Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A të çonin të gjitha rrugët në Romë?

A të çonin të gjitha rrugët në Romë?

A të çonin të gjitha rrugët në Romë?

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË AUSTRI

RRUGËT e Perandorisë Romake i mbanin provincat e largëta të lidhura ngushtë me kryeqytetin. Ato lidhnin viset e kësaj perandorie të paanë nga njëri skaj në tjetrin. Mbi të gjitha bënin të mundur që pothuajse në çdo pjesë të Perandorisë të arrinin legjionet romake që impononin autoritetin e Romës. Prej këtyre rrugëve kryesore të shtruara dilnin shumë rrugë të tjera dytësore që degëzoheshin në provincat romake. Pikërisht nga kjo lindi proverbi: «Të gjitha rrugët të çojnë në Romë.»

Më shumë se 80.000 kilometra rrugë përshkonin kryq e tërthor Perandorinë Romake. Si mund t’i studiojmë ato në ditët tona dhe të kuptojmë ndikimin e tyre në atë botë të lashtë? Një mënyrë është duke shqyrtuar një hartë të shekullit të 13-të, e quajtur Tabela e Poitingerit.

Historianët mendojnë se Tabela e Poitingerit është kopje e një harte që fillimisht u bë kur ushtritë romake ende marshonin në rrugët e famshme. Më 1508, Konrad Poitingeri, sekretari i qytetit të Augsburgut në Gjermaninë Jugore, gjeti këtë kopje të bërë me dorë, dhe si përfundim asaj i mbeti emri i tij. Sot ajo gjendet në Bibliotekën Kombëtare të Austrisë, në Vjenë, dhe mban emrin latin Tabula Peutingeriana.

Bota Romake: E gjitha në një rrotull

Në shkollat e sotme, shpesh nxënësit studiojnë me harta të varura në mur që janë pothuajse katrore. Megjithatë, Tabela e Poitingerit është një rrotull që po ta çmbështjellësh është 34 centimetra e gjerë dhe më shumë se 6,75 metra e gjatë. Fillimisht ajo formohej nga 12 fletë letre pergamenë që ngjiteshin njëra pas tjetrës. Nga ato fletë, 11 ekzistojnë edhe sot. Kjo hartë tregon Perandorinë Romake në kulmin e shkëlqimit të saj, kur ajo shtrihej nga Britania e gjer në Indi. Ndonëse mund të keni njohuri për këtë zonë në hartat e sotme, mund të hutoheni kur të shqyrtoni për herë të parë Tabelën e Poitingerit. Përse ndodh kështu?

Tabela e Poitingerit nuk u bë për gjeografët e sotëm, por për udhëtarët e lashtë. Një hartë në formë rrotulle mbahej lehtë gjatë rrugës. Por që në rrotull të kishte vend për të gjitha hollësitë e nevojshme, skicuesit të hartës iu desh të zvogëlonte përmasat e shtrirjes veri-jug të perandorisë dhe të zgjeronte shumë shtrirjen e saj lindje-perëndim. Rezultati ishte një hartë që nuk kishte të njëjtën shkallë zvogëlimi. Atë e hapje, e lexoje, pastaj e mbështillje dhe e mbaje me vete pa problem. Një udhëtar mund ta gjente shpejt në hartë se cila ishte rruga më e mirë për të shkuar nga njëri vend në tjetrin. Pikërisht kjo u interesonte njerëzve në udhëtim, më shumë sesa forma e Italisë, madhësia e Detit të Zi ose drejtimi që po ndiqnin.

Ngjyrat shërbejnë për të dalluar elementët e Tabelës së Poitingerit. Rrugët janë shënuar me vijë të kuqe, malet me ngjyrë kafe dhe lumenjtë me ngjyrë të gjelbër. Në hartë përmenden qindra emra qytetesh vendndodhjet e së cilave janë shënuar me shtëpi, oborre të rrethuara me mure dhe kulla. Me sa duket këto simbole tregojnë ndërtesat që kishte çdo vend. Në hartë tregohen edhe largësitë ndërmjet qyteteve, stacionet dhe pikat ku mund të ndaloje për t’u çlodhur.

Në Tabelën e Poitingerit tregohen disa vende dhe ngjarje biblike. Në zonën e malit Sinai ka dy pjesë të shkruara në latinisht. Njëra thotë: «Shkretëtira ku bijtë e Izraelit të drejtuar nga Moisiu u endën për 40 vjet.» (Jozueu 5:6) Në tjetrën thuhet: «Në këtë vend në malin Sinai ata morën Ligjin.»​—Levitiku 27:34.

Për Jerusalemin është shënuar një diçiturë ku përdoret një emër tjetër për këtë qytet, Aelia Kapitolina, që ka ardhur nga emri i Publius Aelius Hadrianus, i njohur më shpesh si Adriani. Në shekullin e dytë të e.s., ky perandor romak i dha qytetit emrin e tij. Po kështu në hartë gjendet edhe emri latin për Malin e Ullinjve.​—Luka 21:37.

A të çonin të gjitha rrugët në Romë?

Disa rrugë të çonin në Akuileia, një qytet në Italinë Verilindore. Në hartë Akuileia ka mure të forta dhe kulla vrojtimi. Meqë zotëronte udhëkryqe të rëndësishme dhe kishte një port të shkëlqyer, Akuileia ishte një nga qytetet më të rëndësishme të Perandorisë Romake.

«Via Egnatia» ishte një rrugë që përshkonte mes për mes gadishullin e Ballkanit, që nga deti Adriatik e deri në Kostandinopojë, e cila sot quhet Stamboll. Në Tabelën e Poitingerit, ky qytet tregohet me një simbol ku paraqitet një perëndeshë e ulur në fron dhe që është gati për luftë. Disa rrugë të çonin në Antiokinë e Sirisë, që tani është qyteti turk i Antakias. Antiokia ishte qyteti i tretë për nga madhësia në Perandorinë Romake, pas Romës dhe Aleksandrisë. Në vendndodhjen e saj harta tregon një perëndeshë të ulur që ka një aureolë në kokë.

Tabela e Poitingerit tregon 12 rrugë që të çonin në Romë. Njëra nga këto është «Via Apia» ose Rruga Apia. Libri i Veprave tregon se gjatë udhëtimit të tij të parë në Romë, apostulli Pavël kaloi nëpër këtë rrugë. Ndërkohë që Pavli ishte në udhëtim, një grup të krishterësh erdhën nga Roma dhe duke kaluar në Rrugën Apia e takuan te Tri Tavernat, vend që gjithashtu tregohet në hartë.​—Veprat 28:15.

Çfarë simboli përdoret në Tabelën e Poitingerit për Romën? Në hartë ky qytet paraqitet si një perandoreshë e fuqishme me rroba të purpurta e cila është e ulur në fron. Globi dhe skeptri në duart e saj përfaqësojnë sundimin botëror i cili e kishte qendrën në Romë, në kryeqytetin e Perandorisë.

A është e saktë thënia se të gjitha rrugët të çonin në Romë? Po, dhe këtë e kuptoni kur shihni rrjetin e dendur të rrugëve lidhëse që dilnin si degëzime nga rrugët kryesore. Tabela e Poitingerit tregon se rrugët kryesore të perandorisë e zgjeronin pushtetin perandorak dhe bënë të mundur që Roma të sundonte mbi provincat për gati 500 vjet. Edhe sot mund të vizitoni Perandorinë Romake, po të përshkoni këto rrugë të lashta mbi flatrat e imagjinatës suaj, teksa përdorni si udhërrëfyese Tabelën e Poitingerit.

[Harta në faqet 13-15]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Tabela e Poitingerit​—Një hartë e pazakontë

SPANJË

MAROK

BRITANI

FRANCË

GJERMANI

AUSTRI

Akuileia

Romë

Kjo zonë tregohet e zmadhuar në faqen 15

ITALI

AFRIKË

GREQI

Stamboll

EGJIPT

TURQI

Mali Sinai

Jerusalem

SIRI

Antaki

Deti Kaspik

IRAN

INDI

[Harta në faqen 15]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Një hollësi e Tabelës së Poitingerit ku tregohet Roma dhe rrethinat e saj

Romë

Akuileia

Stamboll

Jerusalem

Antaki