Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përballojnë traumën e një sulmi terrorist

Përballojnë traumën e një sulmi terrorist

Përballojnë traumën e një sulmi terrorist

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË SPANJË

MË DATË 11 mars 2004, qyteti i Madridit në Spanjë, u trondit nga zhurma e shpërthimit të dhjetë bombave në tre stacione të ndryshme hekurudhore. Sulmi i njëkohshëm në katër trena në periferi të qytetit shkaktoi vdekjen e 190 njerëzve dhe plagosjen e 1.800 të tjerëve.

Dëmi ishte jashtëzakonisht i madh, duke qenë se bombat shpërthyen gjatë orëve të para të mëngjesit kur trafiku është shumë i dendur dhe të gjithë trenat ishin të tejmbushur. Aroa, një dëshmitare okulare, thotë: «Pashë një vagon të tërë të fluturonte një metër në ajër, kaq e madhe ishte forca e shpërthimit. Kur zbrita nga vagoni im, e gjithë zona dukej si fushë beteje. Është e tmerrshme të shohësh me sytë e tu një masakër të tillë.» E njëjta ngjarje e frikshme ndodhi në katër trena të ndryshëm dhe në dhjetë vagonë të tjerë. Terroristët kishin lënë çanta shpine të mbushura me eksploziv nëpër trenat dhe i shpërthyen në distancë me telefona celularë.

Disa pasagjerëve u shkoi mirë, pasi nuk ishin në gjendje ta sillnin ndër mend ngjarjen e tmerrshme nga e cila mbijetuan. Kurse qindra të tjerëve, ashtu si edhe Aroës, u duhet të përballen me pasojat fizike dhe emocionale. Aroa thotë: «Buçima e shpërthimit më dëmtoi rëndë dëgjimin, por skenat e tmerrshme që më rishfaqen në mendje më dëmtojnë më tepër.

Lumturisht, si një Dëshmitare e Jehovait, mora një mbështetje të madhe emocionale. Telefonatat dhe mesazhet e vëllezërve dhe motrave nga e gjithë bota më kujtonin se ne jemi një vëllazëri e vërtetë mbarëbotërore. Për më tepër Bibla na ndihmon të kuptojmë përse ndodhin këto ngjarje mizore. U shpjegova disa prej kolegëve të mi se Shkrimet e Shenjta e parathonë që gjatë ‘ditëve të fundit’ njerëzit do të bëhen të egër dhe nuk do të kenë përzemërsi natyrore. Gjithashtu shërbimi në kohë të plotë ma lehtësoi jashtë mase dhembjen.»​—2 Timoteut 3:1-3.

Pedroja ishte njëri prej pasagjerëve të shumtë që pësoi dëmtime serioze. Ai ishte ulur më pak se katër metra larg bombës që shpërtheu në vagonin e tij. Shpërthimi e përplasi në dysheme duke i shkaktuar plagë në kokë dhe probleme të rënda me frymëmarrjen. Filloi të përmirësohej vetëm pasi kishte kaluar pesë ditë në reanimacion. Numri i madh i Dëshmitarëve që e vizituan e inkurajuan shumë, dhe kjo gjë habiti edhe infermierët. Një nga infermieret tha: «Në 26 vjet punë nuk kam parë asnjëherë ndonjë pacient që t’i bëjnë kaq shumë vizita dhe dhurata!» Por edhe Pedroja nga ana tjetër foli me shumë entuziazëm për punonjësit e spitalit. «Ishin të mrekullueshëm. Më ndihmuan jashtë mase që ta merrja veten»,​—tha ai.

Shumë nga viktimat ishin emigrantë që sapo kishin ardhur në Spanjë. Manueli nga Kuba, pasi ishte plagosur nga shpërthimi i parë në stacionin e Atokës, u përplas pa ndjenja nga shpërthimi i dytë. Ai shpjegon: «Nga paniku, njerëzit më shkelën ngaqë isha i shtrirë në platformën e stacionit. Kur erdha në vete, kisha thyer dy brinjë dhe kisha vrarë njërën këmbë, dhe përveç këtyre humba dhe dëgjimin nga njëri vesh.

Nëpunësit e ndërhyrjes së shpejtë​—policia, ambulancat dhe zjarrfikësit​—erdhën në vendngjarje menjëherë dhe na dhanë ndihmën më të mirë të mundshme,​—shtoi Manueli.​—Ata e dinin me saktësi se çfarë duhej të bënin, kështu që ndihma e efektshme dhe profesionalizmi i tyre ndihmuan në uljen e panikut. Përveçse u siguruan që të merrja ndihmën e nevojshme mjekësore, ata më trajtuan me mirëdashje dhe dhembshuri.»

Stresi pas-traumatik

Manueli, ashtu si Aroa, ka plagë të rënda emocionale. Ai rrëfen: «Kohët e fundit, kur hipa në tren më zuri paniku. M’u desh të zbritja menjëherë. Gjithashtu dyshoj sa herë që shoh dikë në transportin publik që mban një çantë shpine ose diçka të ngjashme. Por kam marrë më shumë ndihmë sesa të tjerët, edhe pse asnjë nga familjarët e mi nuk banon në Spanjë. Qindra Dëshmitarë më telefonuan, dhe një familje Dëshmitarësh më ftoi të qëndroja në shtëpinë e tyre për disa ditë që të mos ndihesha vetëm. Kjo mbështetje e paçmuar nga vëllazëria jonë mbarëbotërore më ndihmoi të qetësohesha.»

Serxhoja, një pasagjer i cili nuk u dëmtua fizikisht, çdo ditë përjeton skenat që pa përqark tij. Një bombë shpërtheu në vagonin para tij, dhe një tjetër në vagonin menjëherë pas tij. Ashtu si Manueli, ai është shumë mirënjohës për mbështetjen e dashur të familjes së tij dhe të Dëshmitarëve. «Ata jo vetëm që më shfaqën dashuri, por më kujtuan se i përkas një vëllazërie të bashkuar që kujdeset për çdo pjesëtar të sajën. E mora këtë mbështetje çdo ditë dhe telefonatat e shumta bënë të mundur që të shprehja ndjenjat e mia, diçka që shpesh e kam të vështirë ta bëj.»

Disa pasagjerë që ishin në trena përjetojnë lloje të ndryshme ankthi. Diegos i rastisi të ishte ulur ngjitur me njërën prej katër bombave që nuk shpërthyen, dhe arriti të dilte nga treni pa u dëmtuar. Ai tregon: «Tani ndihem fajtor që nuk ndihmova ata që ishin të plagosur. E kisha humbur toruan nga paniku dhe më mori me vete turma prej qindra njerëzish që shtyheshin sa më shumë që të ishte e mundur për të dalë nga stacioni.»

Ramoni, një i ri nga Brazili, u trondit kaq shumë si pasojë e shpërthimit në trenin ku ndodhej ai, saqë nuk lëvizte dot. Megjithatë dy ditë pas sulmit, vendosi t’u predikonte të tjerëve mesazhin e Mbretërisë. Ai takoi një portugez i cili i tha Ramonit se ishte duke kërkuar fenë e vërtetë. Ramoni mundi të fillonte një studim biblik me këtë burrë, i cili menjëherë filloi të ndiqte mbledhjet e krishtere. «Kur i ndihmon të tjerët frymësisht, ndihesh mirë edhe vetë»,​—thotë Ramoni.

Të gjitha viktimat pa dyshim që kanë nevojë për kohë që të lënë pas dhembjet fizike dhe emocionale që u është dashur të kalojnë. Është për të ardhur keq, por jetojmë në një kohë kur dhuna e paarsyeshme mund të shpërthejë ngado. Edhe pse vlerat që mëson Bibla mund t’i ndihmojnë viktimat të përballojnë traumën, vetëm Mbretëria e Perëndisë do të zhdukë një herë e mirë këto tragjedi.​—Zbulesa 21:3, 4.

[Kutia dhe figurat në faqen 15]

NDIHMË NGA BIBLA PËR TË PËRBALLUAR TRAUMËN

Manuel Suarez

«Ndërkohë që isha ende në gjendje shoku, duke pritur për të shkuar në spital, kujtoja Fjalët e urta 18:10: ‘Emri i Zotit [Jehovait, BR] është një kullë e fortë. Në të vrapon i drejti dhe gjen mbrojtje.’ Këto fjalë më dhanë fuqi.»

Aroa San-Huan

«Kur gjendesh në një situatë të tillë, ti kupton më shumë se kurrë se këto janë ditët e fundit dhe se duhet t’u kushtojmë më shumë vëmendje gjërave që kanë lidhje me Biblën. Me ndihmën e shërbimit në kohë të plotë, pak nga pak jam duke e marrë veten nga tronditja.»

Fermin Hesus-Mozas

«Ndonëse isha i plagosur në kokë, kisha forca të ndihmoja dhe të qetësoja disa nga pasagjerët e plagosur. Mendoj se arrita të mbaja qetësinë falë shpresës së ringjalljes që Perëndia na ka dhënë, një shpresë që na forcon në momente të tilla.»

Pedro Karraskija

«Kur ndodhesha në reanimacion me dhembje të forta në kraharor, herë pas here më vinin ndër mend fjalët e 1 Timoteut 6:19. Këto fjalë na inkurajojnë që të mbledhim si thesar një themel të shkëlqyer për të ardhmen, që të rrokim jetën e vërtetë. Ky varg më kujtonte shpresën tonë parajsore, të cilën Perëndia ua ka premtuar atyre që e duan atë. Ky është synimi për të cilin po punojmë dhe duam ta arrijmë.»

[Figura në faqen 13]

Lart: Punëtorët e ndihmës së shpejtë kujdesen për të plagosurit dhe të vdekurit në shinat jashtë stacionit të Atokës

[Burimi]

Lart: CORDON PRESS

[Figura në faqen 13]

Djathtas: Objekt përkujtimor për momentin