesi i masës trupore? Çfarë tregon ai?

Treguesi i masës trupore është raporti i gjatësisë me peshën dhe ndihmon të përcaktohet nëse dikush është mbipeshë ose i dhjamosur. Sipas Klinikës Mejo, treguesi që shkon nga 18,5 në 24,9 është më i miri. Nëse treguesi në rastin tuaj është nga 25 në 29,9 atëherë jeni mbipeshë. Çdo shifër tjetër mbi 30 tregon për dhjamosje. Sa është treguesi juaj duke u bazuar te tabela? Mos ndoshta keni nevojë të shkoni te mjeku për këshilla ose për t’u siguruar për gjendjen tuaj?

Për të llogaritur treguesin e masës së trupit, peshën tuaj të shprehur në kilogramë pjesëtojeni me gjatësinë të shprehur në metra, pastaj rezultatin pjesëtojeni edhe një herë me gjatësinë në metra. Për shembull nëse peshoni 90 kilogramë dhe jeni 1,8 metra i gjatë, treguesi është 27,7 (90 : 1,8 : 1,8 = 27,7).

[Tabela]

I shëndetshëm Mbipeshë I dhjamosur

Treguesi 18,5-24,9 25-29,9 30 ose më shumë

Gjatësia Pesha në kilogramë

1,47 m 53 ose më pak 54-64 65 ose më shumë

1,50 m 55 ose më pak 56-66 67 ose më shumë

1,52 m 57 ose më pak 58-68 69 ose më shumë

1,55 m 59 ose më pak 60-71 72 ose më shumë

1,57 m 61 ose më pak 62-73 74 ose më shumë

1,60 m 63 ose më pak 64-76 77 ose më shumë

1,63 m 65 ose më pak 66-79 80 ose më shumë

1,65 m 67 ose më pak 68-81 82 ose më shumë

1,68 m 69 ose më pak 70-84 85 ose më shumë

1,70 m 71 ose më pak 72-86 87 ose më shumë

1,73 m 74 ose më pak 75-89 90 ose më shumë

1,75 m 76 ose më pak 77-91 92 ose më shumë

1,78 m 78 ose më pak 79-94 95 ose më shumë

1,80 m 80 ose më pak 81-96 97 ose më shumë

1,83 m 83 ose më pak 84-99 100 ose më shumë

1,85 m 85 ose më pak 86-102 103 ose më shumë

1,88 m 87 ose më pak 88-105 106 ose më shumë

1,90 m 89 ose më pak 90-107 108 ose më shumë

[Burimi]

Përshtatur nga libri Klinika Mejo rreth peshës për një trup të shëndetshëm

[Kutia në faqen 5]

Çfarë është një kalori?

Si përkufizohet një kalori? Është njësi matëse e energjisë që del në formën e nxehtësisë. Pra, kur djersitni, ju digjni kalori ose çlironi nxehtësi. Në shkencën që merret me të ushqyerit «një kalori është sasia e nxehtësisë që duhet për të rritur një gradë Celsius temperaturën e një kilogrami ujë». (Ekuilibro trupin, ekuilibro jetën, anglisht.) Nevojat ditore për kalori ose energji ndryshojnë nga njëri te tjetri, në varësi të faktorëve të tillë, si: gjatësia, pesha, mosha dhe aktiviteti fizik.

[Kutia dhe figura në faqen 6]

Bëni një jetë sedentare nëse

▪ Kaloni pjesën më të madhe të ditës ulur, duke parë televizor ose në tavolinën e punës ose në makinë, pra me fjalë të tjera, nuk lëvizni

▪ Rrallë bëni më shumë se 90 metra më këmbë

▪ Keni një punë që nuk ju jep mundësi të lëvizni

▪ Nuk bëni 20 ose 30 minuta fizkulturë të paktën një herë në javë

[Burimi]

Bazuar në librin Klinika Mejo rreth peshës për një trup të shëndetshëm