Qepa: Gjithnjë e pëlqyer!
Qepa: Gjithnjë e pëlqyer!
Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Meksikë
A do të ishte e kompletuar një kuzhinë po të mos kishte qepë? Kjo bimë e thjeshtë me shumë përdorime mund të hyjë në punë pothuajse kudo, duke filluar që nga supat, sallatat, pjatat kryesore e deri te mjekimet popullore. Madje nganjëherë na bën edhe për të qarë.
Qepa e thjeshtë hyn në familjen e disa bimëve të bukura me lule, siç janë: qepa e artë, hudhra e bardhë dhe hudhra zbukuruese. Por edhe vetë bën lule shumë të bukura. Gjithsesi, në kuzhinat anembanë botës do të gjeni bulbin e saj, domethënë pjesën e trashur të kërcellit që ndodhet nëntokë dhe që ka fletë të tulta.
Kjo bimë është nga më të lashtat që ka kultivuar njeriu. Mund ta kuptojmë sa e përhapur ka qenë edhe nga Bibla, pasi aty tregohet se rreth vitit 1513 p.e.s., izraelitët kujtonin me mall qepët që kishin ngrënë kur ishin skllevër në Egjipt.—Numrat 11:5.
Por, çfarë e bën qepën të pëlqyeshme nga njerëz që kanë shije kaq të ndryshme? Me siguri janë përbërësit sulfurikë që i japin aromën dhe shijen e veçantë djegëse. Gjithashtu, acidi sulfonik i saj formon substancën që shkakton dukurinë kaq të njohur të lotëve.
Jo vetëm një ushqim i shijshëm
Qepët janë shumë të vlefshme për shëndetin e njeriut. Përmbajnë përbërës ushqyes si kalcium, fosfor dhe acid askorbik ose ndryshe vitaminë C. Megjithatë, historikisht qepët janë çmuar më shumë për vetitë kuruese që kanë. Edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të përdoren si kura për disa sëmundje, si: e ftohura, laringjiti, ateroskleroza, sëmundjet e zemrës, diabeti dhe astma. Thuhet se qepa ka edhe veti dezinfektuese, vepron kundër kolesterolit, kundër pezmatimeve, kundër trombozës në gjak dhe kundër kancerit.
Qepët janë me ngjyra të ndryshme: e bardhë, e verdhë, kafe, jeshile, e kuqe dhe vjollcë. Hahen të gjalla, të gatuara, të konservuara, turshi, të thara, pluhur, në feta ose në kubikë. A s’është, pra, një bimë e mrekullueshme, pavarësisht se mund të na bëjë të derdhim ca lot?!