Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ç’të bëj kur ndihem një dështak?

Ç’të bëj kur ndihem një dështak?

Të rinjtë pyesin . . .

Ç’të bëj kur ndihem një dështak?

«Sapo mora dëftesën dhe kam ngelur përsëri në po ato katër lëndë. U përpoqa, por ja që ngela prapë.»​—Lorena, 15 vjeçe.

«Të mposhtësh ndjenjat që provon kur dështon në diçka është një luftë e vërtetë. Fare kollaj mund të bëhesh pesimist.»​—Xhesika, 19 vjeçe.

DËSHTAK. Mbase as që do ta çosh nëpër mend këtë fjalë. Por herë pas here, të gjithëve na ndodh të mos arrijmë atë që duam. Kur dështon në diçka ndihesh keq, qoftë kur mbetesh në ndonjë provim, qoftë kur thua ose bën diçka që të vë në siklet, qoftë edhe kur bën ndonjë gabim të rëndë.

Sigurisht të gjithë njerëzit gabojnë. Bibla thotë: «Të gjithë kanë mëkatuar dhe nuk e kanë arritur lavdinë e Perëndisë.» (Romakëve 3:23) Sidoqoftë disa prej nesh e kanë të vështirë ta marrin veten pas një gabimi. Një i ri me emrin Xhejzon u shpreh kështu: «Jam gjykatësi më i ashpër i vetes. Nëse bëj ndonjë gabim, të tjerët mund të qeshin, por zakonisht pastaj e harrojnë. Kurse unë nuk e harroj dhe mendja më rri te gabimi që bëra.»

Të mendosh për gabimet nuk është medoemos diçka e keqe, sidomos nëse kjo të nxit të përmirësohesh. Gjithsesi ta kritikosh vazhdimisht veten dhe ta dënosh për një kohë të gjatë kur bën ndonjë gabim, është diçka e dëmshme dhe në vend që të të ndihmojë, të dëmton. Te Fjalët e urta 12:25 thuhet: «Shqetësimi në zemrën e njeriut e rrëzon atë.»

Le të marrim rastin e një burri që quhej Epafrodit, për të cilin flitet në Bibël. Atë e dërguan në Romë për të ndihmuar apostullin Pavël. Por Epafroditi u sëmur dhe nuk ishte në gjendje ta kryente detyrën që iu dha. Si përfundim ishte Pavli që u kujdes për të. Pavli mori masa që Epafroditin ta dërgonin në shtëpi dhe e njoftoi kongregacionin e atij vendi se ky njeri besnik ishte i trishtuar. Cila ishte arsyeja? Pavli shpjegoi: «Ngaqë e morët vesh se kishte qenë i sëmurë.» (Filipianëve 2:25, 26) Kur Epafroditi mori vesh se të tjerët e dinin që ai ishte i sëmurë dhe nuk ishte në gjendje t’i kryente detyrat e tij, ka mjaft të ngjarë të jetë ndier një dështak. S’ka dyshim që u trishtua.

A ka ndonjë mënyrë për ta mbrojtur veten nga lëndimi që provon kur vetja të duket një dështak?

Kupto kufizimet e tua

Një mënyrë për të zvogëluar rrezikun e dështimit është të vësh synime të arsyeshme dhe brenda mundësive të tua. «Dituria është me njerëzit e thjeshtë [me modestët, BR]»,​—thuhet në Bibël. (Fjalët e urta 11:2; 16:18) Një njeri modest është i vetëdijshëm për kufizimet e veta. Vërtet, nganjëherë është mirë që ta vësh në provë veten për të përmirësuar aftësitë e tua. Gjithsesi ji realist. Thjesht mund të mos jesh «as» në matematikë ose të mos kesh formën sportive dhe zhdërvjelltësinë e një ylli sporti. Një i ri me emrin Majkëll pohon: «E di që nuk jam i zoti në sport. Prandaj luaj, por nuk i futem diçkaje që e di se nuk do e bëja dot.» Ai shpjegon: «Duhet të vësh synime që janë brenda mundësive të tua.»

Vër re se çfarë qëndrimi ka Ivona 14-vjeçare që vuan nga shpina e ndarë dhe nga paraliza trunore. «Nuk mund të eci, të kërcej ose të vrapoj si të tjerët,​—thotë Ivona.​—Mërzitem ngaqë nuk i bëj dot gjërat që të tjerët munden. Shumica e njerëzve vërtet nuk e kuptojnë çfarë ndiej. Por mund t’i përballoj ndjenjat që provoj.» Çfarë këshillon ajo? «Mos u dorëzo. Vazhdo të përpiqesh. Nëse dështon në diçka ose nuk ia del siç duhet, mos e lësho veten. Ti vetëm bëj gjithçka që mundesh.»

Gjithashtu mos e torturo veten duke bërë krahasime të papërshtatshme me të tjerët. Endri 15-vjeçar thotë: «Përpiqem të mos e krahasoj veten me dikë tjetër, sepse të gjithë kemi forca dhe aftësi të ndryshme.» Fjalët e Endrit përputhen me fjalët e Biblës te Galatasve 6:4: «Secili le të tregojë me prova se si është vepra e tij dhe atëherë do të ketë shkak për ngazëllim vetëm në lidhje me vetveten dhe jo në krahasim me personin tjetër.»

Kur të tjerët presin shumë prej teje

Ndonjëherë nga ty pritet shumë. Kështu prindërit, mësuesit dhe të tjerët mund të kërkojnë shumë prej teje. E sheh se sado të përpiqesh, prapëseprapë ata nuk kënaqen. Ç’është më e keqja, ata mund ta shprehin pakënaqësinë me fjalë që të acarojnë ose që të bëjnë të ndihesh përtokë. (Job 19:2) Mbase e kupton se prindërit dhe të tjerët nuk e bëjnë kastile që të të lëndojnë. Siç thotë edhe Xhesika, «shpesh ata as që e kuptojnë se sa po të lëndojnë. Nganjëherë është thjesht një keqkuptim».

Nga ana tjetër, mos ndoshta ata shohin diçka që ti nuk e vëren? Për shembull, ndoshta ti i zvogëlon aftësitë e tua dhe e nënvlerëson veten. Në vend që t’i shpërfillësh sugjerimet e tyre, do të tregosh mençuri po ‘ta dëgjosh mësimin’. (Fjalët e urta 8:33) Majkëlli thotë: «Është për të mirën tënde. Ata duan që t’i bësh gjërat më mirë, të përmirësohesh. Merre këtë si një nxitje.»

Si t’ia bësh kur kërkesat e prindërve dhe të të tjerëve të duken të paarsyeshme, pra kur kërkojnë kaq shumë prej teje, saqë s’diskutohet që nuk do t’ia dalësh? Atëherë do të ishte mirë të flisje me ta, me respekt, por hapur, dhe t’u tregoje si ndihesh. Bashkë mund të vini disa synime që janë më realiste.

«Dështime» në përgjegjësitë frymore

Të rinjtë që janë Dëshmitarë të Jehovait duhet të bëjnë shumë përpjekje që të përmbushin caktimin e tyre si shërbëtorë të Perëndisë. (2 Timoteut 4:5) Nëse je një i ri i krishterë, ndonjëherë mbase ndihesh i paaftë. Ndoshta të duket se nuk bën komente të bukura në mbledhje. Ose e ke të vështirë t’u shpjegosh të tjerëve mesazhin e Biblës. Për shembull, Xhesika studioi Biblën me një vajzë tjetër adoleshente. Për njëfarë kohe ajo vajzë përparoi mirë. Por një ditë, papritur, vendosi të mos i shërbente më Perëndisë. Xhesika kujton: «U ndjeva një dështake.»

Si arriti Xhesika t’i mposhtte këto ndjenja? Së pari, iu desh të kuptonte se studentja nuk i kishte kthyer krahët asaj, por Perëndisë. Gjithashtu atë e ndihmoi meditimi në lidhje me Pjetrin, për të cilin flitet në Bibël. Ai e donte Perëndinë, por kishte disa të meta. Xhesika thotë: «Bibla tregon se Pjetri i mposhti dobësitë e tij dhe Jehovai e përdori në shumë mënyra për të çuar përpara interesat e Mbretërisë.» (Luka 22:31-34, 60-62) Sigurisht në qoftë se ke nevojë të përmirësosh aftësitë e tua si mësues, pse të mos përpiqesh më shumë për këtë? (1 Timoteut 4:13) Kërkoju ndihmë njerëzve të pjekur që ke në kongregacion, të cilët mund të të mësojnë dhe të të stërvitin.

Por ndoshta vështirësinë më të madhe e ke në shërbimin nga shtëpia në shtëpi. Xhejzoni thotë: «Çdo derë që më mbyllet më duket si një dështim i vogël.» Çfarë bën ai kur ndihet kështu? «Duhet t’i kujtoj vetes se në të vërtetë nuk jam treguar një dështak.» Po, ai ia ka dalë mbanë të zbatojë urdhrin që i dha Perëndia​—të predikojë. E ndonëse vërtet është e vështirë kur nuk të pranojnë, jo të gjithë njerëzit e refuzojnë mesazhin e Biblës. Xhejzoni thotë: «Kur gjej dikë që më dëgjon, e kuptoj se përpjekjet ia vlejnë.»

Gabime të rënda

Po sikur të bësh një gabim të rëndë ose të kryesh një mëkat të rëndë? Ana * 19-vjeçare bëri një gabim të tillë. Ajo pohon: «E zhgënjeva kongregacionin, familjen dhe sidomos Perëndinë Jehova.» Që ta marrësh veten ke nevojë të pendohesh dhe të kërkosh ndihmën e atyre që janë më të pjekur frymësisht në kongregacion. (Jakovi 5:14-16) Anës i kanë mbetur në mendje fjalët e dobishme të njërit prej pleqve: «Ai tha se pavarësisht se mbreti David bëri mëkate, Jehovai ende ishte i gatshëm ta falte dhe Davidi e mori veten frymësisht. Kjo më ndihmoi.» (2 Samuelit 12:9, 13; Psalmi 32:5) Veç kësaj, duhet të bësh ç’të kesh mundësi për t’u forcuar frymësisht. «E lexoja vazhdimisht librin e Psalmeve,​—thotë Ana,​—dhe kam një ditar ku shkruaj shkrime inkurajuese nga Bibla.» Me kalimin e kohës, dikush mund ta marrë veten edhe nga një mëkat i rëndë. Te Fjalët e urta 24:16 thuhet: «I drejti bie shtatë herë dhe ngrihet.»

Lëri prapa gabimet e së kaluarës

Sigurisht, edhe kur dështon në gjëra të vogla, mund të lëndohesh. Ç’mund të bësh për ta marrë veten? Së pari shihi me realizëm gabimet e tua. Majkëlli këshillon: «Në vend që të mendosh se në përgjithësi je një dështak, përcakto se ku nuk ia dole siç duhet dhe përse ndodhi kjo. Kështu herën tjetër mund të përmirësosh.»

Gjithashtu, mos i merr gjërat tepër seriozisht. Ka «një kohë për të qeshur», dhe kjo kohë mund të nënkuptojë edhe që të qeshësh me veten. (Predikuesi 3:4) Nëse ndihesh i shkurajuar, përqendrohu te diçka që e bën mirë, për shembull te diçka që e ke pasion ose te ndonjë sport. Të jesh ‘i pasur në vepra të shkëlqyera’, si për shembull të flasësh për besimin tënd me të tjerët, mund të të ndihmojë të jesh më i kënaqur me veten.​—1 Timoteut 6:18.

Së fundi mbaj gjithnjë parasysh se Jehovai «është i mëshirshëm dhe hirmadh . . . Ai nuk do të gjejë të meta për tërë kohën». (Psalmi 103:8, 9, BR) Xhesika thotë: «Ndiej se sa më shumë i afrohem Perëndisë Jehova, aq më e sigurt jam për mbështetjen dhe ndihmën e tij në çdo gjë që kaloj.» Vërtet, ndihesh i qetë kur mendon se megjithëse ndonjëherë dështon në diçka, Ati yt qiellor të çmon.

[Shënimi]

^ par. 23 Nuk është emri i saj i vërtetë.

[Figura në faqen 20]

Nëse ndihesh i rënduar nga kërkesat e të tjerëve, gjej një mënyrë për të folur hapur dhe me respekt

[Figura në faqen 21]

Kur merresh me gjëra që i bën mirë e ke më të lehtë ta luftosh mendimin se je një dështak