Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Najrobi​—Një «vend i ujërave të ftohta»

Najrobi​—Një «vend i ujërave të ftohta»

Najrobi​—Një «vend i ujërave të ftohta»

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË KENIA

«Një panoramë e zymtë e një vendi moçalor me lagështi, të rrahur nga erërat, të pabanuar nga asnjë qenie njerëzore dhe vendbanim i mijëra kafshëve të egra të të gjitha llojeve. E vetmja dëshmi e pranisë së rastësishme të njerëzve ishte shtegu i vjetër i karvanëve që kalonte përgjatë rrafshinës së lagësht.»​—ORIGJINA E KOLONISË SË KENIAS.

ME KËTO fjalë përshkruhet si ishte Najrobi një shekull e ca më parë, ku luanët, rinoqerontët, leopardët, gjirafat, gjarpërinjtë helmues dhe mijëra lloje të tjera kafshësh të egra, e kishin bërë atë vendbanimin e tyre. Masait e guximshëm i çonin gjedhët e tyre në ujërat e freskëta të një lumi që ndodhej aty, një vend shumë i dëshiruar nga fiset nomade. Në fakt, masait e quajtën lumin Uaso Najrobi, që do të thotë «Ujë i Ftohtë», kurse vendin e quajtën Enkare Najrobi, që do të thotë «Vend i Ujërave të Ftohta». Kështu iu caktua emri zonës që do të ndryshonte plotësisht historinë e Kenias.

Një ngjarje e rëndësishme në zhvillimin e Najrobit ishte ndërtimi i hekurudhës së Kenias, i njohur më parë si Ekspresi i Çmendur. * Deri në mesin e vitit 1899, ishin shtrirë 530 kilometra binarë nga qyteti bregdetar i Mombasas deri në Najrobi. Në këtë kohë, punëtorët po vuanin pasojat e sulmeve të të famshëmve «njerëzngrënësit e Savos», dy luanë që kishin vrarë shumë prej punëtorëve. Gjithashtu, po përballeshin edhe me terrenin e frikshëm të Luginës së Madhe Tektonike. Duke qenë se linja hekurudhore do të shkonte më në brendësi të vendit, Mombasa, e cila deri atëherë kishte qenë depoja kryesore, nuk shihej më si një vend i përshtatshëm. Në vend të Mombasas, Najrobi, konsiderohej si vendi më i mirë për depot, për materialet e ndërtimit dhe për vendqëndrimin e punëtorëve, me gjithë pamjen jomikpritëse. Kjo gjë më vonë kontribuoi që Najrobi të bëhej kryeqyteti i Kenias.

Në fillim të shekullit të 20-të, Najrobi u zgjodh si qendra administrative e Protektoratit të sapoformuar të Afrikës Lindore, siç njihej Kenia në atë kohë. Një planifikim i mirë që më parë, do ta kishte ndihmuar qytetin që sa vinte e rritej. Përkundrazi, një rrëmujë ndërtimesh të bëra shkel e shko u përhapën përreth stacionit hekurudhor. Strukturat prej druri, prej llamarine dhe prej materialeve të tjera të vendit, e bënin Najrobin të dukej më shumë si një qytet-barakë sesa si një qendër e ardhshme ndërkombëtare. Ndërtesat e pakta në Najrobi në fillim të shekullit të 20-të nuk ishin projektuar me synimin që qyteti të bëhej një qendër ndërkombëtare. Gjithashtu, rreziku nga kafshët e egra që endeshin përreth mbetej gjithmonë i pranishëm.

Edhe sëmundjet shpejt filluan të bënin kërdinë në vendin e ri të populluar. Një shpërthim murtaje ishte sfida e parë për administratorët e rinj. A kishte ndonjë zgjidhje të shpejtë? Për t’i vënë fre përhapjes së mëtejshme, zonat e prekura u bënë shkrumb e hi nga zjarri. Vetëm pas një gjysmë shekulli, Najrobi do të mund të çlirohej gradualisht nga e kaluara e tij e shëmtuar dhe të ecte përpara për t’u bërë qendra tregtare dhe sociale e Afrikës Lindore.

Si u zhvillua qyteti modern

Najrobi ndodhet në një lartësi prej afro 1.680 metrash mbi nivelin e detit. Ky pozicion gjeografik i siguron një panoramë mbreslënëse të vendit përreth. Në Afrikë, në ditët e kthjellëta mund të shquash lehtësisht dy pika referimi. Në veri qëndron mali Kenia, i lartë 5.199 metra, më i larti në Kenia dhe i dyti në Afrikë. Më në jug, në kufi midis Kenias dhe Tanzanisë, është mali Kilimanxharo me lartësi 5.895 metra, më i Iarti në Afrikë. Prania e përhershme e dëborës dhe e akullit në Kilimanxharo, i cili shtrihet afër ekuatorit, ngjalli kureshtjen e gjeografëve dhe eksploruesve evropianë 150 vjet më parë.

Me një histori të qytetit mbi 50-vjeçare, Najrobi i është nënshtruar një transformimi të plotë. Rritja e tij është e dukshme nga siluetat e ndërtesave që i ndryshojnë vazhdimisht pamjen horizontit. Sot, shndritja e ndërtesave të larta dhe madhështore prej xhami dhe çeliku nga rrezet e diellit tropikal, është një shfaqje e bukur për t’u parë. Dikujt që viziton zonën qendrore të biznesit të Najrobit, mund t’i duket e pabesueshme kur mëson se toka ku ai është duke shkelur, jo më larg se njëqind vjet më parë, ishte vendstrehim për kafshët e egra, një zonë e rrezikshme për njerëzit.

Me kalimin e kohës pamja e Najrobit ndryshoi. U mbollën bimë nga flora ekzotike që përfshinin bungavilet e bukura, shkurret kacavjerrëse jacaranda që rrinë gjithmonë të lulëzuara, eukaliptin që rritet shpejt dhe akaciet. Kështu, rrugët tërë pluhur u kthyen gradualisht në bulevarde me pemë anash, të cilat vazhdojnë t’u bëjnë hije kalimtarëve gjatë stinëve të nxehta. Një kopsht botanik afër qendrës së qytetit përmban të paktën 270 lloje drurësh. Ne mund të kuptojmë përse një shkrimtar tha se Najrobi «duket sikur është ndërtuar në mes të një pylli natyral». Bimësia e harlisur ka ndihmuar shumë në rregullimin e temperaturave të Najrobit për t’i bërë ato të pëlqyeshme​—ditët të jenë të ngrohta dhe netët të freskëta.

Një shkrirje kulturash

Duke vepruar si një magnet i madh, Najrobi ka tërhequr një shumëllojshmëri njerëzish. Popullsia e qytetit tani ka arritur më shumë se dy milionë banorë. Përfundimi i hekurudhës ishte një nxitje për njerëzit që të vendoseshin në këtë krahinë. Indianët që ndihmuan për ndërtimin e hekurudhës qëndruan që të merreshin me biznese që u rritën dhe u përhapën përreth vendit. Sipërmarrës të tjerë ndoqën shembullin e tyre duke ardhur nga Australia, Kanadaja dhe nga vende të ndryshme të Afrikës.

Najrobi është një vend ku kulturat e ndryshme shkrihen me njëra-tjetrën. Në rrugë mund të takosh një zonjë indiane me veshjen e saj të derdhur karakteristike, që po shkon në supermarket; një inxhinier pakistanez duke nxituar për në kantier; një stjuardesë nga Holanda veshur hijshëm me uniformën e saj që hyn në një nga hotelet ose një biznesmen japonez që nxiton në ndonjë mbledhje të rëndësishme biznesi, me siguri në tregun e bursës së Najrobit që ka marrë hov të madh. Nga ana tjetër, banorët vendës mund t’i gjesh duke pritur në stacionet e autobusëve, nëpër pazare dhe dyqane duke bërë tregti, por edhe duke punuar nëpër zyra ose në shumë fabrika që gjenden në Najrobi.

Është kontradiktor fakti që vetëm pak banorë kenianë që jetojnë në qytet, konsiderohen si «najrobianë» të vërtetë. Shumë prej tyre kanë ardhur prej pjesëve të tjera të vendit, në kërkim të kushteve më të mira të jetesës. Në përgjithësi të gjithë banorët e Najrobit janë miqësorë dhe mikpritës. Ndoshta është pikërisht kjo mikpritje e veçantë që e ka bërë qytetin seli të disa organizatave dhe shoqërive botërore e rajonale. Në Najrobi gjendet edhe selia e Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin.

Çfarë i tërheq vizitorët?

Kenia është një vend me një koleksion të gjerë dhe të larmishëm të florës dhe të faunës. Parqet e shumta kombëtare dhe rezervatet e gjuetisë vazhdojnë të tërheqin mijëra vizitorë çdo vit. Najrobi është qendra ku organizohen shumë udhëtime turistike. Por edhe Najrobi është një vend turistik. Shumë pak qytete në botë kanë kafshë që enden afër shtëpive të tyre. Parku Kombëtar i Najrobit, i vendosur më pak se dhjetë kilometra larg qendrës së qytetit, është një vend që u ofron shumë mundësi të shkëlqyera vizitorëve. * Këtu ndeshesh drejtpërdrejt me kafshët, «banorët» e mëparshëm të Najrobit. Vetëm disa tela i ndajnë kafshët nga njerëzit. Dhe jo më larg se shtatori i vitit 2002, një leopard i rritur u kap në dhomën e ndenjes së një shtëpie, sepse kishte dalë nga një pyll aty afër, duke u endur kuturu!

Nga qendra e qytetit duhen vetëm pak minuta më këmbë për të arritur në Muzeun e Najrobit. Qindra vizitorë vijnë këtu çdo ditë për të mësuar rreth historisë interesante të Kenias. Një park me gjarpërinj brenda muzeut përmban shumë lloje zvarranikësh. Krokodili sikur nuk shqetësohet nga vështrimet e vizitorëve. Kurse një breshkë aty afër, gati e palëvizshme, duket sikur nuk do t’ia dijë fare për rrëmujën përreth saj. Pa dyshim, banorët kryesorë këtu janë gjarpërinjtë​—kobrat, pitonët dhe nepërkat. Me krijesa të këtilla vërdallë, s’ka se si të mos e marrësh seriozisht paralajmërimin: «Kujdes nga gjarpërinjtë helmues!»

Ujë nga një burim i ndryshëm

Ndërkohë që lumi Najrobi vazhdon të rrjedhë, ujërat e tij janë të ndotura nga derdhjet industriale dhe ato shtëpiake, si në shumë qytete që janë në zhvillim. Mirëpo, me kalimin e viteve, banorëve të Najrobit u është dhënë «ujë» që ka ardhur nga një burim më i lartë. Ky është mesazhi i Biblës për jetën, i çuar nga Dëshmitarët e Jehovait.​—Gjoni 4:14.

Në vitin 1931, shumë kohë përpara se Najrobi të bëhej kaq i rëndësishëm sa ç’është sot, dy vëllezër nga Afrika e Jugut, Grei dhe Frenk Smithi, vizituan Kenian me qëllim që të shpërndanin të vërtetat biblike. Nga Mombasa ata ndoqën të njëjtin drejtim të hekurudhës, duke përballuar shumë rreziqe​—disa herë madje duke fjetur shumë afër kafshëve të egra. Në Najrobi arritën të shpërndanin 600 broshura përveç botimeve të tjera biblike. Sot në Najrobin metropolitan ka rreth 5.000 Dëshmitarë që mblidhen në 61 kongregacione. Banorët e Najrobit tashmë i njohin mirë aktivitetet e Dëshmitarëve të Jehovait falë mbledhjeve të kongregacionit, asambleve, kongreseve krahinore dhe ndërkombëtare. Shumë kanë pranuar me kënaqësi mesazhin e tyre të shpresës të bazuar në Bibël.

Një e ardhme më e mirë

«Qytetet e industrializuara vuajnë shpesh nga mungesa e strehimit të mjaftueshëm . . . Fabrikat ndotin ajrin dhe burimet e ujërave»,​—thotë një enciklopedi (Encyclopædia Britannica). As Najrobi nuk bën përjashtim. Madje, përderisa njerëzit vazhdojnë të migrojnë çdo ditë prej zonave rurale, këto probleme edhe mund të shtohen. Duke qenë vazhdimisht i rrahur me këto probleme, shkëlqimi i bukurisë së Najrobit mund të venitet lehtë.

Lumturisht po afrohet koha kur, nën sundimin e Mbretërisë së Perëndisë, të gjithë njerëzit do ta gëzojnë plotësisht jetën, pa gjithë ato telashe që janë tipike për jetesën në qytet.​—2 Pjetrit 3:13.

[Shënimet]

^ par. 5 Për një përshkrim më të plotë të ndërtimit të linjës hekurudhore, shih artikullin «‘Ekspresi i çmendur’ i Afrikës Lindore», në Zgjohuni!, tetor 1998, faqet 21-24.

[Harta në faqen 16]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Najrobi

[Figura në faqen 18]

Mali Kilimanxharo

[Figura në faqen 18]

Mali Kenia

[Burimi]

Duncan Willetts, Camerapix

[Figura në faqen 18]

Shesh pazari

[Figura në faqen 19]

Frenk dhe Grei Smithi në vitin 1931

[Burimi i figurës në faqen 17]

© Crispin Hughes/Panos Pictures