Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Arritje në luftën kundër SIDA-s

Arritje në luftën kundër SIDA-s

Arritje në luftën kundër SIDA-s

«Kurrë më parë në historinë e njerëzimit nuk ka pasur ndonjë sëmundje kaq të ndërlikuar për të cilën të jenë bërë kaq shumë studime në kaq pak kohë»,​—shkruan Dr. Xherald J. Stajni në librin e tij SIDA në vitin 2003, anglisht. Ai thotë se «kërkimet e bëra për HIV/SIDA-n janë një arritje shkencore e jashtëzakonshme». Çfarë është arritur?

NJOHURITË dhe studimet mjekësore të ditëve tona kanë bërë të mundur që kërkuesit të krijojnë disa kombinime ilaçesh që u japin një shpresë të re njerëzve të infektuar me HIV. Veç kësaj, programet e edukimit për SIDA-n kanë dhënë rezultate në disa vende. Por, a tregojnë sukseset e arritura se kjo epidemi vdekjeprurëse po nis të marrë fund? A munden njerëzit me gjithë përpjekjet e sotme në fushën shkencore dhe edukative ta ndalojnë përhapjen e SIDA-s? Shqyrtoni informacionet në vijim.

Terapia me ilaçe

«Një rreze shprese në luftën kundër SIDA-s»,​—thoshte kryeartikulli i revistës Time të 29 shtatorit 1986. Kjo «rreze shprese» erdhi nga rezultatet që dha te pacientët azidotimidina, një ilaç antiretroviral, e cila u përdor për trajtimin e HIV-it. Ishte diçka e mrekullueshme: pacientët që morën këtë ilaç, jetonin më gjatë. Që nga ajo kohë, ilaçet antiretrovirale u kanë zgjatur jetën qindra mijë njerëzve. (Shih kutinë «Çfarë janë ilaçet antiretrovirale?» në faqen 7.) Sa të suksesshme kanë qenë ato në trajtimin e infektimit me HIV?

Pavarësisht nga entuziazmi i fillimit për daljen e azidotimidinës, revista Time tha se shkencëtarët që merreshin me kërkime për SIDA-n «ishin të sigurt se azidotimidina nuk [ishte] arma ideale kundër SIDA-s». Dhe kishin të drejtë. Disa pacientë nuk e përballonin dot trajtimin me azidotimidinë, kështu që u prodhuan edhe antiretroviralë të tjerë. Më vonë, Enti i SHBA-së për Ushqimin dhe Ilaçet miratoi një kombinim ilaçesh antiretrovirale për ata pacientë te të cilët infeksioni i HIV-it kishte përparuar. Terapia e kombinuar, e cila përfshinte tri ose më shumë ilaçe antiretrovirale, u prit tërë entuziazëm nga punonjësit e shëndetësisë që merreshin me të sëmurët me SIDA. Madje në vitin 1996, në një konferencë ndërkombëtare për SIDA-n, një mjek tha se ilaçet mund ta zhduknin fare HIV-n nga trupi i njeriut.

Mjerisht brenda një viti u pa qartë se edhe po të ndiqej me rreptësi kjo terapi me tri ilaçe, HIV-i nuk zhdukej plotësisht. Sidoqoftë, një raport i UNAIDS-it thotë se «terapia që përfshin kombinimin e disa ilaçeve antiretrovirale ka bërë të mundur që njerëzit e infektuar me HIV të kenë një jetë më të gjatë, më të frytshme dhe të jenë më të shëndetshëm». Për shembull, në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë përdorimi i kësaj terapie e ka ulur më shumë se 70 për qind numrin e vdekjeve nga SIDA. Gjithashtu, disa studime kanë treguar se trajtimi me disa lloj ilaçesh antiretrovirale mund ta zvogëlojë ndjeshëm rrezikun e kalimit të HIV-it nga një grua shtatzënë te foshnja.

Sidoqoftë, miliona pacientë me HIV janë privuar nga trajtimi me ilaçe antiretrovirale. Pse?

«Sëmundje e të varfërve»

Terapia me ilaçe antiretrovirale përdoret gjerësisht në vendet e pasura. Megjithatë, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thotë se në disa vende në zhvillim vetëm 5 për qind e atyre që kanë nevojë për terapinë antiretrovirale kanë mundësi t’i marrin këto ilaçe. Madje të dërguarit e Kombeve të Bashkuara e kanë përshkruar këtë pabarazi si «një padrejtësi të rëndë» dhe «një fëlliqësi groteske të botës moderne».

Por edhe midis shtetasve të të njëjtit vend jo të gjithë kanë mundësi të marrin ilaçe antiretrovirale. Gazeta The Globe and Mail thotë se 1 në 3 kanadezë që vdesin nga SIDA nuk janë trajtuar kurrë me antiretroviralë. Ndonëse në Kanada ilaçet janë pa para, disa grupe njerëzish janë lënë pas dore. Gazeta thotë: «Ata që nuk e kanë marrë kurën e duhur janë ata që kanë më shumë nevojë: indigjenët, gratë dhe të varfrit.» Gazeta The Guardian citoi fjalët e një nëne afrikane të infektuar me HIV, e cila tha: «Nuk arrij ta kuptoj! Pse këta burra të bardhë që bëjnë seks me burrat kanë mundësi të jetojnë kurse unë duhet të vdes?» Përgjigja e pyetjes së saj gjendet në prodhimin dhe shpërndarjen e ilaçeve.

Çmimi mesatar i një kure me tri ilaçe antiretrovirale në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë shkon nga 10.000 në 15.000 dollarë në vit. Ndonëse imitimet e këtyre ilaçeve sot po ofrohen në disa vende në zhvillim me një çmim 300 dollarë në vit ose më pak, kjo ende është një shumë e papërballueshme për mjaft njerëz të infektuar me HIV që jetojnë aty ku ka më shumë nevojë për ilaçe antiretrovirale. Dr. Stajni e përmbledh kështu gjendjen: «SIDA është sëmundje e të varfërve.»

Biznesi fitimprurës i prodhimit të ilaçeve

Prodhimi i ilaçeve që janë kopje të produkteve të firmave që kanë të drejtën ekskluzive të prodhimit dhe shitja e tyre me çmime të ulëta nuk ka qenë e lehtë. Ligjet e rrepta për mbrojtjen e markës e ndalojnë prodhimin e paautorizuar të produkteve të markave. «Kjo është një luftë ekonomike»,​—thotë drejtuesi i një shoqërie të madhe farmaceutike. Ai shton se imitimi i ilaçeve të markave dhe shitja e tyre për qëllime fitimi në vendet në zhvillim «nuk është diçka e drejtë kundrejt njerëzve që i kanë zbuluar këto ilaçe». Veç kësaj, shoqëritë që kanë të drejtën e prodhimit thonë se rënia e fitimeve mund të çojë në pakësimin e fondeve për programet e kërkimeve dhe prodhimit të produkteve të reja mjekësore. Të tjerë kanë frikë se ilaçet antiretrovirale me çmim të ulët të përgatitura për vendet në zhvillim në të vërtetë mund të përfundojnë në tregun e zi të vendeve të zhvilluara.

Përkrahësit e shitjes së ilaçeve antiretrovirale me çmim të ulët thonë se ilaçe të reja mund të prodhohen me 5 deri në 10 për qind të kostos që sugjerojnë shoqëritë farmaceutike. Gjithashtu ata thonë se shoqëritë farmaceutike private, në përgjithësi, nuk u vihen kërkimeve dhe prodhimit të ilaçeve për sëmundjet që godasin vendet e varfra. Prandaj, Daniel Berman, koordinatori i projektit për Sigurimin e Ilaçeve Kryesore thotë: «Për ilaçet e reja, nevojitet një sistem i detyrueshëm që gëzon përkrahjen ndërkombëtare, qëllimi i të cilit është të ulë çmimet në nivele të përballueshme për vendet në zhvillim.»

Në përgjigje të kësaj nevoje botërore për terapinë me ilaçe antiretrovirale, OBSH-ja ka bërë një plan që brenda vitit 2005 t’u sigurojë ilaçe antiretrovirale tre milionë njerëzve të infektuar me HIV ose të sëmurë me SIDA. Nejthën Fordi, anëtar i organizatës «Mjekë pa kufi», paralajmëroi se ky plan «nuk duhet të bëhet një synim tjetër i dështuar i Kombeve të Bashkuara». Ai thotë: «Kjo shifër është vetëm sa gjysma e njerëzve me HIV ose me SIDA që sot kanë nevojë për trajtim, dhe ky numër do të jetë shumë më i madh [në vitin 2005].»

Pengesa të tjera

Edhe nëse vendeve në zhvillim do t’u sigurohej sasia e nevojshme me ilaçe antiretrovirale, përsëri do t’u duhej të kapërcenin pengesa të tjera. Disa ilaçe duhen pirë pasi ke ngrënë dhe duhen shoqëruar me ujë, por qindra mijë njerëz në disa vende mund të hanë vetëm një herë në dy ditë. Këto ilaçe (që shpesh janë 20 tableta në ditë ose më shumë) duhen pirë në një orar të caktuar çdo ditë, por shumë pacientë nuk kanë as orë për të matur kohën. Kombinimi i ilaçeve duhet përshtatur me gjendjen e pacientit, por në shumë vende ndihet një mungesë e madhe për mjekë. Është e qartë se duhen kapërcyer pengesa të vështira para se terapia me ilaçe antiretrovirale t’u sigurohet edhe vendeve në zhvillim.

Edhe pacientët në vendet e zhvilluara hasin vështirësi kur përdorin terapinë e kombinuar. Kërkimet zbulojnë se ndodh kaq shpesh që pacientët nuk i marrin në orarin e duhur të gjitha ilaçet e dhëna në recetë, saqë kjo gjendje po bëhet alarmuese. Kjo mund të bëjë që të krijohen forma të virusit të HIV-it që janë rezistente ndaj ilaçeve. Këto viruse mund t’u ngjiten të tjerëve.

Dr. Stajni nxjerr në pah një vështirësi tjetër që hasin pacientët me HIV. Ai thotë: «Paradoksi i trajtimit të HIV-it është se ndonjëherë kura të bën të ndihesh më keq sesa vetë sëmundja, sidomos kur trajtimi fillon para se të shfaqen simptomat.» Pacientët me HIV që trajtohen me terapinë antiretrovirale vuajnë nga efektet anësore, ku përfshihet: diabeti, rishpërndarja e dhjamit në trup, niveli i lartë i kolesterolit dhe zvogëlimi i dendësisë së kockave. Disa efekte anësore janë të rrezikshme për jetën.

Përpjekjet për parandalimin

A kanë pasur sukses përpjekjet për parandalimin e SIDA-s që përhapja e saj të ngadalësohet dhe të frenohen ato praktika ku rreziku i ngjitjes së virusit është i madh? Fushatat e mëdha të edukimit rreth SIDA-s, që u bënë në Ugandë gjatë viteve 90, e ulën përqindjen e popullsisë së infektuar me HIV nga 14 për qind në afro 8 për qind në vitin 2000. Po kështu, përpjekjet e bëra në Senegal për të informuar shtetasit rreth rrezikut të HIV-it kanë ndihmuar që, në këtë vend, popullsia e rritur e prekur nga HIV-i të jetë më e vogël se 1 për qind. Këto rezultate janë shpresëdhënëse.

Nga ana tjetër, programet e edukimit për SIDA-n nuk kanë qenë po kaq të suksesshme në vende të tjera. Më 2002, nga një sondazh i bërë me 11.000 të rinj kanadezë, u zbulua se gjysma e nxënësve në vitin e parë të shkollës së mesme besonin se SIDA mund të shërohej. Sipas një studimi në Britani që u organizua në të njëjtin vit, 42 për qind e djemve të moshave 10-11-vjeçare nuk kishin dëgjuar kurrë për HIV-in ose për SIDA-n. Megjithatë shihet se edhe të rinjtë që kanë njohuri për HIV-in dhe SIDA-n dhe që e dinë se kjo sëmundje nuk kurohet janë bërë më moskokëçarës. Një mjek thotë: «Shumë të rinj, HIV-in e konsiderojnë thjesht si një prej shumë problemeve të zakonshme që hasin në jetë. Nuk është më tepër shqetësues sesa preokupimi për të ngrënë një vakt të mirë, dilema se me cilin do të bashkëjetojnë ose nëse do të shkojnë në shkollë apo jo.»

Pra nuk është për t’u çuditur që OBSH-ja thotë se «të përqendrohesh te të rinjtë ka shumë të ngjarë të jetë mënyra më e mirë për të luftuar epideminë, sidomos në ato vende ku ajo është shumë e përhapur». Si mund të ndihmohen të rinjtë që të veprojnë në përputhje me paralajmërimet që kanë marrë për SIDA-n? Dhe, a është realiste të shpresojmë se do të gjendet një kurë?

[Diçitura në faqen 6]

Vitin e kaluar, në Afrikë vetëm 2 për qind e njerëzve që kishin nevojë për ilaçe antiretrovirale i morën ato, ndërkohë që në Amerikën e Veriut e të Jugut kjo shifër ishte 84 për qind

[Kutia dhe figurat në faqen 7]

Çfarë janë ilaçet antiretrovirale? *

Te një njeri i shëndetshëm, disa rruaza të bardha, të quajtura limfocite T, nxitin ose vënë në veprim sistemin imunitar që të luftojë infeksionet. HIV-i sulmon sidomos këto limfocite T. Ai i shfrytëzon këto qeliza për t’u shumuar, dhe në këtë mënyrë i dobëson dhe i shkatërron limfocitet T, derisa sistemi imunitar dëmtohet rëndë. Ilaçet antiretrovirale e pengojnë këtë proces shumimi.

Sot përdoren katër lloje kryesore ilaçesh antiretrovirale. Analoget nukleozide dhe analoget jonukleozide parandalojnë që HIV-i të kopjohet në ADN-në e njeriut. Frenuesit e enzimës pengojnë një enzimë të veçantë që ndodhet në qelizat e infektuara që të mos formojë sërish virusin, dhe kështu të mos krijohen viruse të reja HIV-i. Frenuesit e përhapjes  e pengojnë HIV-in që të mos hyjë në qeliza. Duke frenuar shumimin e HIV-it, ilaçet antiretrovirale mund të ngadalësojnë kalimin nga infektimi me HIV në fazën e SIDA-s, siç quhet forma më e rëndë e infektimit me HIV.

[Shënimi]

^ par. 28 Terapia me ilaçe antiretrovirale nuk u jepet të gjithë njerëzve të infektuar me HIV. Ata që janë infektuar me HIV ose ata që dyshojnë se janë të infektuar duhet të vizitohen te specialisti para se të fillojnë ndonjë trajtim mjekësor. Zgjohuni! nuk përkrah ndonjë metodë të veçantë.

[Figura]

KENIA​—Një mjek i jep udhëzime një pacienti me SIDA për terapinë me ilaçe antiretrovirale

[Burimi]

© Sven Torfinn/Panos Pictures

[Figura]

KENIA​—Një paciente me SIDA merr ilaçet antiretrovirale në spital

[Burimi]

© Sven Torfinn/Panos Pictures

[Kutia dhe figurat në faqen 8]

Gratë dhe SIDA

Gratë sot përbëjnë 50 për qind të të rriturve që janë me HIV/SIDA

Në vitin 1982, kur gratë u diagnostikuan me SIDA, mendohej se duhej të ishin infektuar me anë të shiringave për injektimin e drogës. Shpejt kuptuan se gratë mund të infektoheshin nëpërmjet marrëdhënieve seksuale dhe se ato rrezikojnë veçanërisht të infektohen me HIV. Sot në mbarë botën gratë përbëjnë 50 për qind të të rriturve që kanë HIV-in ose SIDA-n. «Epidemia prek shumë më tepër gratë dhe adoleshentet, të cilat janë më të dobëta nga ana shoqërore, kulturore, biologjike dhe ekonomike e që mbajnë mbi shpatulla barrën kryesore për kujdesin e të sëmurëve dhe për ata që janë në prag të vdekjes»,​—thotë UNAIDS-i.

Përse përhapja e sëmundjes te gratë është veçanërisht shqetësuese për ata që merren me trajtimin e rasteve me SIDA? Gratë e infektuara me HIV shpesh diskriminohen më shumë se burrat, veçanërisht në disa vende në zhvillim. Gjithashtu nëse një grua është shtatzënë, shëndeti i fëmijës është në rrezik; nëse tashmë ka fëmijë, e ka të vështirë të përkujdeset për ta, sidomos kur është prind i vetëm. Për më tepër, dihet pak për veçoritë unike që shfaq sëmundja te gratë e infektuara me HIV dhe për kujdesin shëndetësor që u duhet dhënë atyre.

Disa faktorë kulturorë bëjnë që gratë të jenë veçanërisht në rrezik. Në shumë vende nuk është e pranueshme që gratë të flasin për marrëdhëniet seksuale si edhe rrezikojnë të keqtrajtohen, nëse nuk pranojnë të kryejnë marrëdhënie. Zakonisht burrat kanë shumë partnere dhe pa e ditur ua ngjitin HIV-in secilës prej tyre. Disa burra afrikanë kanë marrëdhënie seksuale me vajza të reja për t’u ruajtur nga HIV-i ose ngaqë gabimisht besojnë se seksi me vajza të virgjëra mund t’i shërojë nga SIDA. Ja përse OBSH-ja thotë: «Nëse duam të mbrojmë gratë duhet të merren masa që kanë si synim burrat (si edhe gratë).»

[Figura]

PERU​—Një nënë mbartëse e HIV-it me të bijën që nuk është mbartëse e këtij virusi

[Burimi]

© Annie Bungeroth/Panos Pictures

[Figura]

TAJLANDË​—Si pjesë e programit arsimor, studentët vizitojnë një pacient me SIDA

[Burimi]

© Ian Teh/Panos Pictures

[Figura]

KENIA​—Mbledhje me anëtarët e organizatës Gratë me SIDA

[Burimi]

© Sven Torfinn/Panos Pictures

[Kutia dhe figura në faqen 9]

Pikëpamje të gabuara për SIDA-n

Njerëzit e infektuar me HIV kanë pamjen e një të sëmuri. «Mesatarisht duhen 10 deri në 12 vjet që dikush i infektuar me HIV të sëmuret me SIDA,​—thotë dr. Gerald J. Stajni.​—Gjatë kësaj kohe te njerëzit e infektuar me HIV shfaqen pak shenja të sëmundjes ose asnjë, megjithatë mund të infektojnë njerëz të tjerë.»

SIDA është sëmundje e homoseksualëve. Në fillim të viteve 80, SIDA u përcaktua fillimisht si sëmundje e homoseksualëve. Por sot, në një pjesë të madhe të botës, marrëdhëniet heteroseksuale janë rruga kryesore e transmetimit të HIV-it.

Seksi oral është «seks i sigurt». Sipas Qendrave për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, «studime të shumta kanë provuar se seksi oral mund të sjellë transmetimin e HIV-it dhe të sëmundjeve të tjera seksualisht të transmetueshme». Rreziku i infektimit me HIV nëpërmjet seksit oral nuk është aq i madh sa në rastin e marrëdhënieve të tjera seksuale. Megjithatë, kjo praktikë është bërë kaq e përhapur, saqë disa mjekë mendojnë se ajo do të bëhet një mënyrë e zakonshme për transmetimin e HIV-it.

SIDA mund të kurohet. Ndonëse terapia me ilaçe antiretrovirale te disa pacientë mund të ngadalësojë përparimin e HIV-it drejt fazës së SIDA-s, sot për sot nuk ka as vaksinë dhe as kurë për këtë sëmundje.

[Figura]

REPUBLIKA E ÇEKISË​—Një analizë gjaku për SIDA-n, e cila sot mund të trajtohet, por jo të kurohet

[Burimi]

© Liba Taylor/Panos Pictures

[Figura në faqen 6]

ZAMBIE​—Dy vajza të infektuara me HIV presin për ilaçet

[Burimi]

© Pep Bonet/Panos Pictures