Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përpjekjet kundër dhjamosjes: A ia vlejnë?

Përpjekjet kundër dhjamosjes: A ia vlejnë?

Përpjekjet kundër dhjamosjes: A ia vlejnë?

ZGJOHUNI! intervistoi disa njerëz që kanë luftuar me problemin e dhjamosjes. A kanë arritur ndonjë rezultat? Çfarë sugjerojnë ata për njerëzit e prekur nga kjo epidemi?

Le të shohim çfarë thotë Majku, 46 vjeç, i cili është 1,83 metra i gjatë dhe tani peshon 130 kilogramë. Pesha më e madhe që arriti ishte 157 kilogramë.

Majku: «Edhe kur isha i ri isha mbipeshë. E kemi si familje, si vëllai, ashtu edhe motrat janë të gjithë mbipeshë. E kishim si zakon që kurrë nuk linim gjë në pjatë, edhe nëse ishte e mbushur gjer në buzë. Çfarë më shtyu ta ndryshoja mënyrën e të ngrënit? Kjo ndodhi kur mjeku më tha se rrezikoja të bëhesha me diabet. Më frikësonte vërtet ideja që mund të merrja insulinë gjithë jetën. Veç kësaj kisha probleme serioze me kolesterolin dhe m’u desh të filloja ilaçet.

Puna që bëja më mbante ulur dhe gjërat janë njëlloj edhe sot. Prandaj për ta kompensuar, kam një program të rregullt për fizkulturë. Ai përfshin gjysmë ore lëvizje në pajisjen sportive të pistës së vrapit, të paktën tri herë në javë. Hapi tjetër i rëndësishëm ishte të shkruaja se çfarë haja çdo ditë. Meqë e dija se dietologia do të ma kontrollonte listën çdo javë, kjo më nxiste që ta frenoja veten në të ngrënë. Më erdhi një mendim: ‘Që të mos e shkruaj diçka, mjafton të mos e ha!’

Si përfundim, gjatë 15 muajve të kaluar rashë 28 kilogramë, ndonëse kam ende nevojë të bie, sepse dua të arrij peshën 102 kilogramë. Për këtë kam eliminuar ushqimet ndërmjet vakteve, patatinat dhe ushqimet e yndyrshme të gatuara në tavë. Muajt e fundit kam ngrënë kaq shumë sallatë dhe zarzavate, sa nuk kam ngrënë gjithë jetën time!

Një arsye tjetër që më shtyu të bëja diçka për të rënë në peshë ishte puna si shofer kamioni. Çdo vit, për të rinovuar patentën duhej të bëja një kontroll mjekësor. Kishte rrezik të ma hiqnin patentën, pasi rrezikoja të sëmuresha me diabet. Por sot gjërat kanë ndryshuar. Nuk kam më nevojë për ilaçe që ta mbaj kolesterolin në nivelin e duhur. Nuk e kam më të lartë tensionin dhe pi më pak ilaçe për të. Kam më shumë fuqi, e madje janë lehtësuar edhe problemet e rënda me kurrizin. Gjithashtu dalëngadalë po dal nga kategoria e të dhjamosurve.»

Zgjohuni!: «A mund ta ndihmojë gruaja burrin për të rënë në peshë?»

Majku: «Kur lufton me mbipeshën ke nevojë për dikë që të të japë zemër. Më parë gruas sime i dukej se më tregonte dashuri duke më ushqyer mirë. Por tani ajo më ndihmon të kem kujdes me racionin që kam në pjatë. Nuk mund ta ul vigjilencën, përndryshe shtoj menjëherë në peshë pa e kuptuar fare.»

Le të marrim rastin e një burri tjetër që quhet Majk dhe është nga Kanzasi i SHBA-së. Është 43 vjeç dhe 1,73 metra i gjatë. E pyetëm se sa ishte pesha më e madhe që kishte arritur dhe cilat ishin shkaqet e problemit me peshën.

Majku: «Pesha më e madhe ka qenë 135 kilogramë. Isha gjithnjë i lodhur dhe nuk kisha fuqi për asgjë. Nuk flija dot, ngaqë mezi merrja frymë. Prandaj shkova te mjeku dhe ai më tha se një nga shkaqet e mbipeshës ishte apnea e gjumit. * Gjithashtu vuri re se kisha edhe tension të lartë.»

Zgjohuni!: «Cila ishte zgjidhja për shqetësimet tuaja?»

Majku: «Mjeku më rekomandoi një aparat që fut vazhdimisht ajër në vrimat e hundës dhe në gojë, të cilin e përdor kur fle. Në këtë mënyrë nuk më bllokohet fyti dhe marr frymë normalisht. Si përfundim, gjatë ditës isha më energjik dhe fillova të bie në peshë. Gjithashtu tri herë në javë fillova të përdorja pistën e vrapit. Fillova dietën, pra kisha kujdes për sasinë e ushqimit që haja dhe nuk e mbushja pjatën për herë të dytë. Vetëm në një vit kam rënë 20 kilogramë dhe kam nevojë të bie edhe 20 të tjera. Është një proces i ngadaltë, por e di se mund t’ia dal.»

Zgjohuni!: «A ju ka nxitur ndonjë gjë tjetër për të rënë në peshë?»

Majku: «Nuk të vjen mirë kur dëgjon sarkazma dhe fjalë të pasjellshme për paraqitjen tënde. Njerëzit mendojnë se je dembel. Nuk e kuptojnë që dhjamosja mund të ketë shumë shkaqe. Them se në rastin tim mund të ketë ndikuar deri diku edhe trashëgimia, sepse shumica në familjen time kanë probleme me peshën.

Megjithatë e kam të qartë se për të rënë në peshë duhet të jem në lëvizje dhe të mos bëj asnjë lëshim me ushqimin.»

Zgjohuni! intervistoi edhe Uejnin 38-vjeçar nga Oregoni. Kur ishte 31 vjeç, peshonte 112 kilogramë.

Uejni: «Kisha një punë që më detyronte të rrija ulur dhe nuk bëja fizkulturë. U vizitova dhe u trondita kur mora vesh se vuaja nga tensioni i lartë dhe rrezikoja të kisha probleme me zemrën. Mjeku më çoi te një dietologe. Ajo më filloi një regjim të rreptë ku përfshiheshin ushtrimet dhe më tregoi se sa duhej të haja në çdo vakt. Çdo ditë fillova të bëja 5 kilometra pa ndaluar dhe zgjohesha herët për të bërë fizkulturë. M’u desh ta mësoja veten me zakone të reja në të ngrënë dhe në të pirë. Hoqa ushqimet kalorike, por pa vlera ushqyese, pakësova bukën dhe pijet me gaz dhe i zëvendësova me më shumë fruta dhe zarzavate. Tani peshoj 80 kilogramë.»

Zgjohuni!: «Çfarë dobish keni pasur?»

Uejni: «Ndihem më mirë me shëndet dhe më duket se po jetoj përsëri. Më parë ishte sikur nuk jetoja, isha si në plogështi. Një dobi tjetër është se nuk marr më ilaçe për tensionin e lartë. Dhe ndiej se mund t’i shoh pa frikë njerëzit në sy, se e di që nuk do të më hedhin larg e larg ndonjë fjalë për mbipeshën.»

Çarlsi (nuk është emri i vërtetë) është 1,96 metra i gjatë. Pesha më e madhe që arriti ishte 168 kilogramë.

Çarlsi: «Kisha probleme të mëdha me shëndetin dhe gjendja po keqësohej. Nuk i ngjitja dot shkallët dhe nuk kisha fuqi për të punuar. Puna që bëj më mban ulur. Merrem me kërkime dhe kam një punë me përgjegjësi. E dija që duhej të bëja diçka për peshën, sidomos pasi u vizitova te mjeku. Ai më paralajmëroi se, siç e kisha nisur, do të pësoja ndonjë hemorragji cerebrale. E kam parasysh se çfarë i ndodh njeriut kur i bie kjo sëmundje. Kjo më bindi se duhej të merrja masa. Mjeku më dha një program ushtrimesh nën mbikëqyrjen e tij, duke përdorur pistën e vrapit, si edhe një dietë të rreptë. Sot, pasi ka kaluar pothuajse një vit, peshoj 136 kilogramë, por e di se duhet të bie edhe më shumë. Dobitë që kam parë më bindin se ia vlen i gjithë mundi dhe sakrificat. Tani jam në gjendje t’i ngjit shkallët dhe kam më shumë energji.»

Marta, e cila është nga Salvadori, arriti deri në peshën 83 kilogramë. Për gjatësinë e saj 1,65 metra, kjo peshë do të thoshte se ajo hynte në kategorinë e njerëzve të dhjamosur.

Marta: «Shkova te mjeku dhe ai më tha se duhej të bija patjetër në peshë. E vlerësova mendimin e tij prej specialisti. Mjeku më çoi te një dietologe. Ajo ma shpjegoi me hollësi regjimin që do të bëja. Më tregoi si ta pakësoja ushqimin dhe si të kisha kujdes me ushqimet që haja. Në fillim duhej t’i tregoja çdo javë; pastaj çdo muaj se si po ecja me këtë regjim. Si mjeku, ashtu edhe dietologia më përgëzonin për përparimet që bëja. Si përfundim rashë 12 kilogramë dhe po arrij ta mbaj peshën time prej 68 kilogramësh.»

Zgjohuni!: «Ç’mund të thoni për fizkulturën dhe ilaçet?»

Marta: «Nuk kisha probleme me kolesterolin dhe nuk kisha nevojë për ilaçe. Gjatë ditës fillova të bëja më shumë ecje të shpejtë.»

Zgjohuni!: «Çfarë bënit kur u shkonit për vizitë miqve dhe ata ju nxitnin që të hanit më shumë se zakonisht?»

Marta: «Thjesht u thosha: ‘Mjeku do që unë ta mbaj këtë dietë për të mirën e shëndetit tim’,​—dhe zakonisht ata nuk këmbëngulnin.»

Pra, ç’mund të bëni nëse jeni mbipeshë ose i dhjamosur? Edhe në këtë rast është me vend shprehja e vjetër: «Aty ku ka vullnet, ka edhe rrugëzgjidhje.» A keni motivin dhe vullnetin që të bëni diçka për problemin e peshës? Në qoftë se jeni i rritur ose fëmijë dhe vuani nga dhjamosja, cilat janë mundësitë që keni përpara? Ose të humbni disa kilogramë, ose ka të ngjarë të humbni vite nga jeta juaj. Ndiqni një mënyrë jetese me aktivitet fizik dhe kënaquni me arritjet, qoftë edhe me ato të voglat, si për shembull kur ju nxënë rrobat me masa më të vogla.

[Shënimi]

^ par. 11 Për më shumë informacion për apnenë e gjumit shih Zgjohuni! të 8 shkurtit 2004, faqe 10-12.

[Kutia në faqen 11]

A është për ju metoda e thithjes së dhjamrave?

Çfarë është metoda e thithjes së dhjamrave? Një fjalor e përkufizon kështu: «Zakonisht është një procedurë e kirurgjisë estetike, ku nëpërmjet thithjes, dhjami i tepërt hiqet nga një pjesë e trupit, siç mund të jenë kofshët ose barku. Quhet edhe lipektomi me thithje.» (American Heritage Dictionary) Sidoqoftë, a do të thotë kjo se metoda e thithjes së dhjamrave është kura për dhjamosjen?

Libri Klinika Mejo rreth peshës për një trup të shëndetshëm thotë se metoda e thithjes së dhjamrave është kirurgji estetike. Nuk është një regjim për të rënë në peshë. Me anë të një tubi të hollë që futet nën lëkurë, qelizat e dhjamit thithen dhe nxirren nga trupi. Gjatë një seance mund të hiqen disa kilogramë dhjamë. Gjithsesi, «kirurgjia nuk është një trajtim për dhjamosjen». A është ajo një procedurë pa rrezik? Libri i mësipërm thotë: «Njerëzit që vuajnë nga disa sëmundje që lidhen me peshën, siç mund të jetë diabeti ose sëmundjet e zemrës, rrezikojnë më shumë të kenë komplikacione nëse i nënshtrohen metodës së thithjes së dhjamrave.»