Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kur do të zhduket SIDA?

Kur do të zhduket SIDA?

Kur do të zhduket SIDA?

Që kur janë në moshë të njomë, të rinjtë bombardohen me mesazhe që flasin për seksin dhe që nxitin shthurjen seksuale. Edhe injektimi i drogës, një rrugë tjetër për përhapjen e HIV-it, është shumë i përhapur. Duke marrë parasysh atmosferën e sotme, ku mbizotëron një sjellje e papërgjegjshme, mund të jeni në mëdyshje nëse SIDA do të zhduket ndonjëherë.

SPECIALISTËT në fushën e shëndetësisë me të drejtë theksojnë se ndryshimet në sjellje janë strategjia jetësore në luftën kundër SIDA-s. Një raport i Qendrave për Kontrollimin dhe Parandalimin e sëmundjeve thotë: «Çdo brez të rinjsh ka nevojë për informacione dhe masa të shumanshme e të vazhdueshme në lidhje me shëndetin për t’i ndihmuar të zhvillojnë aftësi që do t’u duhen gjatë gjithë jetës për të shmangur sjelljet që mund të çojnë në infektimin me HIV. Programe të tilla të shumanshme duhet të përfshijnë edhe prindërit, edhe mësuesit.»

Është e qartë se nevojitet që prindërit t’u flasin për këto rreziqe fëmijëve para se ata t’i mësojnë gjërat shtrembër nga moshatarët ose të tjerët. Kjo nuk është gjithnjë e lehtë. Por mund t’i shpëtojë jetën fëmijës tuaj. T’u flasësh fëmijëve për çështjet seksuale dhe për drogën nuk do të thotë t’u heqësh pafajësinë fëmijërore, përkundrazi mund t’i mbrojë që të mos e humbin dëlirësinë fëmijërore.

Edukimi nga prindërit është jetësor

Në popullin e Perëndisë në lashtësi pritej që prindërit t’i mësonin fëmijët në lidhje me marrëdhëniet seksuale dhe si ta mbronin shëndetin. Është interesante se ligjet e Izraelit të lashtë jepnin udhëzime të qarta morale, si edhe tregonin mënyra që i mbronin njerëzit nga infeksionet. (Levitiku 18:22, 23; 19:29; Ligji i përtërirë 23:12, 13) Si duhej t’u mësoheshin njerëzve këto ligje? Perëndia Jehova u tha izraelitëve: «Këto fjalë që sot po të urdhëroj do të mbeten në zemrën tënde.» Në radhë të parë prindërit duhej të kuptonin dobitë që do të kishin po të zbatonin këto ligje dhe pasojat që do të kishin nëse nuk vepronin sipas tyre. Pastaj atyre u jepej ky udhëzim: «Do t’ua ngulitësh bijve të tu, do të flasësh për to kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecën rrugës, kur ke rënë në shtrat dhe kur çohesh.»​—Ligji i përtërirë 6:6, 7.

Një fjalor e përshkruan fjalën «ngulit» si «të mësosh dhe të ngulësh në mendje me anë të përsëritjeve ose të këshillave të shpeshta». Është e qartë se duhet kohë. Sigurisht, kur prindërit programojnë kohë për të mësuar bijtë dhe bijat e tyre për rreziqet e abuzimit me drogën dhe të marrëdhënieve seksuale jashtëmartesore, ka më shumë të ngjarë që fëmijët t’i shmangin disa sjellje të cilat mund t’i çojnë drejt HIV-it dhe sëmundjeve të tjera. *

Ngushëllim për viktimat e HIV-it e të SIDA-s

Përpjekjet për parandalim mund të mos jenë shumë ngushëlluese për miliona njerëz që tashmë janë infektuar me HIV ose janë të sëmurë me SIDA. Përveçse vuajnë pasojat fizike që sjell sëmundja, shpesh ata i përjashtojnë nga shoqëria dhe u vënë damkën për shkak të gjendjes së tyre. Pse ndodh kështu? Një mendim i përhapur, por i gabuar, është se HIV-i mund të të ngjitet me çfarëdolloj kontakti të rastësishëm. Frika nga SIDA është e kuptueshme, pasi ajo jo vetëm që është ngjitëse, por është edhe vdekjeprurëse. Disa kanë lejuar që kjo frikë nga sëmundja të kthehet në një frikë të palogjikshme ndaj njerëzve që kanë këtë sëmundje. Disa të sëmurë me SIDA i kanë privuar nga trajtimi mjekësor, i kanë përjashtuar nga kisha e madje i kanë sulmuar dhunshëm.

Disa kanë thënë se SIDA është një mallkim që u bie të ligjve nga Perëndia. Është e vërtetë se po të ndiqnin normat e Perëndisë për çështjet seksuale, përdorimin e drogës dhe të gjakut, shumë nga ata që vuajnë sot nuk do ta kishin marrë SIDA-n. (Veprat 15:28, 29; 2 Korintasve 7:1) Sidoqoftë, Shkrimet e Shenjta tregojnë se sëmundja nuk është një provë se Perëndia të ka ndëshkuar për ndonjë mëkat. Përkundrazi, Bibla thotë: «Perëndia nuk mund të sprovohet me gjëra të liga dhe as ai vetë nuk sprovon njeri.» (Jakovi 1:13; Gjoni 9:1-3) Një njeri që ka HIV-in ose SIDA-n, ngaqë nuk ka ndjekur normat që tregohen në Shkrime, por që tani ka ndryshuar sjellje, mund të jetë i sigurt se Perëndia nuk e ka braktisur.

Dhembshuria dhe dashuria e Perëndisë për të sëmurët kronikë u duk qartë kur Biri i tij, Jezui, erdhi në tokë. Kur në njërin prej udhëtimeve të tij, Jezui takoi një të lebrosur, ‘u shty nga keqardhja, shtriu dorën dhe e preku’. Jezui e përdori fuqinë e tij të mrekullueshme dhe e shëroi të lebrosurin. (Marku 1:40-42) Jezui nuk i përbuzi njerëzit e sëmurë. Dashuria që ai tregoi për ta pasqyronte me përsosmëri dashurinë e Atit të tij qiellor.​—Luka 10:22.

Së shpejti një kurë për SIDA-n!

Shërimet e mrekullueshme të Jezuit jo vetëm që na sigurojnë për dashurinë e Perëndisë, por bëjnë edhe më shumë. Bibla na tregon se sot Jezu Krishti sundon si Mbret në qiell. (Zbulesa 11:15) Shërbimi i tij në tokë tregoi se ai ka fuqinë dhe dëshirën për të shëruar çdo sëmundje që prek njerëzimin. Pikërisht këtë do të bëjë në të ardhmen.

Profecitë biblike na sigurojnë se së shpejti asnjë «nuk do të thotë: ‘Unë jam i sëmurë.’» (Isaia 33:24) Pavarësisht se njeriu ka dështuar në përpjekjet e tij për të ndaluar përhapjen e SIDA-s ose për t’u siguruar një trajtim të efektshëm të gjithë të sëmurëve me SIDA, mund të jemi të sigurt se ajo do të zhduket. Mbreti David tha: «Beko, shpirti im, Zotin dhe mos harro asnjë nga të mirat që ka bërë. Ai fal të gjitha paudhësitë e tua dhe shëron të gjitha sëmundjet e tua.»​—Psalmi 103:2, 3.

Kur do të ndodhë kjo? Cilat kërkesa ka Perëndia për të gjithë ata që shpresojnë të përjetojnë bekime të tilla? Ju ftojmë të flitni me Dëshmitarët e Jehovait për të mësuar më shumë për premtimet e mrekullueshme të Biblës.

[Shënimi]

^ par. 7 Shumë prindër kanë parë se libri Të mësojmë nga Mësuesi i Madh, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, është i dobishëm për t’i mësuar pak nga pak fëmijët e tyre për marrëdhëniet seksuale dhe për t’u mësuar disa parime themelore morale.

[Diçitura në faqen 11]

Profecitë biblike na sigurojnë se së shpejti asnjë «nuk do të thotë: ‘Unë jam i sëmurë.’»

[Figura në faqen 10]

Fëmijët mund të jenë më të mbrojtur, po t’i mësoni në lidhje me marrëdhëniet seksuale dhe për abuzimin me drogën

[Figura në faqen 10]

Aftësia dhe dëshira e Jezuit për të shëruar të sëmurët tregoi se çfarë do të bëjë ai në të ardhmen