Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Nga një shkretëtirë në një parajsë

Nga një shkretëtirë në një parajsë

Nga një shkretëtirë në një parajsë

Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Lituani

NË FUND të shekullit të 18-të, banorët e një fshati të vogël peshkimi, ndienë se fshatit të tyre po i kanosej rreziku i një shkatërrimi. Prej vitesh një dunë rëre gjigante ishte duke lëvizur dalëngadalë drejt fshatit të tyre. U përpoqën ta devijonin drejtimin e dunës, duke ndërtuar një pengesë trekëndore druri. Por më kot, pasi në vitin 1797, duna e groposi plotësisht fshatin e tyre.

Kjo ishte vetëm njëra prej ngjarjeve të kësaj tragjedie 80-vjeçare, gjatë së cilës dunat gëlltitën mbi dymbëdhjetë fshatra. Kjo bëri që gjuha e tokës e quajtur Kurland, një rrip toke 100 kilometra e gjatë në bregdetin Baltik që shtrihet midis Rusisë së sotme dhe Lituanisë, të kthehej në një vend të shkretë. Shkaqet e këtij shkretimi dhe ripërtëritja e kësaj zone, që sot tërheq shumë turistë, thurin një histori mahnitëse.

Pasojë e një keqadministrimi dhe pushtimi

Toka ranore e këtij rripi toke ka qenë e mbuluar me bimësi të harlisur për shumë shekuj. Pylli u siguronte banorëve të zonës gjah me bollëk. Në fillim të shekullit të 18-të, zona kishte fituar rëndësi, sepse ishte bërë pjesë e linjës postare midis Evropës Perëndimore dhe Perandorisë Ruse. Kur popullsia filloi të shtohej gjatë një periudhe paqeje, tufat e bagëtive liheshin të kullotnin pa kontroll në bimësinë e brishtë, ndërsa banorët filluan të prisnin pa kriter drurë nga pyjet. Banorët vendës nuk e kuptonin se sa e brishtë ishte bimësia prej së cilës vareshin.

Pylli u shkatërrua plotësisht kur ushtria ruse pushtoi vendin në vitin 1757. Ata prenë pemët për të ndërtuar me to qindra barka që mund të lundronin në ujëra të cekëta, për të rrethuar kështu Kaliningradin, një qytet i rëndësishëm në Prusi. Përgjatë dekadave pasuese, erërat formuan dunat dhe sollën katastrofën e përmendur më sipër.

A mund të ndryshohej një peizazh i tillë? Xhorxh-David Kuvarti, një nëpunës postar, dhe babai i tij, Gotlibi, ishin ndër ata njerëz që mendonin se kjo ishte e mundur. Në vitin 1825 ata nisën të mbillnin përsëri pemë që të pyllëzonin përsëri Kurlandin. Ishte një luftë e gjatë dhe e mundimshme. Për më shumë se një shekull, qindra njerëz vazhduan të punonin fort për këtë projekt. Si fillim duhej ta bënin tokën të qëndrueshme, duke mbjellë një lloj të veçantë bari me rrënjë të thella dhe që mund të rritej në këtë tokë ranore. Pastaj mbollën mijëra hektarë me varietete të ndryshme pishash dhe mështeknash. Më në fund beteja u fitua! Rreth 70 për qind e tokës së thatë u ripyllëzua. Ç’pamje ka ky vend sot nëse do ta vizitonim?

Një parajsë për turistët

Sot Kurlandi mirëpret 8.000 turistë në ditë, dhe kjo nuk është për t’u çuditur pasi gjërat tërheqëse që ofron ky vend janë të shumëllojshme. Panorama ndryshon shumë shpejt edhe nëse shëtitni në këmbë, me biçikletë ose me makinë. Në këto pyje jetojnë lloje të ndryshme drerësh, dhelprash dhe derrash të egër. Rreth njëqind lloje zogjsh ngrenë foletë e tyre dhe thuajse një milion prej tyre shtegtojnë në këtë rrip toke çdo vit. Ka 900 lloje bimësh dhe ka ende shumë duna edhe pse tani zënë vetëm 12 për qind të sipërfaqes së vendit.

Disa nga dunat janë 50 m të larta. Edhe pse nuk sheh gjë tjetër përreth, veç rërës dhe qiellit, kjo është një përvojë e paharrueshme. Duke u ngjitur, sheh se era ka modeluar disa duna në formë tasi. Kur arrin në kreshtën e mprehtë, rëra e ngritur nga era rrëshqet poshtë anëve të dunës e të jep përshtypjen sikur e gjithë kjo masë rëre po hedh një hap tjetër për të vazhduar udhëtimin e saj të pafund. Një pamje që të lë pa frymë! Mund të shohësh rripin e ngushtë të tokës ku po shkel që shtrihet tutje në largësi i zbukuruar nga fshatrat, pyjet, livadhet dhe faret. Në njërën anë janë dallgët e detit Baltik që vrumbullojnë, dhe në anën tjetër ujërat e qeta të lagunës së Kurlandit.

Për vizitorët, era pakëz e ftohtë e detit është shumë gjallëruese. Shumë kënaqen duke bërë sërf në ujë ose duke lundruar me jaht; të tjerë bëjnë një shëtitje në një nga fshatrat e lashtë. Shtëpitë e lyera me ngjyra të ndezura me çati me kallama ose me tjegulla, ruajnë ende atmosferën e qetë të kohëve të shkuara. Era e fortë e peshkut që konservohet dhe pamja e rrjetave të hapura për t’u tharë, u kujton pushuesve se peshkimi ka qenë gjithmonë puna kryesore e banorëve. Erëtreguesit janë tepër të përhapur pasi peshkatarëve u intereson shumë të dinë drejtimin e erës. Ata u kthyen në një art në këtë vend dhe janë objekt interesant studimi. Stolisja e direkut të çdo mjeti lundrues me këto erëtregues shërben për të identifikuar origjinën e fshatit të secilit prej tyre. Shumë interesante janë edhe copat e qelibarit që ndonjëherë mund të gjenden në breg të nxjerra nga deti. Veçanërisht në ditët me vranësi, turistët vizitojnë muzetë që ekspozojnë bizhuteritë prej qelibari. Disa nga këto, kanë bimë dhe insekte të fosilizuara brenda tyre.

Pra, nuk është për t’u habitur që përfaqësuesja lituane në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë, e përshkroi Kurlandin si një parajsë. Vërtet, ky vend dikur i shkretuar nga keqadministrimi dhe lufta, sot është një parajsë. Pa dyshim, anembanë tokës ka shumë vende që po shkatërrohen. Por Bibla na siguron se së shpejti nën sundimin e Mbretërisë së Perëndisë, e gjithë toka do të transformohet në një parajsë të bukur ku njerëzit e drejtë do të banojnë aty përgjithmonë.​—Isaia 65:17, 21-25; 2 Pjetrit 3:13, 14.

[Hartat në faqen 16]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

DETI BALTIK

LITUANI

GJUHA E TOKËS E KURLANDIT

Laguna e Kurlandit

RUSI

Kaliningrad

[Figurat në faqet 16, 17]

Vendi i Kurlandit është habitati i shumë zogjve, bimëve, dhe ka mjaft duna

[Burimet]

Tre kutitë në fund: Gedimino Graz̆ulevic̆iaus nuotrauka

Zogu dhe bari: Gedimino Graz̆ulevic̆iaus nuotrauka; sfondi: UAB „Laiko spalvos“

FOTO: A. VARANKA

[Figurat në faqen 18]

Derra të egër

Mjellma

Qelibar

[Burimi]

Tre fotografitë lart: Gedimino Graz̆ulevic̆iaus nuotrauka

[Figura në faqen 18]

Kurlandi mirëpret mijëra turistë çdo ditë