Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Hanboku: Veshja kombëtare e koresë

Hanboku: Veshja kombëtare e koresë

Hanboku: Veshja kombëtare e koresë

Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Republikën e Koresë

PËR koreanët, rrobat nuk janë thjesht një mbulesë për trupin. Një shembull i kësaj është veshja tradicionale koreane që quhet hanbok.

E krijuar në një mënyrë unike

Hanboku përbëhet nga dy pjesë, nga një bluzë tip bolero dhe nga një fund i gjatë që kombinohet në një mënyrë të veçantë me boleronë. * Në disa raste, fundi është katër herë më i gjatë se bluza. Si pasojë, edhe një grua e shkurtër duket më e gjatë me këtë veshje.

Hanboku ka një prerje të thjeshtë dhe nuk i nxjerr shumë në pah format e trupit. Mëngët e bluzës hapen si krahë, ndërsa fundi zgjerohet në formë kove duke filluar nga pjesa e kraharorit dhe derdhet hijshëm deri në fund të këmbëve. Për të rënë më tepër në sy pjesa e gjoksit, lidhet një lloj i pazakontë fjongoje, ku dy pjesët fundore të saj varen poshtë pjesës së përparme të bluzës, gati deri te kyçet e këmbëve. Shumë modele hanbokësh kanë edhe figura të bukura gjeometrike dhe motive me lule të qëndisura rreth mëngëve, rreth jakës së bluzës, si edhe tek fundi. E pra, përmasat e hanbokut, format dhe ngjyrat, të gjitha këto të ndërthurura e bëjnë padyshim atë një veshje elegante.

Një veshje praktike

Hanboku është një veshje praktike, dhe kjo ia rrit edhe më shumë vlerën. Duke qenë se hanboku është bërë në përgjithësi me fibra natyrore, ai mund të vishet pa problem në çdo stinë të vitit. Për shembull, hanboku që thuret me fije bimore, siç janë ramia e madhe ose kërpi, është shumë i freskët. Për këtë arsye njerëzit e veshin gjatë verës edhe pse ai mbulon pjesën më të madhe të trupit. Ndërsa llojet e tjera të materialeve e mbajnë më ngrohtë trupin, duke e bërë kështu këtë veshje të përshtatshme edhe për dimrin.

Hanboku është gjithashtu i rehatshëm. Kjo karakteristikë nuk ka fare të bëjë me modën, por është zhvilluar si rezultat i nevojës praktike që ka ekzistuar shekuj më parë kur kuajt përdoreshin gjerësisht në këtë vend. Revista Kultura dhe unë (anglisht) thotë: «Veshja u krijua për t’iu përshtatur klimës së ftohtë, gjuetisë dhe udhëtimeve të shumta që bënin.» Prandaj edhe kalorësit koreanë nuk përdornin ato lloj veshjeje që i pengonin të lëviznin lirshëm. Me të vërtetë, koreanët që kënaqen sot kur veshin hanbokun, duhet t’u jenë mirënjohës paraardhësve të tyre për rehatinë që bën të mundur kjo veshje.

Një tjetër veçori interesante e hanbokut është tradita e lashtë e përdorimit të ngjyrave për qëllime simbolike. Në të kaluarën, klasa sunduese vishte rroba me ngjyra shumë tërheqëse, ndërsa njerëzit e thjeshtë visheshin në përgjithësi me të bardha. Gjithashtu, një grua mund të dallohej që ishte e pamartuar nga kombinimi i ngjyrës së verdhë me të kuqen. Kurse pas martesës, ngjyra e hanbokut të saj pasqyronte pozitën shoqërore të bashkëshortit. Sot, në një ceremoni martese, mamaja e nuses duhet të veshë një rrobë ngjyrë rozë, ndërsa mamaja e dhëndrit vishet zakonisht me ngjyrë blu. Kjo gjë pa dyshim e bën edhe më të lehtë që t’i dallosh nga njëra-tjetra.

Hanboku sot

Pas Luftës Koreane (1950-1953), u ndërmor një fushatë modernizimi. Si rezultat, nga viti 1970 hanboku doli nga moda dhe u zëvendësua me stilin perëndimor të veshjes. Kështu ajo veshje që dikur përdorej çdo ditë u vendos në dollap, dhe përdorej vetëm për dasma, pushime ose për ndonjë rast tjetër të veçantë.

Megjithatë, kohët e fundit, hanboku është bërë përsëri shumë i përdorshëm. Për shembull, në vitin 1996, u bë një përpjekje për të përhapur përsëri këtë lloj veshjeje, duke vendosur që e shtuna e parë e çdo muaji të shpallej «dita e veshjes së hanbokut». Në treg doli një model i ri hanboku i skicuar veçanërisht për të rinjtë. Me sa duket, duhet të ketë diçka shumë emocionuese t’u rikthehesh traditave të dikurshme, pasi hanboku modern ka korrur një sukses të madh. Në një kohë kur shumë nga veshjet në modë tërheqin vëmendjen tek sensualiteti, hanboku është një shembull konkret i veshjes së bukur dhe modeste.​—1 Timoteut 2:9.

[Shënimi]

^ par. 5 Ka modele hanboku si për burra edhe për gra, por ky artikull flet për veshjen e grave.