Gjykata Evropiane mbron të drejtat e një nëne
Gjykata Evropiane mbron të drejtat e një nëne
Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Francë
MË DATËN 16 dhjetor 2003, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg, i deklaroi fajtore gjykatat franceze për diskriminim fetar ndaj Serafina Palau-Martines, një Dëshmitare e Jehovait.
Në vitin 1996, Serafina u divorcua nga burri i saj, i cili e kishte braktisur dy vjet më parë. Gjykata ia besoi të dy fëmijët Serafinës. Por në vitin 1997, pas një vizite, i ati nuk donte t’ia kthente më fëmijët së ëmës, edhe pse kishin tre vjet e gjysmë që jetonin me nënën e tyre. Serafina tregon: «Kur shkova t’i merrja fëmijët nga shkolla, drejtori i shkollës thirri policinë. Duhet t’i takoja fëmijët vetëm në prezencë të policëve, për t’u siguruar që nuk do t’u flisja për bindjet e mia fetare. Më trajtonin sikur të isha kriminele. Më thanë se mund t’i merrja fëmijët në shtëpi vetëm nëse firmosja një deklaratë ku shkruhej se nuk do t’u flisja për Perëndinë dhe Biblën ose t’i merrja në mbledhjet e krishtere.»
Serafina iu drejtua gjykatës. Megjithatë në vitin 1998, Gjykata e Apelit të Nimit ia besoi fëmijët babait. Gjykata kritikoi ashpër parimet edukative që besonte se Dëshmitarët e Jehovait ua mësonin fëmijëve të tyre, duke justifikuar në këtë mënyrë vendimin e saj. Serafina kujton: «Më lëndoi kaq shumë akuza se po dëmtoja fëmijët e mi, ndërkohë që po bëja çmos t’u jepja atë që mendoja se ishte më e mira për ta, një edukatë të krishterë.»
Kur Cour de Cassation, gjykata më e lartë e Francës, mbështeti vendimin e gjykatës së apelit, Serafina vendosi ta çonte çështjen para Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Në vendimin e Gjykatës, ku 6 ishin pro dhe një kundër, thuhej se «nuk ka dyshim që gjykata [franceze] e apelit ishte treguar e anshme me prindërit duke u bazuar në fenë e paditëses. . . . Një anësi e tillë është diskriminim.» Ajo arriti në përfundimin se vendimi i gjykatës franceze nuk ishte bazuar as në aftësinë e Serafinës për t’u kujdesur për fëmijët, gjë që nuk u vu kurrë në dyshim, dhe as në provat e pakundërshtueshme, por në «vëzhgime të përgjithshme të Dëshmitarëve të Jehovait». Duke pasur parasysh diskriminimin fetar dhe dhunimin e të drejtave të Serafinës, Gjykata e urdhëroi Francën të paguante për dëmet dhe shpenzimet e gjyqit.
Ky vendim është në harmoni me një vendim që Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut mori në një rast të ngjashëm në qershor të vitit 1993. Në këtë rast Austria kishte diskriminuar Ingrid Hofmanit, një Dëshmitare e Jehovait, duke u bazuar te feja e saj. * «Në harmoni me vendimin e çështjes Hofman,—shkruan gazeta ligjore franceze La Semaine juridique,—ky vendim vërteton se në një çështje gjyqësore se cilit prind i duhen besuar fëmijët, feja nuk duhet të jetë në asnjë mënyrë gjëja e parë që duhet marrë në konsideratë.» Avokati i Serafinës u shpreh: «Ky vendim është shumë i rëndësishëm, pasi, në të tilla çështje, Gjykata Evropiane gjithnjë ka mbështetur të drejtën e prindërve Dëshmitarë të Jehovait për të pasur një gjykim të paanshëm.»
Kur e pyetën se si ndihej për këtë vendim, Serafina që tani jeton në Spanjë, deklaroi: «Jam shumë e lumtur dhe e lehtësuar. Ishte një përvojë e hidhur, sepse m‘i larguan fëmijët për shkak të fesë sime dhe nuk i pashë fare për pesë vjet, por Jehovai më mbështeti gjatë gjithë kohës. Shpresoj që ky vendim të ndihmojë të tjerët që po kalojnë të njëjtën situatë.»
[Shënimi]
^ par. 7 Shih artikullin «Dëshmitarët e Jehovait fitojnë betejën e kujdestarisë së fëmijëve» në revistën Zgjohuni! të 8 tetorit 1993, faqja 15 (anglisht).
[Figura në faqen 12]
Serafina