Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
Parashikojnë lumturinë në martesë
Një ekip studiuesish në Siatëll, Uashington (SHBA), filmoi qindra çifte që diskutonin për çështje delikate, si paratë dhe marrëdhëniet seksuale. Pastaj, siç raporton Science News, përcaktuan disa formula për të parashikuar lumturinë në martesë, duke mbajtur parasysh «pikëpamjen e përgjithshme të partnerëve për jetën, aftësinë për t’u bindur dhe masën në të cilën ndikoheshin nga komplimentet ose nga sarkazma e [partnerit] tjetër». Katër vjet më vonë, parashikimet e tyre dolën të vërteta për 94 për qind të çifteve që u intervistuan. Cilët faktorë ndikojnë në lumturinë martesore? Në artikull thuhet: «Gjatë intervistave të regjistruara u pa se në martesat e suksesshme, veprimet pozitive, si shakatë dhe të qeshurat ua kalonin veprimeve negative në raportin 5 me 1. Faktori më kryesor në parashikimin e divorcit ishte një shprehje përbuzëse e fytyrës së njërit partner ndërsa tjetri fliste.» Një nga studiuesit tha: «Përbuzja është acidi që gërryen dashurinë.» Ekipi po i përdor këto zbulime për të shpëtuar martesat me probleme, dhe rreth dy të tretat e këtyre u përmirësuan pas disa ditë këshillimesh.
Zogj të zgjuar
Nga kërkimet e fundit, siç raporton The Sunday Times e Londrës, «zogjtë kanë dalë konkurrentë të shimpanzeve dhe delfinëve për titullin ‘kafshët më inteligjente’». Një ekip në Universitetin e Kembrixhit bëri këtë eksperiment: hapi një vrimë në njërën faqe të një tubi të tejdukshëm, e fiksoi tubin horizontalisht me vrimën nga poshtë, mbi një tub tjetër vertikal dhe vendosi ushqim brenda tubit horizontal, pranë vrimës. Majmunët e përdorur në eksperiment u përpoqën ta shtynin ushqimin për ta nxjerrë nga ana tjetër, por e rrëzuan te vrima. Kurse harabelat përdorën një shkop për ta tërhequr ushqimin dhe e nxorën atë pa e rrëzuar. Më parë, kërkuesit nga Universiteti i Oksfordit kishin vëzhguar Betin, një korb të Kaledonisë së Re, që bënte grremça me telat që përdoreshin në gardhet e kopshteve dhe e përshtaste formën e grremçit për çfarë i duhej. Këtë gjë s’e kanë vërejtur kurrë te majmunët. Times komenton se zbulime të tilla «kundërshtojnë njohurinë e pranuar prej vitesh» se vetëm primatët ishin të aftë të bënin vegla.
Televizori dhe zhvillimi mendor i fëmijëve
Sipas gazetës Mainichi Daily News, disa mjekë nga Shoqata Pediatrike e Japonisë thonë se fëmijët që shohin televizor për shumë kohë do të kenë më shumë vështirësi në komunikim. Ndër problemet janë: dëmtimi i aftësisë për të kujtuar fjalë, për t’i parë në sy prindërit gjatë bisedave dhe për të krijuar lidhje me të tjerët. Hiromi Utsumi, anëtar i shoqatës, tha: «Kur fëmijët kalojnë më pak kohë duke luajtur me prindërit dhe duke luajtur jashtë, ka shumë mundësi t’u pengohet zhvillimi normal mendor.» Shoqata rekomandon që «prindërit ta fikin televizorin kur ulen për të ngrënë si familje e kur po ushqehet foshnja me gji, dhe që televizori, videoja dhe kompjuteri të mos lihen në dhomën e fëmijëve». Gjithashtu, në gazetë shtohej se komunikimi përmirësohej «kur prindërit ndiqnin këshillat e mjekëve për t’ua ndaluar fëmijëve televizorin dhe videon».
Bibliotekë «e nëndheshme»
Me synimin që të shtojë interesin për leximin, qyteti i Meksikos ka organizuar në sistemin e tij të metrove një si bibliotekë të nëndheshme. Brenda këtyre stacioneve, pasagjerët mund të marrin një libër që përmban pjesë të literaturës meksikane, ta lexojnë gjatë udhëtimit dhe ta dorëzojnë prapë në stacionin ku do të zbresin. Aron Lopez Bravo, drejtori i këtij organizimi tha: «Reagimi ka qenë shumë i mirë. Kjo metodë u jep mundësi njerëzve ta përdorin kohën, që e kalonin kot, për të mësuar diçka e për t’u kënaqur.» Muajin e parë, në kioskat e ngritura për këtë qëllim u shpërndanë më shumë se 130.000 libra, sipas botimit ndërkombëtar të gazetës The Miami Herald. Programi filloi në 21 stacionet e një linje të vetme, por organizuesit e tij shpresojnë ta shpërndajnë në gjithë rrjetin e metrove, ku çdo ditë udhëtojnë rreth pesë milionë pasagjerë.
Lindja e fëmijëve në Britani
Gazeta The Independent e Londrës thotë: «Në Britani, për të lindur fëmijët nuk përdoret më si mënyrë kryesore lindja normale, dhe kjo shënon një arritje të re në historinë e mjekësisë.» Sipas shifrave të botuara nga Ministria Britanike e Shëndetësisë për periudhën 2001-2002, vetëm 45 për qind e nënave i lindën fëmijët pa ndërhyrje mjekësore. Lindjet me operacionin cezarian u shtuan nga 9 për qind që ishin në vitin 1980 në 22,3 për qind në periudhën 2001-2002. Në një maternitet, kjo shifër arriti 56 për qind. Pitër Bouen Simpkinsi, nga Kolegji Mbretëror i Obstetërve në Britani thotë: «Po shtohen gjithnjë e më shumë kërkesat e grave për të bërë operacion cezarian. Gratë që punojnë në ndonjë profesion . . . duan të planifikojnë një datë të caktuar për lindjen e fëmijës së tyre. . . . Operacioni cezarian shihet si më i sigurt. Por në të vërtetë, rreziku është pa dyshim më i lartë me operacionin cezarian.» Gjithashtu, studiuesit paralajmërojnë se nënat që e lindin fëmijën e parë me operacion cezarian e kanë më të vështirë të ngjizen prapë dhe kanë më pak të ngjarë ta lindin në mënyrë normale fëmijën e dytë.
Dietat te adoleshentët dhe shtimi në peshë
Revista U.S.News & World Report thotë: «Adoleshentët që mbajnë dietë për të rënë në peshë, në të vërtetë mund të përfundojnë duke shtuar peshë, dhe kjo i çon drejt dhjamosjes.» Një studim trevjeçar me afro 15.000 fëmijë të moshave 9 deri në 14 vjeç, tregoi se «qoftë djemtë, qoftë vajzat që mbanin dietë shtonin peshë më shumë se ata që s’mbanin dietë, e po ashtu rritej edhe treguesi i masës së tyre trupore, që është matës i dhjamosjes». Kërkuesit thonë se «dieta mund të çojë në të ngrënët pa kontroll». Vajzat që mbanin shpesh dietë, «ishin 12 herë më të prirura se ato që s’mbanin dietë ta pranonin se hanin pa kontroll».
Mungesë priftërinjsh
Sipas gazetës spanjolle ABC, «më shumë se gjysma e seminareve spanjolle rrezikojnë të mbyllen», sepse s’ka kandidatë që të regjistrohen për t’u bërë priftërinj katolikë. Vitin e kaluar, «14 seminare nuk patën kandidatë të rinj, kurse 18 seminare të tjera kishin vetëm një kandidat të ri». Pse kjo mungesë? Andres-Garsia de la Kuerda, rektor i një seminari në Madrid, përmendi «shkëputjen e fortë dhe të vazhdueshme fetare» të Evropës, e cila përfshin «humbjen e besimit dhe të krishterimit». Garsia de la Kuerda tha edhe se «shoqëria nuk e sheh me sy të mirë kishën [katolike] dhe atë që përfaqëson ajo».