Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një kurë për SIDA-n​—Nevojë urgjente!

Një kurë për SIDA-n​—Nevojë urgjente!

Një kurë për SIDA-n​—Nevojë urgjente!

Në tregun kryesor të Lilongvës në Malavi, Grejsi shet këpucë luksoze. Ajo duket e qeshur dhe e shëndetshme. Por buzëqeshja e saj e gëzuar fsheh një histori tragjike.

Në vitin 1993 Grejsi dhe i shoqi fluturuan nga gëzimi kur u lindi një vajzë, Tijajana. Në fillim Tijajana dukej e shëndetshme. Por, shpejt filloi të mos shtonte më në peshë dhe sa shërohej nga një sëmundje e zinte tjetra. Kur ishte tre vjeçe, Tijajana vdiq nga SIDA (sindromi i imunodeficiencës së fituar ose i mangësisë imune të fituar).

Pak vjet më vonë, edhe i shoqi i Grejsit filloi të sëmurej. Një ditë humbi ndjenjat dhe e çuan në spital. Mjekët nuk arritën ta shpëtonin. Pas tetë vjetësh martesë, bashkëshorti i saj vdiq nga komplikacionet që i erdhën nga SIDA.

Sot Grejsi jeton e vetme në një dhomë në periferi të Lilongvës. Në moshën 30-vjeçare mund të pritej që ajo ta fillonte jetën nga e para. Por Grejsi shpjegon: «Kam HIV-in, prandaj nuk do të martohem dhe nuk do të kem më fëmijë.» *

MJERISHT, histori të tilla nuk janë të rralla në Malavi, ku afërsisht 15 për qind e popullsisë është e infektuar me HIV. Gazeta Globe and Mail tregonte se në një spital në një zonë rurale, për shkak të SIDA-s, numri i pacientëve është 50 për qind më i madh se numri i shtretërve «dhe institucioni ka humbur më shumë se 50 për qind të personelit mjekësor». Përhapja e infektimit me HIV është edhe më e madhe në disa vende të tjera afrikane që gjenden poshtë Saharasë. Më 2002, Programi i Përbashkët i Kombeve të Bashkuara për HIV/SIDA-n (UNAIDS) thoshte: «Sot jetëgjatësia mesatare në vendet afrikane poshtë Saharasë është 47 vjeç. Po të mos ishte SIDA do të kishte qenë 62 vjeç.»

Gjithsesi, murtaja e HIV/SIDA-s është përhapur mjaft dhe ka arritur edhe në vendet që janë larg kufijve të kontinentit afrikan. UNAIDS-i thotë se në Indi afro katër milionë të rritur janë të infektuar me HIV dhe shton: «Duke mbajtur parasysh numrin e madh të të infektuarve, HIV-i do të bëhet shkaku kryesor i vdekjeve te të rriturit gjatë këtij dhjetëvjeçari.» Epidemia po përhapet me shpejtësi në Federatën e Shteteve të Pavarura, që përbëhet nga shumica e Republikave të ish-Bashkimit Sovjetik. Një artikull thotë se në Uzbekistan «u raportuan më shumë raste të infektimit me HIV në vitin 2002, sesa në dhjetë vitet e fundit të marra së bashku». Në Shtetet e Bashkuara, virusi i HIV-it vazhdon të jetë një nga shkaqet kryesore të vdekjeve të amerikanëve nga mosha 25-44-vjeçare.

Në vitin 1986, Zgjohuni! botoi për herë të parë një seri artikujsh për SIDA-n. Atë vit, dr. H. Mahleri, i cili ishte drejtor i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, tha se afro dhjetë milionë njerëz tashmë mund të jenë të infektuar me HIV. Pothuajse dy dhjetëvjeçarë më vonë, numri i rasteve me HIV në mbarë botën është rritur në afro 42 milionë, dhe kështu shpejtësia e përhapjes ia kalon më shumë se dhjetë herë shpejtësisë së rritjes së popullsisë. Specialistët thonë se e ardhmja nuk premton për më mirë. «Në 45 vendet më të prekura,​—thotë UNAIDS,​—pritet që gjatë periudhës 2000-2020, 68 milionë veta të vdesin para kohe nga SIDA.»

Duke mbajtur parasysh se virusi po përhapet me ritme alarmuese, kurrë më parë nuk ka qenë kaq urgjente një kurë për SIDA-n. Prandaj, kërkuesit në fushën mjekësore kanë punuar pa u lodhur për të luftuar HIV-in. Çfarë arritjesh ka pasur në luftën kundër kësaj murtaje vdekjeprurëse? A është e arsyeshme të shpresojmë se do të vijë një ditë kur SIDA do të zhduket?

[Shënimi]

^ par. 5 Dihet se HIV-i ose virusi i imunodeficiencës te njeriu është virusi që shkakton SIDA-n.

[Diçitura në faqen 4]

Anembanë botës afro 42 milionë njerëz kanë HIV/SIDA-n; 2,5 milionë janë fëmijë

[Figura në faqen 4]

INDI​—Vullnetare që punojnë në shëndetësi marrin njohuri për SIDA-n

[Burimi]

© Peter Barker/Panos Pictures

[Figura në faqen 4]

BRAZIL​—Një punonjëse sociale ngushëllon një grua që vuan nga SIDA

[Burimi]

© Sean Sprague/Panos Pictures

[Figura në faqen 4]

TAJLANDË​—Një vullnetar kujdeset për një fëmijë që ka lindur me HIV

[Burimi]

© Ian Teh/Panos Pictures